web analytics

Të veçanta

Liria nën diktatin e vdekjes

     Zhvillimi i jetës në të gjitha fushat e veta ka prodhuar një gjendje të re të njeriut në ditët e sotme. Vetpercetimi i tij mbi qenien e vet ka pësuar dhe vazhdimisht po pëson ndryshime të pandërprera. Rrjedhimisht edhe mënyra e jetesës apo struktura sociale ndërtohet në sajë të këtij këndvështrimi mbi të kuptuarit e vetvetes dhe të tjetrit. Të menduarit dhe vetkonceptimi kanë pësuar shndërrime thelbësore për njeriun post/modern, madje ky shndërrim reflektohet edhe në rangje institucionale. Brishtësia dhe pasiguria janë nga tiparet më të dukshme të cilat personifikojnë njeriun e sotëm, të cilin kritikët e konsiderojnë si njeri të turmës (Ortega y Gasset) apo njeri njëdimesional (Marcuse).

     Brishtësinë e shoqërive të sotme në aspektin e qasjes ndaj vetes dhe paaftësisë për të fituar qoftë edhe një siguri minimale ontologjike e ka nxjerrë më së shumti në pah situata e krijuar nga pandemia e virusit tashmë të mirënjohur, covid-19. Kjo sfidë e ka vendosur qytetërimin përballë një pasqyre të cilën e anashkalonte. Ky pasqyrim e ka detyruar njeriun e sotëm ta shohë qenien e vet me gjithë mangësitë dhe pamundësitë e veta, ka shembur çdo mit që pretendonte supermacinë e njeriut në univers duke sprovuar vërtetësinë edhe vlerat e bindjeve ontologjike si edhe të sistemit të moraleve të secilës shoqëri.

     Si një kundërshti logjike apo si një paradoks intelektual njerëzimi sot ka tejkaluar nga indiferenca dhe injorimi i fenomenit të vdekjes në një stad të frikës dhe ankthit. Aq e madhe ishte kjo frikë, sa bota hoqi dorë nga të gjithë faktorët e vitalizimit të jetës, vetëm për ta shpëtuar atë, edhe pse cënimi që i kanoset nuk qëndron në kufijtë e fatales. Për të shpëtuar nga vdekja, shtetet dëshmuan gatishmëri të lartë për të bllokuar pothuajse çdo aktivitet social; për të mohuar pjesën më të madhe të lirive apo të cënonjë ekonomitë e veta duke çuar në varfëri ekstreme shtresat e ulëta.

     Me zhvillimet e mëdha teknologjike dhe elektronikën e avancuar të cilat e kanë thjeshtuar tejmase mënyrën e jetesës së shoqërive tona si edhe kanë lehtësuar shumë mjetet e fitimit të jetesës, u prodhua paralelisht edhe një thjeshtim intelektual e doktrinar. Qëllimi i jetës dhe fenomeni i vdekjes, si fenomene skajshmërisht të rëndësishme për t’i koncpetuar, nuk u konsideruan me seriozitetin  e duhur, madje njeriu  modern i injoroi duke i mohuar. Kjo tregoi papjekurinë e tij. Ndërsa me përhapjen e pandemisë kjo papjekuri reflektoi brishtësinë e strukturës mendore dhe doktrinare mbi të cilat gjykohet jeta apo vdekja. Një frikë e tillë e pazakontë tregon më shumë enigmën që qëndron para vdekjes si fenomen për njeriun e sotëm, sesa vdekjen si fakt, pasi vetëdija mbi vdekjen si fakt është absolute. Kësisoj gjendja e re karakterizohet nga njerëz të cilët mendojnë për vdekjen më shumë se sa duhet dhe frikësohen për të më shumë se për çdo gjë.

     Nga kjo panoramë përshkruese e cila orvatet të tregojë raportet e njeriut të sotëm me lirinë dhe vdekjen si fenomen, mund të arrijmë në përfundimin të cilin e dëshmon edhe filozofi i madh i modernitetit Spinoza, i cili shprehet se: “Njeriu i lirë nuk mendon për asgjë më pak sesa për vdekjen, dhe mençuria e tij është një përsiatje për jetën dhe jo për vdekjen.”

     Në krahasim me shoqëritë tradicionale, shoqëria moderne ka një raport të brishtë me vdekjen, rrjedhimisht edhe me jetën edhe lirinë. Koncepti i lirisë, që më së shumti e gjejmë si mit në kohën të cilën e jetojmë, është intepretuar si e drejtë e çdokujt për t’u çliruar nga pengesat e shprehjes së mendimeve apo artikulimit të veprimeve duke mohuar kufizmet, qofshin ato edhe të kuptueshme e etike. Nëse në komunitetet tradicionale jetës i dedikohej një kuptim metafizik dhe fetar i mirëfilltë, ndërsa vdekja konsiderohej si stad i jetës që nënkupton zhdukjen vetëm të trupit, e jo edhe të shpirtit; ndërsa botëkuptimet dominante të sotmet e konsiderojnë këtë botë si pikënisjen dhe kulmin e çdo gjëje si besimi, kultura, arti etj, ndërsa vdekja për ta është një fund i gjithanshëm, si për trupin e për shpirtin, prandaj edhe liria apo frika nga vdekja sot kanë këtë raport.

     Medoemos qëllimit të jetës duhet t’i përcaktohet një kuptim, edhe vdekja gjithashtu duhet të përbëjë një vizion të qartë për çdokënd, në sajë të qëllimit që ka jeta e çdo njeriu. Madje, kuptimi i jetës nuk duhet kërkuar tek mendimi njerëzor, pasi njeriu, megjthë fuqitë e veta intelektuale, nuk mundet as ta prodhojë e as ta mbrojë atë. Në gjendje të tilla frike dhe konfuziteti, metafizika kthehet në ngushëllim për fizikën, ashtu sikurse prindi është streha shpirtërore për fëmijët. Mendja njerëzore veçanërisht në këtë moment kaotik, duhet t’i kthehet traditave metafizike dhe religjioze të kuptimit të jetës, të intepretimit të asaj çka nuk është vetëm njerëzore.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP