COVID-19 – Distancimi fizik dhe kthimi tek vlerat
Pothuajse e gjithë bota po përballet me virusin e ri COVID-19 dhe masa drastike janë marrë për të parandaluar këtë pandemi e cila i ka dhënë një goditje të rëndë njerëzimit dhe ekonomisë botërore. Termi që dëgjojmë më shumë në mediat tona dhe në mediat e huaja është masa e ashtuquajtur ‘distancim social’. Në fakt, e gjithë ideja është tek distancimi fizik i cili shmang njerëzit nga njëri-tjetri nga kontakti fizik. Ndërsa, distancimi social apo kontakti social mund të bëhet në forma të ndryshme, ku njëra prej tyre është kontakti fizik. Kontakti social në ditët e sotme mund të bëhet me anë të pajisjeve teknologjike të cilat tashmë përdoren në masë.
Në aspektin ekonomik, virusi i ri ka sjellë një kaos total në sistem ku humbje të mëdha ka pësuar ekonomia e secilit shtet. Nafta, e cilësuar ndryshe si ari i zi tashmë është bërë gati e pavlefshme në treg dhe shumë ekonomi që kanë të ardhura kryesore prej saj llogarisin dëme të mëdha. Sektori i turizmit dhe ai i fabrikave kanë marrë një goditje të madhe për shkak të masave të marra nga shumë shtete. Rimëkëmbja duket se do marrë shumë kohë kur e gjitha kjo të përfundojë
Për sa i përket fushës sociale, përjashtojmë këtu sistemin arsimor i cili nuk duket se ka efektin e duhur në zhvillimin e mësimeve online, skenari më i mirë ka ndodhur në vendin tonë ku është respektuar masivisht ‘distancimi fizik’. Akoma edhe më përgëzues është fakti i ‘afrimit social’ mes shqiptarëve dhe mbase i njëjti fenomen gjendet në mbarë botën. Kjo shihet në shtimin e kontakteve mes njerëzve me anë të teknologjisë. Takime të ndryshme familjare, pune, akademike, shoqërore tashmë kryhen me anë të pajisjeve teknologjike. Edhe pse këto takime nuk kanë të njëjtën shije si takimet fizike ato përsëri kryhen madje edhe më shpesh se më parë. E gjithë vëmendja është kthyer tek farefisi dhe lidhjet e gjakut të cilët gjenden brenda dhe jashtë vendit. Me sa duket virusi i ka afruar shumë më shumë njerëzit se më parë kur puna zinte pjesën dërrmuese të kohës. Është e dhimbshme por duhet thënë që shumë prej njerëzve jetojnë për të punuar, çka e nxjerr primare punën dhe jo jetën.
Në gjithë këtë atmosferë, familja ka marrë realisht vëmendjen që i ka munguar prej kohësh. Ashtu sikurse në lagjen ku jetoj, gjithashtu dhe në lagjen e gjithsecilit prej jush, këto kohë keni parë familjet që kalojnë kohë së bashku. Kemi parë prindërit për herë të parë të luajnë nëpër oborre me fëmijët e tyre. Për herë të parë pas kaq shumë kohësh familjet kanë ngrënë vaktet ushqimore të gjithë sëbashku. Me pak fjalë familja e cila është hallka bazë e shoqërisë ka marrë vëmendjen e merituar duke pasur afrim social dhe fizik mes antarëve.
Një element tjetër që ka marrë vëmendjen e merituar është libri. Një personalitet turk i quajtur Haluk Bilginer ka dhënë një këshillë të vyer për njerëzit në këto kohë karantinimi. Ai u shpreh në këtë formë: “Është e vërtetë që u mbyllëm në shtëpi, por është e mundur të hapim mendjet tona. Për këtë kemi një kartë të fortë në duart tona. Leximi. Leximi ju nxjerr nga shtëpia, ju çon në lloj lloj vendesh. Leximi ju bën të dyshoni. Leximi zgjon kureshtjen. Leximi të bën të kërkosh përgjigje. Leximi prodhon zgjidhje. Leximi është i mirë. Lexim të këndshëm!”
Elham Jashari
Komente