web analytics

Të veçanta

“Stand up Albania” apo paturpësia e mediave

Rastësisht pashë promocionin e një Talent Show, “Stand up Albania” në kanalin Tips që i dedikohet të rinjve dhe që pjesmarrës kanë fëmijë, të cilët janë duke formuar panoramën e koncepteve për jetën. Këta fëmijë  pritet që nga ky talent show të dalin artistë, gazetarë, prezantues shfaqjesh televizive, të mençur, të zgjuar të shkathët dhe në fund “të pacipë”. Kjo reklamë është një tregues i vërtetë të asaj që dëshiron media në përgjithësi, dhe që pa dyshim është një politikë sa e hershme po aq e re për t’i mbajtur të skllavëruar moralisht dhe mendërisht.

Makabriteti fillon me atë që çdo fëmije i imponohet perceptimi se ai tashmë është “i ri”, e ka arritur maturimin dhe mund të zgjedhë çfarë të dojë, në veprimet e tij dhe në përkufizimin që iu jep koncepteve, vlerave dhe veprimeve. Kështu fëmijët fitojnë lirinë , lirinë për të qënë skllevër të koncepteve, kuptimeve, vlerave dhe veprimeve që ju jep regjizori. Dhe në fund nuk fitojnë asgjë të dobishme vetëm se vlerën më të madhe të kohës “Fama”. Ata dolën në TV dhe tashmë njerëzit i njohin, fëmijët e tjerë do të duan të jenë si ata, dhe do luten që të jenë si ata, sepse ata janë të famshëm. Fëmijët që nuk kanë qënë te fama do pranojnë ti bëjnë të gjitha veprimet e tyre, do jenë edhe më të pacipë, se kështu do jenë më popullorë. Dhe kështu edhe fëmijët e tjerë pas tyre, derisa të formohet një zinxhir fëmijësh dhe të rinjsh që do jenë robotë veprimesh, shumë lehtë të kontrollueshëm, aspak të zgjuar dhe më e rëndësishmja të skllavëruar në mendime.

Dhe ja ku del në pah politika e hershme e kontrollimit të masave. Sa më i pacipë të jetë fëmija, i riu, aq më të lehtë e ka të bëjë ofendimin, aq më të lehtë e ka që ta bëjë bullizmin, aq më të lehtë e ka të bëjë krimin, dhe aq më lehtë i kryen të gjitha këto kur i ofrohet fama.

Në një thënie profetike thuhet:” Po nuk pate turp, mund të bësh çtë duash.” Një shoqëri e ngritur mbi paturpësinë asnjëherë nuk do e ketë sigurinë për parimet themeltare të jetës. Nuk do ketë siguri për jetën, nuk do ketë siguri për vlerat dhe moralet njerëzore, dhe nuk do ketë siguri edhe për lirinë e mendimit. Shqipëria jonë ka nevojë për talente, për të rinj të zgjur dhe të shkathët, por nuk ka nevojë dhe nuk duhet që këto t;i fitojë nëpërmjet skllavërimit të mendimit dhe paturpësisë.

Prandaj Shqipëria dhe ne shqiptarët le të bëjmë një “stand up”, por në drejtim të ringjalljes së vlerave shoqërore për të cilat mburremi që i kemi në gjak. Vlerave të cilat i gjejmë të mëshiruara te ata njerëz të cilët kanë dashur që Shqipëria vërtet të ngrihet, që shqiptarët të ecin përpara, dhe jo drejt modernizmit, i cili quhet e vetmja ecje përpara, por drejt rregullimit të shoqërisë me anë të drejtësisë, vlerave hyjnore dhe humane e kulturës, dijes, dhe profesionalizmit.

Ne mburremi me atdhetarët tanë nëpër emisione, marrim dhe diskutojmë veprat e tyre, shohim se sa bukur ndërthuret karakteri i tyre i lartë me punën e tyre për të shtuar të mirën për Shqipërinë dhe shqipëtarët. Ishin njerëz që kishin turp dhe e vlerësonin atë, ishin njerëz me moral dhe e vlerësonin atë. Ishin njerëz që besonin te përgjegjshmëria njerëzore, se njeriu nuk mund të jetë i tillë që të mos zgjedhë dot ardhjen dhe ikjen nga kjo jetë, dhe nga ana tjetër të zgjedhë të bëjë çtë dojë. Nuk është aspak e çuditshme që tek figurat e shquara të atdhetarëve tanë, rilindasve tanë, ne gjejmë trajtim konceptesh dhe vlerash të lidhura fort me besimin në Zot, dhe po ashtu edhe vet jetën e tyre të lidhur me të. Dhe sa më shumë që njerëzit largohen nga kjo lidhje aq më shumë kemi humbje të dobisë në shoqërinë tonë.

Ne themi se na intereson puna e tyre, atëherë pse harrojmë të shikojmë në jetën e tyre se si asnjëherë nuk bënin kompromise me vlerat dhe parimet  në këmbim të famës? Pse sot fëmijët, e ardhmja e këtij duhet të mos ketë turp, të mos kenë vlera, të mos kenë besim në Zot? Pse duhet të jenë marioneta veprimesh dhe skllevër mendimesh?  Kjo e keqe që duan të mbillet nuk e ka të gjatë se vetë toka nuk i mban rrënjët e saj, dhe rrënjet e të mirës në këtë tokë janë akoma të forta. Janë lidhur fort me histrorinë tonë, dhe janë tregues i të ardhmes që duam, përkundër çdo fasade dhe harxhimi shterp.

Redi Goroveci

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP