A është normale me qenë egoist
Nga Ibrahim Xhepmetaj
Kur flasim për njeriun na shfaqen një mori sferash dhe dimensionesh diskutimi që hyjnë e dalin dhe marrin e japin ndërmjet tyre. Një nga temat më të diskutuara, veçanërisht në rrafshin psikologjik dhe filozofik është dukuria e egoizmit si tipar i përbashkët i qenieve humane, të cilat e mbartin këtë cilësi, vetvetiu të gjendur në natyrën e tyre. Nëse i qasemi praktikisht vëmë re sjellje pak a shumë të ngjashme dhe të përsëritura të sipërfaqes egoiste të njeriut, qoftë në aktivitetet vetë-ushquese qoftë dhe, sidomos ndërvepruese të tij, kryesisht me njerëzit, por edhe me natyrën.
Sidoqoftë pyetja që shtrohet në këtë kontekst është; a jemi në thelb apo thelbësisht qenie egoiste ne, njerëzit?!
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, së pari sigurisht do t’i referohemi realitetit të përvojës njerëzore e cila në fakt dëshmon se njeriu herë pas here dhe vazhdimisht e nxjerr në pah egoizmin si ves, dominant ndaj të kundërtës së tij, altruizmit. Përpara se ta shtjellojmë dhe ilustrojmë është mirë ta përkufizojmë dhe mendoj se përkufizimi më i afërt është kuptimi se egoizmi është ndjenja dhe tendenca e natyrshme që ka njeriu për të tërhequr nga vetja dhe për të “sakrifikuar” në emër të vetes. Po si shpjegohet që njeriu e ka aq të zhvilluar këtë prirje? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet t’i qasemi pak objektivisht dhe ta shikojmë sa më gjerë dhe thellë gjithë spektrin e ndjenjës së egoizmit. Si ndjenjë, egoizëm është të duash veten dhe për veten, duke mënjanuar të gjitha pengesat që e largojnë nga ky objektiv. Po përse njeriu vazhdimisht, gjithnjë lyp dhe kërkon gjërat ti ketë për vete??
Duhet të kuptojmë se njeriu si qenie është e ndërtuar mbi nevoja – duke ju referuar piramidës së hierarkisë së nevojave të Mazlow, dhe si i tillë është i varur ekzistencialisht nga përmbushja e tyre. Brenda kesaj hierarkie, sipas meje, nevojat janë thelbësore apo parësore dhe të negociueshme apo dytësore. Nevojat primare nuk i mënjanon dot askush edhe pse në momente të caktuara mund t’i anashkalojë, kufizojë apo pezullojë si psh: gjumi, ushqimi, pija, instikti seksual etj. Nevojat dytësore janë gjithçka që në një farë forme i shërbejnë të parave (duke i mangësuar apo shtuar ato, pavarësisht a janë të mjaftueshme apo jo për të). Psh: Nëse njeriut i mjaftokan dy kafshata bukë për të qëndruar drejt në këmbë, sipas citatit të njohur të jetëshkrimit të Muhamedit a.s., përse ai e ka kaq të vështirë të qëndrojë brenda këtyre kufinjve (të përmbushjesh së mjaftueshme të primares) por e tejkalon masën dhe vazhdimisht lakmon në sasi dhe shumëllojshmëri?!
Të gjithë jemi gjendur në një menzë apo restorant me varietete dhe ushqime të shijshme dhe sa e vështirë është për pjesën më të madhe tonën të ushtrojë vetëpërmbajtje në atë moment duke kuptuar sa i nevojitet (për të shuar urinë) dhe sa mund të shijojë (sepse s’mund ti konsumojë që të gjitha njëherësh) e përpasojë të sillet racionalisht me ushqimin (të hajë aq sa i duhet, si duhet). Në fakt: njeriu merr më tepër nga ç’duhet, shpërdoron dhe mangëson përmbushjen e nevojës bazike të dikujt tjetër dhe njëkohësisht konfliktuon duke garuar kush merr i pari (duke prishur radhët dhe rendin). A nuk është lakmia që e shtyn njeriun të jetë egoist. Apo është egoizmi që e bën lakmitar?! Sidoqoftë pajtohemi se është e pamundur që dikush duke qenë i uritur dhe duke pasur mundësi ta shuajë urinë të refuzojë të ushqehet për shkak se nuk ka nevojë. Pra një nga shkaqet e egoizmit të njeriut qenka nevoja, por ky është egoizëm i vetëkuptueshëm dhe jo i qortueshëm, por është lakmia ajo që i jep egoizmit trajtë të egër dhe dëmtuese (së pari për vepruesin dhe mbi atë që bie veprimi egoist).
Së dyti: Thamë që lakmia e shtyn njeriun në egoizëm apo egoizmi në lakmi, por çfarë e bën egoizmin të përshfaqet në mënyrë kaq njerëzore?? E thënë ndryshme çfarë e motivon egoizmin? Përderisa biem dakord që ç’do njeri pak a shumë është vetjak (akoma s’kemi pranuar që është egoist) atëherë çfarë e motivon egoizmin e tij? Napoleon Bonaparti ishte i mendimit se dy janë instiktet bazë që e shtyjnë dhe tërheqin ego-n, unin e njeriut: 1. Interesi 2. Frika.
Këtu po të analizojmë bindemi se me të vërtetë këto janë shtysa apo karreme qenësore brenda tij sepse njeriu frikës cilësiohet nga e panjohura dhe interesohet për të njohurën, të panjohurën e urren dhe e largon (shtyn) atë për pasojë arratiset nën presion (stres, frikë, ankth), kurse për të njohurën interesohet dhe e kërkon, e dëshiron, sepse ashtu i përmbush nevojat. Tek interesi mund të futet nevoja, dëshira, dashuria, kënaqësia, tundimi, kurioziteti, ndërsa tek frika stresi, pasiguria, tmerri, dëshpërimi, zemërimi, pakënaqësia, dyshimi etj.
Marrim si shembull nevojën e natyrshme të njeriut për të zotëruar mall (pasuri). Nëse nisemi nga nevoja për posedim (për rrjedhojë pushtet) është kryesisht frika që e shtyn të punojë, veprojë, sepse i frikësohet varfërisë, pra mospërmbushjes së nevojave esenciale (ushqyerjes, pijes, veshëmbathjes, strehimit), mirëpo është pikërisht lakmia ajo që nxit interesin e tij për të zotëruar më shumë (përtej nevojës reale), që e bën të jetë egoist: përfiton në kurriz të të tjerëve, zhvat, babëzitet, fiksohet, krijon varësi ndaj të pasurit gjithnjë e më shumë pa e ditur çfarë kërkon). Në këtë rast egoizmi bëhet i egër dhe kryesisht interesi (në ktë rast lakmia pas ngopjes) e bën njeriun egoist të keq, jo frika reale (nga ndjesia e pangopjes). Siç thoshte mendimtari i shquar i post-modernizmit Alija Izetbegovic, “kafsha është e rrezikshme kur është e uritur, njeriu kur është i ngopur.” Si për t’na thënë kafsha është e rrezikshme prej instikteve (nevojave bazike) ndërsa njeriu bëhet kafshë kur humb kontrollin mbi instiktet (i keqpërdor, e tepron, nuk frenohet, nuk vendos ekuilibër mes nevojave dhe dëshirave të pafundme egos). Ky shfrenim i egos ilustrohet natyrshëm me thënien e profetit Muhamed a.s.”Nëse birit të Ademit (njeriut) do i jepej një mal me flori, do kërkonte një të dytë…tretë…barkun e tij se ngop asgjë veç dheut.” Për të na thënë që lakmia për shkak të natyrës egoiste të njeriut është cilësi e natyrshme dhe nuk çrrënjoset, madje do vdesë bashkë me të. Pra mund të themi që biem dakord se lakmia është shenja dalluese e egoizmit, sepse nevojtari lakmon, jo ai që s’ka nevojë për asgjë, kurse njerëzit që të gjithë pa përjashtim janë të pa-përjashtuar nga nevojat e ndryshme (materiale apo shpirtërore qofshin). Pra kur themi se edhe pas ngopjes njeriu abuzon me ushqimin është lakmia ajo që e shtyn, për shkak të nevojave dytësore, për të eksploruar dhe shijuar më gjatë përmbushësin e nevojës bazike, në këtë rast ushqimin). Është përmendur tek citati më lart “barku” sepse ai simbolizon qendërzimin e të gjitha instikteve shtazore kur përmblidhen nevojat bazë, të cilat kanë ndikim të fuqishëm në sjelljen njerëzore. Ndaj në një thënie tjetër i dërguari i Zotit, Muhamedi a.s e cilësoi “stomakun” si “ena më e keqe që mbush njeriu.” Nuk është tema për tu zgjatur tek të gjjthë shembujt për secilën nevojë, por dalim tek teza e fillimit, a jemi në esencë qenie egoiste apo jo?? Diskutimi nuk është absolutisht as veçanërisht, por përgjithësisht dhe relativisht është e pranueshme të thuhet se po, të tillë jemi krijuar dhe gatuar që nga fillimi. Nëna e do fëmijën e saj dhe jo të dikujt tjetër, sepse ashtu i është programuar dashuria instiktuale, foshnja dhe fëmija i duan prindërit jo thjesht se kanë tërheqje biologjike, (gjaku) por për shkak të lidhjes në kohë të emocioneve me ngjarjet (pra i duan sepse përkujdesen dhe jua shprehin dashurinë). Përkundër s’do ishte e habitshme që fëmijët e adoptuar të mos i donin prindërit jo biologjik edhe pse sikur kujdestarët e tyre të ishin prindërit e vërtetë do i donin edhe më shumë (për të njëjtën masë përkujdesje) për shkak të afinitetit të gjakut. Kështu ndodh me njerëzit e gjakut, me ata që jua kupton gjuhën, të lidh kultura, tradita, besimi. Pra sa më shumë përbashkime përkatësisht, aq më e fortë lidhja shpirtërore, aq më afër shpirtit (le të themi aq më konform egos), sepse njeriu edhe kur e do dikënd, e do sepse e bën të ndjehet mirë, i lumtur, i sigurt, i paqtë etj. Pra në thelb e do për shkak se i përmbush nevojën, i kënaq egon.
Të thuash se edhe nëna ka dashuri identike për fëmijët e saj apo të pretendohet se dashuria e saj nuk është dinamike (në varësi të sjelljes dhe ndryshimit të pritshmërisë për ta), nuk është e logjikshme. Por kjo edhe pse nuk diskutohet (sepse vjen e hidhur) është realiteti i hidhur i egos, edhe çifti më perfekt më i dashuruar mund të divorcohet, kur ju përplasen egot. Sepse në esencë egoja i ndan, nuk i përzien gjërat. Përndryshe si shpjegohet që miq dikur aq të afërt që kalonin kohë të bukura bashkë krejt papritur largohen, harrohen sikur mos të ishin njohur. Përgjigjia: Egoizimi. Sepse më përpara i bashkonin ndjesitë që kalonin bashkë dhe kur koha ndryshojë rrethanat ndryshuan qëllimet i udhëhoqën secilin në anë të ndryshme dhe nuk pati tjetër për t’i bërë të njohur dhe për t’i takuar. Nuk puqeshin ego-t. Sepse egoja udhëheq drejt qëllimeve të saj, siç e thamë mënjanon çdo pengesë drejt objektivave të saj.
Argumenti nuk mund të plotësohet pa plotësuar kuptimin mbi egon, qëndron më e futur nga ç’shfaqet. Në sprovat më të rënda ku njeriut i kërcënohet bash ekzistenca (fizike) ai mund të vetëflijohet vetëm për atë gjë që qëndron mbi vetë jetën dhe mishin e tij, që është shpirti. E nëse dikush është vërtet pjesë e shpirtit të tij, mundet ta sakrifikojë trupin, pasurinë e tij, kohën, për të. Megjjthatë kjo vlen vetëm për jetën e kësaj bote. Në një dimension tjetër ku ndarja është më esenciale dhe përfundimtare, siç është llogaria para Zotit dhe gjykimi për shpërblimin apo ndëshkimin e përjetshëm, s’ka dyshim që njeriut i mbetet vetëm vetja dhe do qaj vetëm hallin e vetes së vet. “Nefsi, nefsi” “Unë…Unë, na përshkruan dhe Kur’ani këtë skenë dramatike dhe ekstremisht kritike, sepse posaçërisht Zoti është i dalluar për Qenien e Tij Absolute, po në dimensione hyjnore dhe terma absolut siç i takojnë një Krijuesi të Gjithpushtetshëm, jo të krahasimit apo përngjasimit të ndonjëlloj forme apo perceptimi njerëzor. Kurse njeriut s’i mbetet veçse të bëhet kontrollues i drejtë i egos së tij.
Komente