web analytics

Të veçanta

Kush do fitojë pas pandemisë?

Reflektimet e para vazhdojnë: Kush e hodhi këtë virus? Ishte i qëllimshëm? Kina e bëri apo Amerika? Apo iluminati dhe masonët? Sa miliona do vdesin? Sa shumë kanë vdekur. Çfarë po ndodh kështu! Çfarë tmerri ka për të ndodhur! Falimentuam dhe do shkatërrohet gjithcka! Madje pamë edhe komunikime harbute të kryeminsitrit, i cili ju drejtua i shpërfytyruar zonjës së moshuar në rrugë ku i bërtiste se ku po shkonte!… Etj, etj.

Pas këtyre reflektimeve të para, lindën komunikimet-slogane kryesisht nga shteti dhe institucionet menaxhuese dhe raportuese të situatave si: ‘Frikë Jo, Kujdes Po”. “Armiku i padukshëm që po merr jetët”, “Të shpëtojmë jetët sot, pa cdo gjë tjetër rregullohet”, “Ekonomitë bien dhe ngrihen, por të vdekurit nuk kthehen”, “Spo ja dalin Gjermania, Anglia, Spanja dhe Italia dhe imagjino se cfarë mund të bëjmë ne” … Etj, etj.

9 Marsi për vendin tonë nuk ishte si ditët e zakonshme. U konfirmuan rastet e para me Covid-19 dhe gjithashtu fillon periudha e bllokimeve të qarkullimit të individëve, mallrave dhe shërbimeve dhe zbatimi i fenomenit të distancimit fizik.

Deri më sot, pas shumë vendeve të humbura të punës, pas uljes tepër të ndjeshme të aktivitetit ekonomik të vendit, pas rritjes së borxheve dhe rritjes së pasigurisë për të ardhmen nga pjesa më e madhe e bizneseve dhe thuajse e gjithë masa e popullsisë, shohim disa problematika të mëdha të cilat kanë një burim kyc. MENTALITETI.

Mentaliteti i funksionimit të Shtetit dhe mentaliteti i masës së popullsisë.

Shoqëritë njerëzore, në të gjitha kohët dhe format organizimit të tyre janë përballur me kriza të ndryshme. Kriza mjedisore si thatësira, zjarre, përmbytje apo tërmete, biologjike dhe epidemive apo pandemive të mëparshme, kriza financiare dhe kriza sociale si dhe kriza e burimeve natyrore (në ang. Comodities).

Shumë shtete kanë dale më të forta dhe me mësime të nxjerra nga situatat e krizave dhe shumë të tjera kanë rrëshqitur nga shiu në breshër për shkak të paaftësisë së tyre të treguar në dy momente kryesore: në momentin e parashikimit apo përgatitjes paraprake, si dhe në momentin e menaxhimit dhe zgjidhjes së krizave.

Ndërsa popujt të cilët kanë qenë pjesë përbërëse e dy kategorive të mësipërme të shteteve, sigurisht që janë përshtatur dhe adaptuar totalisht në përputhje me vendimet e shtetit të tyre, pikërisht sepse ato popuj ose kane zgjedhur qeveri të suksesshme për ti qevrisur ose të kundërtën. Këtu duhet te kemi kujdes nga gjykimi fatalist, sepse nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që popujt me të kaluar injorantë apo të civilizuar do të vazhdojnë të jenë githmonë të tillë. Historia e tregon të kundërtën. Sigurisht duhet të mënjanohemi edhe nga këndvështrimi fatalist që meqë kjo gjë është ndëshkim për ne, atëherë jemi të destinuar ta përjetojmë ndëshkimin dhe thjesht ti dorëzohemi “fatit”.

Për sa i përket mentalitetit të drejtë që duhet të ketë shteti si një Menaxhues apo Administrator i Përgjithshëm i vendit, studiuesit kanë filluar të lakojnë teza të djathta apo të majta, liberale, konservatore, nacionaliste, ekstremiste apo teori dhe propozime mikse. Sigurisht duke pretenduar për vërtetësinë e shkaqeve të situatave ashtu edhe të zgjihdhjes së tyre.

Zgjidhja e çdo ngërҫi ekonomik, logjistik dhe social në një vend mbaron atëherë kur çdo formë e kapitalit qarkullon gjithnjë. Ai human, intelektual, financiar në të gjitha instrumentet e tij, lëndët e para dhe gjithçka tjetër. Por nuk mund të jetë qarkullim frytdhënës nëse ofrimi i këtyre kapitaleve përqëndrohet në disa ofrues qoftshin këta indivdë, kompani apo zona territoriale (Përvec kur brenda ciklit të qarkullimit ka specializim). Pra duhet të plotësohet kjo situatë, si masa e parë për të garantuar mosbllokimin e ekonomisë si aspekti më kryesor në organizimin e jetës shoqërore dhe individuale. (Nuk po shtjellojme hierarkine e koncepteve për nga rëndësia, por duke marrë të mirëqenë garancinë e individit për lirinë e tij, sigurinë e jetës së tij, të drejtat e tij, prona private, lirinë e fjalës).

Hapi i mësipërm është hapi i parë që Menaxheri i Përgjithshëm duhet ti garantojë ekonomisë dhe shtetasve. Si mundet të izolosh individin kur nuk mund të izolosh nevojën e tij për ushqim, për punë apo për arsim dhe mjekësi, apo për nevoja të tjera pa të cilat nuk mund të vazhdojë jeta normalisht. Këtu nuk po flasim për kinema apo klube nate. Ky menaxher duhet të sigurojë të gjithë infrastrukturën që idetë e reja dhe të dobishmë të lidhen me fondet e nevojshme dhe me ekspertizën e duhur. Shteti ynë fatkeqësisht nuk bën panaire apo konkurse sipërmarrje ku ti vendosi në shërbim të ideve, kapitalit dhe sipërmarrjes.

Hapi i dytë që ky Menaxher duhe të ndërmarë, është pikërisht të shërbejë si mbikqyrës dhe të ndëshkojë çdo aktor në jetën ekonomike, sociale, politike, infrastrukturore etj, që përpiqet për të monopolizuar apo nxjerrë nga normaliteti formën e mësipërme të të funksionuarit. Shteti është garantues i drejtësisë dhe lirisë në të gjitha transaksionet. Shteti pikërisht këtu duhet ta tregojë forcën e tij, dhe abosultisht në asnjë rast tjetër. Një familje e zëmë se konsumon 1kg limona në javë. Nga 150 lekë/kg limoni u shit në treg menjëherë mesatarisht 300 lekë/kg. Pra dyfishim i shpenzimeve në javë për cdo familje për një produkt. Nëse e bëjmë llogarinë për një muaj, për 300,000 familje, del që kanë dalë 180 milionë lekë të reja më shumë në një muaj vetëm nga blerja nga paniku dhe dobësia e kontrollit të autoriteteve shtetërore. Gjithashtu edhe në aspektin e përqëndrimit social dhe ekonomik. Në cdo vend të botës, kryeqytetet janë edhe motorrët kryesorë të ekonomive të shteteve, por shtetet e zhvilluara kanë një shpërndarje të lartë të përqëndrimit të kapitaleve, monetare dhe intelektuale edhe në qytete te tjera. Kjo, në raste krizash, do ti mundësojë vendit alternativa të shumta për rimëkëmbje dhe një organizim më të mirë të jetës njërëzore.

Hapi i tretë dhe i fundit që mendoj se shteti duhet të ndërhyjë në aktivitetin konomik, për sa kohë është menaxhuesi i një pjese tepër të rëndësishmë të të ardhurave të banorëve të tij, është që në raste fatkeqësish apo situatash të ngjashme, pavarësisht se nga shkaktohen, duhet të ketë gati përpara çdo vendimmarrje planet e veprimeve për pjesën më të madhe të skenarëve që mund të shkojnë keq dhe cënojnë jetën ekonomike, sociale dhe të sigurisë në vend. Nëse kjo duket ideale dhe e parealizueshme, në histori kemi parë plot shembuj shtetesh të tilla të suksesshme. Në rastin e vendit tonë, masa paraprake do të ishtë që investimet në infrastrukturën spiatalore dhe të menaxhimit të emergjencave civile të kishin prioritet në cdo buxhet shteti dhe jo të varen masat menaxhuese në varësi të borxheve dhe granteve që meren nga shtetet e tjera apo organizatat ndërkombëtare. Pra, më qartë, kush ishte vizioni “Shqipëria 2000” në vitet 1990. Kush ishte vizioni “Shqipëria 2010 apo Shqipëria 2020” në fillim të viteve 2000. Hapi i parë në përgatitjen e politikave publike të një shteti është përcaktimi i axhendave. A mund të thotë dikush se kush janë axhendat që ka vendosur Shqipëria sipas periudhave afat-shkurtër, afat-gjatë apo afat-mesme! Kush është vizioni Shqipëria 2030?

Diskutimi më emocional është sjellja individuale. Më sipër mendoj që gjithcka tjetër varet se si vetë individi apo shoqëria e planifikojnë, përgatiten dhe e organizojnë jetën e tyre.

Ju si student, si e projektoni karrierën tuaj. Duhet që së pari, edhe në kushte normale duhet të dini se si është gjendja e punësimit apo situata e perspektivës së fushës suaj për të cilën keni studiuar ose jeni në studime. Sidomos në atë pjesë, ku ajo cfarë zgjidhet për tu studiuar bëhet me pasjon. Kjo do të thotë që fatmirësisht ju jeni më afër pavarësisë së diktimit të të ardhmes suaj nga shoqëria. Kështu ju keni më shumë shanse për të gjetur zgjidhe dhe angazhime profesionale dhe fitim-prurëse për aftësitë tuaja. Nëse ju keni zgjedhur një drejtim të caktuar më idenë se mund të gjeni një pozicion pune nëpërmjet lidhjeve nepotike apo duke shërbyer si militant i ndonjë partie politike apo si ithtar i ideologjive të disa grupeve të caktuara të interest, sepse jeni premtuar me shpërblimin e vendit të punës, po përballeni me papunësi, atëherë nuk është problem askujt tjetër veç i juaji. Sepse kur e keni marë vendimin për të thënë “PO”, ju keni marë në konsideratë vetëm skenarin që gjithcka do të shkojë sipas planit tuaj. Dhe nuk keni menduar se cilët mund të jenë skenarët që mund të shkojnë keq.

Tashmë jemi në një pozitë ku si shtet dhe si individë mund të konsiderohet që mund ta nismin gjithçka nga e para. Ose mund të themi që për shkak të izolimit dhe për shkak të mjetit kryesor të komunikimit që është interneti, jemi vendosur thuajse në të njëjtin nivel konkurence me të madh e me të vogël.

Kjo është koha ideale për të rivendosur prioritetet tona si shoqëri dhe si individ. Jo vetëm për ti bërë ballë situatës aktuale. Por më e rëndësishmja, për ta bërë të ardhmen më të sigurt dhe më frytdhënëse dhe të dobishme për këdo.

Në rrafshin individual, duhet që kurrë të mos mjaftohemi më sa dimë. Duhet të pretendojmë gjithmonë versionin më të mirë të vetes për t’ja ofruar vetes, familjes, shoqërise dhe pse jo edhe historisë. Të fituar janë vetëm ato të cilët gjithnjë konkurojnë të sotmen me të djeshmen, të nesërmen me të sotmen. Si mundet që jemi në epokën e zhvillimit marramendës teknologjik dhe në infrastrukturën ekonomike, dhe universitetet tona të cilat tarifojnë vlera të larta për programet mësimore që ofrojnë, nuk janë të familjarizuar me aplikacionet e komunikimit apo më keq dhe shprehen se kur do mbarojë kjo situatë që të kthehen në sallat e universitetit. (Sigurisht besoj se mësimi në universitet është forma më e mirë, por diksutimi qëndron në paaftësine e këtyre institucioneve për të mos shfrytëzuar kapacitetet që të ofron zhvillimi i shekullit tonë.

Në duhet të mësojmë të bashkëveprojmë sëbashku. Nëse ju besoni se zotëroni një aftësi profesionale, të jeni të sigurt që nuk mund ti bëni dot të gjitha. Por duhet të shtrini dorën e bashkëpunimit. Duhet të ndalojmë të parit e tjetrit si konkurent apo kërcënim. Ju keni përvetësuar një njohuri, ashtu si një tjetër ka zotëruar një aftësi tjetër, ku nëse ju bashkoni forcat tuaja, do të jeni një trup më i fortë jo vetëm për të përballuar të tilla situata, por edhe për të diktuar situate të reja ne sensin pozitiv.

Koha jonë është e limituar, po ashtu me kohën fillon edhe diskutimi i mundësive për projekte të ndryshme. Jo gjithmonë mund të bësh gjithcka. Por gjithmonë ke mundësi të bësh gjithcka. Shoqëritë dhe individët më pak të informuar, do të jenë pikërisht ata që do të vuajnë gjithnjë.

Endri Caci

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP