web analytics

Të veçanta

Pandemia, autoriteti shtetëror dhe dhuna

        Pandemia e përhapur në pothuajse të gjithë pjesët e globit, përfshirë edhe Shqipërinë, ka sjellë bashkë me frikën e infektimit, edhe debatin rreth autoritetit të shtuar shtetëror në marrjen e masave parandaluese ndaj përhapjes në masë të këtij virusi dhe për të ndërprerë infektimin e një pjese të mirë të shoqërisë. Zbatimi i lirive dhe të drejtave të njeriut është një parim mbi të cilin ngrihet i gjithë sistemi demokratik sot në botën perëndimore. Aq i rëndësishëm është ky parim, saqë respektimi i tij,në shumë shtete është i vendour në kushtetutë, si një qëllim primar i çdo subjekti që qeveris një shtet të caktuar.

       Por në momentin në të cilin po flasim, qeveritë e shumë shteteve, përfshirë edhe Shqipërinë, kanë ndërmarrë veprime kufizuese kundrejt shumë prej lirive të njeriut, ku mund të përmendin atë të lirisë për të lëvizur lirshëm, që është edhe më e përfolura në këto ditët e fundit. Një nga fjalët më të përdorura për të përshkruar këtë rast, është fjala shtetrrethim, që i dedikohet të gjithë planit të masava të ndërmarra nga institucionet qeverisëse për kufizimin e lëvizjes së lirë qytetare, duke përcaktuar herë disa fasha oraresh, e herë duke e bllokuar fare qarkullimin këmbësor. Në Itali lëvizja e këmbësorëve bëhet vetëm me autorizim policor, ndërkohë në Shqipëri lëvizja kryhet brenda disa fasha oraresh të paracaktuara. Rrjedhojë e gjithë kësaj situate është fakti i përcaktimit të më shumë përgjegjësive për policinë, e cila ngarkohet në ruajtjen e rendit dhe ndalimin e individëve që tejkalojnë oraret e lejuara të lëvizjes, është rritja e autoritetit shtetëror mbi masën e gjerë të popullsisë, pasi tanimë është qeveria, nëpërmjet policisë, që përcakton se kur duhet të dalin nga shtëpia qytetarët e saj.

       Por a është e gjitha kjo një përpjekje për të rritur pushtetin autoritar nga ana e qeverisë, në mënyrë që të vazhdojë qëndrimin e saj në pushtet duke i kufizuar disa të drejta qytetarëve të saj? Parimisht ajo që mund të themi është që moszbatimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përbën një akt të kundraligjshëm, e që praktikohet sot në ato shtete të cilat janë jo demokratike, e ku qeveria qeveris me dorë të hekurt. Në një situatë normale, çdo hap drejt këtyre kufizimeve largon nga demokracia dhe afron drejt diktaturës, nëse këto koncepte i marrim si të kundërtat e njëra- tjetrës. Por situata momentalisht nuk është ajo e kushteve normale, por është një situatë e cila mund të sjellë shumë humbje jete njerëzish, e që për ta parandaluar, shumë ekspertë botërorë të mjekësisë, përfshirë edhe vetë zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, bien dakord që izolimi dhe vetëizolimi janë mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e virusit.

    Nëse bëjmë një paralelizëm, marrim situatën e supozuar të shoqërisë njerëzore në periudhën e paraorganizimit shtetëror për të cilën ka folur filozofi politik Thomas Hobbes. Ai në këtë situatë të supozuar e përshkruante gjendjen njerëzore si “njeriu për njeriun është ujk”. Flasim gjithmonë për një shoqëri pa organizim shtetëror. Njeriu ishte ujk për njeriun tjetër, sepse asgjë nuk mund ti ndalonta ata nga vrasja e njëri- tjetrit, për të qenë zotërues të burimeve. Të vetmet kategori morale që Hobbes i atribuonte njeriut ishin dëshira për jetën dhe neveria për vdekjen. Edhe nëse dikush e vendoste që asnjeherë nuk do të vriste të tjerët, nuk kishte garanci që të tjerët nuk do ta vrisnin atë, e kështu i duhej medoemos të parapërgatitej për çdo situatë. Duke qenë se njerëzit nuk kanë besim tek njëri- tjetri, ata do të bien në dakordësi për t’ia deleguar disa të drejta të tyre një institucioni që do t’i përfshinte të gjithë këta individë dhe do t’i mbronte nga vrasja. Pika kryesore e gjithë këtij organizimi ishte heqja dorë nga disa të drejta apo liri, si psh ajo e të bërit gjithçka. E në këtë mënyrë njeriu nuk kishte frikë nga njeriu tjetër, pasi ekzistonte një institucion mbi palët, i cili nuk i lejonte ata të dëmtonin njëri- tjetrin. Heqja dorë e disa të drejtave apo lirive, nuk do të thotë domosdoshmërisht që do të kishte një qeverisje diktatoriale, por ishte një mundësi për të jetësuar në formën më të mirë gjithë liritë dhe të drejtat e tjera, që në gjendjen e organizimit parashtetëror, nuk ishin të mundura, ose ishin të mundura për aq kohë sa ishe i sigurtë nga tjetri. Paralelizmin mund ta heqim edhe me situatën aktuale, ku kufizimi për disa kohë i disa lirive, jo domosdoshmërisht sjell një autoritet të shtuar shtetëror, por një mundësi që pas njëfarë kohe e gjithë jeta ti kthehet normalitetit të saj, të para periudhës pandemike.

      Një prej filozofeve politike të shekullit të kaluar, Hannah Arendt, e cilëson dhunën shtetërore si një pikënisje drejt një shoqërie të nënshtruar, në një regjim afër diktaturës, që mbahet në pushtet me anë të dhunës. Tani, a mund të themi që përdorimi i forcës policore dhe ushtarake për të mbajtur nën karantinim qytetarët, të shihet si një përdorim force për të rritur pushtetin shtetëror dhe për të menaxhuar nëpërmjet dhunës masat, drejt atyre politikave qeveritare, të cilat nuk do të kishin më pas kundërshti në popull? Sipas Arendt, dhuna është mekanizmi i përdorur në momentin kur bie autoriteti dhe kur ky autoritet zhvishet nga një subjekt i caktuar.

      Autoriteti në këtë rast është një veçori, që nuk mbahet me forcë, e as nuk i imponohet tjetrit, apo në rastin konkret një shoqërie të tërë. Autoritei ka tipar të tij pranimin dhe respektin nga të tjerët. Pra që një individ apo institucion të ketë autoritet mbi të tjerët, duhet që pjesa tjetër ta pranojë subjektin në fjalë si autoritar dhe ta respektojë si të tillë. Ndërkohë përdorimin e dhunës, të çfarëdonatyre, ajo e sheh si një mungesë të autoriteti, e që për ta mbajtur si të tillë, hyn në punë nevoja për mjetet e tjera të dhunshme.

    Le ta përkthejmë këtë në shoqërinë tonë aktuale. Tiparet e dhunës shtetërore në këtë gjendje emergjence shëndetësore janë rritur në një pjesë të mirë të shteteve të botës. Kjo sigurisht tregon një mungesë autoriteti nga ana e këtyre instancave kundrejt qytetarëve. Qytetarët nuk e pranojnë organizimin shtetëror si autoritar, e kështu në kushte normale dhe jonormale nuk i binden urdhëresave të ndryshme të dala nga vendimet qeveritare apo aktet normative. Po sipas Arendt, autoritetin e cënon shumë mospërfillja, tallja dhe shpërfillja. Një rast konkret: qytetarët duhet të dalin në rrugë në fasha të caktuara oraresh. Mospërfillja shprehet me anë të daljes në orare të ndryshme nga ato të paracaktuara. Njëkohësisht ka edhe shpërfillje nga një grup i caktuar në lidhje më situatën pandemike, duke iu orvatur edhe teorive konspirative. Në të njëjtën kohë në hapësirën virtuale ka tallje nga ana e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore, ku mekanizmi më i përdorur dhe më i thjeshtë i mundëshëm janë ‘meme-t’. Në këtë pikë, si mund të flasim për një autoritet të shtuar shtetëror, kur në fakt që në fillim të situatës ka një mungesë të theksuar të tij dhe mospranim nga një pjesë e qytetarëve?

      Le të kalojmë në fazën e dytë. Përdorimi i mekanizmave të dhunës, sjell një pushtet më të fortë, pasi në këtë rast autoriteti del jashtë loje. Për të kompensuar mungesën e autoritetit dhe rrjedhimisht edhe pushtetit, shfaqet dhuna, e cila synon të rrisë pushtetin, por që nga ana e saj nuk është një qëllim në vetvete, është thjesht mekanizmi për të arritur qëllimin e dëshiruar. Këtë mekanizëm Hannah Arendt na thotë që e kanë përdorur totalitarizmat e shekullit XX. Tani do të merremi pak me idenë se a është kjo lloj dhune e njëjtë me atë të përdorur nga shtetet totalitare të shekullit të kaluar.

      Totalitarizmat patën dy pikënisje, mbi të cilat e ndërtuan ideologjitë e tyre dhe patën sukses në bllokun lindor. E para ishte rrënimi i shtet- kombeve dhe e dyta nevoja për një rindërtim të shoqërisë dhe rrjedhimisht një organizim masash. A janë këto kushte ekzistente edhe në botën aktuale? Së pari shtet- kombet jo vetëm që nuk janë drejt rrënimit, por po bëhen edhe më shumë vendimtarë në skenën politike europiane dhe botërore. E për këtë do të jap vetëm një fakt; fuqizimin e të djathtës ektreme në pjesë të ndryshme të Europës dhe për pasojë ringritjen e fuqishme të nacionalizmave kombëtarë. E së dyti nuk ka nevojë për organizim masash, pasi nuk ka një tendecë për të kundërshtuar sistemin aktual politik, e për pasojë nuk ka një armik të masës së gjerë, që do të shërbente për t’i mbushur mendjen kësaj të fundit të ngrihet në nivel organizimi. Në të njëjtën kohë, për të filluar një lëvizje totalitare, duhet të shembet realiteti i vjetër dhe të ngrihet një fiksion i asaj që do mund të jetë dhe do të jetë shoqëria njerëzore në të ardhmen. E këtë element nuk mundet ta themi që po e shohin as nga ana e subjekteve shtetërore, që do ta përdornin situatën për të implentuar dhunën, pasi gjithë elementët e sipërpërmendur mungojnë, por nuk shihet as nga grupime të ndryshme, të cilat janë kundër rendit aktual, të cilat sigurisht e shprehin hapur ideologjinë e tyre, por janë të pafuqishme për të vepruar dhe nuk janë të mbështetura nga masat. Totalitarizmi asnjëherë nuk vjen në pushtet vetëm me forcë, por duhet medoemos të ketë pas tij një ideologji që t’ja prezantojë njerëzve dhe t’i bindë ata që ajo ideologji është më mira. Vetëm nëse ndodh diçka e tillë mund të flasim rreth një rreziku të mundshëm diktatorial.

      Sigurisht shumëkush mund të shfaqë është anën tjetër të medaljes. Nuk ka totalitarizëm në horizont, por pas pandemisë do të ulet niveli i demokracisë, e kjo do t’i hapë dyert më pas edhe ideve radikale. Pikë së pari, ajo që duhet të sqarojmë është se nuk ka një nivel demokracie, i cili po nuk u arrit nuk funksion demokracia. Shtetet demokratike sot funksionojnë në mënyra të ndryshme nga njëri- tjetri, prandaj nuk mund të themi që kemi një demokraci të instaluar njëlloj në gjithë shtetet. Vetëm pjesë e Bashkimit Europian janë shtete më nivele të ndryshem të demokracisë, duke i klasifikuar që nga ato më të arrirat si Gjermania, tek ato me tipare radikale, së fundmi Hungaria, por edhe shtete kandidate si Serbia e Mali i Zi, që nuk dallohen për një nivel të madh demokratik, e gjithashtu edhe vende në prag të marrjes së statusit kandidat si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Edhe pse të ndryshme në zbatimin e demokracisë, kjo nuk i ka ndaluar këto vende të bashkëpunojnë dhe të cilësohen gjerësisht si demokratike.

       Së dyti, mund të themi që respektimi i të drejtave universale të njeriut është themeli demokracisë. Sigurisht që ky pohim është i vërtetë, por nëse e ngushtojmë vetëm në këtë aspekt, do të kishim një demokraci të cunguar. Por edhe kjo nuk është një pjesë që nuk mund të preket. Vetë kushtetuta e shteteve demokratike e përcakton se mund të kufizon këto të drejta në raste kur është e domosdoshme. E rasti i pandemisë është sigurisht një situatë emergjente dhe mund të ketë kufizim të të drejtave dhe lirive të njeriut.

       E përtej të gjitha debateve, kemi raste konkrete se ky kufizim ka sjellë efekt në luftimin e pandemisë. Vetë provinca Wuhan në Kinë, që ishte epiqendra e shpërthimit të pandemisë, me anë të procedurës së izolimit, ka arritur të vijë në një pikë ku të mos ketë raste të reja të të prekurish nga virusi. Italia si epiqendra europiane e pandemisë po ndjek të njëtën procedurë. Idesë së izolimit i janë bashkuar pothuajse të gjitha shtetet, përfshirë edhe SHBA-në, ku vetëm në New York doli lajmi që për 10 ditë mund të mbarojnë respiratorët dhe nuk do të ketë më të tillë në dispozicion të të sëmurëve. Veç izolimit, shumë shtete kanë marrë edhe masa ndëshkuese ndaj individëve që prishin rendin e përcaktuar nga qeveria. E në një pikë të tillë, i vetmi argument që do të argumentonte instalimin e diktaturës do të ishte ai se: të gjitha shtetet janë bërë sëbashku për sunduar njerëzit dhe për të krijuar një diktaturë globale. Gjë që është pothuajse e pamundur.

      Së fundmi mund të themi se vetë individët në kuadër të mbrojtjes së tyre nga rreziku i infektimit me koronavirus, do të pranonin të hiqnin dorë nga disa liri, pasi siç e cituam me parë edhe Hobbes-in, dëshira për jetën dhe neveria për vdekjen janë me të vlefshme tek njeriu sesa dëshira për të dalë në një shitore në një orë të caktuar të ditës apo natës.

Qazim Fucija

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP