Paqëndrueshmëria e Liberalizmit (Pjesa e Dytë)
Patrick J. Deneen
Patrick J. Deneen është profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin e Notre Dame.
Liberalizmi kulminon në dy pika ontologjike: individi i çliruar dhe shteti kontrollues. Leviathani i Hobsit i ka portretizuar në mënyrë të përsosur këto dy realitete: Shteti përbëhet vetëm nga individë autonomë (dhe jo të grupuar), dhe individët “përmbahen” nga shteti. Asnjë grupimi tjetër nuk i jepet realitet ontologjik.
Në këtë botë, mirënjohja për të shkuarën dhe detyrimet ndaj së ardhmes zëvendësohen nga kërkimi pothuajse universal i kënaqësisë imediate: Kultura, në vend që të ofrojë urtësinë dhe përvojën e së shkuarës me qëllim që të kultivojë virtytin e vetëpërmbajtjes dhe mirësjelljes, bëhet sinonim i sugjestionit hedonik, vulgaritetit visceral dhe shpërqëndrimit, të gjitha të orientuara drejt promovimit të kulturës së konsumit, dëshirave dhe shpengimit. Si rezultat, në shoqëri fillojnë të mbizotërojnë sjelljet në dukje vetëmaksimizuese, por shoqërisht shkatërruese.
Në shkolla, normat e modestisë, mirësjelljes dhe ndershmërisë akademike zëvendësohen nga përhapja e aktiviteteve të paligjshme dhe mashtrimi (së bashku me rritjen e formave të mbikëqyrjes ndaj të rinjve), ndërsa në sferën e dominuar nga mosha e rritur, normat e miqësisë zëvendësohen nga lidhjet dhe raportet seksuale utilitare. Modeli i martesës së qëndrueshme dhe jetëgjatë, zëvendësohet nga dispozita të ndryshme që sigurojnë autonominë themelore të individëve, qofshin të martuar apo jo. Fëmijët shihen gjithnjë e më shumë si kufizim i lirisë individuale, madje deri në atë pikë sa të justifikohet vrasja e foshnjave nën flamurin e “zgjedhjes”, ndonëse niveli i përgjithshëm i lindjeve në të gjithë botën e zhvilluar është në rënie. Në sferën ekonomike, skemat e pasurimit të shpejtë zëvendësojnë investimet dhe amanetin (ndaj natyrës). Në marrëdhënien tonë me botën natyrore, shfrytëzimi afatshkurtër i pasurive shihet si e drejtë e lindur e jona, pavarësisht nëse kjo mund të rezultojë në mungesë burimesh vitale për jetën e fëmijëve tanë, si p.sh. shtresa e punueshme e tokës dhe uji i pijshëm. Kufizimi i ndonjë prej këtyre aktiviteteve konsiderohet si domen i shtetit i ushtruar përmes të drejtës pozitive dhe jo rezultat i vetë-kufizimit të kultivuar i lindur nga normat dhe institucionet kulturore.
Bazuar në idenë se aktiviteti themelor i jetës është ndjekja e pashmangshme e asaj që Hobsi e quajti “tërheqje pas pushtetit që pushon vetëm me vdekjen” – Alexis de Tocqueville do ta përshkruante më vonë si “ankth” ose “shqetësim” – kërkim i pandalshëm për të zvogëluar pengesat drejt vetëpërmbushjes dhe rritje e forcës për të nxitur pandërprerë dëshirën e shpirtit njerëzor për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe përhapjen e konsumit. Shoqëria liberale zor se do t’i mbijetonte ngadalësimit të një rritjeje të tillë dhe do të kolapsonte nëse do të ndalej ose do të kthehej pas për një periudhë të gjatë kohore. Motivi dhe justifikimi i vetëm për indiferentizmin ndaj qëllimeve njerëzore – theksimi i të “drejtës” mbi “të mirën” – themelohet mbi premisën e prezantimit të njeriut liberal si një individ vetë-konstruktues dhe konsumator vetë-shprehës (self-exppressive). Kjo aspiratë e paracaktuar imponon zgjedhje jo të vështira midis opsioneve të stilit të jetesës.
Themeluesit e liberalizmit prireshin ta merrnin si të mirëqenë vazhdimësinë e normave shoqërore, edhe pse ata kërkonin çlirimin e individëve nga asociacionet konstitutive dhe nga edukimi vetëkufizues i cili përmbahej në këto norma. Në momentet e tij të para, liberalizmi mori si të mirëqenë përfitimin dhe vazhdimësinë e familjeve, shkollave dhe komuniteteve, megjithëse bazamenti i tyre ishte minuar filozofikisht. Minimi filozofik çoi në minimin e këtyre të mirave në realitet, pasi institucionet autoritative normëdhënësë dobësohen me përparimin e liberalizmit. Në fazën e tij të avancuar, përfitimi pasiv shndërrohet në shkatërrim aktiv: Asociacionet historikisht të ngarkuara për kultivimin e normave shihen gjithnjë e më shumë si pengesa për lirinë autonome dhe aparati i shtetit i dedikohet detyrës për të çliruar individët nga çdo lidhje e tillë.
Në mënyrë analoge – në sferën materiale dhe ekonomike – liberalizmi ka konsumuar një pjesë të madhe të burimeve shekullore në përpjekjen e tij për të pushtuar natyrën. Një paaftësi e vazhdueshme për të garantuar me sa duket zgjedhje të pafundme do të rezultonte në një krizë sistematike, duke kërkuar nga shteti që të ballafaqohet me një popullsi e cila papritmas përballet me “zgjedhjen” e papranueshme të zgjedhjeve të kufizuara. Liberalizmi mund të funksionojë vetëm përmes rritjes konstante të të mirave dhe kënaqësive materiale të disponueshme dhe të konsumueshme, dhe kësisoj duke zgjeruar në mënyrë konstante pushtimin dhe zotërimin e natyrës nga njeriu. Pavarësisht programit politik të liderëve të sotëm, program i pakontestueshëm është një tjetër. Askush nuk mund të aspirojë një pozicion lidershipi politik përmes thirrjes për kufizime dhe vetëkontroll.
Liberalizmi ishte një bast me përmasa titanike, një premtim i cili zhvlerësoi normat klasike të sjelljes në emër të një forme të re çlirimi dhe garantoi se pushtimi i natyrës do të siguronte karburantin që do të lejonte pothuajse një pafundësi zgjedhjesh. Rezultati i dyfishtë i kësaj përpjekjeje – eleminimi i vetëkufizimit moral dhe gërryerja e burimeve materiale – e bëjnë të pashmangshëm një hetim mbi atë që vjen pas liberalizmit.
Mbrojtësit e liberalizmit i frikësohen kompromentimit të principeve liberale sepse sipas tyre një gjë e tillë mund të rezultojë në ringjalljen e luftërave fetare, ri-skllavërimin e popujve, humbjen e pavarësisë së grave dhe braktisjen e të drejtave dhe barazisë para ligjit. Megjithatë, nëse kam të drejtë, një rikonsiderim i dy aspekteve themelore të liberalizmit nuk përbën kompromentim, por përkundrazi ka për të qenë parakushti për sigurimin e dinjitetit njerëzor dhe lirisë së organizuar (ordered liberty). Koncepti i pacënueshëmërisë së dinjitetit njerëzor, i kufizimeve kushtetuese ndaj pushtetit qendror, i barazisë para ligjit dhe i shkëmbimit të lirë të mallrave dhe shërbimeve në treg është, pjesë e një trashëgimie paraliberale.
Krijimi i një bote pas liberale nuk kërkon, siç mund të druhen disa, çmontimin e Kushtetutës ose Bill of Rights, dhe as shkatërrimin e tregjeve të lira. Në vend të kësaj, është i nevojshëm një rikoncpetim themelor i mënyrës sesi ligji dhe ekonomia kuptohen dhe përdoren për të mbështetur vizionin liberal të shoqërisë. Për shkak të domosdoshmërisë ky rikonceptim po ndodh. Sa më pak që qeveria është në gjendje të ofrojë shërbime për njerëzit të cilët po përballen me kohë sfiduese, (megjithë pretendimet e së majtës politike), aq më tepër njerëzit domosdoshmërisht do t’i drejtohen marrëdhënieve konstitutive të cilat liberalizmi i konsideronte si kufizime të autonomisë sonë: familja, lagja dhe komuniteti. Edhe krizat e tregjeve bëjnë thirrje për forcimin e institucioneve të tilla. Për shembull, kriza ekonomike rezultoi në rritje të vetëdijes për nevojën e mbështetjes në ndihmën e familjes dhe komunitetit, siç tregohet nga rritja e familjeve multi-gjeneracionale, të cilat kanë qenë normë për pjesën më të madhe të historisë njerëzore.
“Konservatorizmi” bashkëkohor nuk ofron një përgjigje përkundër liberalizmit, sepse ai vetë është një lloj liberalizmi. Ndërkohë që veteranët e së djathtës politike vazhdojnë të kundërshtojnë “ambientalistët”, ata nuk arrijnë të kuptojnë se sa thellësisht konservator (konservacionistët) është impulsi midis të rinjve të cilët shohin qartë kufijtë e ekonomisë konsumeriste dhe shkatërrimet që ajo i lë trashëgim brezit të tyre. Ajo që u ka munguar përgjithësisht këtyre urtarëve është njohja e faktit se nuk mund të rivlerësosh një nga principet themelore të liberalizmit, sot i karakterizuar si “progresivizëm”, duke injoruar një tjetër, veçanërisht liberalizmin ekonomik.
Është e nevojshme një paradigmë tjetër, e cila lidh ngushtësisht kultivimin e vetëkufizimit dhe vetëqeverisjes – midis asociacioneve dhe komuniteteve konstitutive – me një etikë të përgjithshme kursimi, përkorje, pune të palodhur, përgjegjshmërie dhe kujdestarie (ose amaneti). Për sa kohë që narrativa dominuese – si në sferën personale ashtu edhe ekonomike – bazohet tek zgjedhja individuale e cila synon më së pari kënaqësinë hedoniste dhe konsumerizmin, etika e liberalizmit do të vazhdojë të dominojë shoqërinë tonë.
Si e majta, ashtu edhe e djathta kanë miratuar efektivisht një sulm të kordinuar në të cilin asociacionet dhe grupet lokale gllabërohen nga zgjerimi i shtetit dhe tregut, duke prodhuar singularitet në çdo sferë: një shtet dhe një treg. Nëse e majta këmbëngul në interpretimin liberal të institucioneve tona kushtetuese dhe politike, në një përpjekje të pakompromis për të mbrojtur rolin gjithnjë në zgjerim të shtetit për të siguruar lirinë praktike të individëve, e djathta mbron sistemin e tregut të lirë dhe refuzon kategorikisht çdo kufizim ndaj zgjedhjeve të shpenguara të individëve. E djathta përqafon ortodoksinë e tregut duke e pozicionuar individin autonom, zgjedhës në qendër të teorisë së saj ekonomike si dhe miraton kornizën e përgjithshme liberale sipas të cilës alternativa e vetme ndaj tregut të lirë, ndaj doktrinës individualiste, është etatizmi dhe kolektivizmi. Ajo kërkon të promovojë vlerat familjare, por e mohon se tregu minon shumë nga vlerat që janë në themel të jetës familjare. E majta ekzalton çlirimin seksual si rrugën më të mirë për të arritur autonominë individuale, ndërkohë që dënon në mënyrë të pakuptimtë imoralitetin e një tregu në të cilin seksi është mënyra më e mirë për të shitur. Leviathani gjithëpërfshirës po bëhet çdo ditë e më shumë realitet.
Ndryshimi I kësaj trajektoreje nuk kërkon ndryshim të institucioneve; kërkohet një ndryshim në mënyrën sesi konceptohet njeriu në marrëdhënie me njerëzit e tjerë, me natyrën dhe burimin e krijimit. Megjithëse, Kushtetuta i ka koncentruar në qendër një sërë aktivitetesh politike, ajo ka lënë hapësirë të konsiderueshme për subjektet lokale. Një rikthim tek një formë më e fortë federalizmi do të lejonte më tepër autonomi lokale për krijimin dhe kultivimin e formave lokale të kulturës dhe vetëqeverisjes.
Kjo do të krijojë hapësirë për diskutime të nuancuara ndërmes asaj që sociologu Robert Nisbet e ka quajtur “laissez-faire midis grupeve shoqërore”. Rekomandimi i federalizmit i përgjigjet nevojës për të integruar paragjykimet lokale përmes vetëqeverisjes dhe kulturës lokale. Ky argument është një përpjekje e sforcuar, jo për të mbrojtur arritjen e jashtëzakonshme dhe sipas meje të pakthyeshme të të ashtuquajturit Imago Dei të Krishtërimit, por përkundrazi për të kufizuar ndërhyrjen e shtetit në çdo sferë të jetës, e justifikuar me arsyetimin se normat dhe kufizimet lokale shprehin fanatizëm dhe çojnë drejtpërsëdrejti në shtypje.
Duhet lejuar një mori normash dhe besimesh lokale, brenda kufijve të cilët do të përjashtonin përcaktimin skandaloz të kufijve të lirisë njerëzore. Këto institucione dhe këto sjellje autoritative të cilat i japin formë normave, janë të vetmet mekanizma të besueshëm për të tejkaluar rënien substanciale të shtetit. Normat dhe besimet lokale do të ofronin një përvojë të ndryshme lirie, të cilën liberalizmi e ka injoruar, dhe e cila thekson vetëqeverisjen dhe vetëkufizimin e arritur kryesisht përmes kultivimit të zakoneve dhe virtyteve. Kultivimi i lirisë së organizuar (ordered liberty) do të frenonte ndjekjen e lirisë pafre dhe do të bllokonte tendencën drejt zgjerimit të shtetit dhe tregut, të cilat së bashku minojnë gjithnjë e më shumë institucionet shoqërore konstitutive, duke e lënë individin “të lirë” të formësohet nga kultura masive dhe reklama të cilat synojnë kryesisht të inkurajojnë dëshirat e ushqyera nga joshjet e një tregu të globalizuar.
Njohja e rolit qëndror, por edhe domosdoshmëria e institucioneve të ndryshme që ekzistojnë midis shtetit dhe individit ka qenë një reflektim themelor i mendimtarëve nga Tocqueville deri tek mendimtarët bashkëkohorë si nga e djathta ashtu edhe e majta, ndër të cilët përmendim Bertrand de Jouvenel, Robert Nisbet, Russell Kirk, Christopher Lasch, Alasdair Macintyre, Wilson Carey McWilliams, and Jean Bethke Elshtain. Ata kanë argumentuar se, familja, qytetaria, kisha, lagjja, komuniteti, shkollat dhe tregu duhet të afrohen ngushtësisht në një tërësi më të integruar – në çdo aspekt – duke filluar nga mjedisi i përbashkët deri te kultivimi i kulturave autentike lokale që rrjedhin nga laryshia e rrethanave të vendeve të ndryshme. Për t’i bërë bashkë nevojitet një etikë vetëkontrolli. Për sa kohë që e djathta përpiqet t’i mbrojë pa ofruar një ekologji më të gjerë të një komuniteti thellësisht të integruar dhe produktiv – më teëpr sesa mbrojtja e “vlerave familjare” e cila denigron idenë e pasjes së një marrëdhënieje midis familjes dhe fshatit – ajo nuk mund të ofrojë asnjë alternativë reale ndaj liberalizmit.
Nëse kam të drejtë që projekti liberal në instancë të fundit është në kontradiktë me vetveten, duke kulmuar në zbrazjen e depozitave morale dhe materiale mbi të cilat është mbështetur, pa i rimbushur, atëherë ne përballemi me një zgjedhje. Ne, me dëshirë mund të kërkojmë më tepër vetëqeverisje lokale ose të pësojmë pakujdesisht një luhajte midis anarkisë në rritje dhe një rendi të imponuar (potencialisht) ushtarakisht nga një shtet gjithnjë e më i paaftë.
Nëse analiza ime është substancialisht e saktë, liberalizmi përfundimisht është i paqëndrueshëm në çdo aspekt: rendi nuk mund të imponohet vazhdimisht mbi një koleksion individësh autonomë të cilët janë gjithnjë e më shumë të zhveshur nga normat themelore shoqërore, as nuk mund të sigurohet vazhdimisht një rritje e pafundme materiale në një botë me limite. Ne ose mund të zgjedhim një të ardhme të përqëndruar tek vetëkufizimi i lindur nga praktika dhe përvoja e vetëqeverisjes në komunitetet lokale, ose mund të kthehemi ngadalë por në mënyrë të pashmangshme tek një e ardhme në të cilën liria ekstreme prodhon diktat ekstrem.
Pohimi klasik sipas të cilit njeriu për nga natyra është një kafshë politike, dhe i cili përmes ushtrimit dhe praktikës së virtytit të kultivuar në komunitet mund të arrijë një formë vetëkufizimi lokal dhe komunitar – një kusht i kuptuar me të drejtë si liri – nuk mund të mohohet përgjithmonë pa kosto. Aktualisht ne ankohemi dhe përpiqemi të trajtojmë simptomat e shumta sociale, ekonomike dhe politike të idesë së liberalizmit për lirinë, por kemi anashkaluar burimet më të thella të këtyre simptomave të cilat kanë si shkak themelor premtimet filozofike të liberalizmit.
Teksa shumica e kritikëve i konsiderojnë krizat aktuale – qofshin të kuptuara moralisht apo ekonomikisht ose, disi më rrallë, njëkohësisht moralisht dhe ekonomikisht – si probleme teknike që duhen zgjidhur përmes një politikë më të mirë, njerëzit më të zhytur në refleksione duhet të mendojnë nëse këto kriza janë paragoditjet e një tërmeti më sistematik që pritet të ndodhë. Ndryshe nga romakët e lashtë, të sigurt për qytetin e tyre të përjetshëm, të cilët nuk qenë të aftë të imagjinonin një gjendje “pas Romës”, ne duhet të mendojmë për një perspektivë më të mirë që na pret pas liberalizmit.
Komente