web analytics

Të veçanta

Për një hap përpara…

Politikë, ekonomi, sociologji, e shumë fusha të tjera për shumicën prej nesh tashmë janë bërë fusha ekspertize, madje edhe në mjekësi, duke ditur që për ta zotëruar atë fushë duhen vite të tëra shkollë, nuk ngurojmë të themi se çfarë bën e çfarë nuk bën për dikë me një sëmundje të caktuar. Mania për të thënë diçka ka prekur jo pak njerëz. Me zhvillimet marramendase të rrjeteve sociale, tashmë çdokush mund të thotë diçka për çdo gjë.

Televizioni gjithashtu i ka dhënë një shtysë jashtëzakonisht të madhe këtij fenomeni. Ndani të njëjtin mendim me mua besoj, nëse them që filan analist ose filan analist del sa në një kanal në tjetrin duke folur për çdo lloj teme që mund të jetë përcaktuar nga televizioni. Tek ky lloj supozimi nuk po përfshij analistë që flasin, marrim shembull, vetëm për temat ekonomike, ose vetëm politike, por janë ata individë që bëjnë analistin dhe opinionistin në të njëjtën kohë për politikë, ekonomi dhe ngjarje sociale, dhe asnjë nga ne nuk do habiteshim nëse do analizonte dhe ngjarjet rozë.

Elementë të tillë, gjithologë të talentuar, janë me abonim vjeçar ose disa vjeçar në disa televizione të caktuara pasi të njëjtat fytyra po shohim çdo natë, dhe talenti qëndron se përgjigjet i kanë “hazër-xhevap”, pra nuk iu nevojitet aspak kohë të mendohen. Lloji i emisionit i parapëlqyer i kësaj kategorie është debati, pikërisht aty e ‘shkrijnë’ talentin e tyre. Për të parë dhe kuptuar paragrafin e dytë të këtij shkrimi, pra për të kuptuar nivelin e opinion-bërjes dhe analizimit të ngjarjeve, na mjafton një natë të shohim me vëmendje një emision debati dhe do të kuptojmë se ku qëndrojnë argumentet dhe ku qëndron replika e pabazë dhe e palidhje me temën e diskutimit, fatkeqësisht shohim deri ku degradojnë opinionistët më të famshëm të momentit.

Fatmirësisht në ‘tregun’ e opinionbërjes egzistojnë akoma modele të hijshme që kushdo i ndjek ndjen njëfarë logjike dhe argumenti në mendimet dhe analizat që përcjellin. Këta lloj modelesh, normalisht, shihen rrallë nëpër emisione pasi nuk janë të specializuar për ‘gjithologji’. Për një temë te caktuar specifike a për një fushë të caktuar, ata janë të parët që thirren nga emisione të ndryshme. Në momentin e parë që iu jepet fjala, reflektohet që janë ekspertë të fushës, dhe analizat i japin të detajuara dhe me rend logjik që njerëzit që e ndjekin qofshin të shkolluar ose jo e kanë të lehtë ta ndjekin.

Ajo çka vërehet më së shumti nga shumica e opinionbërësve është konstatimi i problemit dhe drejtimi i gishtit tek ‘kush e ka fajin’. Ndërsa ajo çka bëhet nga pakica, dhe çka është më së shumti e nevojshme për shoqërinë, është konstatimi i problemit dhe asaj që ka sjellë problemin, e në fund në paraqitjen e një opsioni zgjidhje të mundshme. Ajo që është jetike për ne është që një fenomen i caktuar të konstatohet nga persona të përshtatshëm të fushës se fenomenit.

Në fund të fundit, neve na vyen që secili prej nesh të shohë punën e tij, ekonomisti të merret me çështjet ekonomike, politologu të merret me çështjet politike, mekaniku me punën e vetë, edhe taksisti të shohë rrugën më të shkurtër dhe më të sigurtë. Nuk është e vështirë të konstatosh problemin dhe të drejtosh gishtin, e udhës është të gjenden shkaqet reale që çojnë tek problemi, dhe në fund të gjenden mjetet dhe rruga reale që çon tek zgjidhja e problemit. Tek e fundit, në parim, ne duhet të merremi me problemin dhe fenomenin e jo me individin, pasi është e pamundur të rregullosh të gjithë individët, teksa analizimi i fenomenit dhe kurimi i tij mund të sjellë një zgjidhje dhe rregullim afatgjatë.

Elham Jashari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP