web analytics

Të veçanta

Të rrimë apo të ikim?

E gjendur dhe vetë përballë sfidës së shkollimit dhe vendimit se a duhet të tentoj të studioj jashtë apo brenda vendit, është një dilemë po kaq e përafërt shekspiriane, që na vjen në formën e pyetjes: “Të rrimë apo të ikim, kjo është çështja?!”. Nuk do të vinte ndoshta kaq e dëgjuar si dilemë nëse vendi im nuk do të ishte kaq i ngatërruar politikisht apo ekonomikisht, por ai sërish mbetet pashmangmërisht vendi im dhe i ynë bashkë.

Personalisht, më shumë se të mendojmë a duhet të rrijmë apo të ikim, me pëlqen më shumë të mendoj se ç’duhet të bëjmë nëse vendosim të qëndrojmë?!

Të prekur kohët e fundit nga sindroma e njohur e “ikjes së trurit” ose e intelektualve, Shqipëria po kalon një fazë tjetër tranzitore. Disa thonë se është një ndër fazat e zhvillimit pas prapambetjeve të së kaluarës, disa thonë duhet një katarsis i ri. Në fakt unë mendoj se realiteti është që ne duhet të rrimë, duhet të kthehemi, duhet të shpërndajmë informacionin midis nesh, se është shumë e rëndësishme që të reagojmë dhe të edukohemi. Të ndihmojmë në nxitjen e nevojës së dijes dhe edukimit qytetarë, kështu do të jetë e pamundur që mos të shmangim pabarazinë, inferioritetin e paditurinë. 

Të rritur përherë në komunitete që dominohen grupe shoqërore, që gjejnë mënyra të shkurtra për të arritur prioritete, të cilat janë pjesë e favoreve dhe e privilegjeve, bën që të mendojmë shkurt duke u larguar nga këtu në moton “Për një jetë më të mirë”. Pra,në vetvete është një test dhe testi ynë është që të qëndrojmë, testi ynë është të mbajmë ëndrrat duke i dhënë frymëmarrje shpresës. Largimi është një kartë e përkohshme qetësie që më shumë ngjan si një gënjeshtër mitike e ngritur mbi bazën e asaj që njerëzit ia bëjnë shpesh vetes së tyre për të mos menduar në një periudhë afatgjatë gjithë ato gjëra apo të mira që humbin përgjithmonë në momentin që largohen nga habitati i tyre. Nuk është një ndjesi patriotike apo nacionaliste që të ndihesh i huaj, por është një thirrje e brendshme ndërgjegjeje, e cila e ka të pamundur të rehabilitohet duke u vënë në funksion të zgjedhjes për të qenë i huaj. Duam apo s’duam, gjithmonë kur hyjmë në portat e një kulture tjetër, qoftë edhe me shpërndarje të drejtash nga të cilat nuk mund të prekesh apo cënohesh, mjafton të themi se nuk jemi në vendin tonë.

Duke e menduar dhe nga një këndvështrim tjetër më lind mendimi se Krijuesi jonë nuk gabon kurrë, atëherë pse të mendojmë se Ai “ka gabuar” që na ka sjellë në këtë vend të vogël që quhet Shqipëri? Jo më kot jemi pjesë e këtij shteti e kombi. Jemi pjesë e këtij vendi që t’i shërbejmë atij, që t’ia përcjellim amanetin e vlerave morale që shumë prej rinisë i mbart në vetvete. Krijuesi na e ka skalitur dashurinë për kombin, sepse ajo është po aq e natyrshme, sa edhe dashuria për nënën e babain.

Misioni më i madh për të kthyer në motiv qendresën tonë për të zgjedhur të rrimë është të ndërmarrim, secili prej nesh një çështje në duart tona, ‘Edukimin’, kërkesën për dije dhe për t’u aftësuar. Vetëm kështu do ta ndërtojmë Shqipërinë tonë, e që nuk mund ta ndërtojmë kurrsesi duke u larguar prej saj.

Unë zgjedh të rrij, të realizoj ëndrrat e mia në vendim tim, duke marrë parasysh çdo vështirësi. Kjo, sepse jam e sigurt që çdo vështirësi ia vlen, mjafton që ta shohë këtë vend ashtu siç meriton të jetë.

Klivia Kafexhiu

Komente

There is 1 comment for this article
  1. Enkeleda Nelaj Janar 24, 2021 7:15 pm

    Artikull me nje vlere te vecante qe me te vertet ngre nje pyetje problematike per Shqiperine. Inshallah kushdo qe e lexon kete artikull dhe shpresoj te jete Lexuar sa me shume nga te rinjte , te reflectoje me nje pergjigje ne vet vete.
    Bravo Klivia! Do ti lexoje me kenaqesi shkrimet e tua pasardhese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP