web analytics

Të veçanta

Morali në mendimin makiavelist


Konceptet dhe pikëpamjet e një filozofi synojnë të interpretojnë parime dhe ligjësi të së vërtetës, të cilat në kohë dhe kontekste të ndryshme kuptohen në mënyra të ndryshme. Ashtu si parimet e së vërtetës, të cilat zotërojnë ekzistencë të mëvetësishme, edhe sistemi i moralit qëndron përtej realiteteve shoqërore, pra nuk buron nga vetë njeriu. Edhe pse në historinë e mendimit filozofik, sociologjik, fetar dhe shkencor hasim imterpretime të ndryshme të ontologjisë, aksiologjisë apo moralit, në thelb; qenia, vlerat edhe morali shfaqen autentike, idetë themelore mbi drejtësinë, të mirën e të moralshmen nuk janë cënuar. Të reflektosh apo të soditësh në fushën e mendimit të një filozofi për të rrokur aspekte apo qasje të tij rreth moralit, nënkupton që kemi të bëjmë vetëm me një vlerësim sipërfaqësor, me aq sa mund të perceptojmë nga botëkuptimi dhe qëndrimi i tij moral. Kjo, për arsye se morali dhe standartet e tij vlerësuese karakterizohen nga intimiteti dhe tërësia e kushteve dhe rrethanave në sajë të të cilave mendimtari e koncepton moralin dhe se si pozicionohet ndaj tij.

Konceptet dhe pikëpamjet e një filozofi synojnë të interpretojnë parime dhe ligjësi të së vërtetës, të cilat në kohë dhe kontekste të ndryshme kuptohen në mënyra të ndryshme. Ashtu si parimet e së vërtetës, të cilat zotërojnë ekzistencë të mëvetësishme, edhe sistemi i moralit qëndron përtej realiteteve shoqërore, pra nuk buron nga vetë njeriu. Edhe pse në historinë e mendimit filozofik, sociologjik, fetar dhe shkencor hasim imterpretime të ndryshme të ontologjisë, aksiologjisë apo moralit, në thelb; qenia, vlerat edhe morali shfaqen autentike, idetë themelore mbi drejtësinë, të mirën e të moralshmen nuk janë cënuar. Të reflektosh apo të soditësh në fushën e mendimit të një filozofi për të rrokur aspekte apo qasje të tij rreth moralit, nënkupton që kemi të bëjmë vetëm me një vlerësim sipërfaqësor, me aq sa mund të perceptojmë nga botëkuptimi dhe qëndrimi i tij moral. Kjo, për arsye se morali dhe standartet e tij vlerësuese karakterizohen nga intimiteti dhe tërësia e kushteve dhe rrethanave në sajë të të cilave mendimtari e koncepton moralin dhe se si pozicionohet ndaj tij.

Të flasësh për pozitën që ka morali në mendimin e një filozofi nuk do të thotë që të gjykosh mendimet apo veprimet e tij. Nga ana tjetër nuk nënkupton as të interpretosh mendimin e një filozofi si përcaktues metafizik në fushën e parimeve morale. Por, përpjekja për të kuptuar dhe interpretuar pozitën që ka morali në një filozofi, në rastin konkret të filozofisë së Makiavelit, nënkupton shfaqjen e dimensionit moral duke e zbërthyer konceptin e tij mbi shoqërinë. Në qoftë se moralin do e përkufizonim në një formë të thjeshtë atëherë mund të themi se moral është të ndjesh dhimbjen e tjetrit. Kështu nuk mund të ketë qasje të plotë morale pa e përfshirë raportin me tjetrin.

Veprat e mendimit vlerësohen nga qëllimi pse ato shkruhen dhe nga dobia që i sjellin shoqërisë. Pozita e moralit në brendësi të mendimit të një filozofi vlerësohet në sajë të fisnikërisë dhe vlerave që mbart qëllimi i tij. Kështu, për të caktuar se çfarë pozite ka elementi i moralit në filozofinë e Makiavelit, atëherë duhet të zbardhim arsyen se pse ai ndërton një mendim filozofik. Duke qenë se Makiaveli në veprën e tij më madhështore shkruan në lidhje me mënyrën se si arrihet pushteti dhe se si të mbahet ky pushtet, pra si të ruhet shoqëria, atëherë kuptohet qartë pozita fisnike e këtij qëllimi. Shpesh Makiaveli akuzohet se qasja e tij ndaj moralit nuk është e saktë dhe se për të është e mjaftueshme arritja e qëllimeve pavarësisht çfarë mjete përdoren. Por, në të vërtetë këto kritika janë subjektive sepse Makiaveli nuk ka shprehur asnjëherë mendimin se mjafton të arrihet qëllimi pavarësisht mjeteve. Në mendimin e tij vërehet formimi dhe kultura e gjerë intelektuale, aq sa ai përshkruan në mënyrë shumë logjike dhe argumentuese se si në kohëra të ndryshme dhe në vende të ndryshme njerëzit arrijnë të bëhen të pushtetshëm dhe se si pushteti iu ikën atyre. Në filozofinë e tij mendimtari italian shpalos një koncept moral të cilin filozofi Spinoza e paraqet një shekull më vonë në dimension individual. Mendimi i Spinozës identifikohet me interesin e lartë ndaj moralit. Kështu ai thoshte se “më e larta dhe më fisnikja e virtyteve është ruajtja e vetvetes”. Nëse ky interpretim që i bën Spinoza moralit e kategorizon atë ndër mendimtarët më të rëndësishëm në historinë e filozofisë morale, atëherë qasja morale e Makiavelit i paraprin konceptit spinozist, sepse për Makiavelin virtyti më i lartë qëndron në ruajtjen e shoqërisë.

Atë çka Spinoza apo Niçe e kanë interpretuar kohë më vonë si moral i të fortit apo i individit me integritet intelektual, Makiaveli e ka konceptuar shumë më herët. Morali makiavelik përbën personifikimin e moralit niçean të të fortit, por, në përmasat e publikes. Forca morale tek e cila synon të na çojë Makiaveli ka synuar luftimin e së keqes jo vetëm në rrafsh personal, as nëpërmjet kritikës, por, pozicionim moral kolektiv, luftë e përbashkët kundër së keqes.

Pikëpamjet që shpreh Makiaveli rreth asaj se si zhvillohet marrëdhënia e pushteteve shpalosin një aspekt morali që e çliron individin nga ndrydhjet intelektuale. Kjo natyrë e moralit që karakterizon filozofinë e tij nuk e ndrydh qenien njerëzore duke i vendosur kufij dhe ndalesa, por i orienton rreth asaj çka duhet të bëjë, sepse vlerat më të larta morale evidentohen nëpërmjet asaj çka bën njeriu dhe jo aq nga ajo prej te cilës njeriu largohet.

Nëse hulumton me objektivitet dhe dashamirësi mendimin makiavelik, çka duhet të karakterizojë çdo student apo studiues të filozofisë, atëherë thjesht dhe qartë kuptojmë se Makiaveli shkruan shumë në lidhje me format e ndryshme të pushtetit dhe të principatave me qëllim për të zbuluar se cila lloj udhëheqje është më e konsoliduara dhe më e dobishme. Nga ana tjetër makiaveli vë në pah tiparet e dobësisë njerëzore, prej të cilave lind domosdoshmëria e një elite, e cila di dhe ka aftësi të menaxhojë dobësitë dhe të metat e shoqërisë së saj. Makiaveli shkruante duke synuar që, udhëheqjes politike t’ia mundësonte mënyrën më të mirë të marrjes dhe ushtrimit të pushtetit, në mënyrë që sundimi i saj të jetë solid dhe i dobishëm. Nuk mund të ketë vlerë më të lartë morale sesa të duash të mirën e shoqërisë tënde dhe ta mësosh atë se si të ruhet nga prishja e ekuilibrave dhe hierarkisë sociale. Me këto standarte të të filozofuarit mendimi i Makiavelit mund të kategorizohet tek idetë liberale të cilat nuk e degradojnë marrëdhënien me lirinë duke abuzuar në emër të saj, nga ana tjetër tek qasjet e tij konstatojmë edhe konservatorizmin që i duhet shoqërisë, për të ruajtur vlerat jetike të saj. Mund të themi se pozita e moralit në filozofinë e Makiavelit qëndron në pozita fisnike për sa i përket qëndrimit të tij të brendshëm dhe interpretimit që ai i bën politikës.

Makiaveli nuk krijon një moral të ri sepse morali është unik, autentik, ekziston pavarësisht dhe përtej gjithçkaje. Po ashtu, Makiaveli nuk shkruan për të vlerësuar moralisht një gjendje shoqërore apo një tjetër. Madje, Makiaveli nuk kryen një ndarje midis politikës dhe moralit. Makiaveli shpërfaq qëndrime morale fisnike dhe të larta duke përshkruar se si mund të bëjmë politikë për të përhapur të mirën në nivel institucional dhe për ta fortifikuar atë me anë të organizimit socio-politik.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP