Realiteti absolut i Traditës tek mendimi i Julius Evolas- Pjesa 2
Pjesa II
nga A.Daimo
Evola përmend betimin në raport me shtetin modern dhe absurdin e t’u betuarit në kushtet e një shteti të shekullarizuar. Sarcamentum fidelitatis, pra betimi i besnikërise, i njohur në epokën e feudalizmit, përbën për Evolën një ndërmarrje që transhendon çdo kategori të profanes dhe shekullares. Betimin, në këtë kontekst vlerësimi, mund ta zhvendosim në kontekstin e njeriut. Betimi i kryer nga dikush, nëse kuptohet vetëm dhe thjesht në këtë plan aktualizimi, atëherë kuptohet vetëm përgjysmë. Betimi nënkupton lidhjen e një norme të pashkruar, një norme apriori që informon sjelljen e betuesit në raport me një përmbushje potenciale të përmbajtjes së vendosur mbi normën. Përmbushje potenciale imediatisht në pragun e aktuales pas vendosjes së betimit. Me këto që thamë kuptojmë vetëm pjesën objektive, të jashtme të betimit. Mendoj se duhet të ketë edhe një plan të brendshëm, imanent tek njeriu që betohet por transhendent në raport me kushtet e jashtme të aktualizimit të betimit. Zotimi duhet kuptuar si pjesa e brendshme imanente dhe e realizuar tek personi. Zotimi e paraprin betimin. Betimi është manifestimi i jashtëm i zotimit. Nëse zotimi nuk realizohet si i tillë tek personi ateherë betimi në sensin evolian, pra në sensin e fortë, nuk mund të ndodhë.
Zotimi është gjithnjë një raportim me veten dhe vetëm ky raportim me veten që mund ose jo të përfundojë në zotim, çon në betim. Zotimi duhet kuptuar si raportimi që bën llogaritë me veten, si raportimi që vendos rendin e brendshëm tek personi duke disiplinuar forcat e ulëta brenda tij. Forcat pasionale, frikërat, pasiguritë, emocionet devijante, dhe tundimin për të thyer betimin. Sundimi i sferave të larta të shpirtit dhe mendjes brenda vetes është kusht i parë i domosdoshëm dhe themel i çdo betimi të vërtetë. Betohet, jep besën, kush zotohet, dhe zotohet ai që është zot i vetes. Zotimi është tërësisht veprimtari transhendente ndaj fakteve empirike. Personi që betohet gjithnjë duhet të jetë zot i vetes pavarësisht rrethanave dhe kushteve në të cilat mund të kërkohet betimi.12[1]Ky reflektim dhe sqarim do të na shërbejë më pas për të kuptuar raportimet me kategorinë metafizike të Traditës dhe mendimin politik të Evolës tek figurat e saj më të forta.
Arritja tek njohja super-natyrale e Traditës përbën dallimin themelor në mendimin e dy tradicionalistëve më të mëdhenj, Evola dhe Guenon. Sipas Guenon parimet e para të Traditës13 janë përcjellë nëpërmjet një elite intelektuale e cila në qytëtërimin tradicional lindor përfaqësohet nga kasta e Brahmanëve.14 Karakteristika kryesore e kësaj kaste në dallim nga të tjerat është njohja e parimeve nga lart në mënyrë direkte nëpërmjet asaj që Guenon e quan intuitë intelektuale. Organizimi social strukturohet rreth kësaj elite intelektuale që përshkohet dhe përcjell fuqinë e parimeve nga lart në këtë rast.
Intuita Intelektuale është një fakultet mbiracional dhe “imediat akoma më tepër se intuita ndjesore sepse përtej dallimit të subjektit dhe objektit që kjo e fundit konservon, intuita intelektuale është njëkohësisht mjeti i njohjes dhe vetë njohja, dhe në të subjekti dhe objekti unifikohen dhe identifikohen.”15 Përmes intuitës intelektuale subjekti bëhet objekti, dualizmi dallues mes tyre pezullohet dhe njohja e parimeve metafizike ndodh në formën e një realizimi metafizik, kuptuar si identiteti i njohjes dhe qenies i cili “jo vetëm afirmohet por realizohet.”16
Për Evolën njohja nëpërmjet intuitës intelektuale është një nga udhët për njohjen metafizike. Në krah të saj, dhe në krah të kundërt me Guenon i cili kishte vlerësim më të ulët për aksionin, ai mendon se aksioni është po ashtu një udhë e arritjes drejt forcave të Traditës.
Nëse në rastin e Guenon shohim se primatin në përballjen përsiatje – aksion e fiton përsiatja, kuptojmë që kemi të bëjmë me një shkëputje nga bota dhe vendosje në kushtet e një përsiatjeje inaktive për të arritur harmoni me Njëshin, vetëm veprimtari e hollë përsiatjeje. Evola nga krahu tjetër vlerëson “ndërtimin e lirë dhe emancipimin e formave më të larta të qenies në qasjen e tyre drejt Absolutit.”17[2]Evola vendos superioritetin e qenies ndaj njohjes. Kjo kuptohet si “kapja e procesit të njohjes si formë e ndryshimit të qenies së njërit, në të cilën njëri mund të kushtëzohet nga tjetri, nga çfarë është e jashtme ndaj vetes, apo të marrë kontrollin e procesit, të krijojë realitetin dhe kështu të çlirojë veten në njohje, dhe a priori në qenie, prej aparencës materiale.”18 Evola kërkon një afirmim aktiv të fuqive shpirtërore për të shkaktuar një transhendencë realizuese, ndryshe nga Guenon që e vendos shpirtin në gjendje të qetë meditimi ndaj Absolutit. Ai i sheh forcat e Traditës si mundësi transhendimi të njerëzores nga njeriu.
Tani është e nevojshme të sqarohen disa dallime midis Traditës dhe përdorimeve apo kategorive të tjera të përdorura në kuptimin tradicional. Tradita nuk është Religjioni.19 Religjioni mund të ketë thelbin e tij të brendshëm doktrinal apo parimet dhe funksionet e veta në drejtim “të lartë”, por gjithmonë do të jetë thjesht një shprehje e Traditës. Një formë pak a shumë e pastër e saj. Tradita nuk është besim, ajo është aktualizim dhe aktualizimi i forcave të saj ndodh gjithnjë me vullnetin dhe dëshirën e njeriut për t’u realizuar në gjithë potencialet e qenies së vet duke shkuar lart. Tradita është afirmuese, ndërsa shpeshherë Religjioni ka natyrë pasive, kontempluese në raste si ato Hindu dhe nënshtruese në rastin e feve abrahmaike. Natyra transhendente imanente e Traditës e dallon nga shumica e religjioneve që e izolojnë njeriun në planin e botës duke e vendosur në buzën e një humnere metafizike të quajtur e përtejmja.
Tradita dallon nga Philosophia Perennis. Termi Philosophia Perrenis është formuluar nga Leibniz. Kuptimi më i përdorshëm i saj është ai që qëndron në bindjen se të gjitha religjionet dhe filozofitë janë shprehje të një filozofie universale, tashmë të humbur për njerëzimin.20[3]Formulimi i Aldous Huxley është ai që i afrohet më shumë konceptimit të Traditës. “Philosophia Perennis: shprehja është artikuluar nga Leibniz por gjëja është universale dhe jashtë kohës. Është një metafizikë që njeh një Realitet hyjnor ndërsubstancial ndaj botës së gjërave, të jetëve, dhe të mendjeve; është një psikologji që zbulon tek fryma (anima) diçka të ngjashme me Realitetin hyjnor, madje identik me të; është një etikë që i cakton njeriut si qëllim të fundëm njohjen e themeleve imanente dhe transhendente të gjithçkaje që është.”21 Po ashtu formulimi i Frithjof Schuon për filozofinë e përhershme është “totaliteti i të vërtetave primordiale dhe universale”.22 Për Guenon dhe Evola, Tradita nuk është një filozofi, por e vërteta e përhershme, e shprehur nëpër filozofi, religjione, politika etj. Siç thamë më sipër Tradita është një realitet metafizik ekzistues dhe i arritshëm nga njeriu, po aq sa e realizushme nëpërmjet qarkullimit të forcës së saj renduese nga lart. Kjo forcë i jep formë dhe qenie aktive realiteteve njerëzore duke kuptuar me këtë një formë të mirëpërcaktuar që shkon gjithmonë për lart. Philosophia Perennis si konceptim afrohet më tepër me konceptin e traditës primordiale në sensin pre-historik dhe më pak me një realitet metafizik transhendent e të pavarur nga shfaqja apo humbja e të vërtetave nga njeriu. Pavarësisht formulimit universal që i bëhet filozofisë së përhershme, për Guenon filozofia do të jetë gjithnjë “dashuria për dijen” dhe rrjedhimisht “kushti dhe hapi i parë drejt dijes”23, gjë që qartëson vetvetiu kufijtë e saj. Për Evolën filozofia e izoluar nga kategoria metafizike e Traditës, në rastin më të mirë është një ushtrim spekulativ pa asnjë vlerë.24
Dhe së fundi një dallim tërësisht në planin praktik-politik: Tradicionalizmi kundër-revolucionar dhe Politika tradicionale sipas Evolës. Tradicionalizmi kundërrevolucionar është një lëvizje që erdhi si reaksion ndaj ngjarjeve historike të shkaktuara nga Revolucioni Francez. Mendimtarët kryesorë të kësaj rryme janë kundër-revolucionarë si De Maistre25[4], Edmund Burke, Louis de Bonald, Robert de Lamennais, Donoso Cortes që e vendosnin nismën e teorive të tyre mbi përkatësinë dhe bindjet politike që kishin, si psh. mbi traditën monarkike franceze. Tradita e monarkisë nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një monarki të Traditës apo tradicionale në kuptimin evolian. Gabimi, sipas Evolës është se përpjekja e tyre reduktohet në një thirrje të dëshpëruar për t’u rikthyer në format e mëprashme të shtetit, shoqërisë, qeverisjes dhe besimit. Theksi i fortë tek tradita katolike i dallon këta mendimtarë të shekullit XIX nga Evola, siç do ta shohim më poshtë. “Përmbajtja e “tradicionalizmit” konsiston në rutina, zakone, të mbijetuara të asaj që ishte dikur, pa një njohje të vërtetë të botës shpirtërore dhe të asaj në të që nuk është thjesht faktike por ka një vlerë me karakter të përhershëm.”26 Pra kemi të bëjmë me tendencën e një ruajtjeje të formave të jetës, institucioneve, dhe strukturave tashmë pa asnjë përmbajtje më të lartë. Evola ngulmon tek besnikëria ndaj parimeve të Traditës dhe qëndrimi tek ato nëpërmjët “formës së brendshme”. Kjo dallon njeriun e traditës, në kohë të ndritura dhe të errëta. Tradita nuk ka histori dhe Historia është fusha e përplasjes dhe shpalosjes së forcave renduese të Traditës dhe shpërbërjes. Tradicionalistët e shek. XIX konsideronin traditën historike të një institucioni, ndërsa Evola vendoset në meta-historinë e parimeve të pandryshueshme të Traditës mes “rrënojave të historisë”.[5]
Referenca
12 Tradita si përcjellje orale nuk mund te ndahet nga reflektimi mbi zotimin dhe betimin. Vazhdimësia e mësimeve të tilla është rezultat i një devotshmërie dhe disipline mbinjerëzore. Për më tepër mbi betimin dhe qasjet e ndryshme ndaj tij, shih: Giorgo Agamben, Il sacramento del linguaggio, Archeologia del giuramenti, Laterza, 2008 dhe Richard W.Kaeuper, Holy warriors : the religious ideology of chivalry, University of Pennsylvania Press, Philadelphia, Penssylvania, 2009.
13 Për ngjashmëritë dhe dallimet që Guenon përcakton midis Traditës dhe Metafizikës shih: Introduction to the studies of the Hindu Doctrines, vep. e cit. dhe Simone Marleta, Filosofia politica di Evola,vep. e cit.
14 Shih Rene Guenon, Spiritual Authority and Temporal Power, Sophia Perennis, New York, 2001.
15 Rene Guenon, Introduction to the studies of the Hindu Doctrines, vep. e cit., f. 115.
16 Po aty, f. 115.
17 Paul Furlong, Social and political thought of Julius Evola, vep. e cit., f. 42.
18 Po aty, fq 43.
19 Shih: Rene Guenon, Introduction to the studies of the Hindu Doctrines, vep. e cit.
20 Paul Furlong, Social and political thought of Julius Evola, vep. e cit., f. 37.
21 Aldous Huxley, La Filosofia Perenne, Adelphi, Milano, 1995, f. 5.
22 Martin Lings, Clinton Minnaar, The Underlying Religion, World Wisdom, Inc, Bloomington, Indiana, 2007.
23 Rene Guenon, Spiritual Authority and Temporal Power, vep. e cit.
24 Për më tepër mbi kritikën që i bën Evola filozofisë spekulative idealiste shih: Julius Evola, Saggi sull’idealismo magico, Edizioni Mediterranee, Roma, 2006, Teoria dell’Individuo Assoluto, Edizioni Mediteanee, Roma, 1998, Fenomenologia dell’individuo assoluto, Edizioni Mediterranee, Roma, 2007.
25 Shih: Joseph de Maistre, Konsiderata mbi Francën, ISP & DITA 2000, Tiranë, 2007.
26 Julius Evola, Man among the ruins, vep. e cit., f. 245.
Komente