Mesazh rinisë – Julius Evola {1950}
Në shqip nga A.Daimo
Epoka në të cilën jetojmë na tregon qartë se kush duhet të jetë qëllimi dhe motoja jonë: të ngrihemi përsëri, të rilindim përbrenda, të krijojmë një rend të ri dhe drejtësi brenda vetes. Ata që hartojnë iluzione rreth mundësisë së një lufte politike me formula apo sisteme, pa cilësi njerëzore ekzakte apo plotësuese, nuk kanë mësuar asgjë nga e kaluara.
Ne e gjejmë veten në një botë të rrënuar, nuk duhet ta harrojmë këtë. Dhe sa shumë mund të shpëtohet, varet vetëm nga ekzistenca e burrave që janë ende në gjendje të qëndrojnë mes kësaj bote të rrënuar, jo për të diktuar ndonjë formulë, por për të shërbyer si shembuj, jo duke iu bindur demagogjisë dhe materializmit të masave, por në mënyrë të tillë të rizgjojmë forma të ndryshme të ndjeshmërisë dhe interesit.
Të mos dorëzohesh është e rëndësishme në ditët e sotme. Në këtë shoqëri të humbur, njeriu duhet të jetë i aftë për luksin e të paturit karakter. Duhet të jetë i tillë që, edhe para se të njihet si kampion i një ideologjie politike, në jetën e tij duhet të shfaq një sjellje model, një koherencë të brendshme dhe një stil të përbërë nga drejtësia dhe guximi intelektual në çdo marrëdhënie njerëzore. E gjithë kjo, në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa mani për t’u dukur, pa fjalë të mëdha ose qëndrime puritane. Për të paturpshmen “përse të shqetësohesh?” të të tjerëve le t’i përgjigjemi qartë dhe me vendosmëri: ”Nuk mund të veprojmë ndryshe, kjo është jeta jonë”. Nëse diçka vërtet pozitive, si një rend i ri do të arrihet ndonjëherë, nuk do të jetë nëpërmjet dinakërisë së agjitatorëve demokratikë të politikave të vogla, por nëpërmjet prestigjit natyral dhe njohjes së burrave – të djeshëm, madje edhe më shumë të gjeneratës së re – të cilët janë të aftë për aq shumë dhe mund të përgjigjen për idealin e tyre .
Megjithatë, ndershmëria kërkon njohje të përshtatshme. Të rinjtë në veçanti duhet të bëhen të vetëdijshëm për shplarjen mendore që i është bërë një brezi të tërë nëpërmjet formave të njëpasnjëshme të pikëpamje të rreme të jetës, të cilat e kanë shpërbërë këtë brez dhe i kanë grabitur forcën e brendshme për të mbrojtur veten në momentin që i nevojitet më shumë. Në një formë apo tjetër, këto helme vazhdojnë të veprojnë brenda kulturës bashkëkohore, shkencës, sociologjisë dhe letërsisë. Këto baza të infeksionit duhet të indentifikohen dhe të mposhten. Më të spikatura mes tyre janë Darvinizmi, Marksizmi, psikoanaliza dhe ekzistencializmi. Këto ideologji përcjellin të njëjtin ndikim degradues, të njëjtin sulm kundër njeriut të vërtetë.
Kundër darvinizmit, le të pohojmë dinjitetin themelor të njeriut dhe vendin e tij unik. Ky nuk është vendi i një specieje të caktuar, edhe pse më të zhvilluar, që e ka dalluar veten përmes ”përzgjedhjes natyrore”, ndërkohë që gjithmonë mbetet i lidhur me origjinën e tij të egër dhe primitive, përkundrazi, është e tillë që është hequr nga niveli biologjik.
Kundër marksizmit dhe socializmit, le të pohojmë që ekonomia dhe interesat ekonomike në të gjitha format e tyre gjithmonë kanë ushtruar – dhe gjithmonë do të ushtrojnë – një funksion vartës në një njerëzim normal; se historia dhe çdo strukturë sociopolitike e shëndoshë përcaktohet nga forca të një tjetër lloji; dhe se gabimi themelor është të besohet se faktorët material, mjedisor, të pasurisë ose varferisë, luajnë një rol vendimtar në progresin njerëzor .
Kundër psikoanalizës, le të mbështesim idealin e një personaliteti që nuk heq dorë nga roli i tij, të vetëdijshëm dhe autonom, i cili e ruan sovranitetin në pjesën më të errët dhe të fshehtë të shpirtit dhe të demonit të seksualitetit – një personaliteti që nuk është as “i shtypur” dhe as i dyzuar psikologjikisht, por që arrinë një ekuilibër të shëndetshëm të të gjitha aftësive të tij duke i nënshtruar ato ndaj një kuptimi më të lartë të jetës dhe aksionit.
Së fundmi, në bazë të ekzistencializmit, njëri duhet të njohë të vërtetën e një qenieje njerëzore të fragmentuar, e cila ka arritur të indentifikojë vet ekzistencën me rrafshet e tij më të ulëta dhe irracionale, me shprehitë e tij më të errëta dhe të pakuptimta, duke u përpëlitur në një lloj vet-sadizimi. Kundër gjithë kësaj le të kuptojmë qartë se “ekzistenca” nuk është zgjidhja e fundit, se ekzistenca në fakt arrin përmbushjen vetëm tek ata që hedhin shikimin përtej saj, ata që janë në gjendje të nënshtrojnë thjesht-të-jetuarin ndaj diçkaje më tepër se të jetuarit.
Të tilla janë linjat e tejkalimit, të cilat nuk duhet të jenë intelektuale dhe dialetike, por të përjetuara drejtpërsëdrejtë, dhe të realizuara në kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë për sjelljen dhe jetën e brendshme të dikujt. Është e pamundur të ngrihemi për sa kohë që mbetemi nën ndikimin e mënyrave të tilla false dhe devijante të të menduarit. Pasi të lirohemi nga helmi, mund të arrijmë qartësinë, drejtësi dhe forcë të vërtetë. Le të përsërisim këtë: aksioni i brendshëm duhet të paraprijë çdo aksion tjetër. Lëre këtë të perceptohet veçanërisht nga ata të rinj që ruajnë shkëndijën brenda vetes, në mënyrë që ata të marrin pishtarin prej atyre që ende nuk kanë rënë. Kur një front i tillë të dalë, asnjë konfuzion me atë që po nxitet në botën e shesheve publike dhe “demokracisë” s’do të jetë më i mundur. Nëse mund të shpresojmë për një të ardhme, ajo do t’i përkasi këtyre njerëzve: një udhë do të gjendet për rindërtimin politik dhe kombëtar. Por çfarëdo që të ndodhë, ne do të mbajmë pozicionet tona, pasi një aspekt thelbësor duhet të jetë trashëgimia ideale e atyre njerëzve që jo shumë kohë më parë qëndruan në vendin e tyre dhe luftuan, madje duke e ditur se beteja ishte e humbur. Sidoqoftë, pa u zhytur në një nivel më të ulët, pa e ngatërruar thelbin me aksidentin, ajo që mund të bëhet do të bëhet.
Komente