web analytics

Të veçanta

Anakronia që prodhon Vetingu

Rezultatet e Reformës në drejtësi sipas të hujave

Pritja e gjatë është shndërruar prej treguesve më të rëndësishëm të koncpetimit dhe ndjeshmërive të shoqërisë sonë. Shumësia e çështjeve që pritet të përmirësohen domosdo që përfshin edhe një nga aspektet më kryesore të vitalitetit social, drejtësinë. Reforma në drejtësi ka arritur të depërtojë shumë lehtë në ligjërimin politik, narativën e mediave dhe intepretimin e opinionistëve. Por në optikën e komunitetit karshi këtyre zhvillimeve vazhdon të dominojë skepticizmi, pritja ka pësuar transofrmim prej një fenomeni të natyrshëm në bindje doktrinare që dikton pamundësinë e tejkalimit të saj. Efektet e kësaj mënyre të trajtimit të drejtësisë prej institucioneve dhe aktorëve përkatës ndonëse nuk duhen gjykuar si alarmante duke marrë parasysh natyrën e ngutshme të shqiptarëve, por nëse iu referohemi raporteve dhe analizave nga instancat ndërkombëtare domosdoshmërisht duhet të rrisim nivelin e seriozitetit karshi ngjarjeve në këtë sferë tek e cila përthyhen një shumësi trajektoresh vlerë-formuese dhe  funksionaliste.

Një raport i EURALIUS (Misioni i Bahkimit Europian në Tiranë) që i referohet periudhës nga vera e kaluar deri në shkurtin e këtij viti. Raporti thekson se gjatë reformës në drejtësi, periudha kalimtare nga institucionet e vjetra tek ngritja e institucioneve të reja është zgjeruar dukshëm përtej afateve kohore të caktuara me ndryshimet në Kushtetutë. Për shkak të vonesave në zbatimin e reformës së drejtësisë, KLGJ, dhe KLD ende nuk janë reformuar. “Themelimi i institucioneve të reja drejtuese të drejtësisë varet nga rivlerësimet e kandidatëve të gjykatësve dhe prokurorëve” – thuhet në raport. Euralius thotë se “Shkolla e lartë e Magjistraturës duhet të vazhdojë të jetë institucioni qendror për të përgatitur me cilësinë më të lartë profesionale gjyqtarët dhe prokurorët”.

Në fillimin e muajit qershor hasim një tjetër interpetim në lidhje me reformën në fushën e drejtësisë në vendin tonë. Këtë herë ishte ambasadori i Italisë në Shqipëri Alberto Cutillo i cili ka një këndvështrim të veçantë për këtë fenomen risi në sferën e së drejtës në Shqipëri. Cutillio e pranon ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, por ndryshe nga shumëkush ai këtë fakt e  konsideron si një çmim që duhet paguar për një reformë të thellë si ajo e drejtësisë që po bën Shqipëria, e që nuk ka patur preçedent më herët në vendet Europiane. Me po të njëjtin optimizëm e sheh ecurinë e kësaj reforme edhe ish-ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri Donald Lu i cili gjatë një interviste në muajin qershor është shprehur se “me zbatimin e deritanishëm të procesit të vettingut, shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar sepse nuk mundeshin të justifikonin pasurinë e tyre të madhe. Madje sipas tij, ishte korrupsioni që pengoi funksionimin e këtyre gjykatave për vite me radhë.”

Ambasadorja e Gjermanisë gjithashtu ka deklaruar në datën 10 gusht se procesi i vetingut po përparon me sukses dhe nxit krijimin sa më shpejt të këshillave të lartë për plotësimin e vendeve vakante si dhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të rimarrin sa më shpejtë të jetë e mundur aftësinë e tyre ligjore.

Vetingu si anakronizëm në sferën e jetës civile dhe profesionale

Reforma në drejtësi e cila ka nisur prej më shumë se dy vitesh në republikën e Shqipërisë, përtej të gjithë kritikave dhe vlerësimeve të shumta e të shumanshme, shënohet në historinë e shtetit shqiptar si dukuria më përfshirëse dhe e ndikueshme. Efektet që ka përcjellë vetingu në kategoritë e ndyrshme të shoqërisë sonë janë të dukshme edhe shfaqen të larmishme. Për shumëkënd kjo reformë ka pasur ndikim vetëm në aspektin e transformimit të debateve të zakonshme midis idnividëve që dallohen për interpretime edhe paragjykime të çdolloji, qofshin këta qytetarë të thjeshtë, gazetarë, analistë apo nëpunës të tjerë. Mirëpo efektet e reformës në sistemin e drejtësisë edhe në jetën e nëpunësve të institucioneve të drejtësisë janë shumë të pranishme me thellësinë e depërtimit dhe madhësinë e shndërrimit të shumë gjërave.

Përgjatë 5 muajve të fundit konstatohen shpesh interpretime të cilat e konsiderojnë proçesin e vetingut si një anormalitet me pasoja të shumëfishta. Një nga personat që e ka interpretuar vetingun si ngjarje të jashtëzakonshme ka qenë kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i cili 1 javë pas kalimit me sukses të  vetingut u shpreh se: “Ky ligj që është bërë, duke përfshirë Kushtetutën dhe ligjin për vettingun, është ndër më të ashprit e Europës, por ndoshta edhe më gjerë, për sa i përket kësaj fushe. Filtri që është vendosur e procedura që ndiqet e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë për t’u kaluar. Unë do të përdorja një shprehje: Të kalosh vettingun në Shqipëri me këtë ligj është si të kapërcesh varrin për së gjalli. Kjo është një gjë shumë e mirë, sepse njëherë e mirë ndahet elementi që ia ul vlerat kësaj reforme”.

Pasojat e vetingut në jetën personale të gjykatësve edhe prokurorëve pasqyrojnë aspektin negativ të tyre pasi përjetimet e ankthit, frikës, pasigurisë dhe kaosit natyrisht i dëmtojnë këta njerëz edhe familjet e tyre pasi merret në llogari e gjithë jeta e tyre profesionale. Por nga ana tjetër këto pasoja shfaqen edhe pozitive pasi ndikojnë dukshëm në ndërgjegjësimin, ndryshimin dhe pozitivitetin social të nëpunësve. Por pasojat institucionale që shkaktohen si rezultat i zbatimit të reformës në drejtësi janë shumë më të mëdha dhe më të vështira pë t’u zhbërë. Kësisoj kujtojmë se në muajin korrik ILDKPI (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave) deklaronte se zyrtarët shqiptarë nga prokurorët dhe gjykatësit nuk kanë justifikuar 80 milion € pasuri. Shkëlqim Ganaj, drejtues i këtij institucioni është shprehur se “Shqipëria nuk ka më Gjykatë Kushtetuese funksionale prej disa muajsh. Për shkak të Vetting-ut nuk funksionon as Gjykata e Lartë. Por sipas Ganaj tani rrezikon edhe Apeli”. Pikërisht mosfunksionimi i institucioneve të drejtësisë shqiptare që është prodhuar për shkak të zbatimit të vetingut është prej çështjeve që realisht meritojnë kritikë të plotë ndaj qeverisë dhe politikanëve shqiptarë pasi askush nuk ka shpalosur platforma të cilat do  ta paraprinin gjendjen e vakumit të anëtarëve të gjykatave më të rëndësishme të vendit.

Një tjetër gjendje anakronike e prodhuar në sistemin shqiptar të drejtësisë është edhe ngërçi i Gjykatës së Lartë. Në fundin e muajit korrik mediat raportojnë se  “Gjykata e Lartë duhet të kishte 19 anëtarë, por tashmë janë 6 anëtarë, prej të cilëve kanë fituar 3 anëtarë garën e vetting-ut dhe tre të tjerë presin. E gjitha kjo përkthehet në një situatë ku stoku i dosjeve dhe i qytetarëve në Gjykatën e Lartë shtohet përditë. Brenda një muaji, fluksi është rritur në 26 500 çështje të pashqyrtuara ende. Por, edhe vjeshta do të jetë akoma më e vështirë për ata që do të kërkojnë drejtësi.” Qytetarët dhe institucionet që kanë çështje të rëndësishme për t’iu gjykuar në gjykatë kanë mbetur peng i pritjes së pashpresë për plotësim të gjykatave dhe prokurorive me kuadro të vlefshëm në aspektin profesional dhe të pastër sa i përket lidhjeve me krimin.

Sipas një studimi të realizuar nga Instituti i Studimeve Politike bazuar në monitorimin e bërë që nga nisja e procesit të rivlerësimit të 21 marsit 2018 deri në muajin gusht, ku në sitën e KPK-së kanë kaluar 57 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa kanë dhënë dorëheqjen 14 gjyqtarë dhe ndihmës ligjorë vetingu konsiderohet si proces që përdor standarte të dyfishta. Në këtë raport thuhet se problemi kryesor me të cilën po ndeshet reforma është boshllëku i krijuar midis procesit të vettingut dhe krijimit të institucioneve të reja. Ky fakt i ka gjetur të papërgatitur të gjitha palët dhe skenari më optimist për krijimin e tyre është pranvera e vitit të ardhshëm.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk po vihet në jetë. Në datën 13 tetor u rihap sërish gara për KLP, duke qenë se vetëm një prej prokurorëve kandidat kaloi sitën e Vettingut. Situata shfaqet tejet problematika gjithandej, njerëz të ndershëm dhe profesionistë ka gjithmonë e më pak. Sistemi i drejtësisë i ngjan një trupi në process operacioni të cilit i hiqen qeliza dhe inde të pavlefshme dhe nga ana tjetër qelizat që i vendosen janë përsëri të pavlefshme. 

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP