web analytics

Të veçanta

‘Për’-humbje e vetëdijes metafizike

Shoqëritë në shumë aspekte strukturore dhe organizative ngjajnë shumë me individin. Edhe gjendjet të cilat i përjeton shoqëria së bashku me mënyrat e reagimit karshi tyre përkojnë me vetë përjetimet dhe sjelljet individuale. Ashtu sikurse një individ fokusohet tek çështje të caktuara, të cilat e përfshijnë në cikle të ndryshme jetësore, po ashtu edhe shoqëria ka prirjen që të përcaktojë prioritete ndaj fenomeneve me ndikim të madh në proceset e veta jetësore. Epoka të cilën po e përjetojmë, në shumë aspekte karakterizohet nga dominimi i materializmit si ideal por edhe si mënyrë jetese. Botëkuptimi metafizik, kultura dhe nënrenditja politike më së shumti buron nga elitat politiko-ekonomike. Për këtë qytetërim njeriu me racionalitetin  dhe instiktet e veta përbën boshtin e qëllimeve dhe shqetësimeve. Kategoria e intelektualëve dhe udhëheqësit politikë të cilët perceptohen si vetëdija më e lartë botërore, përgjithësisht veprojnë në kuadër të jetësimit të ideve që vetë njeriu i prodhon edhe të plotësimit të dëshirave gjithnjë e më të shumta të instiktit. Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë synohet luftimi i çdo rreziku që tenton të drejtohet kah status-quo-ja e këtij ekuilibri. 

      Të ndalemi pak në shoqëritë e sotme dhe konkretisht tek problematika, e cila po përqendrohet pothuajse çdo potencial njerëzor, politik, spiritual, ekonomik etj, të paktën sipas paraqitjes së situatës në media; Virusi Korona (Covid-19) ka përthithur vëmendjet, angazhimet dhe investimet më të mëdha aktuale. Shumë shtete, mes të cilave edhe supefuqi socio-politike, e kanë konsideruar si rrezikun më të madh të kësaj periudhe. Duket sikur shëndeti apo më gjerësisht jeta e njerëzve përbën qëllimin më të lartë ekzistencial. Madje ky lloj rreziku perceptohet si rreziku më i madh ndaj jetës, edhe pse në të vërtetë janë fenomene të tjerë ata të cilët shkaktojnë këtë lloj humbje. Por diçka është e sigurt, rreziku i virusit korona ka aftësinë të depërtojë edhe tek shoqëritë materialiste- individualiste, edhe në brendësi të shoqërive të larta (materialisht- ekonomikisht). Ky fakt ka shkaktuar këtë gjendje të pazakontë paniku. Ato elita të cilat kanë në dorë mekanizmat e mediave nuk kanë qenë asnjëherë më të angazhuara në përballjen ndaj rreziqeve sesa në këtë rast. Për luftimin e urisë dhe sëmundjeve të cilat prekin zonat e kontinentit afrikan nuk merren as 1% e masave. As emigrantët nga vendet në konflikt apo luftë, nuk kanë qenë në planet e këtyre elitave për t’u shpëtuar. Atëherë a nuk ngjason kjo gjendje me atë të cilën filozofët modernë e kanë përshkruar si gjendje natyrale në të cilën mbijeton më i forti, ku më i pushtetshmi përfiton dhe jeton në kurriz të më të dobëtve, të cilët nënshtrohen nga pamundësia për të dominuar? A gjen vend shprehja e Hobs-it ‘njeriu për njeriun është ujk’? Po! Sepse qenia njerëzore shfaq egërsi jo vetëm kur e lufton padrejtësisht më të dobëtin, por edhe kur sillet me standarte të dyfishta ndaj shoqërive njerëzore, edhe kur shfaq hipokrizinë e saj duke favorizuar një kategori shoqërore ndaj të tjerave për interesa të rëndomtë e të pavlerë. 

       Rreziku i virusit është real dhe i konsiderueshëm, ka pasoja dhe përbën kërcënim serioz për shoqëritë e sotme. Por më shumë sesa e rrezikshme dhe e dëmshme, kjo është një situatë sinjalizuese dhe alarmuese. Ky fenomen i fton shoqëritë për reflektim dhe meditim, për qetësi dhe kthim tek marrëdhënia e gjinisë njerëzore me parimet universale që rrjedhin nga qëllimi i ekzistencës; një shkundje e fuqishme për ta zgjuar njerzimin nga iluzionet e besimeve idhujtare që për zota kanë vetë njerëzit e pushtetshëm, për ta kthjelluar dhe qartësuar besimin tek një Zot i vetëm, i Cili nuk mban askënd më hatër e nuk vlerëson padrejtësisht mes njerëzve; argument i dobësisë dhe paaftësisë së njeriut për të zotëruar jetën me gjithë elementët e saj të dukshëm e të padukshëm; ftesë për të ruajtur pastërtinë fizike, por edhe atë mendore e shpirtërore.

       Virusi Korona, ashtu sikurse çdo fatkeqësi që i ka ardhur njerëzimit, pasi të përfundojë ciklin e vet të ndikimit shkak-pasojë dhe njëkohësisht plotësimin e caktimit metafizik, do largohet nga mesi ynë, duke realizuar ‘misionin’ e vet. Kështu ndodh me çdo fenomen që vendos në provë qëndrimin dhe karakterin e individit, rrjedhimisht dhe të shoqërive. Por çështja më e lartë, e cila duhet të na vlejë si individë, apo si anëtarë të një entiteti më përkatësi të caktuar socio-kulturore, është ndikimi i këtij fenomeni në vetëdijen tonë metafizike, në raportin tonë më të vërtetat e mëdha të jetës dhe sistemet religjioze e morale. Kjo sprovë mbi të gjita duhet të kthjellojë gjendjen tonë të përhumbjes metafizike, të shkundë pluhurin e zemrës që i ka mohuar asaj të pasqyrojë besimin e pastër tek Krijuesi i zemrës dhe mendjes. Nëse arrin ta bëjë këtë shndërrim, atëherë kjo sprovë kthehet në mirësi,  pësimet e mëdha bëhen mësim dhe angazhimi për pastërti fizike do na nxiste së paku një herë për të marrë në konsideratë serioze pastrimin e shpirtit. E nëse shpirti pastrohet, qoftë individit, qoftë shoqërive, asnjë dëm nuk mund t’i bëjnë sëmundjen, madje ato e forcojnë edhe më shumë karakterin e tyre,  vitalitetin e mendjes dhe shpirtit që mbi të gjitha trajtojnë relacionet metafizke. Nuk ka armik dhe virus që të mundet të mposhtë një vetëdije metafizke të kthjellët e të shëndoshë.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP