web analytics

Të veçanta

Europa përballë krizës së refugjatëve

Ajo që po ndodh ditët e fundit me emigrantët nga Lindja e Mesme, në kufinjtë e zonës së Bashkimit Europian, është treguesi më i mirë rreth faktit që lufta është një mekanizëm, që më së shumti i dëmton popujt, qofshin pjesëmarrës në të apo qofshin spektatorë të saj. Nëse bëjmë një vështrim pas në kohë, deri në momentin e sotëm, ajo që po ndodh në vendet e lindjes, është një luftë forcash dhe influencash midis shteteve të fuqishme të arenës ndërkombëtare. Fuqitë globale u futën në ato territore, më qëllimin e ruajtjes së stabilitetit dhe përcjelljes së vlerave demokratike.

Normalisht që në pamje të parë, në një zonë luftimi ku merr pjesë një shtet i fuqishëm, lufta pretendohet të përfundojë shpejt, pasi kapaciteti ushtarak i shtetit të fuqishëm bën diferencën me atë që ka përballë. Por jo çdo gjë shkon gjithmonë sipas parashikimeve në letër dhe kalkulimeve të paraluftës. Për ta mbështetur këtë fakt, marrim si shembull konkret luftën e SHBA-së në Vietnam, ku përballë ishin fuqia më e madhe e kohës, e cila e kishte treguar forcën e saj me përdorimin e armëve bërthamore, e nga ana tjetër, nëse mund të shprehemi kështu, ishte një ushtri mercenare, e organizuar në çeta të vogla, që strategji kryesore kishte sulmin e befasishëm ndaj armikut. Të gjithë treguesit ishin që lufta do ishte e shkurtër me një fitore bindëse nga ana e amerikanëve. Por në realitet, lufta zgjati rreth 20 vjet, ku forcat e Vietnamit u mbështetën nga shumë faktorë tjerë, ndër to edhe shteti kinez, e që si përfundim pati largimin e trupava amerikanë nga Vietnami si jo- fitimtarë.

E njëjta situatë po ndodh sot edhe në disa vende të Lindjes së Mesme, ku përmendim vetëm Sirinë, e cila ka afro një dekadë në gjendje lufte, dhe të gjitha forcat ushtarake që futen në atë territor, në njëfarë mënyre pësojnë humbje, si në jetë ushtarësh, ashtu edhe në burime financiare e të teknologjisë ushtarake, pa arritur të sjellin një përfundim të gjendjes së luftës që e ka kapluar zonën.

Momenti më i rëndësishëm në gjithë lëmshin e bërë në zonat e lindjes, është momenti i largimit të banorëve nga vendet e tyre, për të ardhur drejt Europës, me dyndje masive, duke realizuar një nga krizat më të mëdha të refugjatëve në këtë epokë që po jetojmë. Pika kyçe në gjithë këtë dyndje, është fakti që këta refugjatë i janë drejtuar Europës, me idenë se Europa është simbolizimi i lirisë dhe i demokracisë. Kjo vërtetohet me faktin që refugjatët nuk kanë lëvizuar në vendet e tjera të lindjes, në ato vende ku mbizotëron paqja, por drejt vendeve të Bashkimit Europian. E pikërisht në kufinjtë e BE-së, konkretisht në kufinjtë grekë, është edhe vija ndarëse mes BE-së dhe refugjatëve lindorë. Një krizë, e cila nuk duket të ketë prioritetin e vendeve të Bashkimit Europian për ta zgjidhur, të cilët nga ana e tyre më shumë po kërkojnë që këta refugjatë të mos futen brenda kufinjve të Bashkimit Europian, sesa të japin një zgjidhje për situatën e krijuar.

Por çfarë do të jetë një zgjidhje për ta? Institucionet e BE-së po alokojnë fonde të ndryshme, për t’ja kaluar shtetit grek, në mënyrë që këta të fundit të izolojnë gjithë kufirin e tyre, duke mos i lejuar refugjatët të hyjnë. Nga pamjet e publikuara vihen edhe thirrje të ushtarëve grekë në drejtim të refugjatëve, më shprehjet ‘ikni’ apo ‘kthehuni pas’. Por ku është ky kthimi pas, kur dihet që në vendet e tyre ku kanë lindur po zhvillohet e luftë dhe nëse kthehen i pret vdekja. Roli i vendeve europiane duhet të jetë ai i rregullatorit të kësaj situate, pasi ngritja e “mitit të Europës” ka bërë që një pjesë e mirë e popullsisë jo europiane, të dëshirojë të jetojë në vendet e Europës. Po ashtu edhe roli i BE-së si përçusja e lirive e të drejtave të njeriut në vende të tjera të botës, apo mbrojtësja e demokracisë dhe të qënurit ajo pjesë e botës, ku njerëzit jetojnë të lirë, do të ishte e mjaftueshme për të gjetur zgjidhje për këta refugjatë. Kapaciteti i vendeve të BE-së është i atillë që me një plan masash mundet t’i integrojë të gjithë në shoqëri, dhe ti japë këtyre qytetarëve, tanimë pa shtet e pa vend për të jetuar, një mundësi për t’iu rikthyer edhe një herë paqes.

Fryma jo mikëpritëse e një pjesë të vendeve europiane, ka disa vite që vihet re, sidomos me fuqizimin e shumtë të partive të së djathtës ekstreme, ku në thelb të ligërimit të tyre kanë përplasjen me emigrantët apo me ata që konsiderohen ‘të huaj’ dhe jo europianë. Edhe mbyllja e kufinjve është një tezë e mbështetur nga këto grupe ekstremiste politike, të cilat kanë thirrur gjithmonë për një Europë pa të tjerë dhe një Europë, e cila vetëmjaftohet me njerëzit që ka.

Dita- ditës dalin lajme për vdekjen e refugjatëve në kufirin grek, tani ato vdekje janë kthyer thjesht në numra, e që shërbejnë vetëm për statistika. Studiuesi Kim Mehmeti një opinion të tijin në lidhje me këtë situate, e nis me frazën: “Edhe sikur një maceje Perëndimore – e jo më një familjeje të tërë – t’i kishte ndodhur ky tmerr rrëqethës që shihni në fotografinë që e shoqëron këtë postim (fotoja është e një familje refugjatësh, e cila po lihet të mbytet në brigjet detare greke), do ulërinin mediat e botës.”

Ndoshta ky moment do na duhet të bëjmë të reflektojmë edhe mbi rolin e vetë Europës, si një epiqendër e demokracisë. Vetëm shekulli XX ka disa precendetë, të cilat Europa i ka vendosur dhe vështirë se mund të tejkalohen. Shtetet europiane për të pasur më shumë influencë nga njëri- tjetri futën luftën në Ballkan, ku shtete të ndryshme Ballkanike mbështeteshin nga shtete të ndryshme europiane. Ishte pikërisht kjo Europë ajo që mbylli sytë e veshët, e që akoma ‘nuk e kujton dot’ masakrën e Çamërisë, ku u vranë shumë shqiptarë, e ku forcat paqëruajtëse europiane paguheshin nga grekët për të luajtur rolin e atij që nuk ka parë gjë. Ishte pikërisht kjo Europë, e cila e zvogëloi Shqipërinë kaq shumë, saqë Kosovën ia dhuroi Serbisë, çështje të cilën edhe sot nuk e merr përsipër ta ndreqë, edhe pse Kosova tashmë është një shtet më vete dhe koha kur ishte pjesë e Serbisë është nje realitet i largët dhe që nuk mund të kthehet më, cilatdo qofshin rrethanat. Është po e njëjta Europë, e cila i la boshnjakët në mëshirë të fatit nga gjenocidi serb, ku ushtarët hollandezë i strehuan boshnjakët më pretekstin për ti mbrojtur, e që natën u larguan, duke i lënë rrugë të lirë forcave serbe ti masakronin boshnjakët, duke krijuar gjenocidin e Serbrenicës. A nuk ishte po kjo Europë, që në zemër të saj lejoi që të masakrohesin miliona hebrenj?

Me kaq shumë barrë që mban mbi kurriz e që nuk do t’ja dijë, nuk është çudi që ti shtohet edhe një tjetër, e që mund të kujtohet si ‘thyerja e shpresës së refugjatëve’. Mesa duket ‘parajsa europiane’, e cila do të ishte shpëtimi i tyre dhe fundi i vuajtjeve dhe dhimbjes, po kthehet në ‘ferrin tokësor’ për ta, të cilët më trokitjen e tyre në dyert e Europës, po kalojnë nga shiu në breshër.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP