Hakmarrja përtej shfaqjes
Nga Ibrahim Xhepmetaj
Hakmarrja është term dhe temë e cila përbën objekt diskutimi shumë të rëndësishëm në sferën njerëzore, për shkak se njeriu e ka të domosdoshëm shpagimin, likuidimin, shpërblimin, si pjesë qenësore të natyrës së tij. Hakmarrja është ndjesi dhe veprim në të njëjtën kohë, ajo është ngjarje dhe mendim e ndjesi. Njeriu për nga natyra kërkon shpjegime, mirënjohje dhe vërtetësi në ngjarjet dhe ndërveprimet që kanë interes për të, sikurse edhe në situatat që e zemërojnë. Në një aspekt hakmarrja lidhet me zemërimin, pakënaqësinë dhe ka si objekt personin nga i cili kërkon t’i marrë hak (atë që i takon). Sikurse lidhet edhe me kënaqësinë dhe gëzimin, me kusht që të përmbush instiktin hakmarrës. Shpeshherë hakmarrja ngatërrohet me një nocion ideal abstrakt që nuk përkon me realitetin e hakmarrjes, për më tepër vetë kuptimi dhe përceptimi për të është tepër subjektiv dhe rast pas rasti individual.
Hakmarrja në aspektin e përfundimit si ngjarje lidhet me drejtësinë, që nënkupton realizimin, përfundimin e hakmarrjes, ndërsa i gjithë proçesi dhe zhvillimi i saj përmban ngarkesë dhe tension, veprime dhe ngjarje kundërshtuese dhe mbështetëse të cilat ruajnë ekuilibrin e gjërave dhe përcaktojnë fatin e hakmarrësit dhe të hakmarrurit. Subjekti është në pozita të marrjes së vendimit për t’u hakmarrë dhe njëkohësisht viktimë, teksa objekti është agresori, fajtori.
Në pamje të parë duket sikur hakmarrësi është vepruesi dhe subjekti aktiv, ndërsa i hakmarruri pranuesi dhe objekti pasiv, në fakt e të gjithë janë njëkohësisht në të dyja rolet të përfshirë njëkohësisht me shumë persona dhe ngjarje rreth tyre. Hakmarrja është e ndërlidhur me kohën, ngjarjen, vendin dhe hapësirën bashkë. Askush në botë nuk është i pavarur nga kjo përplasje apo dialektikë. Në fakt diskutimi do duhet të jetë në rrafshin e përkufizimit të drejtë të hakmarrjes dhe menaxhimit të saj. Në aspektin e përkufizimit të ngushtë që ajo ka, mbart disa kuptime që lidhen me njëra tjetrën: vënie e drejtësisë, çuarje e gjërave në vendin e vet, shpagim, kthimi i kusurit dhe të kthyerit me të njëjën monedhë etj. Ndërsa qëllimi i idesë së tezës që parashtroj është shumësia e kuptimeve në dimensione edhe më të gjera siç edhe kuptimi literal i fjalës “hakmarrje” sugjeron: hak=meritë, vërtetësi, qenësi, marrje dhe gjithë dinamika e përfitimit të ngjarjes përgjatë veprimit dhe ndërveprimit me shkaqet. Në aspektin praktik, atë të menaxhimit, hasim akoma më tepër vështirësi për të ofruar një zgjidhje të problemit të përkufizimit si një model të pranuar nga të gjithë, sepse secili e sheh hakmarrjen si çështje tërësisht personale të tijën, si një të drejtë të patjetërsueshme dhe të panegociueshme, madje të padiskutueshme, sepse çdonjeri niset nga premisa se e drejta i takon gjithmonë vetëm atij, tenton të minimizojë dhe përjashtojë fajin dhe gabimin e vet dhe është në natyrën e tij që kërkojë prehje në terminimin e fateve në destinacione që konfliktohen në situata të ndryshme e që si rezultat prodhojnë hakmarrje.
Hakmarrja hyn që tek gjërat më të thjeshta deri tek ato më jetiket, vendimtaret. Njeriu hakmerret ndaj një sulmi të beftë, ndaj një goditje që i shkakton dhimbje, hakmerret për dinjitetin e tij, për misionin dhe qëllimin për të cilin jeton, hakmerret për krenarinë dhe egon e tij. Ka hakmarrje të menjëhershme dhe të vonuar, spontane dhe të planifikuar, të barazvlefshme dhe të tepruar, të njëjtë dhe të ndryshuar të thjeshtë dhe të sofistikuar. Pyetja që shtrohet është se cila qenka ajo hakmarrje e drejtë dhe cilat janë kriteret e një hakmarrje që meriton angazhim maksimal, cila është hakmarrja më e mirë dhe cila është ajo hakmarrja e vërtetë që e çliron njeriun nga pesha e të “mos marrurit hak”?
A ka njerëz që shpikin hakmarrje për të abuzuar dhe a ka njerëz që pranojnë të abuzohen dhe nuk dëshirojnë hakmarrje?! A jeton njeriu në iluzionin e një hakmarrjeje të vazhdueshme?! Cili është kufiri mes paaftësisë për t’u hakmarrë dhe durimit apo përmbajtjes në hakmarrje? Mendoj se dy elementë janë thelbësorë në përcaktimin dhe vlerësimin e hakmarrjes si akt i sukssesshëm. E para ka të bëjë me formën dhe e dyta me kohën.
Forma përcakton ngjarjet ndërsa koha rezultatin dhe efektin e tyre. Psh: Nëse një më i fortë do të ofendonte dhe shynte ti mund të zgjedhësh të reagosh menjëherë dhe të përleshesh ose të durosh dhe të presësh momentin që të jesh në situatë të favorshme dhe të volitshme për të rifituar nderin tënd. Të dyja rastet janë të drejta në parim, vetëm se janë rrethanat, specifikat, detajet e tjera që s’i njohim, që na bëjnë të vëerësojmë se cila është mënyra më e përshtatshme për t’u hakmarrë në k[të rast. Por njeriu hakmerret edhe ndaj vetes së tij, jo domosdoshmërisht duke e ‘ndëshkuar’ atë por duke e ngarkuar atë me përgjegjësi, duke rritur kërkesat ndaj vetes dhe duke punuar me të.
Hakmarrja si reagim është aktiv dhe pasiv. Aktiv kur ngarkesën emocionale e inkuadron në përpjekje dhe ide për të ndërtuar mbi strategjinë e qartë të hakmarrjes, ndërsa pasive kur mbetet thjeshtë një përvojë e dhimbshme që shpreh dorëzim dhe pranim në rrjedhën e historisë që përcaktojnë betejat e hakmarrjes së të tjerëve. Hakmarrja më e mirë është ajo që të nxjerr fitues ty dhe të çliron nga pesha e përgjegjësisë individuale. Psh: Nëse dikush të ka nënvlerësuar, përçmuar, të ka refuzuar dhe është sjellur armiqësisht me ty, ti ke në dorë të bësh të njëjtin veprim dhe të tendosësh raportin me tjetrin, por mund të bësh diçka më të madhe, ta falësh, të orientosh energjitë drejt përmirësimit të vetes, të tregosh të reflektosh cilësitë që kërkon të shpalosësh tek personi që kërkon t’i hakmerresh ose thjesht të përqëndrosh gjithë preokupimin me veten tënde, pa u shqetësuar shumë për angazhimin e të tjerëve. Hakmarrja më e mirë është të fitosh simpatinë dhe respektin e armikut dhe të dominosh egon tënde. Mos harro se armiku i vërtetë ndaj të cilit duhet të hakmerresh është pikërisht vetja jote. Hakmarrja është energji me të cilën njeriu gatuan të ardhmen e tij. Hakmarrja është konstantja e përmbushjes së gjithë aspiratave të njeriut, nuk është një kundraveprim i rëndomtë, por thelb i ekzistencës njerëzore, pa joshjen e së cilës nuk do motivonte asnjë nga veprimet e tij. Hakmarrja në esencë është orvatja e njeriut për të marrë atë që i takon, kërkesa e vazhdueshme për të merituar atë që synon, për të plotësuar nevojën e pandashme nga vullneti që ka për të rrokur dëshirat dhe aspiratat e tij. Kështu hakmarrja ka nivele, manjera, ka kuptime. Hakmarrja është hakërrim, është konkurrencë. Hakmarrja është instikt, është shtysë. Të marrësh hak do të thotë të jetosh në sfidë dhe në koherencë me botën, e cila nuk mëshiron askënd. Hakmarrje është të jesh prezent duke u mbështetur në mësimet e së shkuarës dhe duke u kapur në shpresat e së ardhmes. Hakmarrja është bindja se gjërat do të organizohen në favorin tënd. Hakmarrja është harmonizimi i shndërrimit nga segmentarizimi i gjërave në plotësimin e entitetit të tyre. Ndryshe hakmarrja është ligji universal i funksionimit të drejtësisë, e cila kapërcen përtej kufijve të mendjes njerëzore për ta rrokur atë dhe përtej kapaciteteve njerëzore për të përmbushur dhe zbatuar përfytyrimet dhe ëndjet njerëzore. Hakmarrja është frika dhe ankthi i mospërmbushjes së drejtësisë, mosrealizimit të aspiratës së vetëpërmbushjes. Hakmarrja është e lidhur me dëshirat, me mundësitë, me lakminë, me ambicien, me shpresën, me frikën dhe është e lidhur me pothuajse çdo vendim të rëndësishëm të njeriut. Hakmarrja implikon idenë me veprimin, motivin me reagimin, forcën dhe vullnetin me realizimin praktik. Çdo gjë e gjallë lëviz, asgjë nuk ndodh kot, hakmarrja ka qëllim. Ekziston një përplasje e pafundme variablash që vibrojnë nga hakmarrjet, secili shtyn dhe tërheq në boshtin e tij të hakmarrjes. Biznesmenët konkurrojnë njëri – tjetrin në fushën e gjerë të kapitalit, kujt e kujt i takon të zotërojë më shumë. Kërkuesit e lumturisë hakmerren ndaj çdo kërcënimi të jashtëm që ju bëhet pengesë në përjetimin e lumturisë. Gratë hakmerren ndaj grave, burrat ndaj burrave, burri ndaj gruas, gruaja ndaj burrit, fëmija rreket ndaj fëmijës, kafsha ndaj kafshës dhe njeriut. Njeriu i “hakmerret” Perëndisë duke shprehur revoltë dhe mosbindje, Zoti hakmerret ndaj nesh duke na lënë të shijojmë “frytet” e punëve tona, herë të tjera na sjellë “fryte” për të nxjerrë në pah “hakmarrjen” tonë. Çdo marrëdhënie në këtë Univers duket se mbahet mbi ktë parim; parimin e hakmarrjes. Nuk është e rëndësishme a hakmerremi (sepse të gjithë jemi të përfshirë në hakmarrje), por, sesi e kuptojmë hakmarrjen, si hakmerremi dhe sa po luftojmë dhe sakrifikojmë në kauzën tonë të hakmarrjes.
Komente