web analytics

Të veçanta

Daullet e Karabakut bien në Paris…!

       Një deputete franceze tërhoqi vëmendjen dje në parlamentin francez, se mënyra se si po sillet Macron është sjellje e atij që do ta çojë vendin në një luftë civile. Normalisht, kjo është një deklaratë e madhe dhe faktikisht, çka po ndodh kryesisht në Paris, edhe në këto momente, e mbështet pohimin e kësaj deputeteje.

       Një nga tezat kryesore që prezantohet si shkaku kryesor i këtij manipulimi të situatës, i cili e bën ‘qimen tra’, pra që një veprim kriminal ordiner synon ta përdorë për të bërë luftë civile, është teza e mbulimit të dështimeve politike të së majtës franceze me në krye Macronin. Pikërisht kjo është e vështirë për t’u besuar, madje shumë e vështirë duke pasur parasysh pasojat shkatërrimtare që mund të lë, jo vetëm për Francën.

       Edhe zvillimet e fundit në Greqi, me pozicionimin e prerë e të ashpër të shtetit grek ndaj organizatës raciste ekstreme të agimit të artë, bien ndesh me këtë pretendim. Pra, BE-ja është kundër këtyre tendencave të theksuara stigmatizuese duke qenë të vetëdijshëm për fundin e hidhur të tyre. Është e vërtetë se shtetet e BE-së i besojnë politikës së presionit të herëpas’hershëm ndaj prezencës islame brenda saj, si rrugë e vetme për të frenuar zhvillimin e tij fetar dhe vleror islam, gjë që shpjegon edhe zhvillimet e fundit në Gjermani në lidhje me kontrollet e befasishme në disa xhamia. Arsyeja reale e kësaj sjellje euforike e të ashpër të Macron dhe qeverisë së tij, e për rrjedhojë të shtetit të tij, mendoj se duhet kërkuar diku tjetër. Kjo arsye është sa reale dhe konkrete aq edhe psikologjike, pra është çështje karakteri.

         Jo të paktë qenë ata liderë dhe figura botërore që pohuan, pasi u shfaq pandemia, se bota po bëhet gati për një rend të ri. Treguesit dhe sinjalet ishin jo shumë të vështira për t’u kapur, nga fjalimet dhe deklaratat e liderëve botërorë, për ata që i kishin ndezur sensorët ndjekës të zhvillimeve reale.  Presidenti Trump e tha qartë në kombet e bashkuara se “e ardhmja është e atdhetarëve dhe jo e globalistëve”. Ndërsa Presidenti Erdoan u shpreh haptazi se bota pas Covid 19 nuk do jetë më si ajo para tij. Argumentimi i këtij pretendimi tashmë nuk është i vështirë.

       Amerika është lideri i civilizimit bashkëkohor. Si i tillë, për të kërkuar ndryshimet në botë, duhen kërkuar ndryshimet në sjelljet e tij.  Mendoj se dy janë sferat kryesore ku duhet të kërkohet për të identifikuar ndryshimin e sjelljeve të liderit të civilizimit bashkohor: Sfera e parë ka të bëjë me mënyrën se si po sillet me kauzën madhore mbarëglobale, që është pandemia. Sfera e dytë ka të bëjë me ndryshimet rrënjësore në Mesdhe.

      Prej shumë dekadash Amerika ka qenë udhëheqëse e botës në përballjen me sfidat e mëdha mbarëglobale. Ndërsa në rastin e pandemisë Presidenti Trump  jo vetëm që nuk e vë Amerikën në atë pozicion por po e injoron rëndë pandeminë si fenomen. Madje godet rëndë edhe OBSH-në duke ia prerë fondet.  Nëse para presidentit Tramp dëgjonim slloganin “Amerika kudo për hir të demokracisë globale”, sot dëgjojmë Presidentin Trump të theksojë slloganin:”Amerika mbi të gjitha” E pra, me të vërtetë ekziston diçka shumë e rëndësishme që e ka bërë Amerikën të sillet kështu. Por se ç’është me përpikmëri  pritet ta zbulojnë zhvillimet mbarëglobale në vijim. E rëndësishme në këtë kontekst është të kuptojmë se ndryshime reale e të mëdha po ndodhin në botë.

      Sfera e dytë, siç thamë pak më sipër, ka të bëjë me ndryshimet rrënjësore në Mesdhe. Duke pasur parasysh pozitën e rëndësishme gjeopolitike të Mesdheut, pikërisht këtu duhen verifikuar ndryshimet, sepse mesdheu historikisht ka qenë pellgu më i ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve madhore globale.   Mesa duket dhe shihet ashiqare, monitoruesi i përfitimeve kryesore të këtyre ndryshimeve mbarëglobale, i bie të jetë Turqia. Për të qenë më i drejtë, Turqia mesa po duket nuk është thjesht monitoruesi por edhe aktori i këtyre ndryshimeve mesdhetare. Këtu po përmend thjesht  rezultatet, e nuk po hyj në arsyet që e bëjnë Turqinë aktor.

      Marrëveshja detare me Libinë, shpimet në detin Egje dhe përballja me Greqinë dhe jo vetëm, zbulimi i gazit në Detin e Zi, triumfi i vazhdueshëm i aleatit të tij të ngushtë, Azerbajxhanit, në luftën me Armeninë, dështimi i projektit copëtues përmes formimit të shtetit kurd, fitoret në Siri e Irak, shtrirjet ushtarake e diplomatike në shtetet e Detit të Kuq, Gjirin Arab, e në Afrikë, zhvillimi konkurues dhe sfidues në rang botëror, si në sferën ekonomike dhe ushtarake, të gjithë këta tregues na thonë se një bërës i ri i politikave globale po shfaqet fuqishëm në arenën ndërkombëtare, e që i bie të jetë Turqia.

          Po Franca pse mërzitet?!

      Përballë këtyre zhvillimeve pozitive për Turqinë, që kanë të bëjnë me shtimin e dukshëm të influencës dhe ndikimit të fuqishëm të Turqisë në mesdhe, në të njëjtën kohë vërejmë se nuk kemi të bëjmë me një protagonizëm të ashpër të Amerikës por kemi të bëjmë edhe me një pozicionim të qetë të liderit të Europës, Gjermanisë, siç kemi të bëjmë edhe me një fleksibilitet të dukshëm të Rusisë. Do të kisha dashur të kisha mundësi për një analizë të thellë e të detajuar të këtyre pozicionimeve të Amerikës, Gjermanisë e Rusisë por natyrisht që është e pamundur, në rradhë të parë për arsye të mungesës së informacionit të mjaftueshëm, por edhe për kuadrin e këtij shkrimi i cili synon të analizojë e të japë një lloj përgjigje në lidhje me sjelljet e fundit  të Francës.

       Përballë këtyre pozicioneve të tre kreshteve madhore të civilizimit bashkohor, Amerikës, Gjermanisë e Rusisë, e pakta gjë që kemi të drejtë të themi është se kanë arritur të merren vesh pragmatikisht me Turqinë, duke respektuar njëkohësisht edhe forcën dhe zhvillimin galopant të saj. Pra kemi të bëjmë me shtete që i besojnë luftës por që për hir të interesave i besojnë dhe paqes me Turqinë. Besoj se i kanë bërë mirë llogaritë dhe kanë dalë në konkluzionin se më mirë është të jenë në paqe me Turqinë… .

       Po Franca…?!

       Mendoj se është e vështirë të besohet se Turqia do e linte Francën pa pjesë dhe se nuk do ia jepte dhe asaj pjesën e saj të tortës së interesave mesdhetare… . Mendoj se Turqisë i intereson atmosfera e paqtë për të vazhduar zhvillimin e saj, dhe se i ka të panevojshme angaritë që ia shkakton e përkëdhelura e Francës, Greqia. Atëherë problemi i Francës më shumë se sa pragmatik e material është psikologjik e karakterial. Pra problemi i Francës ka të bëjë me karakterin me të cilin Franca është mësuar të sillet me të tjerët në përpjekjet e saj për të siguruar interesat e veta.

       Franca psikologjikisht e ka realisht shumë të vështirë të pranojë se tashmë një faktor i ri botëror po rikthehet për të ribërë hartën e shpërndarjes se interesave globale.  Mënyra se si është sjellë Franca me Algjerinë për njëqind e pesëdhjetë vite, duke vrarë një milion e gjysëm të popullatës algjeriane, mënyra se si është sjellë me Shtetin e Malit, duke i plaçkitur dy mijë e pesëqind ton ar, luftërat civile të improvizuara në shtete të ndryshme të Afrikës, për të zhvatur pasuritë e atyre vendeve dhe duke vrarë qindra e mijëra njerëz, të gjitha këto tregojnë për një karakter arrogant që është mësuar të sigurojë të ardhmen e tij duke shpërfillur çdo gjë jofranceze, dhe duke e demostruar këtë shpërfillje me ato lloj mënyrash që mbase shumë të tjerë e kanë të vështirë t’i sjellin ndërmend.

      Daullet e Karabakut po bien në Paris…!

   Atëherë Franca e ka shumë të vështirë të pranojë se vala e dallgëve të Detit të Zi, që tashmë po lagin edhe Turqinë…, së shpejti do lëkundin edhe anijet apo aeroplanmbajtësen franceze, në Mesdhe, në Detin e Kuq, në Gjirin Arab, në brigjet e largëta të Magrebit e të Saharasë Perëndimore e në Kepin e Shpresës së Mirë, që deri para pak vitesh kanë lundruar shpërfillshëm.

      Për rrjedhojë, duke shijuar rëndë idhtësinë e thyerjes së krenarisë arrogante për shkak të kthimit nga misioni i dështuar në Marsejë, i aeroplanmajtëses franceze, e cila e pati të pamundur të përballet me vendosmërinë turke, pra për rrjedhojë të sa më sipër Macron dhe qeveria e tij kërkon të përdorë kartë tjetër presioni, atë të dhunimit të pesëmbëdhjetë përqind të popullit të tij, pra të dhunimit të tetë milion myslimanëve.

      Për në fund, duke medituar në këto momente rreth strukturës së shtëpisë sime, po mendoj duke shkruar, çfarë do i ndodhte shtëpisë sime nëse do të lëkundja apo shembja pesëmbëdhjetë përqind të saj…?! Për rrjedhojë po them, sërish me veten, se sado të mëdha të jenë interesat, nuk mund ta bëjë njeriun të provokojë keqas pesëmbëdhjetë përqind të popullit të tij vetëm se papërgjegjshmëria ekstreme, ose skllavëria e tejskajshme ndaj interesave banale e të përkohëshme të kësaj bote, ose urrejtja dhe mllefi ndaj tjetrit që vijnë si pasojë mendjemadhësisë dhe arrogancës që e bëjnë atë njeri të besojë se vetëm ai mund të jetë i madh e i madhërishëm përjetësisht, ndërsa të tjerët duhet të jenë të vegjël e inferior përjetësisht.

     Qasja psikologjike ndaj sjelljeve të Francës ndaj myslimanëve të saj, për momentin mund të duket absurde, ndërsa unë mendoj se jo. Kurani thotë ndryshe. Në lidhje me liderët dhe popujt arrogant, Kurani, para se t’u qaset sjelljeve të tyre konkrete, u qaset psikologjisë së tyre e për rrjedhojë sjelljet na i paraqet si derivate të psikologjisë së tyre. Por akoma dhe më e rëndësishmja është se Kurani këto lloj sjelljesh na i prezanton edhe në kuadër të përshkrimit të shkaqeve reale që i bënë këto popuj meritues të shkatërrimit e të ndëshkimit hyjnor. A nuk e shkatërroi Allahu i Madhërishëm popullin e Salihut për shkak të një gjendje të ngjashme…?!

Sabaudin Jashari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP