Kotësia e luftës ajrore të Izraelit
Kotësia e luftës ajrore të Izraelit- Sulmet precize nuk do ta shkatërrojnë programin bërthamor të Iranit – ose qeverinë e tij
Robert A. Pape
Përktheu: Kevi Muçllari
Gjatë javës së kaluar, Izraeli ndërmori një fushatë ajrore kundër Iranit për të arritur diçka që asnjë vend tjetër nuk e ka bërë më parë: të rrëzojë një qeveri dhe të eliminojë kapacitetin e saj ushtarak goxha të madh duke përdorur vetëm fuqinë ajrore. Përpjekja Izraelite për të arritur këto qëllime ambicioze përmes një fushatë ajrore dhe rrjeteve të sofistikuara të inteligjencës, pa dislokimin e një ushtrie tokësore, është e paprecendent në botën moderne. Shtetet e Bashkuara nuk ia dolën dot të arrinin të tilla qëllime vetëm përmes sulmeve ajrore masive gjatë fushatave strategjike të bombardimeve në Luftën e Dytë Botërore, Luftën Koreane, Luftën e Vietnamit, Luftën e Gjirit, luftërave në Ballkan apo luftës në Irak. E njëjta gjë ka ndodhur me Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë në Afganistan, Çeçeni apo Ukrainë. Deri më sot, Izraeli nuk e ka provuar kurrë një fushatë të këtij lloji në konfliktet e mëparshme në Irak, Liban, Siri, apo edhe në operacionin e tij më të fundit në Gaza.
Që nga sulmi I Hamasit më 7 tetor 2023, Izraeli, fuqia më potente në Lindjen e Mesme, ka shënuar suksese të shumta taktike duke përdorur një fuqi ajrore precize dhe një inteligjencë të shkëlqyer. IDF ka vrarë udhëheqës të lartë të organizatave të ndërlidhura me Iranin, përfshi pjesën më të madhe të lidershipit të nivelit të mesëm dhe të lartë të Hezbollahut. Në prill gjatë një shkëmbimi raketor, IDF shkatërroi një sërë kapacitetesh mbrojtëse ajrore dhe raketore të Iranit. Sulmet më të fundit ndaj Iranit kanë vrarë udhëheqës të lartë të Gardës Revolucionare Islamike, kanë shkatërruar sistemet e rëndësishme komunikuese të regjimit, kanë dëmtuar objektiva të rëndësishme ekonomike dhe kanë degraduar një pjesë të programit bërthamor të Iranit.
Megjithëse vazhdon të shënojë fitore individuale, Izraeli duket se po bie në “kurthin e bombës inteligjente”, në të cilën besimi i tepërt në armët precize dhe tek inteligjenca i lejon udhëheqësit e vendit të besojnë se mund të ndalojnë një shpërthim bërthamor Iranian, madje të rrëzojnë regjimin e Republikës Islamike, paçka se kjo mund ta bëjë Izraelin më pak të sigurt se më parë. Fuqia ajrore, pavarësisht se sa e përqëndruar dhe intensive është, nuk garanton çmontimin tërësor të programit bërthamor të Iranit, dhe as nuk çel rrugën për ndryshimin e regjimit në Teheran. Në fakt, nëse të dhënat historike do të shërbenin si tregues, vetëbesimi i tepërt i Izraelit lidhur me atë që mund të bëjnë armët e tij teknologjikisht të avancuara ka të ngjarë të ngurtësojë vendosmërinë e Iranit dhe të prodhojë të kundërtën e rezultateve që synohen: një Iran më të rrezikshëm, tashmë i armatosur edhe me armë bërthamore. Pa pushtim tokësor (pothuajse i pamundur) ose mbështetje të drejtpërdrejtë të SHBA-së (për të cilën administrata Trump po tregohet shumë e kujdesshme), sukseset ushtarake të Izraelit ndaj Iranit dhe më gjerë mund të jenë shumë afatshkurtra.
Pushteti eleminues
Sulmet e Izraelit ndaj strukturave bërthamore iraniane nuk motivohen nga frika se Irani është në gjendje të ndërtojë një armë bërthamore – në vitin 2025, me siguri Irani mund ta zotërojë teknologjinë 80-vjeçare të përdorur për ndërtimin e armëve bërthamore rudimentare, të tilla si ato që Shtetet e Bashkuara hodhën në Hiroshima dhe Nagasaki – mbi të gjitha Izraeli frikësohet nga fakti se Irani tashmë mund të jetë në prag të përvetësimit të materialit I cili është I rëndësishëm për armën nukleare. Irani mund ta zhvillojë këtë material në dy mënyra: duke pasuruar mineralin e uraniumit për të arritur pastërtinë e izotopeve të cilat nevojiten për gradën e bombës, ç’ka mund të ndodhë në minierat e xeherorit të uraniumit, në uzinën e gazifikimit të uraniumit në Estefan dhe në uzinat e pasurimit në Fordoë dhe Natanz (të cilat u dëmtuan disi nga sulmet izraelite); dhe duke hequr plutoniumin që është një nënprodukt natyror i çdo reaktori bërthamor, siç është reaktori operativ i Iranit në Bushehr.
Shkatërrimi tërësor I këtyre objekteve e përball Izraelin me tre pengesa. Së pari, pjesa më e madhe e programit bërthamor të Iranit, përfshirë objektet e tij të pasurimit të uraniumit, është e groposur thellë nën tokë. Impianti I mirëzhvilluar në Fordoë është I fshehur qindra metra nën një mal, dhe një objekt i ri nëntokësor në Natanz, në thellësi të ngjashme me Fordoë, është në ndërtim e sipër prej disa vitesh. Deri më tani, Izraeli nuk e ka synuar fare Fordoë-in dhe sulmet I ka kufizuar ndaj objekteve të prodhimit të energjisë në Natanz, në vend që të përpiqet të shkatërrojë centrifugat dhe rezervat e uraniumit të pasuruar të fshehura 75 metra nën sipërfaqe. Të gjitha provat në dispozicion sugjerojnë se Izraeli nuk e ka kapacitetin ajror për të bartur bombat 30.000 paundëshe të zhvilluara nga Shtetet e Bashkuara që depërtojnë tokën, të cilat do të ishin të nevojshme për të kryer një sulm për të shkatërruar plotësisht Fordoë-in. Fakti që Izraeli nuk ka tentuar ende të ndërmarë sulme edhe ndaj objekteve më të cënueshme në Natanz (dhomat më të cekëta nëntokësore) sugjeron se ai përballet me kufizime, si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga fuqia e kufizuar e armëve të tij. Udhëheqësit ushtarakë izraelitë duket se e pranojnë faktin se një operacion vendimtar kundër Fordoë-it do të ishte i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së: ish-Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë “një detyrim” për t’u bashkuar me fushatën ushtarake të Izraelit kundër programit bërthamor të Iranit.
Po sikur Shtetet e Bashkuara, me bombat e tyre bunker-shkatërruese, t’i bashkohen sulmit? A mundet Izraeli që përmes kësaj mbështetje të shkatërrojë programin e armëve të Iranit? Edhe nëse Presidenti Donald Trump do të pranonte kërkesën e Gallant-it për të bombarduar Fordoë-in, dhe edhe nëse bombat e mëdha bunker-shkatërruese të Shteteve të Bashkuara mund të depërtonin deri në dhomat më të thella të Fordoë-it, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sërish do të përballeshin me shumë sfida për të eliminuar aftësinë e Iranit për sigurimin e armëve nukleare. Vështirë se do të kishim një moment “mision i kryer” në të cilin të dy vendet mund të konkludonin me besim absolut se Irani nuk mund të procedonte fshehurazi. Për më tepër, një sulm I mbështetur nga SHBA-ja ndaj objekteve iraniane vetëm sa do t’i vinte Shtetet e Bashkuara direkt në shënjestrën bërthamore të Iranit, në vend se ta zgjidhte njëherë e mirë problemin.
Së dyti, përveç impianteve të pasurimit, reaktori i Bushehrit, i cili ndodhet afërsisht 17 kilometra në juglindje të qytetit të Bushehrit, paraqet një sfidë të rëndësishme. Reaktori mund të modifikohet për të gjeneruar plutonium I cili mund të përdoret për armë bërthamore. Ky rrezik nuk mund të eliminohet për sa kohë që reaktori ekziston. Por nëse Izraeli do të shkatërronte reaktorin e Bushehrit, ekziston rreziku që një re radiologjike e ngjashme me atë të Çernobilit të lëshohej mbi qytet, i cili është shtëpia e rreth 200,000 njerëzve, për më tepër që ky rrezik mund të prekë edhe qendrat e populluara në të gjithë Gjirin Persik. Eventualisht, kjo do të shkaktonte hakmarrjen iraniane me raketa balistike kundër kompleksit bërthamor të Izraelit në Dimona.
Së fundmi, dhe më e rëndësishmja, edhe pas sulmeve ajrore masive kundër objekteve bërthamore, do të mbetej një pasiguri e konsiderueshme lidhur me gjendjen e elementëve të mbijetuar dhe aftësinë e tyre për t’u rindërtuar. Pa inspektime në terren, Izraeli nuk do të ishte në gjendje të kryente vlerësime të besueshme të dëmit të shkaktuar në aftësitë e pasurimit të uraniumit dhe stoqet ekzistuese të uraniumit të pasuruar. Irani nuk ka gjasa t’u lejojë inspektorëve ndërkombëtarë, e lëre më ekipeve amerikane ose izraelite, të vlerësojnë shkallën e saktë të dëmtimit të stoqeve të tij të uraniumit të pasuruar, të përcaktojnë nëse pajisjet ose materialet e përdorshme janë hequr para ose pas sulmeve, ose të përcaktojnë me saktësi vendet e prodhimit të komponentëve të rëndësishëm në prodhimin e centrifugave të Iranit. Ekipet komando mund të tentojnë të kryejnë një gjurmim në terren, por kuptueshëm do të përballen me rreziqe sulmi nga forcat iraniane. Kjo mungesë informacioni nënkupton që Izraeli – edhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara – nuk ka për të qenë kurrë I sigurt nëse Irani mund të disponojë ose jo një shteg drejt bombës. Shqetësimet lidhur me nuklearizimin e fshehtë të Iranit kanë për t’u shtuar, duke reflektuar të njëjtën frikë që i shtyu Shtetet e Bashkuara në vitin 2003 të nisnin një luftë tokësore për pushtimin e Irakut në kërkim të armëve të shkatërrimit në masë (të cilat nuk u gjetën kurrë).
Keqpërdorimi I numrave
Statistikat e disponueshme mbi rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit e bëjnë qartësisht të pamundur objektivin Izraelit për çmontimin e plotë dhe përfundimtar të programit bërthamor. Edhe nëse do të supozonim se sulmet izraelite kanë shkatërruar efektivisht të gjithë materialin e pasuruar në Natanz, rezervat e pasuruara 60% mbeten në Fordoë. Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike nga maji, këto rezerva janë 408 kilogramë, nga 275 kilogramë që ishin në shkurt – material i mjaftueshëm për të prodhuar dhjetë armë bërthamore pas disa javësh pasurimi të mëtejshëm (për një armë nevojiten 40 kilogramë). Nëse sulmet ajrore nuk garantojnë shkatërrim mbi 90% të të gjithë uraniumit të pasuruar 60 përqind në Fordoë – një detyrë e vështirë edhe nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bashkoheshin misionit – Irani do të kishte fissile material të mjaftueshëm për të paktën një dhe ndoshta më shumë bomba bërthamore, për të mos përmendur furnizimin prej 276 kilogramësh me uranium të pasuruar 20 përqind, i cili do të ishte i mjaftueshëm për dy bomba shtesë.
Duke qenë se Irani e ka rritur shkallën e pasurimit të uraniumit në mënyrë dramatike, për të parandaluar plotësisht mundësinë e rindërtimit të programit bërthamor, Izraeli do të duhet gjithashtu të shkatërrojë një pjesë të konsiderueshme të centrifugave të tij, si dhe të impianteve të prodhimit të centrifugave, vendndodhjet e të cilave nuk janë zbuluar kurrë. Ndërkohë që Irani orvatet të fshehë kapacitetet e mbijetuara, inteligjenca izraelite është e detyruar të mbështetet mbi vlerësime të përafërta të cilat me kalimin e kohës bëhen më të pasigurta, ç’ka vështirëson përkapjen e momentit ekzakt se kur Irani do të ketë çdo nxitje për të riparuar impiantet e tij ende ekzistuese në një përpjekje të dëshpëruar për të zhvilluar shpejt një armë.
REGJIMET E REJA NUK BIEJNË NGA QIELLI
Kufizimet taktike që e pengojnë Izraelin të eliminojë plotësisht kapacitetin e armëve nukleare të Iranit, me shumë gjasa shpjegojnë pse Izraeli dëshiron të nxisë ndryshimin e regjimit. Nëse sulmet ushtarake nuk kanë gjasa të shkatërrojnë kapacitetin nuklear të Iranit, zëvendësimi i regjimit Iranian me një qeveri të re do të dukej si një zgjidhje tërheqëse për enigmën strategjike të Izraelit. Në të vërtetë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka sugjeruar se fushata e bombardimeve të Izraelit e ka lënë regjimin Iranian rrezikshmërisht “të dobët” dhe të ndjeshëm ndaj një revolte popullore.
Por ndryshimi i regjimit është një qëllim tepër ambicioz. Një hap i tillë do të kërkonte jo vetëm rrëzimin e të gjithë udhëheqjes së lartë të Iranit dhe largimin e mbështetësve të vijës së ashpër nga të gjitha fushat e qeverisjes administrative; por do të kërkonte edhe instalimin e një qeverie miqësore e gatshme të braktisë mbetjet e programit ekzistues bërthamor të Iranit dhe të garantojë se ai nuk do të ndjekë kurrë një program nuklearizimi në të ardhmen. Thënë ndryshe, Izraeli do të duhej të realizonte versionin që Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar arritën kur frymëzuan një grusht shteti ushtarak në vitin 1953 për të rrëzuar udhëheqësin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammad Mosaddegh, dhe e zëvendësuan atë me regjimin kukull të Mohammad Reza Pahlavit të mbështetur nga Perëndimi.
Por ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania gjatë përmbysjes së Mosaddegh ose në grushte të tjera shteti të orkestruara me sukses, Izraeli po tenton të përdorë fuqinë ajrore si mjetin kryesor përmes të cilit do të përmbyste regjimin ekzistues, në vend të një grupi lokal udhëheqësish ushtarakë ose civilë iranianë. Kjo strategji ka të ngjarë të shkaktojë kundërshtim të madh ndaj ndërhyrjes ushtarake të huaj, pa garantuar rrëzimin e qeverisë së Republikës Islamike.
Fuqia ajrore, edhe kur është kombinuar me rrjetet e inteligjencës, nuk ka rrëzuar kurrë një qeveri. Që nga shfaqja e bombardimit strategjik në Luftën e Parë Botërore, teoricienët e hershëm u magjepsën nga ideja se, nëse organizoheshin siç duhet, fushatat e bombardimit mund të inkurajonin popullsitë të revoltoheshin kundër qeverive të tyre. Që atëherë, forcat e armatosura kanë provuar një sërë skemash, duke përfshirë bombardimin intensiv të qyteteve për të detyruar qytetarët të ngriheshin dhe të kërkonin që qeveria të bënte lëshimet e nevojshme për të ndaluar sulmin. Në mbi 40 raste të bombardimeve strategjike nga Lufta e Parë Botërore deri në Luftën e Parë të Gjirit në vitin 1991, breshëri të tilla, qofshin të përqendruara (të rënda apo të lehta) apo të shpërndara, nuk I kanë detyruar kurrë civilët të dalin në rrugë në numra domethënës për të kundërshtuar qeveritë e tyre.
Ndryshimi i regjimit është një objektiv tepër ambicioz
Shpikja e armëve me saktësi precize – më shumë se 30 vjet më parë – nuk e ka ndryshuar këtë fakt. Edhe me “bomba inteligjente” shumë precize, tentativa për vrasjen e udhëheqësve nga ajri shpesh varet nga fati, po aq sa nga saktësia dhe inteligjenca. Në vitin 1986, Shtetet e Bashkua u orvatën të rrëzonin përmes precizionit diktatorin Libian Muamar Gadafi. Sulmi goditi tendën e Gadafit, por jo para se ai të dilte jashtë. Gadafi pretendoi se vajza e tij ishte vrarë, gjë që shkaktoi bombardimin hakmarrës nga ana e Libisë ndaj fluturimit 103 të Pan Am në vitin 1988, i cili vrau qindra civilë. Shtetet e Bashkuara u përpoqën pa sukses të vrisnin Presidentin irakian Saddam Hussein me sulme ajrore precize në vitet 1991, 1998 dhe 2003, çdo herë duke shpresuar se inteligjenca do të ishte efektive. Vetëm përmes pushtimit tokësor SHBA-të i dhanë fund mbretërimit të Sadamit.
Edhe kur fuqia ajrore vret një udhëheqës, rezultati rrallë është imediat. Në vitin 1996, Rusia vrau udhëheqësin çeçen Dzhokhar Dudayev me raketa anti-rrezatim pasi zbuloi sinjalin telefonik të Dudayev gjatë një telefonate me Presidentin rus Boris Jelcin. Një udhëheqës i ri, më radikal, shumë shpejt mori pushtetin, duke dëbuar forcat ruse nga Çeçenia dhe duke përshpejtuar një luftë brutale tokësore për të rivendosur sundimin pro-Moskës në rajon. Gjatë epokës së precizionit, fuqia ajrore ka prodhuar sukses në ndryshimin e regjimeve vetëm kur përdoret së bashku me forcat tokësore lokale në një model “çekiç dhe kudhrë”, siç bënë Shtetet e Bashkuara për të rrëzuar talebanët në Afganistan në vitin 2001 dhe Gadafin në vitin 2011. Megjithatë, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe Libi, Izraeli nuk duket se është i gatshëm ose i aftë të kryejë operacioneve të mëdha tokësore në Iran të cilat mund të sillnin rrëzimin e regjimit iranian.
Së fundmi, pengesa më e madhe për instalimin e qeverive miqësore është sentimenti popullor ose nacionalizmi. Nacionalizmi tenton të rritet me shpejtësi kur popullatat lokale përballen me perspektivën e sundimit nga të huajt dhe veçanërisht me sundimin I cili është produkt i një ndërhyrjeje ushtarake të huaj. Kjo është arsyeja kryesore se pse përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të instaluar regjime në dukje demokratike në Irak dhe Afganistan u shoqëruan me akte terroriste – dhe pse aktualisht pushtimi ushtarak i Gazës nga Izraeli është përballur me vështirësi të ngjashme. Sulmet ajrore kundër udhëheqësve lokalë vetëm sa e përkeqësojnë këtë tendencë. Pakënaqësia me udhëheqjen lokale sado e fortë, nuk nënkupton që një popullsi dëshiron të qeveriset, drejtpërdrejt ose tërthorazi, nga një sundimtar i huaj i gatshëm të vrasë çdo udhëheqës me të cilin nuk pajtohet. Në këtë drejtim Izraeli mund të ketë fituar goxha përvojë: çdo herë që është rrëzuar një udhëheqës terrorist, pasardhësi I tij nuk ka qenë kurrë më miqësor ndaj qeverisë Izraelite. Irani nuk do të bënte përjashtim.
I Zënë në kurth
Fuqia ajrore izraelite nuk mundet ta shkatërrojë definitivisht programin bërthamor të Iranit; Irani fshehurazi mund ta rindërtojë programin e tij me ndihmën e elementeve të mbijetuara, tashmë me më pak mbikëqyrje dhe inteligjencë perëndimore në lidhje me zhvillimin e armëve. Nëse Izraeli do të kishte një plan për të nisur një grusht shteti ushtarak kundër qeverisë iraniane, ka të ngjarë që ta kishte ndjekur tashmë. Pa ndërhyrjen e SHBA-së në favor të Izraelit, Izraeli do të jetë vetëm, pa shumë opsione, duke u përballur me një Iran më të rrezikshëm se kurrë. Në gjendjen aktuale të situatës, konflikti po përshkallëzohet në një “luftë qytetesh” midis Tel Avivit dhe Teheranit, teksa Izraeli dhe Irani sulmojnë zonat urbane me popullsi të dendur. Ndërsa viktimat civile shtohen, të dy vendet ka të ngjarë të bëhen më agresivë, me pasoja gjithnjë e më katastrofike.
Nga ana e saj, administrata Trump ka inkurajuar Izraelin në luftën e tij në Gaza dhe ka kërcënuar ndërmarjen e sulmeve ushtarake kundër Iranit edhe në prag të negociatave bërthamore, të cilat tashmë duket se nuk janë më në tryezë. Më shumë se 20 vjet pas nisjes së luftës parandaluese në Irak, Shtetet e Bashkuara mund t’i bashkohen luftës së Izraelit në Iran.
Megjithatë, ndërhyrja e SHBA-së nuk është e pashmangshme. Nëse Irani vepron me përmbajtje, Trump mund të bindet të mos bashkohet në atë që mund të shndërrohet në një luftë tjetër pafund. U deshën sulmet e 11 shtatorit që Uashingtoni të motivohej për të nisur një luftë parandaluese kundër Irakut. Në mungesë të një provokimi të madh, pak udhëheqës amerikanë, veçanërisht një njeri aq i vetëdijshëm për imazhin sa Trump, do të donin të përjetonin një tjetër fatkeqësi të tillë. Kësisoj, Izraeli do të mbetej i vetëm për t’u përballur me mundësinë e zhvillimit të fshehtë të armëve bërthamore nga Irani. Në fund të fundit, Izraeli nuk ka asnjë mënyrë që t’i shpëtojë iluzionit të tij të bombës inteligjente – ose një tjetër moçali në Lindjen e Mesme.
Komente