Listat e hapura- “Përrallë nga e kaluara”
Nga: Qazim Fuçija
Në mbi tre dekada të pluralizmit shqiptar, viti zgjedhor 2025 do të ketë specifikë që shpërndarja e mandatit të deputetit sipas zonave elektorale (qarqeve) do të bëhet edhe nëpërmjet votës preferenciale, ku qytetarët do të zgjedhin vetë kandidatin e preferuar nga lista e partisë për ta pasur si përfaqësues në parlamentin shqiptar.
Marrëveshja politike mes së majtës dhe së djathtës e vitit 2008 dhe ndryshimet zgjedhore e asaj kohe e kanë kthyer Shqipërinë nga Republikë Parlamentare “de juro” në Republikë Kryeministrore “de facto”. Që prej asaj kohe kryetari i partisë harton listat e deputetëve dhe ajo qëndron e tillë e ngurtë (listë e mbyllur), ku sasia e mandateve të marra nga një forcë politike përbëhet nga lista rendore e paracaktuar e partisë. Pra nëse një forcë politike në Tiranë fitonte 20 deputetë, fitues konsideroheshin 20 emrat e parë në listë, pasi votimi bëhej vetëm për partinë dhe jo për kandidatin. Në këtë sens i fundit në listën e kadidatëve nuk kishte asgjë tjetër veçse emrin, pasi praktikisht nuk bëhej asnjëherë deputet.
Ky është koncepti i listave të mbyllura.
Në vitin 2021 u shpalos hapi i parë për lista të hapura, pra që qytetarët të votonin jo vetëm partinë, por edhe kandidatin e tyre të preferuar. Por edhe këtu kishte një mur të lartë gati të pakalueshëm, pasi nuk kishte rëndësi sa vota merrte një deputet, nëse ai nuk merrte më shumë se 10 mijë vota, nuk parakalonte të tjerët në renditje, por mbetej e vlefshme lista e mbyllur e kryetarit të partisë. Nëse i referohemi shembullit të mësipërm ku partia X do të fitonte 20 mandate në Tiranë, kandidati me numrin 25 në listë mund të merrte 9,500 vota, ndërsa kandidati i tretë në listë vetëm 250 vota. Deputet shpallej kandidati numër tre pasi kandidati 25 nuk kishte kaluar herësin e vendosur për të thyer listën e mbyllur. Ky herës u hoq nga kodi zgjedhor më vonë me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Tanimë në prag të zgjedhjeve parlamentare 2025 kemi një sistem me dy lista të zgjedhjes së deputetëve. Sipas numrit të mandateve për çdo qark, një e treta e listës përbëhet nga lista e mbyllur, e pandryshueshme që vendos partia/kryetari dhe pjesa tjetër përbëhet nga një listë shumëemërore që i nënshtrohet votimit preferencial të qytetarit. Për listën e mbyllur votuesi nuk ka të drejtë zgjedhje (pëlqim ose mospëlqim), por mund të zgjedhi vetëm kandidatin që pëlqen nga lista e hapur. KQZ shpalosi numrin e deputetëve që do dalin nga listat e mbyllura, të cilët do të jenë 46 në rang kombëtar nga 140 ulëse në parlament. Kjo bën të mendohet se pjesa e mbetur prej 94 mandatesh do të zgjidhet me votë të lirë preferenciale. Ky ishte dhe lajmi i parë në media këto dy ditë pas miratimit nga KQZ, duke nënkuptuar që në zgjedhje votuesi dy të tretat e parlamentit do ti zgjedhë vetë.
Kjo është një gënjeshtër dhe aspak reale. Është një dezinformim që vjen me vullnetin e partive të mëdha politike.
Për këtë le t’i referohemi pak Kodit Zgjedhor që në nenin 163 të tij, pika 3 parashikon se: “Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumemërore me renditje të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të dhe, në rast shterimi të saj, vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes”.
Le ta zbresim në realitet këtë nen. P.sh. Qarku i Dibrës ka gjithsej 5 deputetë. KQZ ka miratuar që 2 prej tyre dalin nga lista e mbyllur. Rrjedhimisht partitë politike do të dorëzojnë dy lista për qarkun Dibër: një listë të mbyllur me dy emra dhe një listë me 5 emra për votim qytetar preferencial. Marrim rastin që PS fiton 2 mandate, PD fiton 2 mandate dhe një parti e tretë fiton 1 mandat. Sipas nenit që përmendëm më sipër, fillimisht fituesit zgjidhen nga lista e mbyllur. Pra fitojnë 2 nga lista e mbyllur e PS, 2 nga lista e mbyllur e PD dhe 1 nga lista e mbyllur e partisë së tretë. Praktikisht votimi preferencial nuk do të ketë asnjë lloj vlere. Të pestë kandidatët do të zgjidhen nga lista e mbyllur.
E vetmja mënyrë që kandidatët që janë pjesë e listës së hapur të bëhen deputetë është nëse partia që ata përfaqësojnë të fitojë më shumë mandate sesa përcakton lista e mbyllur.
Nëse i referohemi rezultateve të vitit 2021 dhe i mbivendosim formatin e vitit 2025, na rezulton se do të kishim 100 deputetë që dalin nga listat e mbyllura dhe 40 nga listat e hapura. Por tendenca që kandidatët fitues të listave të hapura në 2025 është që të jetë më e vogël se 40, pasi ka disa parti të reja që mund të marrin mandate deputeti, çka automatikisht do të thotë ulje e numrit të fituesve nga listat e hapura,
Kjo tregon qartë se partitë e mëdha në Shqipëri dhe udhëheqësit e tyre duan të ruajnë pushtetin e tyre mbi listat e deputetëve. Në këtë formë ata janë të paprekshëm dhe të pa kritikueshëm, pasi me një të rënë të lapsit mund ta kalojë një deputet në listën e hapur, çka ja bën jashtëzakonisht të vështirë fitoren. Në këtë logjikë ata kontrollojnë partinë si lidera supremë pa lejuar mendimin ndryshe. E kjo duket se nuk i leverdis vetëm kryetarit të partisë në pushtet, por edhe kreut të opozitës, pasi në këtë formë eleminojnë ekzistencën e kundështarëve politikë. E gjithë historia që qytetarët do të zgjedhin me votën e tyre dy të tretat e parlamentit sipas listave të hapura është përralla e rradhës që i serviret publikut, me dakordësinë e palëve kryesore politike. Sërish do të kemi parlament që do të kompozohet në pjesën dërrmuese sipas preferencave të kryetarëve të partive. E për sa kohë që qytetari nuk e zgjedh vetë kandidatin e tij që preferon ta përfaqësojë në parlament, do të thellohet hendeku mes deputetëve dhe qytetarëve, pasi konkretisht deputetët nuk janë votuar nga populli, por janë emëruar nga kryetari.
Komente