web analytics

Të veçanta

Skeptiku dhe të Birtë e Shekullit të Ri

Përse nisi tani protesta? Kush i organizoi? Kush i paguan ata ne shesh? Keto pyetje nuk i drejtohen atyre që protestojne, as atyre që dukshëm nuk e legjitimojnë protestën. Shenjestra e këtyre pyetjeve është skeptiku, individi i zonës gri, pasivi të cilit nuk ka ç’i duhet se Zvërneci nuk është toka e tij. Të tilla pyetje e shastisin skeptikun, i cili refuzon t’i nënshtrohet emocionit gjak-gurgullues qe të përcjell i gjithë fenomeni. Në vend që ta lërë veten të ndjejë këtë ndjenjë autentike, që disa e reduktojne në thjeshtë një “ngazëllim kolektiv prej ushtrimit të së drejtës”, privilegj ky që, gjoja, mund të gëzohet vetëm në një shoqëri demokratike, skeptiku bie pre e forcës së zakonit dhe dyshon. Dyshon sepse i tillë është kushtetimi i tij karakterial; dyshon sepse historia i mëson fatalitetin e çdo nisme, në dukje, të sinqertë; dyshon sepse nuk ka më fuqi të besojë; dyshon sepse është i dorëhequr nga shprehia autentike e vullnetit të tij; ne thelb, dyshon sepse nuk e njeh veten e tij.

Skeptiku është brumosur që në fëmijëri me dorëheqjen nga ideale të marra. Marria, apo mania e grekëve të lashtë, që prodhonte ide civilizim-formuese, skeptikut i është rrahur me shkop që fëmijë. Rruga e tij është prakticiteti pragmatik: mënyra e vetme për të çarë përpara. Ky është qëndrimi i skeptikut, nje qëndrim i ngurtësuar në një materializëm nihilist që teleologjine e vetme ka hedonizmin e pafrerë. Në botën e tij, ligji “kap ça t’kapësh” është e vetmja paradigmë udhëheqëse. Si rrjedhojë, çdo strukturë njerëzore, çdo institucion, që mbart nje funksion abstrakt përtej vetes e përtej lëndores, zhvishet nga çdo aspekt jomaterial i saj dhe mbetet një mjet që i shërben një qëllimi personal, një thesar për t’u zhvatur.

Por ata që janë ne shesh nuk janë skeptikë. Ata janë qenie politike par excellence, interesi i të cilëve e kalon pragun e derës së shtëpive të tyre. Tek ta, vrulli jetësor që prodhon risi po aktualizon veten. Tek ta, një vullnet i ri po shfaqet me vendosmëri të çiltër, pa motive të fshehura, pa parulla partiake, pa dhunë. Tek ta, egoja e sëmurë e vocërrake është shndërruar në një shpirt të madh gjithëpërfshirës që rrezaton veç të vërtetën. Ata, në fakt, janë aktualizimi i shprehisë që tek skeptiku është ndrydhur gjer në ngordhje. Ata janë “të birtë e shekullit të ri” të cilët refuzojnë që “për hir të kalbsinave të vjetra”:

të zhytemi prap në pellgun e mjerimit

që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,

kangën monotone, pa shpirt, të skllavnis

të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.

Arsyeja e protestës, për skeptikun, mund të jetë vetëm banale, ngaqë psika e tij e sëmurë refuzon çdo motiv metafizik për veprim kolektiv. Por ai banalitet ndeshet me asgje më shumë se sa nje buzëqeshje të çiltër që vazhdon të brohorasë refrenin e një kohe të re. Vullneti i kulluar nuk mund të cenohet nga banaliteti. Detyra e tij e shenjtë është vetem të shpallet!

Buzëqeshja e çiltër e bijve të shekullit të ri mëshiron edhe traumën historike të popullit tonë. Ajo buzëqeshje i’u thotë atyre vullneteve të ndrydhuna e të shtypuna të mjerimit se tanimë po i’u dalin ata zot vendit, se është radha e tyre tani t’i marrin përgjegjësitë mbi supe. Baballarët dhe nënat e atyre shpirtrave të bukur duhet të jenë krenarë për bijtë e tyre e të thërrasin me shpirt:

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…

Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Cili do jetë rezultati i këtij refreni? Kush do e drejtojë protestën? E ç’ndodh nëse ata marrin pushtet? Hesht! Nuk është koha për pyetje, por veprim. Pyetja paralizon. Ata që janë në shesh janë vetë përgjigjia e çdo pyetjeje.

Çrrënjosja e simboleve të jashtme të historicitetit të një populli, mesa duket, nuk është mjaftueshëm për t’a kthyer një popull në ahistorik. Historiciteti i tij ruhet ne gjen dhe aktivizohet papritur si vullkani i fjetur që ka ardhur koha të shpërthejë. Ata trima në shesh po plotësojnë misionin e lënë përgjysmë të studentave të dhjetorit të 90ës. Katarsisi i traumës kolektive të komunizmit u uzurpua. Sot ai po plotësohet si një proces organik i domosdoshëm.

Nëse do të kuptosh çfarë po ndodh, shiko dhe beso, mos u ndrydh më! Mos i kërko përgjigjiet në panelet argëtuese të masave! Përgjigjia është në shesh. Përgjigjien e ke të burgosur brenda vetes, duke pritur në heshtje. Mos ji masë, por popull! Nuk kemi nevojë për sqarime e arsye, por për veprim. Ka ardhur koha të besojmë.

Kronikani i Mjerimit

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP