Mbijetesa e opozitës dhe regjimi
Nga Kevi Muçllari
Teksa po i afrohemi vitit zgjedhor, opozita duket se nuk e ka të qartë strategjinë e saj. Profili që po synon të ndërtojë vërtitet mes dy gjendjeve, me mundësi pothuajse minimale për t’i bashkërenduar. Opozita e di se duhet të ndërtojë një alternativë të besueshme për t’u votuar nga shqiptarët, por nga ana tjetër narrativa që ajo ka krijuar për veten krijon bindjen se alternativa nuk garanton fitoren e zgjedhjeve. Përderisa opozita po profilizohet (të paktën në nivel ligjërimi) si një forcë që preokupimin e saj madhor ka mbijetesën, natyrshëm që ideja e alterantivës do të riprodhohet vetëm si “larje goje”. Kjo gjendje paqartësie e detyron opozitën të kanalizohet më tepër në drejtim të justifikimit të një gjendje të paqenë sesa të përqëndrohet në kuptimin e realitetit të vetes dhe shoqërisë.
Prodhimi i vazhdueshëm i realiteteve imagjinare jo vetëm që e intensifikon paqartësinë e opozitës, por edhe synon që të prodhojë një pseudo-realitet, i cili të mund të legjitimojë paaftësinë e saj për të krijuar alternativë. Pretendimi i saj se sistemi aktual politik është një regjim (pa e shpjeguar se çfarë nënkupton ky term), duket se qëllimisht kërkon të bindë një masë të madhe njerëzish për pamundësinë e fitores brenda sistemit. Përsa kohë që vazhdimisht përsëritet ideja e një gjendje anormale që i është imponuar opozitës, nuk mund të pritet tjetër vetëm se radikalizim dhe yshtje për t’u ballafaquar me fatkeqësinë e saj. Megjithëse është e qartë se opozita e ka të pamundur të prodhojë alternativë në këto kushte, ajo sërish po ashtu e ka të pamundur që ta delegjitimojë totalisht si mundësi prezente.
Kësisoj opozita po investohet fuqishëm në prodhimin e një realiteti të rremë, i cili do t’i mundësojë që të marxhinalizojë idenë e alternativës dhe të vetafirmohet pa kokëçarjen e llogaridhënies. Përpjekja e saj në këtë drejtim ndihmohet nga bindja po e rrejshme se opozitës po i bëhet padrejtësi lidhur me kërkesat që shoqëria tenton t’ja imponojë në kushte të papërshtatshme. Shoqëria tashmë qartësisht është shpërfillur nga opozita, paradoks i padëgjuar ky, përsa që kjo kartë është prerogativë e shoqërisë dhe jo e opozitës. Teksa opozita orvatet gabimisht (sipas nesh edhe qëllimisht) me formësimin e bindjeve të rrejshme për të prodhuar një realitet të paqenë, ajo i ka imponuar vetes një gjendje anormale duke bllokuar ndërveprimin me kërkesat dhe aspiratat e njerëzve (paradoks i dytë, përderisa opozita sërish shfaqet si ndrydhëse e aspiratave të njerëzve). Mirëpo këto paradokse marrin një formë logjike në momentin që opozita i përcakton vetes një pozicion të imponuar dhe i jep të drejtën vetes për të mos konsideruar asgjë tjetër përveçse shpëtimin e të arriturës më të madhe të demokracisë.
Angazhimi kryekëput me pretendime ekskluziviste bën që opozita të besojë gabimisht në njëfarë legjitimimi historik, i parë edhe si i tanishëm, edhe si i shkuar. E përforcuar kjo edhe nga një narrativë tmerrësisht e gabuar, sipas së cilës lidershipi i tanishëm përfaqëson mundësinë e vetme për konservim të kësaj gjendje. Pra, jo tejkalim por konservim, çka tregon se opozita është kyçyr padashur (sipas nesh ka shumë gjasa që të jetë me dashje) në një gjendje amullie, përsa që transhendimi do të ishte një lëvizje e gabuar në kushtet e një përfaqësie të paaftë dhe të padenjë. Ndërkohë që kjo gjendje kamuflohet si një pasojë e padëshiruar por e imponuar, shtohen orvatjet për të normalizuar një gjendje të tillë. (Nëse do të ndiqen me vëmendje analistët e opozitës, bëhet e qartë se çfarë ideje përkrahin dhe çfarë synimesh kanë). Paradoks tjetër ky, sepse opozita për nga natyra duhet të synojë përkapjen ose injektimin e aspiratave në shoqëri, me qëllim që të sfidojë hegjemoninë që ushtron pushteti përmes mekanizmave të tij konservues. Sa kohë që pushteti (ose qeveria) ka interes në çimentimin e gjendjes aktuale dhe banalizimin e aspiratave të opozitës (ose të grupeve të ndryshme në shoqëri), do të ishte e pamendueshme që opozita të rikonfiguronte një gjendje të tillë, pasi kjo do të njëtrajtësonte ose pamundësonte idenë e ndryshimit.
Kështu opozitës do t’i imponohej një gjendje edhe më e rëndë sepse do t’i duhej të përballej me stigmatizimin e padiferencuar, i cili në këtë rast do të ishte një avantazh për qeverinë referuar kushteve që e favorizojnë atë. Kështu opozita do të ballafaqohej me një problem të dyfishtë, ngase përdorimi paradoksalisht i së njëjtës logjikë me qeverinë do të ngërthente si konservimin edhe delegjitmimin parimisht të përgjithshëm (të paktën ndaj partive tradicionale). E gjitha kjo do të ishte krejtësisht në dëm të opozitës (duke marrë parasysh se ajo duhet ta dëshirojë ripërtëritjen), meqënëse në vijim të kësaj logjike pakënaqësia e kudogjendur në mungesë të një alternative të besueshme, do të shpërhapej kuturu pa u kanalizuar në formën e një orteku kundër qeverisë. Përdorimi arbitrar i pretendimeve nga ana e opozitës ndihmon gjithashtu në paqartësinë e gjëndjes së pakënaqësisë, përderisa pretendimet nuk synojnë që të përthithin pakënaqësitë por që të bindin shumicën se realiteti është ndryshe nga sa arrijnë ta perceptojnë ata. Kësodore, pakënaqësia shoqërore shkon në kah të kundërt me realitetin (e pretenduar nga opozita), duke qenë se ky i fundit ravijëzohet njëanshmërisht dhe rrjedhimisht pamundëson simbiozën që do të njëjtësonte pakënaqësinë me alternativën e ndikuar nga realiteti faktik.
Përderisa pakënaqësia e kudogjendur nuk arrin ta sfidojë hegjemoninë e bindjeve të rrejshme, nuk mund të pritet një preokupim i sinqertë me alternativën. Sepse minimalisht kjo do të kërkonte konsiderimin e gjendjes shoqërore pa u shqetësuar detyrimisht për gjendjen e brendshme të opozitës. Sigurisht kjo nuk nënkupton që gjendja e opozitës është e parëndësishme, por që opozita duhet të ketë preokupim parësor ofertën e ndryshimit dhe jo angazhimin për të konservuar një gjendje të pashpresë. Në momentin që ajo fokusohet me gjendjen e brendshme (e cila në kushtet e tanishme paraqitet e pashpresë), bën që të trupëzohet mbi baza imanente dhe të ratifikojë përfundimisht pozicionin e saj si një forcë me preokupim kryesor mbijetesën. Megjithëse është e vetëdijshme (përndryshe do të ishin budallenj) se ideja e alternativës nuk mund të negociohet, ajo prapëseprapë po tregon gatishmëri për ta dëbuar si ide, me qëllim që të justifikojë paaftësinë e saj për të krijuar një alternativë parimisht bindëse. Afirmimi i paaftësisë përmes një narrative të njëanshme, e dëmton fuqimisht opozitën sepse mbyll kontaktin me realitetin dhe e zhvlerëson parimisht alternativën si një mundësi më tepër e dëshirueshme sesa e domosdoshme.
Realiteti imponues ndaj opozitës shikohet si një armik, përsa që sfidon haptazi narrativën e saj dhe përsa kohë që në këto kushte gjeneron detyrimisht avantazh ndaj qeverisë. Kjo është e vërtetë por vetëm përderisa opozita i cakton një pozicion të panatyrshëm vetes dhe nuk lejon që realiteti faktik të sfidojë bindjet e rrejshme. Nëse opozita e sheh si të natyrshme gjëndjen e mbijetesës, detyrimisht që qeveria është e avantazhuar nga realiteti sepse është po ky i fundit që i ka deleguar këtë gjendje opozitës. Gjëndja e opozitës e konsideruar si e dëshirueshme domosdoshmërisht (meqënëse jemi në kushtet e regjimit) jo vetëm që nuk e impakton dot realitetin por fatkeqësisht nuk lejon edhe të impaktohet nga ai. Në këto kushte opozita gjendet e mbërthyer nga tekat e saj, sa kohë që realiteti me kokëfortësi e disavantazhon atë. Këmbëngulja në krijimin e bindjeve të rrejshme që synojnë gabimisht të mposhtin realitetin, në pamundësi të mbërritjes së këtij synimi ka prodhuar një angazhim amatoresk me disa supozime bajate (regjimi, narko-shteti, mbijetesa etj).
Supozime këto që në analizë të fundit tentojnë fuqimisht të legjitimojnë një realitet të rremë përkundër atij faktik. Duke qenë se përfaqësuesit e tanishëm të opozitës nuk mund të krijojnë një narrativë transhenduese, supozimet e mësipërme përdoren si mjete zbutëse të gjendjes së rëndë që përkufizon lidershipin aktual. Një lidership tejmase i konsumuar dhe riprodhues i ideve historike, nuk mund të pritet që të trupëzojë idetë përfaqësuese të një realiteti të ri dhe të krijojë aspirata në këtë realitet të rënduar. Në këtë kontekst mbijetesa e opozitës del të jetë më tepër mbijetesë e një grupi të vogël brenda saj sesa një orvatje (megjithëse) e rrejshme për të shpëtuar opozitën si të tërë. Mbijetesa shpjegon gjithashtu edhe faktin e proklamuar shpesh nëpër studiot televizive sipas të cilit opozita nuk ka shanse të fitojë zgjedhjet por duhet vetëm që të konfigurohet si një opozitë e vërtetë. Pavarësisht se opozita vërtet nuk ka shanse t’i fitojë zgjedhjet (të paktën në këtë gjendje), një gjë e tillë nuk është kryekëput pasojë e regjimit por edhe pasojë e refuzimit kategorik të lidershipit aktual. Mveshja e dështimit vetëm “regjimit” tregon se kjo opozitë nuk ka dert preokupimin për të fituar zgjedhjet (sepse e di që nuk i fiton dot) por më tepër të shpëtojë liderin e saj historik.
Opozita duhet të bindet njëherë e mirë se pa një alterantivë të besueshme, me njerëz të denjë që do ta përfaqësojnë atë dhe me një angazhim së pari me veten me qëllim ripërtëritjen e krejt arkitekturës së saj nuk mund të jetë shpresa që pretendon se kanë nevojë shqiptarët. Kësisoj Berisha në ktë moment nuk është asgjë më tepër sesa përfaqësues i konservimit aktual dhe pretendimet e njëanshme që ngre herë pas here nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e legjitimojnë përfundimisht si degradues të transhendimit kaq të nevojshëm. Transhendim i cili vjen vetëm përmes krijimit të një alternative të besueshme e cila angazhohet ekskluzivisht me fitimin e zemrave dhe mendjeve të njerëzve dhe jo me demaskimin e qeverisë për të mbajtur me gajret një të keqe më të vogël. E keqja më e vogël nuk mund të ravijëzohet tek Berisha dhe lobi i tij, pasi kjo do të silltë një të keqe edhe më të madhe, degradimin e krejt asiparatave të një populli i cili në 34 vite demokraci nuk mund të prodhojë ose të votëbesojë një forcë e cila kauzën e saj nuk e nxjerr nga imoraliteti I të tjerëve por nga besimi në vetë kauzën.
Komente