Vuajtja e poetit- reflektim mbi poemën e mjerimit të Migjenit
“Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë.” – Migjeni
Reflektim nga: Ibrahim Xhepmeta
Mu kujtua ky varg i Migjenit që kam pas mësuar në gjimnaz dhe më bëri të reflektoj shumë.Pavarësisht se Migjeni është poeti madh kombëtar që dallohet për diagnozë të thellë, por për fat të keq përcjell “Pesimizëm” në vargjet e tij, këto dy vargje unë i shoh pak më ndryshe.
Sa më shumë të rritet intelektualisht njeriu, aq më realist bëhet dhe e shikon më qartë aktualitetin, për pasojë intelektuali i vërtetë (“preket”) bëhet i ndjeshëm, sepse vështron dhe zbulon në të “gënjeshtrën” dhe “shëmtinë” e botës ku jeton, eventualisht kjo ja shton atij vuajtjen (shpirtërore). Poeti gjeni e ka ndjerë fort realitetin e kohës së tij dhe parandjerë atë që do përsëritet në histori, mirpo besoj se si mesazh i koduar për si-sojin e vet përgëzon fshehtas ata që kanë zgjedhur rrugën e përvuajtjes së poetit intelektual: që e sheh veten si bari për popullin e tij, sikur do të na thotë që vuajtja dhe përdjegia e brendshme e shëron, e çliron e lartëson shpirtin, sepse i mundëson njeriut të jetojë dhe përjetojë ngjarjet në dimensine jashtë të zakonshmes (normales), ku pluskojnë dhe kënaqen (në vetëmashtrim) shumica e njerëzve (që përjetojnë iluzionin e lumturisë).
Andaj, sa më shumë njeriu zhytet në përjetime të thella, analizon veten dhe botën, natyrshëm do të zhgënjehet nga realiteti, i sosen fjalët, ose frymëzohet si poeti, por edhe tërhiqet në vetmi nga njerëzit. Sfida më e madhe e njerëzve të mëdhenj është mos-braktisja e të mirës, përkundrejt ofertës dominuese të së keqes, përtypja e idhësisë së të ndjerit i mos-kuptuar dhe i luftuar nga njerëzit për shkak të vërtetësisë dhe idealizmit që kërkon, përballë sistemit anti-njerëzor të një shoqërie që po degradon.
Komente