Van Gogh- Gjenia si institucion dhe Institucioni, përjashtuesi i gjenisë si fjala e ndaluar
Nga Rigers Balliu
Antonin Artaud
Antonin Artaud (Marsejë 1896 – Ivry-sur- Seine 1948): Poet, shkrimtar, eseist, piktor, komediograf, aktor teatri dhe kinemaje; vepra më e rëndësishme e tij, Le teatre e son double, përbën tronditjen drejt përmbysjes nga themelet të artit dramatik. Ai konceptoi lëvizjen Teatri i Mizorisë me ese dhe drama dhe shkroi tekste eksperimentale me tema të introspeksionit, misticizmit, përdorimit të drogës, politikës joortodokse dhe përvojave të tij me skizofreninë. Më 1936 ai braktis teatrin për udhëtimin në Meksikë, ndërmarrje që përbën një ngjarje: përcaktuese e shenjuese të jetës së tij. Kthimi në Francë një vit më pas, shënon veçse konfliktin e hapur me këtë botë. Është një përplasje e mbi të gjitha një rebelim, një plagë e hapur dhe refuzim sistematik i çdo realiteti konkret, gjë që do ta shpjerë, pas një qëndrimi të shkurtër në Irlandë në vitin 1937, si dhe një serie ngjarjesh që mbeten misterioze, drejt izolimit si i çmendur. Përjetues privacionesh përgjatë gati një dekade të mbylljes në çmendinë (deri më 1945), ai do ta bartë këtë përvojë në shfaqjen gjithë e më të ashpër të një introspecioni të cilin e ndiqte prej vitesh me një ngulmim krejt të pazakontë.
Fiton çmimin “Saint-Beuve” (Janar, 1948) për veprën Van Gogh le suicidé de la société.
Pierre Loeb, i cili ka ndihmuar jo pak na publikimin e shpejtë të tekstit, deri dhe me mbështetjen e një pjese të shpenzimeve, ofruar “botimeve K” për shtypin e librit, pat shkruar për shtysën drejt kësaj eseje, menjëherë pas vizitës së veprave të Van Goghut, nga Antonin Artaud: “…më në fund takimi vendimtar i tij me Van Goghun, në ekspozitën e muzeut Orangerie. Atë ditë erdhi tek unë i tronditur, në gjendje ekzaltimi ekstrem. I thashë, atypëraty: ‘Artaud, pse nuk e bën një libër mbi Van Goghun, ide e shkëlqyer, u përgjegj, po e bëj menjëherë’. U ngjit me të shpejtë në katin sipër, u ul në tavolinë, dhe me shkrimin e tij të vrulltë, tërë nerv, hodhi në fletore shkollore, pothuaj pa korrigjime, pa “pendesë”, në harkun e dy pasditeve, tekstin e shkëlqyer që njohim, të pavdekshmin Van Gogh i vetëvrari i shoqërisë.”
Vetë-vrasja e Gjenisë
Gjenia si institucion dhe Institucioni, përjashtuesi i gjenisë si fjala e ndaluar
Teksa dëshirova t’i mundësoj vetes qoftë dhe fare pak prej gjenisë Van Gogh duke hedhur në letër diçka për të, e pata të pamundur të mos më shkiste puna nga një teme minore në konceptualizimin e asaj cfarë e përbashkonte Van Goghun si singularitet me gjeninë e shprehur universalisht. Duhet thënë se subjektiviteti gjenial është i tillë përsaqë vetëshprehet tek nocione universale, të cilat bëjnë të mundur komunikueshmërinë me spektatorin.
Përpara se të vijoj më tej po i rikthehem dhe një herë në krye, aty ku qëndron titulli: Vetë-vrasja e Gjenisë. Kur flasim për Van Goghun duhet ruajtur një ndarje. Vrasja e Van Goghut nuk ndodhi nga “vetë” por nga refuzimi që i bëri turma e atyre që kurrë s’kanë patur lidhje me pikturën apo poetikën.
Vetë e vrasjes së Van Goghut është vetëm gjesti i gjenisë i cili nuk e braktisi as me largimin e tij nga kjo botë. “Asgjë s’ka pasë qenë e vetme kur lindi. Asgjë mandej s’është e vetme në vdekje. Por, në rastin e vetëvrasjes, duhet një ushtri me qenie të liga për të vendosur që me gjestin kundër natyrës trupi të privohet nga jeta e tij.”
Van Goghu ishte gjenia që u vetë-vra nga shoqëria. Ky deduktim më shtyn për të derivuar nga titulli në dy te tjerë. “Gjenia si institucion” dhe “Institucioni, përjashtues i gjenisë si fjala e ndaluar”.
Gjenia si institucion
S’ka më fantazma në tablonë e Van Goghut,
as vizione, as haluçinacione.
Në përbërje kanë të vërtetën e furishme të
diellit në orën dy pasdite.
Makthin gjenezik që ndriçohet pak nga pak.
Pa makth e pa efekte.
Por ethet e para-lindjes janë aty.
Fillimisht më duhet të tërheq vëmendjen duke bërë një sqarim mbi titullin. Vendosja e gjenisë krahas institucionit në krye ka të vetëdijshme rrezikun që sjell termi i fundit, prandaj duhet thënë se nese ka diçka prej institucioni tek gjeniu, ajo ekziston vetëm përsaqë gjeniu ekzekuton veprën e tij dhe nuk e paraprin atë.
Genius nga latinishtja do të thotë shpirt, jo thjeshtësisht i tillë, por shpirti qe shpreh dhe vulos fatin e tij. Qasja në këtë kapitull ndaj gjenise do të jetë e nuancuar nga ajo kantiane. Megjithëse do vërejmë në vazhdim se fakulteti kantian i gjenise do vihet ballazi asaj që Artaud përshkruan për Van Gogh.
Arti shfaqet i gjykueshëm në bazë të lëndës apo rregullit të dhënë nga natyra. E cila vepron nga një prirje e lindur e subjektit duke i dhënë nëpërmjet fakultetit të gjenisë një rregull sintetik artit. Gjenia tejkalon çdo koncept duke i nomenalizuar fenomenet dhe shndërruar në ngjarje mirëfilli shpirtërore. Ai shpreh të pashprehshmen e Idesë racionale duke mishëruar tek ndjesorja, mbindjesoren. Van Goghun nuk e vrau kësisoj kërkimi i pafundësisë, shprehja e të pashprehshmes. Sepse kjo ishte sprova e tij që ai e tejkaloi duke e jetuar dhe derdhur shpirtin në telajo. “Sepse nuk vdiq nga kërkimi i pafundësisë Van Goghu, s’e çoi kjo aty sa e gjetën të shtrënguar mes mjerimit dhe asfiksisë, por nga refuzimi që i bëri llumi i atyre, të cilët në të gjallë të tij besonin t’ia vinim pafundësinë atij kundër.”[1]
Megjithatë gjenia Van Gogh e tejkalon konceptin kantian të idesë estetike deri në konflikt. Objekti estetik i papajtueshmërisë së tyre vë në dukje një çarje themelore. Teksa përballë kërkimit të simbolit, zmadhimit të gjërave deri në mit i vihet përballë gjesti piktorik i Van Goghut që dedukton mitin prej zakonshmërisë dhe thjeshtësisë së përditshme të jetës. “Sepse realiteti është tmerrësisht më sipëror se gjithë historia, se të gjitha përrallisjet, se çdo hyjni e se çdo mbirealitet.”[2] E megjithatë, sërish gjenia Van Gogh shpreh të pashprehshmen të shndërruar forcërisht në të tillë nga shkencat, e tipikisht nga psikiatri i tij Gasheja.
Vincenti filloi të pikturonte në moshën 28 vjeçare, nën një ethe të vagullt e cila do të merte fund vetëm me përfundimin kuptimplotë të punës së tij. Ai konceptonte, thoshte të pashprehshmen persaqë ekzekutonte mbi tablo. Dhe kjo nuk është historia e një pikture, por e pikturës së Van Goghut nga ethet e para deri në ditën kur u vertetua vlefshmëria e gjestit të tij piktorik sëbashku me largimin e tij nga kjo botë.
Gjenia e çliron imagjinatën dhe zgjeron intelektin teksa krijon dhe më pas pa humbur nga karakteri i njëjësishëm dhe i jashtëzakonshëm, i jep vlerë universale përshtatjes që ngjiz dhe I komunikon fakulteteve të spektatorit diçka nga jeta dhe fryma e tij. Siç edhe u shprehëm në krye të kapitullit, Van Goghu i Artaud na hap një tjetër shteg nga ai i gjenisë kantian. Po pohojmë minimalisht aq sa i përket teknikës; gjeniu Van Gogh nuk i avitet hijeve të simbolikës në peizazhet apo portretet e tij. Ai kërkon “të vërtetën e furishme të diellit në orën dy pasdite”. Diellimin e diellit, pa e balsamosur në objektivitet dhe më pas mitizimin shpërfillës së jetës së zbrazur. “E kështu, kërkush s’ka ditur si Van Goghu ta shkundi kimbalin e madh, timbrin mbinjerëzor, përherësisht mbinjerëzor që pason rendin e ndrydhur në të cilin tingëllojnë objektet e jetës së vërtetë.”[3]
Wheatfield with a Reaper
Vincent van Gogh (1853 – 1890), Saint-Rémy-de Provence, shtator 1889 vaj në kanavacë, 73,2 cm x 92,7 cm. Muzeu Van Gogh, Amsterdam.
Van Gogh e pikturoi këtë fushë i rrethuar nga muret e dhomës së tij të spitalit. Muajt e parë që ishte atje, nuk u lejua të largohej nga ai terren.
Korrësi punon në nxehtësinë e diellit. Gruri, i lyer me gopa të trashë të verdhë, valëzon rreth tij. Për Van Gogh, gruri ishte një simbol i ciklit të përjetshëm të natyrës dhe kalueshmërisë së jetës. Ai e pa korrësin si “imazhin e vdekjes . . . në këtë kuptim që njerëzimi do të ishte gruri që po korrej.” Ai shtoi, megjithatë, se kjo vdekje ishte “pothuajse e buzëqeshur. Është e gjitha e verdhë, përveç një linje kodrash vjollce – një e verdhë e zbehtë, bionde. Mua vetë më duket qesharake, që e kam parë kështu përmes hekurave të një qelie”
Institucioni, përjashtuesi i gjenisë si fjala e ndaluar
“Por ç’qenka pra kaq e rrezikshme në faktin se njerëzit flasin dhe se ligjërimet e tyre shtohen papërcaktueshmërisht?”
Në këtë kapitull disi arbitrarisht e disi intuitivisht, e kam vendosur pikturën si shprehjen e gjenisë në rendin e ligjërimit, për ta analizuar si të tillë. Prandaj kapitulli emerohet shkurtimisht “Institucioni si përjashtues i gjenisë”. Në shoqërinë tonë lidhja e ligjërimit me pushtetin shfaqet sapo mbi të ushtrohen ndalimet përjashtuese. Duke e konsideruar ligjërimin jo thjeshte mjetin që shfaq dëshirën por dhe vetë objekti i dëshirës dhe pushteti që dëshirojmë të shtiem në dorë. Edhe nëse shprehja e gjenisë nuk synon apo sugjeron të thotë këtë shoqëria si institucion lexon tek ai lidhjen me dëshirën për pushtet. E lexueshme kjo dhe tek vetë Artaud: “Sepse nuk godasin thjesht konformizmin në zakone pikturat e Van Goghut, por atë të institucioneve”.
Një nga parimet e përjashtimit ligjërimor është ai i kundërvënies mes arsyes dhe marrëzisë, përballë të cilit u vendos Van Gogh nga psikiatri Gashe. “Eshtë thuajse e pamundur të jesh mjek dhe njeri i ndershëm njëkohësisht, por është shkërdhatërisht e pamundur të jesh psikiatër pa qenë njëkohësisht me damkë në këndin e çmendurisë më të padiskutueshme, atë të pamundësisë për ta luftuar atë refleks të vjetër atavik të llumit e që e bën çdo njeri të shkencës me llum, njëfarë armiku të lindur e të ligshtë të gjithë gjenisë.”[4]
Është momenti të rimarim dhe një herë atë që duket se u la pezull në kapitullin pararendës. Van Gogh shpreh të pashprehshmen të shndërruar më parë forcërisht si të tillë nga shkencat, e tipikisht nga psikiatri i tij. Gasheja ktu nuk është vetëm se emri i përvetshëm i institucionit, që pasi e shpall të marrë gjeniun e përjashton ate nga e drejta për ligjërim. Teksa shkenca e vëzhgon natyrën nëpërmjet kategorive të saj objektive, e ligjeron atë të zbrazur nga jeta. Paradigma shkencore teksa e shpjegon realitetin njëkohësisht dhe e ndikon atë, duke u shndërruar në pushtet përcaktues me një kod të caktuar leximi dhe ligjërimi. Duke mos e lënë natyrën në një lloj lirie të veten. Ajo vendoset përballë asaj që vëzhgon, por njëkohësisht duke qenë pjesë e saj si e tillë e ndikon atë që po vëzhgohet.
Ky kodifikim i prodhuar duket se është ajo që e vendos gjeninë në ballafaqimin me marrëzinë. Kjo prerje pingule që institucioni i bën realitetit duke percaktuar kodin e ligjërimit mbi të, gjestin piktorik të syrit që pezullon arsyen përballë gjallimit të natyrës e vendos përpara akuzës për marrëzi. Sepse ndodhet në arsyen e përjashtimit të fjalës së marrë t’i mvishet njefarë pushteti i thënjes së një të vërtete të fshehur apo i <të parit> në mënyrë krejt naive i disa gjërave që kodi i leximit institucional i të tjerëve nuk mund t’i lexojë.
The Raising of Lazarus (after Rembrandt)
Vincent van Gogh (1853 – 1890), Saint-Rémy-de-Provence, maj 1890 Oil on paper, 50 cm x 65.5 cm. Muzeu Van Gogh, Amsterdam
Van Gogh e bazoi këtë pikturë në një printim të Rembrandt (1606-1669) – por vetëm një pjesë të printimit. Ai la jashtë figurën kryesore: Krishtin me krahun ngritur. Van Gogh u fokusua në temën e vuajtjes njerëzore. Ai ndoshta u identifikua me Llazarin në varr. Kjo do të shpjegonte pse ai i dha figurës një mjekër të kuqe. Dy gratë pranë varrit janë dy të njohura nga Arles: zonja Roulin, me fustan jeshil dhe zonja Ginoux, me një fustan të errët me vija shumëngjyrëshe. Disa nga pigmentet janë zbehur në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ka eliminuar kryesisht kontrastin origjinal midis ngjyrave të ngrohta në sfond dhe ngjyrave të ftohta të Llazarit në plan të parë.
Bibliografia
- Artaud A, “Van Gogh i vetëvrari i shoqërisë”, sh.b. Zenit Editions, 2013.
- Deleuze G, “Filozofia kritike e Kantit”, sh.b. Zenit Editions, 2009.
- Merleau-Ponty M, “Mëdyshjet e Cezanne”, sh.b. Zenit Editions, 2019
- Foucault M, “Pushteti dhe dija”, sh.b. Dita 2000,
- Kant E, “Critique of Judgment” (eBook)
[1] Artaud A, “Van Gogh I vetëvrari i shoqërisë”, botimi në shqip: Zenit Editions, 2013
[2] Artaud A, “Van Gogh I vetëvrari i shoqërisë”, botimi në shqip: Zenit Editions, 2013, fq 24.
[3] Artaud A, “Van Gogh I vetëvrari i shoqërisë”, botimi në shqip: Zenit Editions, 2013, fq 25
[4] Artaud A, “Van Gogh I vetëvrari i shoqërisë”, botimi në shqip: Zenit Editions, 2013, fq 27
Komente