Zhvlerësimi i Euros, rrezik apo mundësi?
Nga: Vitrina Jashari
Monedha e përbashkët europiane prej kohësh ka nisur një tatëpjetë zhvlerësimi krahasuar lekut, duke prekur këtë vit një minimum historik. Sot, në janar 2025, në këmbimet valutore 1 euro këmbehet me rreth 98 lekë, pra shifër më e ulët se 100 lekë.
Por ajo cfarë sjell në vëmendje guvernatori i Bankës Qendrore është se ky fuqizim i monedhës kombëtare “Lekut” po mban nën kontroll inflacionin (rritjen e përgjithshme të çmimeve) duke vënë në dijeni opinonin publik se nuk do të ndërhyjë në ndryshimin e kursit të këmbimit duke ia lënë këtë fuqisë ekuilibruese të tregjeve.
Deklarata e Guvernatorit te Bankës së Shqipërisë: (31 Dhjetor 2024)
“Pas goditjes që ka marrë ekonomia jo vetëm Shqiptare, por edhe ajo Rajonale e Botërore nga luftrat, krizat postpandemike, lufta në Ukrainë; inflacioni pati atë nivel që pati. Si rezultat i politikës monetare shtrënguese që ndoqëm menjëherë, mbiçmimit të kursit të këmbimit, rënies së inflacionit te partnerët tanë tregtarë; ne kemi arritur në një nivel të inflacionit poshtë 3% që është objektivi i Bankës së Shqipërisë, pra në nivelin mesatar 2%.”
Para kësaj deklarate le të sjellim një vlerësim se si ndodhi ky zhvlerësim “i frikshëm” i Euros në vend. Zhvlerësimi i një valute të caktuar vjen si pasojë e rritjes së ofertës së kësaj valute në një ekonomi.
Por cilët janë faktorët që ndikojnë në ofertën e valutës?
- Eksportet- Janë faktori më i rëndësishëm dhe kryesor për ofertën e valutës. Sa më shumë të rriten eksportet, aq më shumë rritet edhe oferta monetare-valutore.
- Transfertat ose Remitancat- Transfertat e emigrantëve përbëjnë një tjetër burim të prurjeve të parave në Euro në tregun e Shqipërisë. Një sasi në rritje e parave në Euro sjell dhe ofertë të lartë të kësaj valute në vend.
- Transaksionet që realizohen në ekonominë shqiptare përmbushen duke përdorur si monedhë Euron dhe jo Lekun (Pasuritë e paluajtshme, qiratë e banesave, çmimet e hoteleve, blerjet dhe shitjet “online” poashtu edhe biletat e avionit).
Ndër të paktat ndikime pozitive që është parë se ka sjellë ky zhvlerësim i vazhdueshëm i Euros janë:
E para, ka ndikim pozitiv në rritjen e importeve, sepse tregtarët shqiptarë realizojnë me vendet e tjera vëllime më të mëdha blerjesh. Duke pasur më shumë euro në dispozicion rritet mundësia e blerjeve të më shumë malli me të njëjtën sasi valute.
E dyta, ka ndikim pozitiv për sa i përket shlyrjes së Borxhit Publik të shtetit. Kjo sepse duke qenë se borxhi është marrë në euro, kur ndërkohë euroja vlen më pak krahasuar me lekun, do të thotë se shtetit do t’i duhen më pak euro për nga sasia për shlyerjen e tij , thënë ndryshe një Borxh Publik më i lirë.
E treta, ndikon pozitivisht për faktin se huamarrësve do t’iu duhen me pak sasi parash në Euro për shlyerjen e huasë. Në një sondazh një qytetar u shpreh: “E kisha kredinë në Euro dhe pagën në Lek. Pjesa që paguaja për kreditë u ul. Tani i ktheva kreditë në Lek dhe nuk kam rrezik nga kursi.”
Disa nga risqet që zhvlerësimi i Euros ka sjell janë të shumta, por dëmet më të mëdha mbeten tek ato individë që operojnë në treg dhe punë me valutë Euro. Eksportuesit dhe gjithë operatorët që shesin në euro dhe paguajnë në lekë, janë duke u ballafaquar ndaj një risku të karakterit sistematik, që vjen për shkak të përdorimit prej tyre si monedhë kombëtare lekun.
Sipas një sondazhi të revistës Monitor me individë dhe biznese, 89.2% e bizneseve që u anketuan vlerësojnë se të ardhurat dhe çmimet që i kanë me valutë euro, ndërsa kostot me valutë lek, janë drejt falimentimit.
Gjithashtu 66.8% e individëve të anketuar vlerësojnë se janë prekur po negativisht duke qenë se pagat e tyre janë në euro dhe cmimet e viteve te fundit jane rritur, të ardhurat dhe fuqia blerëse e tyre është zvogëluar ndjeshëm. Të anketuar të tjerë shprehen se zhvlerësimi i euros nuk pasqyron aspak fuqizim të monedhës vendase, përkundrazi ky është rezultat i mbushjes së tregut me financa të zeza të pakontrolluara që po shkatërrojnë balancat ekonomike dhe bizneseve prodhuese, të cilat janë eksportues të të mirave dhe shërbimeve.
Vlerësimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros ndikon negativisht në vëllimin e eksporteve. Zhvlerësimi i valutës i bën pak të interesuar eksportuesit, sepse euroja që sigurojnë në tregjet e huaja këmbehet me pak para. Në këtë mënyrë tregëtarët e eksporteve kanë më pak lekë në dispozicion për të blerë mall në vend dhe për ta shitur jashtë vendit. Dhe duke ulur sasinë e mallit që blejnë për ta eksportuar ata ndikojnë në mosstimulimin dhe uljen e prodhimit vendas.
Ndikon negativisht në çmimin e valutës në euro që emigrantët shqiptarë dërgojnë në Shqipëri, në ato që ne i quajmë remitanca, pra vlerësimi lekut ndikon negativisht në vlerësimin e valutës që hyn në Shqipëri. Paratë në Euro që emigrantët sjellin në vend me transfertat e tyre vlejnë më pak sepse tashmë 1 euro vlen rreth 98 lekë që përllogaritet 20% më pak se para disa muajve.
Pavarësisht faktorëve të renditur në hyrje; profesorë të fushës, ekonomistë apo analistë shprehen se eksportet dhe remitancat e emigrantëve nuk mund të kenë aq ndikim të fortë në rritjen e sasisë së Euros në Shqipëri,siç tregohet në deklaratat e Bankës Qendrore të Shqipërisë. Kjo sepse eksportuesit humbën 225 milion euro vitin e kaluar nga rënia e kursit të euros me 6.6 lekë.
As dërgesat e emigrantëve dhe as investimet e huaja, nuk kanë si të japin këtë efekt të uljes së euros, apo të mbiforcimit të lekut duke qenë se konsiderohen si faktorë tradicionalë në ekonominë shqiptare.
Faktori tjetër që mendohet se ka ndikuar në prishjen e ekuilibrit të Euros me Lekun dhe që ka dhënë një goditje tjetër në mbivlerësimin e padobishëm të lekut, është marrja e një huaje në Euro në tregjet evropiane, prej afro 600 milion euro. Kjo ka ndodhur mbi një vit më herët duke lënë pikëpyetje se në një treg të përmbytur nga euro, pse duhet të shtohej akoma euro?
Gjithashtu në ekonominë tonë hyjnë çdo vit rreth 12 deri 13 miliardë euro, nga burime të ligjshme dhe të padeklaruara, të cilat nuk kanë nevojë të konvertohen në lekë për t’u përdorur. Euro ka terrenin e vet.
Kanalet e qarkullimit janë të ngopura me euro, ndërkohë që leku kërkohet. Kjo e forcon, e mbiçmon artificialisht lekun., Pavarësisht deklaratave nga Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) se:
“Rregjimi i lirë i kursit të këmbimit i ka shërbyer Shqipërisë dhe duhet të mbetet amortizatori kryesor i goditjeve. Analiza e FMN-së sugjeron se vlerësimi i qëndrueshëm i lekut është nxitur përgjithësisht nga faktorë themelore si turizmi dhe produktiviteti.” Në përfundim, mbeten të hapura diskutimet, pretendimet, parashikimet dhe pikëpyetjet që sjell ky çekuilibër i këmbimeve valutore në një vend me jo pak ndikim në Ballkan si Shqipëria.
Komente