web analytics

Të veçanta

Pjesa e 1-rë

     Tradita, sipas Evolës, është dimensioni metafizik i një njohjeje supernatyrale dhe njëkohësisht i një forme më të lartë të qenies. Koncepti i Traditës reflekton një realitet transhendent, “nga lartë”, i cili buron në mënyrë direkte nga Qenia Absolute. Për Evolën Qenia Absolute, do të thotë ekzistenca e një qendre të palëvizshme, të pandryshueshme, në përjetësi, akohore, transhendente në raport me botën. Gjithë realiteti i manifestuar në ekzistencen e botës nuk është gjë tjetër veçse shprehje imperfekte e këtij Absoluti të vetëm. Pra kur themi që Tradita është një formë më e lartë e qenies duhet të kuptojmë lidhjen që kjo katgori ka me Qenien Absolute. Tradita reflekton rendin dhe harmoninë që buron nga Qenia Absolute duke qenë vetë një emanacion i saj.

     Për Evolën Tradita është njëkohësisht diçka meta-historike dhe dinamike. Tradita është “forca renduese në shërbim të parimeve që kanë krizmën e një legjitimiteti sipëror (madje mund t’i quajmë ato “parime nga lart ”)”.2 Tradita nuk duhet kuptuar thjesht si një koncept metafizik për të mundësuar një vijimësi logjike në strukturën e mendimit evolian. Për të Tradita është njëkohësisht një realitet metafizik, transhendent, sipëror në raport me botën e divenirit. Realitet i qëndrueshëm në monsndryshimin e vet dhe i mbushur me qenie, i paprekur nga bërja. Kjo forcë vepron nëpër gjenerata duke mbushur me shpirt dhe shpirtëzim institucionet, ligjet, shoqëritë, rendet sociale e fetare. Manifestimi i kësaj force renduese nga lart gjithnjë shprehet në forma të shumta por që të gjitha reduktohen tek burimi i vetëm dhe original i tyre, Tradita. Kuptueshmëria e drejtë e konceptit të Traditës realizohet nëpëmjet shprehjes së dy aspekteve të saj. Njëri ka të bëjë me një “metafizikë të historisë dhe të një morfologjie të qytetërimeve, kurse tjetri me një interpretim “ezoterik”, pra sipas dimensionit të tyre në thellësi…”3

     Plani historik përbën njërin aspekt të Traditës. Kjo ka të bëjë me idenë se një “forcë nga lart” ka vepruar në një zonë apo një tjetër përgjatë historisë dukë bërë që vlera të caktuara shpirtërore të ishin themeli i organizimit shoqëror në gjithë format e veta. Kjo forcë ishte pika qendrore e referimit për qytetërimet tradicionale, forcë që justifikon dhe formon çdo realitet njerëzor. Aspekti historik i Traditës lidhet me aspektin dinamik të shprehur më lart ku forca e cila “është një prezencë që transmetohet” 4 informon, transformon, ushqen dhe fuqizon realitetin e botës së bërjes duke i ushqyer asaj më shumë qenie, kuptuar si qëndrueshmëri, aktualizim, drejtësi- qëndrim, liri, ngritje shpirtërore sipër natyrës materiale që e lidh.

     Apsekti historik i Traditës lidhet me konceptin e transhendencës imanente. Për Evolën, Tradita është në një plan metafizik, meta-historik dhe sipëror në raport me planin historik të divenirit, por nuk është e izoluar në një formë të prerë dualizmi. Tradita është njëkohësisht transhendente dhe imanente. Ajo është “transhendente sepse nuk identifikohet kurrë plotësisht me një formë të caktuar historike, imanente sepse realizimi i saj ndodh gjithnjë dhe vetëm në këtë botë dhe jo në një tjetër botë.”5

     Duke pasur të qartë këtë kuptim të Traditës, Evola thekson se shprehjet e traditave të ndryshme nëpër histori nuk duhet të ngatërrohen apo identifikohen me Traditën, sepse siç u tha më sipër realizimi i forcës transhendente renduese të Traditës ndodh në forma, kohë dhe hapësira të ndryshme të cilat mund ta kenë shprehur në nivele të ndryshme dijeje dhe realizimi. Tradita në transhendencën e vet nuk përlyhet nga manifestimet e saj, qofshin këto edhe të deformuara, në botë. Ajo është e pandryshueshme dhe rrjedhimisht e plotësuar.

     Aspekti i dytë i Traditës është ai që lidhet me planin doktrinal, pika e referimit e të cilit, sipas Evolës, është “uniteti transhendent i gjendur në traditat e ndryshme.”6 Traditat mund të jenë të llojeve të ndryshme si religjioze, misterike, apo njohëse por të gjitha këto tradita, qofshin më afirmuese e parimeve nga lart të Traditës apo më pak, nuk duhen kuptuar si të veçuara dhe të vetëmjaftushme. Secila prej tyre, përfshirë edhe format e mëdha të traditave si Krishtërimi, nuk janë gjë tjetër veçse fragmente dhe momente të caktuara dhe të ndryshme të Traditës së vetme. Kategoria e Traditës është gjithëprfshirëse duke marrë rolin e një koncepti metafizik tepër të vlefshëm në analizën e vetë parimeve të para si dhe të qytetërimeve. Nga ana tjetër Tradita është realiteti i parë dhe i fundëm i çdo tradite të veçantë, burim dhe përqafim i gjithë përthyerjeve të një të vërtete të vetme dhe mbibotësore.

     Ndikimi i madh i Evolës, mendimtari që e bëri të njohë Traditën, ishte Rene Guenon, metafizicien dhe studiues i doktrinave filozofike hinduiste, zbulues i kategorisë së Traditës. Planin doktrinal që ka të bëjë me unitetin transhendent të traditave tek Guenon e gjejmë edhe në formën e saj imanente, pra në botë, tek ajo që ai quan tradita primordiale.7 Sipas Guenon dikur në një zonë të vagullt të pre-historisë, kuptuar jo në sensin akademik të fjalës, të primatëve të parë, por në sensin e një harku kohor që vendoset para historisë së mundshme të njohur, duke pasur më shumë natyrën mito-logjike se historike, ka ekzistuar një traditë e vetme në tokë. Buruar dhe përcjellë nëpërmjet elitave intelektuale, në rrafshet e punëve njerëzore kjo traditë primordiale ishte manifestimi më i drejtpërdrejtë i Traditës transhendente, nga e cila derivuan karakteret dhe format e qytetërimeve tradicionale. Gjithçka që konsiderohet si traditë dhe që rilidhet tek vlerat e Traditës mendohet se është një mbetje e degraduar e traditës primordiale.

     Vlerat dhe parimet e Traditës nuk kuptohen as nga Evola dhe as nga Guenon si norma të sjelluri të lindura në kohët e shkuara. Tradita është një realitet metafizik, që qëndron mbi kohën, “një totalitet parimesh transhendente dhe të përjetshme, vlera të pandryshueshme, të vendosura në Qenie…Kjo traditë formon një tërësi organike të sistemuar hierarkikisht për të formuar një parim më të lartë metafizik.”8 Parimet e traditës vendosen në raporte diferencimi organik të rendeve të qenies së tyre, bazuar dhe në përputhje me cilësitë e dhëna që zotërojnë, duke u vendosur në një raport shpirtëror me Absolutin. “Tradita rrjedhimisht ka si vlera të saj qendrore autoritetin, hierarkinë, rendin, disiplinën dhe bindjen.”9

     Parimet nga lart të Traditës, për Evolën, nuk duhen kuptuar si realitete që ishin, por si ide të cilat duhet të determinojnë dhe in-formojnë realitetin në përputhje me forcën e tyre sipërore, të fuqizojnë dhe vlerësojnë jetën, në kuptimin e një përmbushjeje shpirtërore të themeluar nga lart, për lart. Evola i vendos parimet e Traditës, apo të shpritit tradicional si forma të manifestimit të jetës së njeriut tradicional. Parimet e Traditës janë kategori kuptuar kjo si “parime normative a priori”10 për të theksuar natyrën e tyre si forca dhe ide renduese e formuese, por edhe për të shprehur pavarësinë dhe vetëmjaftushmërinë e tyre ndaj çdo manifestimi kontingjent të vetë parimeve.

     Traditë do të thotë transmetim ose përcjellje, dhe vjen nga latinishtja tradere. Për Guenon kjo nënkupton përcjelljen e dijeve dhe parimeve hyjnore e mbinjerëzore. Kryesisht transemtimi ndodh oralisht në format e veta të para dhe më të kulluara, kjo e fundit në varësi të botëkuptimit, por ai thekson se mund të ketë ndodhur edhe në forma të shkruara, sepse percjellja nënkupton pëcjelljen e diçkaje dhe jo formën e saj.11 Nëse qëndrojmë tek transmetimi oral, atëherë mund të ngremë një reflektim mbi betimin për të kuptuar më pas raportet e përcjelljes me përcjellësit dhe arritjen e njohjes së parimeve transhendente.

A. Daimo

 

 

 

 

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP