Një promovim i vonuar virtual ose “Realiteti dhe mundësia e luftës”
Një promovim i vonuar virtual
Ose
“Realiteti dhe mundësia e luftës”
Nga: Armand Dedej
Topi vrau feudalizmin. Boja e shkrimit do të vrasë rendin shoqëror të sotëm.
Napoleon Bonaparte
Në Qershor të 2025-ës është publikuar libri im “Realiteti dhe mundësia e luftës” – një përmbledhje me ese mbi çështjen e luftës. Shpjegimet e nevojshme në lidhje me përmbajtjen e këtyre eseve gjenden në dy shkrimet e para të kësaj përmbledhjeje: “Para dhe pas luftës së Ukrainës ose në vend të parathënies” dhe “Parathënie e vitit 2021”. Gjithsesi këto dy shkrime shpjeguese nuk përfshijnë të gjitha esetë. Ato nuk i referohen “Shtojcës”, duke qenë se esetë e “Shtojcës” janë shkruar më vonë. Esetë e “Shtojcës”, të cilat mund të konsiderohen si pjesa e dytë e veprës, janë shkruar në periudhën Mars-Shtator të vitit 2024. Kështu, kemi një libër që ka mbaruar së shkruari në 2024-ën, është botuar më 2025-ën dhe po “promovohet” – ndonëse virtualisht – më 2026-ën.
Për këtë libër kam folur shkurtimisht në disa shkrime “klandestine”, që i janë shpërndarë një rrethi të ngushtë personash. Ndoshta ka ardhur momentin që ta zgjerojmë pak këtë “rreth”. Në fund të fundit, aktualisht po jetojmë në një kohë luftrash. Me fjalë të tjera, po jetojmë jo vetëm në kapitalizëm, por edhe në një moment konfliktesh të armatosura. Marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat deri pak më parë i karaterizonte paqja kapitaliste e “globalizimit”, duket sikur po i dominon edhe një herë lufta. E thënë me një terminologji më “profesionale”: po jetojmë jo vetëm në luftë klasash, por edhe në luftë shtetesh. Por këtu nuk ka asgjë të re! Bëhet fjalë për një fenomen të vjetër, klasik dhe tepër të zakonshmëm: imperializmin! Në të vërtetë, imperializmi ka qenë gjithmonë një fenomen bashkëshoqërues i kapitalizmit. A nuk ka thënë Lenini se imperializmi është faza më e lartë e kapitalizmit? “Globalizimi” dhe “fundi i historisë” nuk mund të zgjasnin shumë! “Historia” së bashku me “luftën” do të riktheheshin përsëri në modë! Bashkë me to duhet të bëhet i modës edhe libri im, “Realiteti dhe mundësia e luftës”.
Boshti teorik i librit tim të sipërpërmendur, “Realiteti dhe mundësia e luftës”, janë tezat e Clausewitzit mbi luftën, të cilat janë aplikuar në realitetin konkret të ngjarjeve dhe fakteve historiko-politike. Nëse do të bënim një ndarje tipologjike, atëherë mund të thoshim se pjesa e parë e eseve ka natyrë kryesisht “teorike”, ndërsa pjesa e dytë (d.m.th. “Shtojca”) është me natyrë “historike”. Nuk do të ishte e ekzagjeruar të thuhej, se në përgjithësi esetë vijnë e bëhen gradualisht gjithmonë e më historiko-politike. Sigurisht, kjo nuk nënkupton se kemi të bëjmë me një braktisje të mendimit teorik. Parimet dhe tezat teorike aplikohen, apo ilustrohen tek ngjarjet konkrete të marra në shqyrtim – duke përfshirë edhe ato të ditëve tona si lufta e Ukrainës. Në parathënien e veprës së Marxit, “Lufta e klasave në Francë”, Engelsi ka thënë në mënyrë “materialiste”, se tabloja e historisë së ekonomisë që shpjegon ngjarjet politike, vjen gjithmonë me vonesë. Duke “interpretuar” Hegelin, Debordi do të thoshte se ajo që vjen gjithmonë me vonesë është ndërgjegjja (“vetëndërgjegjja”). Mirëpo jo gjithmonë ndodh kështu! Në rastin tim “ndërgjegjja” ka ardhur më herët se të ashtuquajturat “fakte”. Në njëfarë mënyre, ajo i ka paraprirë ato.
Megjithatë, një shembull tipik që kundërshton tezën e Engelsit rreth vonesës në të kuptuarin e ngjarjeve, do të jetë pikërisht vetë Engelsi. Një ironi fati tepër paradoksale kjo! Në esenë “E tashmja e luftës përmes të shkuarës së saj”, unë kam treguar se si Engelsi ka arritur të parashikojë jo vetëm Luftën e Parë Botërore, por madje edhe revolucionin bolshevik. Duke analizuar situatën gjeopolitike të aleancave dhe armiqësive të fuqive të mëdha europiane të viteve ’80 dhe ’90 të shekullit të XIX, në artikullin e tij “Politika e jashtme e carizmit rus”, Engelsi mbërrin në përfudimin se këto zhvillime mund të çojnë në një “luftë botërore”. Ai thekson gjithashtu se Rusia, e cila ishte një faktor përcaktues i këtyre aleancave, të cilat e kishin ndarë Europën në dy blloqe armiqësore, ishte në një gjendje të brendshme social-ekonomike shumë të keqe, që nuk përputhej me aspiratat e përhershme imperialiste të carizmit rus. Bazuar në këtë, Engelsi shpresonte që mundësia e një lufte botërore të neutralizohej nga një revolucion rus “që do t’i lejojë popullit rus t’i japë fund një herë e përgjithmonë politikës tradicionale të pushtimeve të carëve të vet dhe në vend që të ëndërrojë për një sundim botëror, të kujdeset për interesat e veta të brendshme jetësore, që i kërcënon një rrezik shumë serioz”. Revolucioni rus ndodhi, por jo përpara luftës botërore për ta parandaluar atë. Ndodhi revolucioni bolshevik, i cili u shfaq pasi kishte ndodhur Lufta e Parë Botërore. Kështu, rezultoi që Engelsi t’i parashikonte të dyja: edhe Luftën e Parë Botërore, edhe revolucionin bolshevik, që e nxorri Rusinë nga kjo luftë. Kaq për sa i përket Engelsit! Tani le të kalojmë tek unë.
Në të njëjtën ese të sipërpërmendur, “E tashmja e luftës përmes të shkuarës së saj”, duke analizuar konfliktin e Ukrainës, i cili në atë kohë ende nuk kishte përftuar trajtën e një lufte konvencionale ndërshtetërore, – duke mbetur në përmasat e luftës civile ndërmjet separatistëve pro rus të Donbasit dhe shtetit ukrainas – unë kam pretenduar se situata mund të përshkallëzohej në një luftë konvencionale me përmasa botërore. Pikërisht për këtë arsye i jam referuar Engelsit, duke dashur të bëj një analogji me të. Analogjia, në fakt, është me periudhën historike të kalimit nga lufta franko-prusiane (1870) në Luftën e Parë Botërore (1914). Unë i jam referuar Engelsit pikërisht sepse ai i referohej këtij momenti historik. Kështu, njëlloj si Engelsi, edhe unë kam shpresuar në një revolucion rus, që do të mund të ndalonte luftën; dhe përsëri njëlloj si në rastin e Engelsit, ajo që ka ndodhur më parë ka qenë lufta. Më 24 Shkurt 2022, Rusia sulmoi Ukrainën dhe lufta vazhdon ende. Ai që nuk ka ndodhur është revolucioni. Prandaj në esenë tjetër, “Mbi aspektin politik të luftës”, jam shprehur se ai që s’kemi parë të ndodhë është revolucioni – ndërkohë që luftra ka me shumicë. Sigurisht, në kohën tonë nuk ka pasur vetëm raste si ai i Ukrainës (apo edhe Sirisë gjatë Pranverës Arabe), në të cilat është kaluar nga lufta civile në luftë ushtarake konvencionale. Rasti i Gadafit, për shembull, do të ishte disi ndryshe. Lufta konvencionale e bombardimeve të koalicionit perëndimor nuk e zëvendësoi luftën civile, por e nxiti atë edhe më tepër, duke çuar në përmbysjen revolucionare të regjimit të Gadafit. Por duke pasur parasysh gjendjen katastrofike të Libisë, nuk besoj se një rast i tillë mund të konsiderohet si “revolucion”. Libia është aktualisht njëlloj siç kemi qenë ne “ish-komunistët” gjatë “tranzicionit” – d.m.th. është më keq se ç’ishte!
Mirëpo lufta e Ukrainës, e cila po vazhdon tashmë prej më shumë se katër vitesh, nuk është dhe nuk ishte as atëherë i vetmi konflikt i armatosur. Një tjetër konflikt që është përmendur nga unë – në esenë “Mbi aspektin politik të luftës” – ka qenë edhe ai i Izraelit me Hamasin. Këtë konflikt e kam vendosur në kontekstin e tij gjeopolitik të fuqive rajonale dhe më tej në atë të fuqive të mëdha, duke u shprehur se ky lloj konflikti rrit mundësinë e përfshirjes së gjithë rajonit të Lindjes së Mesme në konflikt, duke e shndërruar atë në një zonë të përplasjes së fuqive të mëdha. Pikërisht kështu ndodhi! Sulmi amerikan ndaj Iranit, më 28 Shkurt të këtij viti (2026), e konfimoi këtë. SHBA i mori stafetën Izraelit në Lindjen e Mesme. Ndërkohë që Putini nuk po dinte se çfarë të bënte me luftën e Ukrainës, Trumpi ndezi atë të Iranit. Lufta e Iranit do të ishte një konflikt që do të përftonte përmasa jo vetëm thjesht rajonale. Nga pikëpamja e pasojave ekonomike ajo është shtrirë shumë më përtej se kaq, duke qenë se në Ngushticën e Hormuzit kalon 20% e naftës së gjithë botës. Ngushtica e Hormuzit u shndërrua në një problem më vete. Ajo bëri që për hapjen e saj Trumpi t’i kërkonte ndihmë të gjithë atyre që cënoheshin prej bllokimit të saj – d.m.th. edhe vendeve europiane, edhe Kinës. Kështu, përmes luftës së Iranit, SHBA realizoi atë që unë kam “profetizuar” në esenë “Para dhe pas luftës së Ukrainës ose në vend të parathënies”. Tek kjo ese jam shprehur, se edhe nëse rivalët e SHBA s’do të bënin ndonjë “gabim” si ai i Rusisë me Ukrainën, gjithsesi mund të jetë vetë Amerika ajo që mund të kalojë nga “mbrojtja” në “sulm”, duke qenë se rastet si ato të Vietnamit, Irakut dhe Afganistanit kanë treguar se SHBA nuk janë aspak një “gjigant i mirë”, që synon thjesht dhe vetëm të përhapë paqe dhe dashuri kudo në botë. Pikërisht kjo ndodhi me luftën e Iranit, duke rikonfirmuar njëkohësisht edhe konstatimin e dikurshëm gjenial dhe tautologjik të “shokut Enver”, se “imperializmi amerikan” është pikërisht “imperialist”.
Pas “reklamës” së mësipërme që i bëra tipareve “profetike” të librit tim, më duhet të theksojë njëkohësisht se ndoshta e gjitha kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe në vetvete. Nuk duhet të entuziazmohemi shumë pas parashikimeve, sepse zakonisht ato nuk kanë ndonjë efekt konkret edhe nëse janë të sakta. Një shembull tipik i kësaj është pikërisht Lufta e Parë Botërore, të cilës iu referuam më lart. Kjo e fundit është ndoshta një ndër ngjarjet më të “parashikuara”, që mund të kenë ekzistuar ndonjëherë. Shpërthimin e saj e kanë parandjerë jo vetëm Marxi dhe Engelsi, por edhe autorë të tjerë si Bakunini dhe Nietzscheja. Madje ajo ka qenë diçka e pritshme edhe për vetë ata që do ta realizonin atë: “shtabin e përgjithshëm prusian”. Më 1887-ën, në ditarin e feldmarshallit reaksionar që do të pasonte Moltken, Alfred von Waldersee, do të artikulohet shumë qartë “profecia”, se lufta me Francën mund të shndërrohej në një weltkrieg (luftë botërore).[1] Pikërisht kjo do të ndodhte më 1914-ën me Luftën e Parë Botërore. Megjithatë, gjithë këto “profeci” tepër të sakta, që i paraprinë kësaj “lufte botërore” duke e paralajmëruar atë, nuk shërbyen për asgjë! Ato nuk arritën ta parandalonin atë. Ndoshta Shakespearei kishte krejtësisht të drejtë, që tek “Makbethi” i tij i famshëm e ka sulmuar artistikisht idenë e “profecive” në politikë, duke sugjeruar se ato nuk kanë asnjë efekt në rrjedhën e ngjarjeve – edhe nëse mund të jenë të sakta. Në fund të fundit, edhe agresioni rus ndaj Ukrainës pati “profecitë” e veta, – duke filluar nga informacionet e shërbimeve sekrete anglo-amerikane e deri tek analizat e Ivan Krastevit – por megjithatë ato nuk e frenuan Putinin, i cili e realizoi atë me një vetëbesim të madh arrogant.
Sigurisht, nuk synojmë të përmbledhim këtu të gjitha rastet e veçanta të luftrave, që janë përmendur dhe nuk janë përmendur tek “Realiteti dhe mundësia e luftës”. Thjesht duam të ilustrojmë edhe një herë përmes këtyre rastesh, idenë qëndrore që përshkon gjithë veprën në fjalën: se luftrat mbeten gjithmonë diçka e mundshme. Pikërisht për këtë arsye Clausewitzi ka shkruar veprën e tij “Mbi luftën”; dhe pikërisht për këtë arsye unë i jam referuar Clausewitzit. Lufta e Ukrainës e bëri të vlefshme këtë edhe për Bashkimin Europian, duke i dhënë fund asaj që Robert Kagan e ka konsideruar si “parajsa pas historike e paqes dhe e begatisë relative”,[2] në të cilën vendet e Europës Perëndimore kanë jetuar qysh pas Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, në funksion të një gjëje të tillë, përveç Clausewitzit i jam referuar edhe Kaganit. Europa Perëndimore u zgjua më në fund nga gjumi i saj letargjik i “mirëqenies sociale” të pas Luftës së Dytë Botërore, duke hyrë në realitetin “hobsian” të luftës së të gjithëve kundër të gjithëve; pjesa tjetër e botës, duke përfshirë edhe Ballkanin tonë modest, ka qenë gjatë gjithë kohës në këtë situatë. Me fjalë të tjera, pas shembjes së kejnsianizmit u shkatërrua edhe ëndrra e “fundit të historisë” së bashku me snobizmin pseudo-historik të ‘68-ës. Lufta e Ftohtë, duke u zhvilluar realisht vetëm ndërmjet SHBA dhe Rusisë (ish-Bashkimit Sovjetik), e kishte lënë Europën Perëndimore në një gjendje të përhershme pushimesh verore, në të cilën çdo gjë ngjante me një festë të tejzgjatur buzë plazhit, ku rolin e diellit e luante ngrohja nga gazi rus. “Rikthimi” i Luftës së Ftohtë në trajtën e Luftës së Ukrainës, e shndërroi këtë sens veror në një stinë verore si ajo e Betejës së Kurskut (Korrik-Gusht 1943) të Operacionit Barbarosa (Qershor 1941). Sikur të mos mjaftonte gjithë kjo, pas luftës së Ukrainës u shfaq edhe diplomacia sa “merkantiliste” aq edhe “militariste” e Trumpit. Kjo e fundit i tregoi Europës Perëndimore, se do të duhet të ripozicionojë vetveten ndërmjet fuqive të tjera, duke filluar nga raporti me një fuqi problematike si Rusia e deri tek ai me fuqi më të mëdha si SHBA dhe Kina.
Nëse ka diçka që vihet re menjëherë tek përmbledhja “Realiteti dhe mundësia e luftës”, ky është karakteri i saj ndërkombëtarist. Nuk mund të ndodhë ndryshe në një vepër që ka për objekt luftën. “Lufta është vazhdim i politikës” (Clausewitz) në kuptimin e politikës ndërmjet shteteve të të ashtuquajturave “marrëdhënie ndërkombëtare” – d.m.th. të marrëdhënieve ndërkombëtare si marrëdhënie ndërshtetërore. Në këtë dimension të gjerë, një vend i vogël si i yni luan një rol shumë minimal dhe të papërfillshëm. Ky fakt gjendet i artikuluar në esenë “Mbi një iluzion ushtarak”, në të cilën kam gjetur hapsirën të flas edhe për rastin tonë. E ç’mund të thuash më tepër për ne se sa thjesht të vësh në dukje faktin se SHBA ka dashur që ne të jemi antarë të NATO-s? Jemi shumë të vegjël për të qenë të paanshëm dhe shumë pragmatistë për t’u ribërë edhe një herë “shkëmb graniti” si në kohërat e “shokut Enver”. Tashmë jemi në një kontekst tjetër gjeopolitik nga ai i dikurshmi i Luftës së Ftohtë. Nuk na duhet të bëjmë pjesë as në ndonjë “kamp socialist” si ai i dikurshmi dhe as në ndonjë BRICS të sotshëm. Thjesht jemi pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe duam të antarësohemi në Bashkimin Europian. Konteksti gjeopolitik është krejt tjetër nga ai para rënies së Murit të Berlinit. Bashkë me kontekstin ndryshojnë detyrimisht edhe qëndrimet ndaj tij. Por se çfarë do të ndodhë më tej në këtë aspekt, këtë do ta tregojë koha. “Realiteti dhe mundësia e luftës” ka treguar vetëm se çfarë ka ndodhur dhe se çfarë mund të ndodhte.
Maj 2026
[1] Hawes J., “Histori e shkurtër e Gjermanisë”, AIIS, Tiranë, 2021, f. 142
[2] Kagan R., “Fuqi e dobësi”, 55, Tiranë, 2003, f. 5
Komente