Paradoksi i Idealizmit- Nga: Ibrahim Xhepmetaj
Nga: Ibrahim Xhepmetaj
Ideja është ajo çfarë njeriu përfytyron rreth një objekti, i pakufizuar nga realiteti dhe përvoja faktike. Idetë janë të ndryshme, nga më të thjeshtat tek ato më të ndërlikuarat, idetë e vogla që lindin ato më të mëdhat, idetë që ngrihen mbi parime universale të natyrshme apo konstrukte filozofike të ndërtuara nga përvoja dhe akumulimi historik i tyre.
Ndërsa idealizmi është një proces i vazhdueshëm, i ndërrueshëm dhe evolon, mirpo si term i thjeshtë, në përditshmëri, nënkupton gjendjen psiko-emocionale që shkakton bindja në besime dhe ide të caktuara tek njerëzit, ndikimet e veçanta në karakterin, individualitetin dhe sjelljen e njeriut.
Paradoksi i idealizmit diskutohet në përplasjet e vazhdueshme të përjetimeve në brendësinë e njeriut, paqëndrueshmërinë dhe skajshmërinë e reagimeve të tij, në raport me kohen dhe rrethanat e caktuara që ndryshojnë përceptimin për realitete të caktuara. Për shembull, kur jemi fëmijë, ne i përceptojmë të rinjtë e një moshe të caktuar me syrin e një “liliputi”, duke pandehur se bota nuk ka më të mëdhenj se ata, më të fortë dhe më të zgjuar, dhe kemi bindjen se kjo është një hierarki dhe e vendosur qartë e pandryshuar, mirpo duke mos kuptuar si rritemi oak nga pak çdo ditë, përfundojmë në pozicionin e gjigantit që shikon ‘veten’ tashmë në një pozicionin tjetër, pra me vështrimin e të “rriturit” që imagjinon veten e “papritur”. Ky transformim realiteti shkakton gjjthashtu lëkundje dhe shembje të përceptimeve idealiste të realiteteve. Pra, si fëmijë i vogël, bota jote të duket dhe është në fakt më e vogël, ndërsa bota e të mëdhenjve duket e ndryshme, e pakapshme dhe e këndshme, ti ëndërron ta arrish, ta jetosh, ta kapësh dhe kjo të entuziazmon, të shton zellin dhe dëshirën për të jetuar, por vjen momenti, kur shkon atje, përballesh me një realitet tjetër, ti zhgënjehesh nga thyerja e idealizmit kur ndodh tjetërsimi i perceptimit për realitetin. Ky është idealizmi në thelb, pra diçka që frymëzon dhe të jep motiv të jetosh sipas një pëfytyrimi të caktuar, mirpo nuk të garanton sigurinë ontologjike (kuptimore) të jetës.
Paradoksi i idealizmit fillon që ne ‘djepin’ e gjirit të familjes. Ndryshe i përcepton prindërit, para pubertetit tënd, ndryshe mendon për ta teksa fiton vetëdje, ndryshe kur rritesh dhe kalon në nivelin e tyre të përgjegjësisë, kur bëhesh burrë, grua apo prind. Ky paradoks ndjehet poashtu edhe me rrethin shoqëror. Në fëmijëri dashuria për shokët është e pastërt, sepse është e gjitha e ngritur mbi ndjesinë e sinqertë dhe emocionin e pastërt të argëtimit dhe dashurisë për kënaqësinë e përbashkët, mirpo kur rritesh, shikon që shokët ikin, secili në punët e tij, për pasojë ndërrojnë, sepse edhe ti ndryshon interesat, lëviz, ndryshon synimin për jetën.
Paradoksi ndodh edhe me vetë kuptimin për jetën, dëshirat dhe aspiratat tona. Në fillim ëndërron të bëhesh diçka, dikush X, sepse ta kanë thënë shpesh dhe e idealizon, shpejt kupton që bota është më e gjerë, realiteti është tjetër, jeta vazhdimisht të surprizon me shtresa rë reja kuptimesh.
Edhe kur i vendos vetes një synim madhor, qëllim jete, ti ëndërron dhe idealizon njerëzit që shprehin dhe shfaqin të njëjtën dëshirë dhe angazhim, vullneti yt shtohet dhe gjymtyrët lëvizin në sajë të kësaj energjie. Por menjëherë hasesh me sfidat dhe pengesat e para, që nuk i ke llogaritur, kështu fillon dhe qorton veten, më pas e kalon zhgënjimin tek të tjerët jashtë vetes. Kur kupton që nuk qëndron tamam, as njëra as tjetra, zelli dhe entuziazmi bie, fillon dhe analizon shkaqet e jashtme, të gjesh arsyet, mirpo kjo gjendje dalëngadalë e kthen vëmendjen prap tek vetja, i shikon gjërat në mënyrë pak më mekanike, ndryshon qasjen në trajtimin ndaj vetes, bëhesh pak më vetjak, automatikisht kërkon të ruash dhe minimizosh humbjet e panevojshme të energjisë dhe ta orientosh e ruash atë për gjërat e reja që tashmë kanë ndryshuar rendin e prioriteteve në jetën tënde, si psh; bashkëshortja, fëmijët, prindërit.
Edhe pasi piqet njeriu mjaftueshëm, sërisht ai nuk resht së mos qenuri realist dhe vazhdon të idealizojë, mirpo thjesht duke ndryshuar objektet e idealizimit. Nëse në rini idealizonte shoqërinë, kur rritet idealizon familjen, punën, mirpo me kalimin e kohës shikon që edhe këto aspekte zhgënjejnë, më pas idealizon paqen, lumturinë, rehatinë, mirpo kupton që shpejt po i afrohet pleqërisë, fuqitë e lënë dhe vdekja bëhet një makth real, një prishës idealesh, planesh, dëshirash, ëndërrash. Pa i dhënë përgjigje paradoksit të idealizmit njeriu do vazhdojë të jetojë në ankth, i thyer, i pikëlluar, sepse kjo botë është destinuar të lërë zbraztirë, zhgënjim, parehati dhe shton etjen për iluzionin e pamundësisë së lumturisë, gjëra të cilat e mbajnë të ndezur tensionin e jetës, paradoksalitetin e idealizmit, i cili vetëm nëse shkrihet me idealin e vërtetë që përputh qëllimin e ekzistencës me motivin domosdoshmërisë për të jetuar, ja vlen të sakrifikosh për atë ideal dhe kauzë. Nëse jetës i përcakton qëllimin e duhur, ja vlen të jetosh me idealizëm, përaq kohë sa arrin të dallosh realitetin pesimist me aspiratat optimiste dhe të dyja të të shërbejnë për të ecur me dëshirë në trasenë e drejtë, në rrugëtimin tënd të jetës
Komente