web analytics

Të veçanta

Një këshillë “e shpejtë” për bijtë dhe bijat e mi “politikdashës”- Nga Sabaudin Jashari

Politikëbërja… nga konsumatori tek gladiatori … tek politikëbërësi i vërtetë….

Nga gojëdhanat dibrane…”Tregohet se një familje e shquar, pari dibrane, kishte zënë nuse për djalin tek familja e Dine Hoxhës, gjithashtu familje e shquar, madje parí e Muhurit të Dibrës. Krushqit që shkuan të marrin nusen vunë në krye, me urdhrin e kryetarit të familjes, Hoxhën e katundit.Problemi ishte se Hoxha ishte vetëm 16 vjeç e nuk kishte vetëm se pak vite që kishte dalë nga mejtepi.Me nderime të mëdha i priti krushqit Dine Hoxha por kafen e mirëseardhjes ua vonoi… . Pasi, me maturi, hodhi sytë mbi delegacionin kuptoi se diçka ka në faktin se në krye të delegacionit ishte ky Hoxhë gjashtëmbëdhjetë vjeçar.

Për të zbuluar ma’nanë… dhe për mos me ua vonu hala ene ma shumë kafen… iu drejtu Hoxhës gjashtëmbëdhjetë vjeçar i sapo dalë… nga mejtepi…: “Hëxh efenaj…jalla kush ësht burri ma i majr?!!” Pllakosi heshtja… . Krushqit prisnin përgjigjen “faqezbardhuese” apo mazalla “faqenxirëse” të Hoxhës i cili ishte vënë jo paqëllim në krye të krushqëve. “Burri ma i majr ësht sabërliu Dine Aga” u përgjigj Hoxha “i ri” mendjendritur, dhe krushqit bashkë me Dine Agën morën frymë lirisht e u erdhi boja e fytyrës kurse Dine Agai veç faktit se kuptoi ma’nanë që kishte dashtë me i përcjellë miku i ri, në të njëjtën kohë u ndje krenar me miqësinë e re”.

Para se të kthehem tek tema “këshillë e shpejtë…”: gjej rastin të përgëzoj, lavdëroj dhe të shpreh respektin dhe konsideratën time të thellë dhe të lutem për të gjithë ata të rinj dhe të reja që për 18 ditë resht kanë protestuar me kaq kuptim, domethënie dhe hijeshi.

Arsyen se pse ky vlerësim e kam shprehur disi me detaje në dy hytbet, ligjëratat e fundit të xhumasë (ditë e pramte)… Gjatë këtyre ditëve të protestës fisnike të rinisë së “re” dhe të “vjetër” shqiptare jam munduar të bëj një ndjekje dhe një analizë metodike të çka po ndodh duke filluar me retrospektivën e deri tek parashikimet për vijimësinë dhe pasojat….

Për t’i qëndruar korrekt cilësimit që i bëra këshillës “të shpejtë” do ndalem në pak rreshta vetëm tek njëra prej teknikave që kam përdorur, me veten time, për të analizuar dhe diagnostikuar prezencën në pjesëmarrjen dhe funksionet e tyre. E kam fjalën për teknikën e shtresëzimit apo kategorizimit shtresëzues. Mbase mund të jetë risi ky lloj kategorizimi. Uroj të jetë i tillë por ç’rëndësi ka… .

Këto kategori i kam parë jo vetëm në marrëdhënie me protestën por në marrëdhënie edhe me politikën dhe politikëbërjen, sepse mendoj se protestat në përgjithësi dhe kjo protestë në veçanti ka një rol dhe ndikim të veçantë në dinamikën e çdonjërës prej këtyre kategorive.

I kam parë marrëdhëniet e popullit me politikën të ndarë në këto kategori:

– Konsumator

– spektator

– komentator

– gladiator

– politikbërës

 

Konsumatorët

Me Konsumatorë kam parasysh masat e gjëra që kanë konsumuar dhe do të konsumojnë në përditësinë e tyre efektet e protestës në veçanti dhe të politikbërjes në vijimësi. Normalisht kjo shtresë është goxha e trashë duke qenë se përmban nënshtresa të tjera si psh: spektatorë të vetëdijshëm dhe të pavetëdijshëm, të interesuar apo indiferentë… etj

Spektatorët

Kam parasysh me spektatorë jo njerëzit asnjasës por atë kategori që edhe si direk por edhe si timon të jetës tyre kanë thjesht interesat personale dhe shohin nga fryn era dhe tek cili mulli shkon uji që të ndërrojnë sfratin në momentin e duhur.

Komentatorët

Kam parasysh atë kategori që ka zgjedhur të interpretojë, analizojë, arsyetojë, aludojë dhe parashikojë protestën efektet e saj dhe vijimësinë e saj dhe nëse do ketë apo jo “bereqet”. Në momente të caktuara konstatoj apo hamendësoj se jo pak prej kësaj kategorie ndjehet komod me studiot apo panelet televizive edhe pse duhet të ishin prej kohësh, sipas mendimit tim, brenda guzhinës së politikbërjes për të përveshur krahët në gatimin e politikës dhe mendoj se më i vogli nder që mund t’i kishin bërë brezit të ri është se të paktën do i tregonin “rrugët e gabuara” që nuk duhen ndjekur në politikbërje. Të them se u ka pëlqyer komoditeti apo rehatia dhe thjesht mjaftimi me ngritjen e zërit, nuk i paragjykoj dot. Në fund të fundit gjithçka është me “kader”, caktim.

Gladiatorët

Gladiatorët edhe pse të parafundit po i lë t’i komentoj në fund…

Politikëbërës

Duke qenë se kuptimi i politikëbërjes dhe politikbërësit është shumë i gjërë këtu kam parasysh vetëm qeverinë, dhe aparaturat e saj, kundër së cilës janë ngritur protestat. Mendoj se protesta, në marrëdhënie me sjelljen e qeverisë, ka nxjerr në pah një fakt aktual shumë të rëndësishëm. Dinamika apo sjellja pozitive apo negative e qeverisë me popullin shqiptar ka si platformë ku mbështetet vetëdijen dhe ndjeshmërinë e popullit. Pra: “populli në gjumë… qeveria vjedh, grabit dhe sillet si në mall të kaurrit” dhe “populli në këmbë qeveria thotë: do bëhemi çuna dhe vajza më të mirë dhe nuk do bëjmë më gabime…” Ky fenomen është sa pozitiv aq edhe negativ. Është pozitiv sepse faktorizon vetëdijen popullore dhe në rastin konkret të protestave veç faktit që nxorri në pah vetëdijen e gjallë të popullit dhe rinisë shqiptare, i dridhi fronin qeveritarëve. Është negativ sepse ky fenomen tregon se ne si popull akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë një klasë politike me ndërgjegje të vërtetë politike dhe politikbërjeje në shërbim të popullit shqiptar dhe të ardhmes së brezave, por akoma kemi të bëjmë me një kastë politike që duhet me i ndejt me çekiç tek koka se përndryshe edhe pavëmendjen më të vogël e shfrytëzon për të vjedhur dhe plaçkitur.

Gladiatorët

Për të kuptuar rolin e këtyre të fundit ftoj për të parë apo për të riparë filmin Gladiatori, të parin. Commodus, i biri i Mark Aurelit sapo mori pushtetin, pas vrasjes së të atit, dha urdhër për të filluar ndeshjet e gladiatorëve. Dy senatorë të lartë shpjegojnë arsyen e këtij urdhëri dhe çfarë synonte Commodusi dështak nga ky urdhër. Senatorët:”Ai din se si t’ua marrë mendjen masave. “Cirk dhe bukë, cirk dhe bukë””. Figurë e spikatur në këtë film është edhe Cassius-i i cili ishte moderatori i ndeshjeve të gladiatorëve, dhe i cili, ky vetë Cassius-i, dikur kishte qenë gladiator, pra e dinte se si funksionon loja e gladiatorëve…etj.

Forma e parë e gladiator-llëkut:

Gjatë gjithë ditëve të 15-a të protestës, duke pasur parasysh në përgjithësi të gjithë skenën e politikbërjes shqiptare, isha i bindur në ekzistencën e Cassius-it pavarësisht nëse shfaqej dukshëm apo jo. Mirëpo gjatë gjithë këtyre ditëve Cassius-i kishte dështuar në shndërrimin qoftë dhe të një pjese të protestuesve në gladiatorë që do të sabotonin zemërratën e sinqertë të protestuesve e do e transferonin gjetiu shqetësimin dhe vëmendjen.

Momenti i shfaqes së gladiatorëve të parë…

Gjithçka po shkonte bukur. Derisa në ditën e 15-ë u shfaqën gladiatorët e parë që me “heroizëm” të karakterit “mish për top” morën rrugën drejt aeroportit. Pyetjet që shtrohen janë: Pse? Për çfarë? Cili është objektivi? Çfarë duam të tregojmë dhe të arrijmë? Nuk ka tregues më të fortë të gladiatorllëkut se sa paaftësia për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Mora vesh se Cassius-i i kësaj ndeshje gladiatorësh ishte larguar apo nuk ishte dukur më pasi kishte ndezur ndeshjen e gladiatorëve. Rezultati: Protestës kaq të bukur e të pastër e të drejtë iu cenua thelbësisht besueshmëria… .

Forma e dytë e gladiatorllëkut:

Edhe këtë e prisja si ngjarje pavarësisht protagonistëve… Kjo formë u shfaq me anë të tipit oportunist politik e shprehur përmes një ideje që ka të bëjë me një “parti”…, “lëvizje”…, “organizim”… të zbukuruar me cilësorin: “kombëtar…”. Pavarësisht, qëllimit të protagonistëve, edhe këtë e quajta “gladiatorllëk” për disa arsye: Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin e devijimit të qëllimit të protestës. Arsyeja e dytë ka të bëjë me vënien në dyshim dhe diskutim të besueshmërisë së qëllimit të protagonistëve në lidhje me pjesëmarrjen në protestë që nga fillimi i saj. Arsyeja e tretë ka të bëjë me defekte të rënda metodike dhe teknike në shfaqjen e vetes dhe të idesë.

Kam dëgjuar me vëmendje dhe interes intervistat dhe prononcimet e protagonistëve, djem dhe vajza, të kësaj iniciative dhe kam konstatuar mungesë të vizionit gjë që e vërteton paqartësia e tij sepse një vizion i paqartë është një vizion inekzistent. Siç kam konstatuar probleme serioze në artikulimin e kësaj “kauze”, që nuk është akoma kauzë, gjë që tregon, veç mungesës së vizionit, edhe mungesën e kulturës dhe bagazhit të duhur gjuhësor dhe leksikor përshfaqës së idesë së kësaj “kauze” gjë që vë rëndë në diskutim jo vetëm “idenë” apo “kauzën” por saboton në vetvete, veç protestës, edhe perspektivën e pjekur të kësaj ideje apo kauze që realisht duhet të jetë përbashkuese dhe nuk mund të jetë e tillë nëse nuk është e qartë apo e mirëvizatuar dhe nëse nuk është e mishëruar me garancitë e duhura përbashkuese dhe mirë orientuese dhe faktorizuese të energjive të të gjithë brezit të ri shqiptar të post viteve nëntëdhjetë me të gjithë larmishmërinë e tij. Dhe pamaturia dhe papjekuria në shfaqjen dhe prezantimin e duhur të saj në kohë vend dhe mënyrë e saboton në gjenezë këtë kauzë.Këshilla…Një normë juridike e jurisprudencës islame thotë:”Men ista’xhele eshej’e kable ewanihi uukibe bi hirmanihi”, “Kush ngutet të vjel frytet para kohe ndëshkohet duke e privuar prej tyre”:

Me shumë dashuri, vlerësim dhe respekt,

Sabaudin Jashari

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP