web analytics

Të veçanta

Filozofia apo e vërteta rreth protestës

Nga Romeo Ismahilaj

Protesta përbën një formë të veprimit publik e politik përmes së cilës synohet ndikimi dhe ndërhyrja në vendimmarrje, ndryshimi i gjendjes shoqërore apo përmirësimi i problematikave me të cilat ndeshet shoqëria. Përpara se të jetë kërkesë për ndryshim apo shtrirje e ndikimit deri në instancat institucionale vendimmarrëse, protesta fillimisht shpreh një pozicionim apo qëndrim karshi personave të caktuar, si dhe veprimeve e dukurive shoqërore që shkaktohen prej tyre.

Qysh prej kohëve të lashta janë identifikuar forma të të protestuarit ndaj klasës sunduese për shkak të perceptimit të pabarazisë dhe padrejtësive sociale. Aristoteli e ka quajtur ‘stasis’ revoltën sociale që vjen si pasojë e pakënaqësisë së popullit ndaj udhëheqësve të shtetit. ‘Stasis’ ndryshe nënkupton revoltën ndaj rendit shtetëror që nuk i përmbush në mënyrë të drejtë përgjegjësitë ndaj qytetarëve të tij. Kjo revoltë mund të kërkojë edhe rrëzimin e klasës sunduese për të sjellë një frymë të re udhëheqëse.

Në thelb, protesta është artikulim i një kritike ndaj dukurive sociale dhe politike. Teorikisht, kjo formë e veprimit politik pasqyron qëndrimin e drejtë, përkrahjen e të shtypurve dhe drejtësinë si kauzë popullore. Por, si çdo veprim njerëzor, edhe protestat kanë dimensionin e tyre të errët, si dhe hapësirat për përdorim e abuzim nga persona që marrin arbitrarisht drejtimin e tyre. Përgjithësisht, instrumentalizimi i protestave ndodh kur në to përfshihen politikanë të cilët nuk kanë arritur të përmbushin disa objektiva përmes formave të tjera politike, duke e parë protestën si një ndërveprim më të fuqishëm për shkak të akumulimit të vullnetit të shumë shtetasve.

Përpara se të analizojmë protestën e quajtur “Revolucioni Flamingo” në Shqipëri, duhet të ndalemi për të rikujtuar ndarjen midis protestave politike (që realizohen nga partitë opozitare dhe politikanët e tyre) dhe protestave sociale, të cilat burojnë nga shoqëria civile dhe shprehin vullnetin e qytetarëve që përgjithësisht nuk janë pjesë e partive politike apo e organizatave që angazhohen me organizime të tilla.

Protesta e emërtuar “Revolucioni Flamingo”, e cila është duke u zhvilluar prej rreth dy muajsh, kryesisht në kryeqytet, i përket tipit të protestave sociale. Ajo është iniciuar nga individë dhe grupe shoqërore që politikën nuk e kanë angazhim parësor. Kjo protestë pasoi — dhe në njëfarë mënyre la në hije — protestat opozitare të ashtuquajtura “Foltore”, përmasat dhe ndikimi i të cilave kishin arritur nivele thjesht simbolike.

Pikënisja e kësaj proteste, sa i përket mobilizimit të njerëzve dhe idesë së një organizimi të mirëfilltë, ishte ngjarja që prodhoi protesta e banorëve të Zvërnecit kundër zaptimit të territorit publik nga një subjekt privat që planifikonte të kryente punime në zonë. Pamjet e transmetuara në televizion dhe në rrjetet sociale dëshmuan një situatë indinjuese: banorë që nuk pajtoheshin me atë çka po ndodhte në territorin e fshatit të tyre u tërhoqën zvarrë nga punonjësit e sigurisë private, të kontraktuar nga kompania që kishte rrethuar zonën publike. Nga ana tjetër, protestuesit dhe publiku ishin dëshmitarë të një ngjarjeje të shëmtuar teksa para syve tanë u shfaq neutraliteti i punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj dhunës së hapur e arrogante që ushtruan punonjësit e sigurimit privat ndaj qytetarëve. Për shumëkënd, ato pamje pasqyruan triumfin e pushtetit të oligarkëve mbi pushtetin e shtetit, i cili duhet të shprehë vullnetin e të gjithë shoqërisë. Ajo ngjarje,  si dhe një numër i madh padrejtësish e dukurish që qarkullojnë si gjaku në damarët e shoqërisë sonë, ndikuan në organizimin dhe masivizimin e protestës.

Protesta është gjithmonë e ligjshme, e drejtë dhe, nga të gjitha veprimet politike, përbën më së paku shkak për kritikë. Por duhet pasur parasysh një gjë shumë e rëndësishme: protestat kanë ndikim dhe munden të përmbushin qëllimet e tyre më së shumti në shtete dhe shoqëri të konsoliduara, ku institucionet funksionojnë me efikasitet dhe janë mjete për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve. Sa më i drejtë dhe funksional të jetë shteti, aq më e madhe është hapësira për organizimin e protestave dhe aq më e lehtë është mundësia për të zgjidhur problemet që hasen. Nga ana tjetër, sa më pak i drejtë të jetë shteti dhe sa më pak të funksionojë në interes të publikut, aq më e vështirë është të organizohen protesta të lira e të përmbushen kërkesat e tyre.

Nëse marrim rastin e shtetit shqiptar, funksionimin e institucioneve të tij dhe standardet e  trajtimit të të drejtave të njeriut — duke u bazuar edhe në tregues të studimeve, statistikave apo perceptimit publik — kemi të bëjmë me një strukturë institucionesh të pakonsoliduara. Të drejtat e njerëzve, dinjiteti njerëzor dhe parimet themelore të jetës, për më shumë se tri dekada demokraci, nuk kanë qenë qëllime themelore as të politikanëve dhe as të institucioneve. Pikërisht kjo gjendje anomie institucionale, si dhe fryma e përgjithshme e kulturës ndaj  publikes (që priret ta konsiderojë çdo gjë publike si të huaj, armiqësore dhe subjekt të nëpërkëmbjes), përbëjnë argumentet bazë për ta cilësuar protestën si një mjet të pamjaftueshëm për ndryshime politike.

Shteti shqiptar është funksional në aspektin e institucioneve formale dhe raporteve diplomatike që konfigurojnë pozitën e tij gjeopolitike. Sidoqoftë, problemet që hasin institucionet e shumta dhe qasja abuzive ndaj tyre janë evidente, duke përbërë çdo ditë temë diskutimi në komunikimin publik mes qytetarëve. Të protestosh për këtë mori të stërgjatë problemesh sociale që prodhojnë vështirësi të mëdha jetese për shumë njerëz, së pari dëshmon praninë e humanizmit dhe solidaritetit ndaj të shtypurve; së dyti, tregon një akt politik që përpiqet të iniciojë zgjidhjen e halleve të mëdha ekonomike, shëndetësore dhe të çdo dimenisini tjetër të jetës.

Megjithatë, duke pasur parasysh ndërlikueshmërinë e funksionimit të të gjithë elementëve të jetës në vendin tonë, protesta mbetet e pamjaftueshme si veprim politik. Madje, nëse organizimi, drejtuesit dhe mbështetësit e saj përfshihen në mënyrë kaotike, pa rend dhe pa një strategji të qartë se çfarë synojnë të ndryshojnë e se si mund ta realizojnë këtë ndryshim, ajo e ka shumë të vështirë të ushtrojë ndikim konkret.

Për sa kohë jemi pjesë e kësaj shoqërie, ne ndajmë me të të mirat, sfidat, arritjet dhe problemet. Për shkak se përballemi çdo ditë me këto sfida sociale, kulturore e institucionale, më shumë se kushdo tjetër që e vëzhgon situatën nga jashtë, e kuptojmë se e keqja nuk na vjen vetëm nga politika. Padrejtësia politike është produkti përfundimtar i një forme të korruptimit të vlerave morale në të gjitha hallkat e shoqërisë. Kjo kulturë, që në përditshmëri priret t’i orientojë shtetasit drejt përfitimit të paligjshëm të të drejtave apo të të mirave që nuk u takojnë, nuk mund të ndryshojë thjesht duke përmbushur kërkesat e një proteste — për aq kohë sa potenciali më i madh i saj mbetet vetëm mobilizimi social i shtyrë nga ngarkesa psiko-sociale e banorëve.

Rezultati më i lartë që mund të arrijë një protestë e tillë është frymëzimi për lindjen e një lëvizjeje të re politike: me ide të qarta, stoike ndaj tundimeve komprometuese dhe e aftë për të përfshirë të gjithë shoqërinë në vizionin e vet politik.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP