web analytics

Të veçanta

Aktivizmi politik dhe sistemi politik- Nga Armand Dedej

Aktivizmi politik dhe sistemi politik

Ndoshta ka ardhur koha të bëjmë një hap pas, të mendojmë dhe themi gjënë e duhur.

S. Žižek                                                 

Ndonjëherë kemi nevojë të trajtojmë dhe ritrajtojmë ato çështje, të cilat në pamje të parë duken si më të thjeshtat, të qartat dhe të vetëkuptueshmet. Rezulton të jenë pikërisht këto të fundit, ato që nuk kemi kuptuar. Ndonëse kjo nuk është një thirrje për intelektualizim të “debatit publik”, nuk është gjithashtu as një thirrje për banalizimin e tij. Nëse ka diçka që e kemi me shumicë, ky është pikërisht banaliteti. Por kjo nuk vlen vetëm për një vend të “botës së tretë” dhe “në zhvillim” si i yni! Nuk duhet harruar se ka arsye strukturore për këtë, duke qenë se jetojmë tashmë prej kohësh universalisht dhe globalisht në “shoqërinë e spektaklit”. “Prodhimi kapitalist e ka unifikuar hapsirën, që nuk kufizohet më nga shoqëritë e jashtme. Ky unifikim është në të njëjtën kohë një proces ekstensiv dhe intensiv i banalizimit.”[1] Kështu, na duhet të arsyetojmë, analizojmë dhe hulumtojmë në kushtet e pashmangëshme të këtij lloj “banaliteti”. Ndodhemi, pra, ndërmjet “filozofisë” dhe “çështjeve të ditës”, në kërkim të “mesit të artë” ndërmjet tyre.

Ne shqiptarët e kemi kritikuar shumë veten për mungesë reagimi politik, mungesë “pjesëmarrjeje”, për faktin se nuk protestojmë etj. Protesta permanente për çështjen e Zvërnecit e zgjidhi përfundimisht këtë problem. Mirëpo duke u bërë pikërisht “permanente”, ajo prodhoi një problem tjetër: zhvlerësoi vetë aktivizmin politikë aq shumë të munguar dhe kërkuar! Në njëfarë mënyre unë i kam paraprirë tashmë kësaj, teksa duke iu referuar Žižekut, do të sugjeroja se lufta militantiste pa kriter kundër sistemit rezulton t’i shërbejë vetë këtij të fundit. Ajo bëhet pjesë e sistemit. Integrohet prej tij në formën e opozitarizmit për të cilin vetë sistemi ka nevojë në mënyrë që të vazhdojë të ekzistojë – të ekzistojë si një sistem pikërisht “demokratik”. Kështu, duke mos preferuar të citoj veten, po vë në dukje se një gjë e tillë është shprehur në librin tim, “Interpretime filozofike dhe politike”.[2]

Lidhur me sa më sipër, unë rikthej në vëmendje pretendimin e Žižekut, se e famshmja tezë nr. 11 e Marxit, tek “Teza mbi Fojerbahun”, duhet përmbysur.[3] Tek kjo tezë Marxi thotë se bota duhet ndryshuar dhe jo interpretuar, ndërkohë neve duhet të bëjmë të kundërtën: duhet të rikthehemi tek “intepretimi”. Duhet të synojmë të njohim më mirë “botën”, që pretendojmë të “ndryshojmë”. E thënë në mënyrë më prozaike, duhet të njohim realitetin social-politik, në të cilin jo vetëm do të na duhet të veprojmë, por edhe jetojmë dhe ekzistojmë në përgjithësi. Žižeku është i mendimit, që ngjarjet e shekullit të XX si bolshevizmi dhe fashizmi tregojnë, se ndoshta e kemi “ndryshuar” botën më tepër se ç’duhet dhe se tani ka ardhur momenti të bëjmë një hap pas. Pra, do të na duhet të tregohemi modestë dhe t’i zëvendësojmë “strategët” me “filozofët”. E përkthyer në kontekstin tonë shqiptar, kjo do të thotë se do të na duhet t’i zëvendësojmë “liderët historikë” me “intelektualët”.

Kështu, çështja e thjeshtë dhe e vetëkuptueshme, që do të na duhet të vëmë në dukje, është se pavarësisht të gjithave ne jetojmë në një sistem të demokracisë përfaqësuese. Aktivizmi i tepruar politik i protestave dhe shesheve priret të na bëjë ta harrojmë këtë. Ky është një fakt objektiv i realitetit modern social-politik të komb-shtetit, në kuadrin e të cilit kemi të bëjmë me demokraci përfaqësuese dhe jo demokraci të drejtpërdrejtë. Nëse neve gjendemi aktualisht në një krizë politike përfaqësimi, kjo nuk do të thotë se ajo që duhet kundërshtuar është vetë sistemi i demokracisë përfaqësuese. Sado të mos na pëlqejë kjo e fundit, jemi gjithsesi të detyruar t’i nënshtrohemi asaj si një realitet i vrazhdë objektiv, përballë të cilit davaritet çdo ëndërr populiste për “revolucion”. Madje, ai që mbetet i pa qartë dhe misterioz është “revolucioni”, jo “demokracia përfaqësuese”! Kjo e fundit është tepër e qartë!

Kushtet objektive të realitetit të demokracisë përfaqësuese i ka bërë tashmë të qarta, qysh në shekullin e XIX, Benjamin Constanti, teksa do të evidentonte dallimin ndërmjet demokracisë së drejtëpërdrejtë të antikitetit me demokracinë përfaqësuese të epokës moderne. Sipas tij, tre janë arsyet kryesore pse demokracia moderne e komb-shteteve është detyrimisht përfaqësuse: 1) me zgjerimin e një vendi zvogëlohet në mënyrë proporcionale rëndësia politike e individit; 2) heqja e skllavërisë e ka privuar popullësisë e qytetarëve nga koha e lirë që nevojitet për t’u marrë me politikë; 3) tregëtia e lirë i mban njerëzit gjatë gjithë kohës të angazhuar pa pasur kohë të merren me veprimtari politike.[4] Këto, pra, janë pak a shumë arsyet kryesore pse “populli” nuk mund “ta marrë vetë në dorë fatin e vet” dhe pse ai ia delegon “fatin” e tij një grupi të caktuar personash që i quajmë “politikanë”, të cilët janë të organizuar nëpër parti dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tyre politike përfaqësuese nëpër parlamente. I tillë, pra, është konteksti historiko-politik praktik, në të cilin do të na duhet të “ndryshojmë” teorikisht “botën”. Çështja është se pothuajse e gjitha “bota” jeton pikërisht në këtë “kontekst”!

                                                                                                    26-27 Shtator 2026


[1] Debord G., “Shoqëria e spektaklit”, Giad Margot, Tiranë, 2009, f. 105

[2] Dedej A., “Interpretime filozofike dhe politike”, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2023, f. 32-33

[3] Dedej A., vep. cit., f. 34

[4] Constant B., “La libertà degli antichi paragonata e quella dei moderni”, Corriere Della Sera, Milano, 2010, f. 24-25

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP