web analytics

Të veçanta

Narrativa e Edi Ramës

Nga Kevi Muçllari

Që narrativa e Ramës të jetë e vërtetë, minimalisht, duhet që të gjithë të tjerët të jenë budallenj. Ose të paktën, të besojnë se e vërteta buron vetëm prej tij. Ndonëse faktet dëshmojnë për shpartallim të shtetit dhe përhapje kapilare të korrupsionit (madje në nivelet më të larta drejtuese), ai sërish orvatet të shpikë teori interpretative. Realiteti i Edi Ramës, nuk është objektiv, ai është detyrimisht fluent. Ai krijohet dhe rikrijohet sipas tekave të tij, gjë që i jep atij veton e interpretimit. Faktet lemeritëse (ndonëse produkt i korrupsionit të njerëzve të tij) nuk mund të lexohen si të dhëna në vetvete. Ato përfaqësojnë disa pengesa, ama në tërësi, ato nuk mund të pengojnë rrugëtimin historik për drejtësi. Pa Edi Ramën ky rrugëtim do ishte i pamundur. Pa të, historia do kishte një trajektore krejt tjetër, sigurisht shumë të zezë. Kundërshtarët e tij janë përfaqësuesit prominentë të kësaj faqe të zezë historike, e cila është lënë pas. Mirëpo, tanimë, nuk ka kthim pas. Historia shqiptare po hapëron drejt fundit të saj, kuptohet me ndihmën e Edi Ramës.

Drejtësia dhe Europa përbëjnë kriteret themelore të suksesit, të cilat tashmë, po përmbushen suksesshëm nga Edi Rama. Në këtë rrugë, ka edhe plangprishës (siç është rasti me bashkëpunëtorët e tij), ama në përgjithësi, Shqipëria ka arritur suksese të papara. Fundi i pandëshkueshmërisë është produkt i Edi Ramës dhe qeverisë së tij, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, mund të mendohet vetëm me Edi Ramën. Demaskimi i korrupsionit (plasja e ujërave), në vetvete, nuk është tregues i korrupsionit galopant të qeverisë, përkundrazi, sipas logjikës Ramiste, kjo tregon gatishëmërinë e qeverisë për ta luftuar atë. Korrupsioni ka qenë gjithmonë aty, por vetëm kjo qeveri ka pasur guximin ta kundërshtojë. Vizioni i Edi Ramës është lufta ndaj korrupsionit, jo për ta ulur, por për ta bërë të ditur. Me pak fjalë, era e pusetave të ndihet kudo. Edi Rama ka mundësuar shpërhapjen e erës, madje e ka intensifikuar. Kësisoj, sipas vizionit të Edi Ramës, bazuar te urtësia “që të pastrohet, duhet të turbullohet”, nevojitet një qelbje totale, me qëllim që të pastrohemi sa më mirë.

Edi Rama e di qe e ka qelbur fare, dhe që është thellësisht përgjegjës për këtë situatë, andaj, orvatet që të shpikë narrativa absurde. Në politikë, e sidomos në qeverisje, përgjegjësia nuk mund të jetë individuale. Ajo është detyrimisht kolektive (e përbashkët), sepse e tillë është politika. Politika ushtrohet nga njerëz dhe grupe, me ide dhe bindje të njëjta, të cilët vendosin që të konkurrojnë në sferën publike përmes një projekti. Kur shumica e bashkëpunëtorëve korruptohen dhe shpërdorojnë besimin e dhënë, minimalisht, projekti është cënuar. Minimalisht, besimi është shkatërruar. “Besimi që më është dhënë mua dhe qeverisë sime” ishte refren i vazhdueshëm i kryeministrit. Mirëpo, në vend se të nënkuptonte shkatërrimin e besimit, ai implikon një argument dogmatik. Unë dhe qeveria ime, jemi më shumë sesa pjesët përbërëse të saj. Legjitimiteti ynë buron nga logjika e historisë, jo nga dëshirat dhe vullneti i njerëzve. Argument thellësisht paradoksal, por, sidoqoftë, i vlefshëm për logjikën historiciste, rrafshuese. Nga njëra anë, flet për besimin ndaj tij dhe qeverisë së tij, ndërsa, nga ana tjetër, mohon me arrogancë korrelacionin e korrupsionit me besimin. Besimin e kërkon nga njerëzit, ama, kur cënohet, i faturon abstraksion. Na mjafton historia si shpërblyese. Logjika historike (të cilës Rama i referohet vazhdimisht) e mbrun me nocione mesianike. Pa Edin dhe Partinë Socialiste, nuk ka as Europë dhe as pandëshkueshmëri. Këto të dyja, rrafshojnë gjithçka. Çdo gjë është në shërbim të tyre. Jo më kot, kryeministri i përmend gjithmonë, sidomos në raste skandalesh. Logjika historikë është zot (shif Mendje e Robëruar, nga Ceszlav Milosz), dhe siç dihet, Zoti dërgon profetë, të cilët përmbushin misione të caktuara. Edi Rama duket se e sheh veten si mëkëmbës të Zotit, përsa kohë që është i gatshëm të justifikojë (në mos të sakrifikojë) çdo gjë, madje edhe bashkëpunëtorët e tij. Ata janë kolaterali i domosdoshëm në përmbushjen e vizionit të tij. Një vizion që i faturon vetes vlefshmëri absolutiste, nuk mund të pengohet nga vogëlsira (skandalet e padëgjuara, sipas kësaj logjike, janë gjëra minore).


Edi Rama duket se është shndërruar në arketipin e përshkruar nga Hannah Arendt. Ai flet në një formë ekskluzive, me klishe. Vetëm ajo që ai mendon dhe përfytyron është e vërtetë dhe e vlefshme, çdo gjë tjetër është në kundërkohë, është një pykë në progresionin historik. Bash për këtë arsye ai është një lider totalitar. Dhe si të gjithë liderët me mendësi totalitare, ai është i bindur se po bën gjënë e duhur. Ai po flet me gjuhën e historisë, ose ndryshe thënë, ai po flet me gjuhën e Zotit. Në një shënim të vetin, Hegeli thotë se “Në tavolinën time, po shkruaj mendimet e Zotit”, ndërsa Edi Rama, po na thotë se, unë po lexoj vullnetin e shqiptarëve dhe po shkruaj aspiratën e tyre. Unë jam zoti i shqiptarëve.

Një ndër arsyet themelore se pse Kurani dhe Suneti janë të vetmet burime autoritave në Islam (në gjykimin tonë), është zhveshja e njeriut nga deliri i gjithëpushteshmërisë. E drejta e tij për të pretenduar të vërtetën absolute. Ai që pretendon diçka të tillë, përligj shumëçka tjetër. Atij i lind e drejta të përkufizojë të vërtetën, madje, të përcaktojë idealin e një jete të mirë. E mira dhe e keqja, nuk janë më të vërteta objektive, përkundrazi, ato përthyhen sipas skemave të autoritetit. Ato humbasin parametrat themelore, duke u shndërruar në elemente demagogjike. Njerëzit nuk e kanë më të qartë referencën e së mirës dhe së keqes, kështu që, kundërshtia e tyre është thuajse e pamundur. Bash për këtë arsye (në gjykimin tonë), urrejtja me zemër përbën nivelin më të ulët të besimit. Njerëzit humbasin standartin, dhe kësisoj, zemra e tyre pështjellohet. Prej këtej, edhe ndjeshmëria karshi së keqes thuajse bëhet inekzistente. Skandalet lemeritëse, janë një provë për këtë.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP