web analytics

Të veçanta

Revolucioni Flamingo- Nga Rigers Balliu

Në fund të qershorit protestat që nisën në Shqipëri, të njohura si “Revolucioni Flamingo”, kishin frymëzuar dhe nixtur protesta në Italinë dhe Greqinë fqinje. Fillimi i korrikut u pasua me të njëjtën revoltë popullore në Francë dhe Angli, ndërsa fundi i korrikut gjeti në rrugë popullin gjerman. Askush nuk mendonte se “Revolucioni Flamingo” kundër oligarkisë, mafjas, dhe shtetit si aparat i kopsitur i një sistemi ekonomiko-politik i cili e ka shndërruar politikën moderne në realizim të interesave privatë përmes administrimit shtetëror, do të frymëzonte popujt europianë për një revoltë të tillë kontinentale. Shqipëria e dikurshme si rrugë kalimi e Europës drejt lindjes dhe anasjelltas, ishte kthyer tashmë në rrugë kalimin e një të ardhmje të re drejt Europës.

Kronikani i Lumturisë

I

Vizioni i protestës është i qartë, gjithmonë nëse nuk i kërkojmë asaj të kompensojë paaftësinë vizionare të mendimit, paaftësinë tonë 35-vjeçare të ndryshimit të gjendjes politike, paaftësi e cila tashmë kërkon ta gjej vizionin e saj tek një protest që sot është në ditën e saj të 18. Ne kemi nevojë të mësojme gjithashtu edhe të bërit politikë edhe të menduarin, por në këtë moment vetë eventi i protestës na thërret drejt politikës. Protestës nuk mund t’i kërkohet vizioni i pritur prej mendimit, në kuptimin modern të politikës, mbase dhe me pak sforco protesta paraqet në nivelin më bruto kuptimin klasik të politikes, praxis dhe lexis, veprim dhe fjalë. “Nga të gjitha veprimtaritë e nevojshme dhe të pranishme në bashkësinë njerëzore, vetëm dy janë konsideruar si politike dhe kanë përbërë atë që Aristoteli e quante bios politikos domethënë të vepruarit (praxis) dhe të folurit (lexis), prej të cilave lind sfera e punëve njerëzore (ta ton anthropon pragmata, siç e quante Platoni) dhe nga e cila përjashtohen prerë gjithçka thjesht e nevojshme ose e dobishme.”[1] Vizioni i protestës është bulevardi dhe rruget e mbushura të Tiranës, fjalët dhe parullat qe mbushin rrugët bashkë me qytetarët. Revolucion! Shqipëri e Re! Rama jepe dorëheqjen! Rama n’burg, Berisha n’burg! Parullat dhe fjalët e një proteste nuk mund ti përgjigjen urtësisë së mendimit. “Mendimi vinte pas të folurit, kurse të folurit dhe të vepruarit ishin bashkëmoshatarë dhe të barabartë, të të njëjtit rang e lloj.”[2] Mendimi mësohet në pleqëri prej goditjeve tragjike të jetës, të cilave së pari iu përgjigjemi me fjalë të mëdha (megaloi logoi), na tregon Sofokliu me vargjet e fundit të Antigonës. “Dhe fjalët e mëdha të mendjemëdhenjëve/ sjellin goditje të rënda mbi ta/ të goditur nga fatkeqësia/ tepër vonë, në pleqëri njeriu mëson urtësinë”[3] Prandaj mos i kërkoni vrullit rinor të veprimit (praxisit) dhe fjalës (lexis) të plaken para kohe! Kështu që, para se të mbërrijmë në përfundime të shpejta për protestën, duhet të bëjmë një ndarje mes protestës si veprim politik dhe mendimit si produkt i aktivitetit soditës. Mendimi ka prirjen ta reduktojë shumësinë e njerëzve në një të vërtetë të vetme, në një vizion të vetëm, nga njerëzit tek Njeriu. Por ky vizion i vetëm që i kërkohet një shumësie është yshtja për absolutizim të subjektit mendues, është dëshira për ta vënë veten në pozitat e hyjnores. Kriza mes protestës dhe mendimit nuk lind ngaqë ky i fundit është problem, por kur mendimi pretendon të zëvendësojë hapësirën publike të protestës me të vërtetën e tij. Pikërisht kjo më mbajti për aq ditë të stepur për të zënë kolltukun dhe për të shkruar për protestën përballë televizorit.

II

Protesta nuk është ngjarja që fton të flasë contemplimin e filozofit. Filozofi është në konflikt me askhole-n (i paqetë) e protestës, ndërsa ajo është shprehja vepruese më përfaqësuese e askhole-s së sferës publike, por në dallim me tendencën hegjemone të kuptimit që mendimi kërkon, protesta nuk e mohon skhole-n, (i qetë)[4] por ja heq asaj privilegjin për të qenë forma e vetme legjitime e raportit me botën. Protesta është shfaqja më bruto e angazhimit politik në modernitet, kërkon zëshëm, pezullimin e delegimit të angazhimit politik nga parlamenti në shesh, tek shumëzëshmëria e saj protestuese. Arendt tek Gjendja Njerëzore propozon përvijimin e tri veprimtarive njerëzore me termin Vita Activa: punën fizike që i përgjigjet vetë jetës biologjike: të punuarit e cila është botësorja e gjendjes njerëzore: të vepruarit që i korrespondon gjendjes njerëzore të shumësisë, e cila është kushti i veçanësishëm i të gjithë jetës politike.[5] Me gjithë shlyrjet e dallimeve të tri veprimtarive të vita activa-s nga protesta, me thirrjet për jetë më të mirë, botë më të mirë, ajo çka është shenja dalluese e saj është se këto thirrje rivendikojnë të vepruarit (praxis-in) dhe fjalën (lexis-in) në bulevardin publik. Në këtë kuptim protesta që flet për nevojshmërinë kërkon të bëhet politike përmes të vepruarit dhe fjalës.

“Asnjë jetë njerëzore, madje as jeta e heremitit në mes të natyrës së virgjër nuk është e mundur pa një botë që drejtëpërdrejt ose tërthorazi dëshmon për praninë e qenieve të tjera njerëzore.”[6] Mbi këtë fakt të shumësisë së gjendjes njerëzore ndahet bios politikos dhe bios theoretikos, të cilat tradita perëndimore i vendosi në raport hierarkik, me pandehmën se i njëjti shqetësim njerëzor qendror mbisundon në të gjitha veprimtaritë e njerëzve, kjo pandehmë nuk është e padiskutueshme, shqetësimi që është në themel të bios politkos nuk është i njëjtë me shqetësimin qendror të bios theoretikos por as superior, as inferior ndaj tij. Kështu po e lejoj veten të them se protesta nuk vë në krizë vetëm qeverinë, ajo vë në krizë edhe përfytyrimin e filozofit për “Republikën e Njeriut”; ajo nuk ka thelbësi, por ngjan me vrull, shpall emergjencën, e cila vë kundër vetes shtetin si gjendje e stabilizuar dhe filozofin, të cilit i duhet liria nga nevojshmëritë për të contempluar. Sepse, teksa ky i fundit mendon Njeriun, protesta u jep zë njerëzve.

III

Aristoteli dallonte tre mënyra jete (bioi) që kishin të përbashkët angazhimin me të bukurën, pra jo të domosdoshmen: jeta në të cilën e bukura konsumohet siç është e dhënë: jeta që u kushtohet çështjeve të polis-it: dhe jeta e filozofit që i kushtohet soditjes së gjërave të përjetshme, bukuria e të cilave as mund të krijohet përmes prodhimit njerëzor as mund të ndryshohet përmes konsumimit prej tij.[7] Në këtë kuptim, protesta duket se e zhvendos figurën e Flamingos, i cili u bë simbol i saj javëve të fundit, përmes të tre këtyre mënyrave të jetesës, të cilat kanë të përbashkët orientimin ndaj së bukurës si diçka jo të reduktueshme në domosdoshmëri, duke na e shfaqur atë si të njëjtin objekt të artikuluar në tre regjistra të ndryshëm. Së pari, ai shfaqet si e bukura e dhënë që konsumohet: imazhi fizik, vizual dhe i menjëhershëm i një realiteti natyror të Shqipërisë dhe një shenjë që përmes protestës po qarkullon në nivel perceptiv në hapësirën publike. Së dyti, ai bëhet objekt i jetës politike (bios politikos), flamingoja si imazh i qytetarëve që e zhvendosin politikën nga privatizimi oligarkik i shtetit drejt bulevardit, duke rivendosur hapsirën publike si vend të veprimit dhe fjalës. Së treti, Flamingoja mund të lexohet si objekt soditjeje: jo vetëm si shenjë e konsumueshme e të dhënës natyrore, apo e prodhuar politikisht, por si ide e një bukurie të pa ndryshueshme si nga konsumi ashtu edhe e pa krijueshme nga ndërhyrja prodhuese e njeriut, duke e mbajtur figurën e tij në një marrëdhënie jo-hierarkike dhe të dallueshme midis të dhënës natyrore, përdorimit politik dhe soditjes filozofike.

Më 18, i Revolucionit Flamingo, viti 1.


[1] Arendt. H, Gjendja njerëzore, Dita2000, f.50

[2] Po aty, f.51

[3] Sophocles, Antigone, Oxford University Press, First edition, 1906, Impression of 1924, Translated by Robert Whitelaw.

[4] Fjala greke skhole, sikurse fjala latine otium, kanw kuptimin sw pari liri nga veprimtaria politike dhe jo thjeshtw tw kohws sw lirw, megjithwse tw dyja fjalwt pwrdoren edhe pwr tw treguar lirinw nga puna fizike dhe nga nevojat jetike. Sidoqoftw, ato tregojnw gjithmonw njw gjendje lirie nga shqetwsimet dhe pwrkujdesjet.

[5] Arendt. H, Gjendja njerëzore, Dita2000, ff. 30-31

[6] Po aty, f. 47

[7] Po aty, ff. 36-37

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP