Stili Paranoid në Politikën Amerikane
Richard Hofstatder
Përktheu Kevi Muçllari
Politika amerikane ka qenë shpesh një teatër i mendjeve të frustruara. Vitet e fundit – të tilla mendje – i kemi parë të veprojnë kryesisht midis të djathtëve ekstremë, të cilët me lëvizjen Goldwater, kanë demonstruar se sa shumë ndikim politik mund të derivohet nga armiqësitë dhe pasionet e një minorance të vogël. Por përtej kësaj, unë besoj se ekziston një stil mendimi që është larg të qenit i ri dhe që nuk i përket domosdoshmërisht të djathtës. Këtë stil unë e quaj paranoid, bash sepse asnjë fjalë tjetër nuk evokon në mënyrë adekuate sensin e ekzagjerimit eksesiv, dyshimit dhe fantazisë konspirative që kam në mendje. Duke përdorur shprehjen “stil paranoid”, nuk kam për qëllim kuptimin klinik, por po huazoj një term klinik për qëllime të tjera. Nuk kam as kompetencën dhe as dëshirën për të klasifikuar ndonjë figurë të së shkuarës apo të së tashmes si të çmendur. Në fakt, ideja e stilit paranoid si një forcë politike, nuk do të kishte as ndonjë rëndësi aktuale as ndonjë vlerë historike, nëse do të aplikohej vetëm ndaj njerëzve me mendje thellësisht të trazuara. Është pikërisht përdorimi i mënyrave paranoide të shprehjes, nga njerëz pak a shumë normalë, ajo që e bën këtë fenomen domethënës.
Sigurisht, ky term është pezhorativ, dhe kështu duhet të jetë; stili paranoid është i prirur më së tepërmi për kauza të këqija sesa për të mira. Megjithatë, asgjë nuk e pengon një program ose kërkesë legjitime të mbrohet përmes stilit paranoid. Ky stil ka të bëjë më shumë me mënyrën se si besohen idetë, sesa me të vërtetën ose falsitetin e përmbajtjes së tyre. Kësisoj, mua më intereson të kuptoj psikologjinë tonë politike përmes retorikës sonë politike. Stili paranoid është një fenomen i vjetër dhe i përsëritur në jetën tonë publike, i cili shpesh është asociuar me lëvizje të karakterizuara nga një pakënaqësi e dyshimtë.
Ja ku është Senatori McCarthy, duke folur në qershor të vitit 1951 rreth situatës së vështirë të Shteteve të Bashkuara: “Si mund ta shpjegojmë situatën tonë aktuale nëse nuk besojmë se funksionarë të lartë në këtë qeveri po bashkëpunojnë për të na çuar në katastrofë? Ky duhet të jetë produkt i një konspiracioni të madh, në një shkallë aq të gjerë, saqë çdo sipërmarrje e mëparshme e këtij lloji në historinë e njerëzimit, do të duket si diçka minore. Një komplot i turpshëm, aq i zi, saqë, nëse zbulohet, përgjegjësit e tij do të meritojnë përgjithmonë mallkimet e të gjithë njerëzve të ndershëm… Çfarë mund të bëhet me këtë seri të pandërprerë vendimesh dhe aktesh që kontribuojnë në strategjinë e disfatës? Ato nuk mund t’i atribuohen paaftësisë… Ligjet e probabilitetit do të diktonin që një pjesë e vendimeve do t’i shërbenin interesit të vendit.”
Tani, le të kthehemi pesëdhjetë vjet prapa, te një manifest i nënshkruar në vitin 1895 nga një numër udhëheqësish të partisë populiste: “Qysh nga viti 1865-66, është organizuar një konspiracion midis spekulatorëve të arit të Evropës dhe Amerikës… Për gati tridhjetë vjet, këta komplotistë i kanë shpërqëndruar njerëzit, duke bërë që ata të grinden për çështje jo të rëndësishme, ndërkohë që ata ndiqnin me zell të paepur qëllimin e tyre qendror… Çdo stratagjemë tradhtie, çdo burim i artit të qeverisjes dhe çdo artificë e njohur në qarqet sekrete të karteleve ndërkombëtare të arit, po përdoren për t’i dhënë një goditje prosperitetit të popullit dhe pavarësisë financiare dhe tregtare të vendit.”
Më pas, në Teksas, në një artikull gazete të vitit 1855 shkruhej: “Është një fakt i mirënjohur që monarkët e Evropës dhe Papa i Romës, pikërisht në këtë moment, janë duke komplotuar për shkatërrimin tonë dhe po kërcënojnë me zhdukjen e institucioneve tona politike, civile dhe fetare. Ne kemi të gjitha arsyet për të besuar se korrupsioni ka insinuuar në Dhomën Ekzekutive dhe se kreu i Ekzekutivit është i ndotur me helmin ngjitës të katolicizmit… Kohët e fundit, Papa ka dërguar ambasadorin e shtetit në një mision sekret në vendin tonë, rezultati i të cilit është një guxim i jashtëzakonshëm i kishës katolike në të gjithë Shtetet e Bashkuara… Këta shërbëtorë të Papës po i fyejnë haptazi senatorët tanë; po i qortojnë burrat tanë të shtetit; po propagandojnë bashkimin adulterik të Kishës dhe Shtetit; po abuzojnë me shpifje të ndyra kundrejt të gjitha qeverive përveç atyre katolike dhe po vjellin vrer kundër të gjithë protestantizmit. Katolikët në Shtetet e Bashkuara marrin nga jashtë më shumë se 200,000 dollarë në vit për përhapjen e besimit të tyre. Shtojini kësaj edhe të ardhurat e mëdha të mbledhura këtu…”
Këto citate përkufizojnë karakterin themelor të stilit paranoid. Në historinë e Shteteve të Bashkuara, ai gjendet, për shembull, në lëvizjen anti-masonike, lëvizjen nativiste dhe anti-katolike, te disa zëdhënës të abolicionizmit që i konsideronin Shtetet e Bashkuara nën kontrollin e një komploti skllavopronarësh, te shumë paralajmërues ndaj mormonëve, te disa shkrimtarë dhe populistë të lëvizjes Greenback të cilët kanë hipotetizuar një komplot gjigand të bankierëve ndërkombëtarë, te ekspozimi i një komploti të prodhuesve të municioneve të Luftës së Parë Botërore, në shtypin popullor të krahut të majtë, në të djathtën bashkëkohore amerikane dhe në të dyja anët e polemikave racore, midis Këshillave të Qytetarëve të Bardhë dhe Myslimanëve të Zinj. Unë nuk propozoj gjurmimin e variacioneve të stilit paranoid që mund të gjenden në këto lëvizje, por do të kufizohem në disa episode kryesore në historinë tonë të kaluar, tek të cilat stili paranoid është shfaqur si arketip dhe plot shkëlqim.
Iluminizmi dhe Masoneria
Po e nis me një episod veçanërisht demonstrativ – paniku që shpërtheu në disa qarqe në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë si pasojë e aktiviteteve të supozuara subversive të Iluminatit bavarez. Kjo klimë paniku bënte pjesë në reaksionin e përgjithshëm ndaj Revolucionit Francez. Në Shtetet e Bashkuara, kjo klimë u amplifikua nga reagimi i disa njerëzve, kryesisht në Anglinë e Re dhe midis klerit tradicional, kundrejt ngritjes së demokracisë xhefersoniane. Iluminati ishte themeluar në vitin 1776 nga Adam Weishaupt, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Ingolstadtit. Sot, mësimet e tij, duket se nuk janë gjë tjetër veçse një version i racionalizmit Iluminist, i spërkatur me atmosferën antiklerikale të Bavarisë së shekullit të tetëmbëdhjetë. Ajo ishte një lëvizje disi naive dhe utopike, e cila në instancë të fundit, aspironte transpozimin e racës njerëzore nën rregullat e arsyes. Racionalizmi i tij humanitar duket se ka fituar një ndikim mjaft të gjerë në lozhat masonike.
Amerikanët u njohën për herë të parë me Iluminizmin në vitin 1797, nga një vëllim i botuar në Edinburg (më vonë i ribotuar në Nju Jork) me titullin “Provat e një Konspiracioni Kundër të Gjitha Feve dhe Qeverive të Evropës, i Ushtruar në Takimet Sekrete të Masonëve të Lirë, Iluminatëve dhe Shoqërive të Leximit.” Autori i saj ishte një shkencëtar i njohur skocez, John Robison, i cili kishte qenë një mbështetës relativisht sporadik i Masonerisë në Britani, por imagjinata e të cilit ishte ndezur nga ajo që ai e konsideronte, shumë më pak të pafajshme… lëvizja masonike në Kontinent. Duket se Robison është përqëndruar te faktualiteti i punës së tij, por kur iu desh të vlerësonte karakterin moral dhe ndikimin politik të Iluminizmit, ai bëri kërcimin karakteristik paranoid duke shkuar drejt fantazisë. Asociacioni, mendonte ai, ishte themeluar “me qëllimin e qartë të çrrënjosjes së të gjitha institucioneve fetare dhe të përmbysjes së të gjitha qeverive ekzistuese në Evropë”. Ai ishte bërë “një projekt i madh dhe i lig që fermentohej dhe funksiononte në të gjithë Evropën”. Ai i atribuoi asaj një rol qendror në ngjizjen dhe shpërthimin e Revolucionit Francez. Robison e konsideronte atë si një lëvizje libertine (të shthurur) dhe antikristiane, e dhënë mbas korruptimit të grave, kultivimit të kënaqësive sensuale dhe shkeljes së të drejtave pronësore. Anëtarët e saj planifikonin prodhimin e një çaji që ishte në gjendje të shkaktonte abort – një substancë sekrete që “verbon ose vret kur hidhet në fytyrë” dhe një pajisje që tingëllon si një bombë kutërbuese – një “metodë për të mbushur një dhomë gjumi me avuj të dëmshëm”.
Këto ide u përhapën shumë shpejt në Amerikë. Në maj të vitit 1798, një pastor i Kishës Kongregacionale të Massachusetts në Boston, Jedidiah Morse, mbajti një predikim shumë relevant për kombin e ri, i cili atëherë ishte i ndarë ashpër midis Jeffersonianëve dhe Federalistëve, Frankofilëve dhe Anglofilëve. Pasi lexoi Robisonin, Morse u bind për një komplot Jakobinor të nxitur nga Iluminizmi, andaj, vendi duhej të mobilizohej për të mbrojtur veten. Paralajmërimet e tij u konsideruan relativisht serioze në të gjithë Anglinë e Re, kudo që Federalistët shqetësoheshin për valën në rritje të skepticizmit fetar ose demokracinë xhefersoniane. Timothy Dwight, presidenti i Yale, në vazhdën e predikimit të Morses, në 4 korrik mbajti një fjalim të titulluar “Mbi Detyrën e Amerikanëve në Krizën e Tanishme”, në të cilin përmes një retorike të zjarrtë u shpreh kundër Antikrishtit. Shumë shpejt, foltoret e Anglisë së Re po gumëzhinin me denoncime kundër Iluminatit, sikur vendi të ishte “përmbytur” nga ata.
Lëvizja anti-masonike e fundit të viteve 1820 dhe 1830 rimori dhe amplifikoi obsesionin me teoritë konspirative. Fillimisht, kjo lëvizje dukej se nuk ishte gjë tjetër veçse një zgjatim ose ri-përsëritje e temës anti-masonike e cila ishte shfaqur në protestat kundër Iluminatit bavarez. Por, teksa paniku i viteve 1790 ishte i kufizuar kryesisht në Anglinë e Re dhe i lidhur me një pikëpamje ultrakonservatore, lëvizja e mëvonshme anti-masonike preku shumë pjesë të veriut të Shteteve të Bashkuara dhe ishte e lidhur ngushtësisht me demokracinë popullore dhe egalitarizmin rural. Edhe pse lëvizja anti-Masonike qëlloi të ishte anti-Jacksoniane (Jackson ishte mason), ajo manifestoi të njëjtën armiqësi kundër reduktimit të mundësive të njeriut të zakonshëm dhe kundër institucioneve aristokratike, që gjendet edhe në kryqëzatën xheksoniane kundër Bankës së Shteteve të Bashkuara.
Lëvizja antimasonike nuk ishte vetëm produkt i entuziazmit spontan, por edhe i ndeshtrashave të politikës partiake. Asaj iu bashkuan dhe i shërbyen shumë njerëz që nuk ndanin plotësisht sentimentet e saj origjinale antimasonike. Lëvizja tërhoqi mbështetjen e njerëzve të ndryshëm me reputacion të lartë të cilët ushqenin një simpati minore për bindjet e saj themelore, por që, si politikanë, nuk mund ta injoronin atë. Megjithatë, ajo ishte një lëvizje popullore me fuqi të konsiderueshme, dhe entuziastët ruralë që i dhanë shtysën e vërtetë besuan në të me gjithë zemër.
Si një shoqëri sekrete, Masoneria konsiderohej si një konspiracion permanent kundër qeverisë republikane. Ajo konsiderohej veçanërisht e prirur ndaj tradhtisë: për shembull, pretendohej se komploti i famshëm i Aaron Burr ishte organizuar nga masonët. Masoneria akuzohej se përbënte një sistem autonom besnikërie, një imperium të pavarur brenda strukturës së qeverisë federale dhe të shteteve, gjë që ishte në kundërshtim me besnikërinë karshi tyre. Argumentohej, mjaft bindshëm, se masonët kishin krijuar një juridiksion të tyrin, me detyrime dhe dënime specifike, të zbatueshme edhe përmes dënimit me vdekje. Konflikti ndërmjet sekretit dhe demokracisë u konceptua në terma aq themelorë saqë edhe associacione të tjera, më të pafajshme, si Phi Beta Kappa, u bënë objekt sulmi.
Meqenëse masonët ishin zotuar të ndihmonin njëri-tjetrin në raste nevoje dhe të demonstronin vëllazëri reciproke në çdo rrethanë, mendohej se urdhri shfuqizonte zbatimin e ligjit të zakonshëm. Policët, sherifët, juristët dhe gjyqtarët masonë duhet të jenë të gjithë në aleancë me kriminelët dhe vagabondët masonë. Besohej se shtypi ishte aq i “heshtur” – nga redaktorët dhe pronarët masonikë – saqë lajmet për krimet masonike mund të “retushoheshin”. Në një kontekst, kur pothuajse çdo kështjellë e ashtuquajtur privilegji (në Amerikë) ishte nën sulmin e demokratëve, Masoneria u sulmua si një vëllazëri e të privilegjuarve, e cila mbyllte/reduktonte mundësitë për biznes dhe monopolizonte pothuajse të gjitha postet politike.
Ky konceptim i masonerisë mund të mbartë disa elemente të së vërtetës dhe realitetit. Megjithatë, ajo që duhet theksuar është kuadri apokaliptik dhe absolutist në të cilin shprehej zakonisht armiqësia. Antimasonët nuk u mjaftuan thjesht me pohimin se shoqëritë sekrete ishin një ide mjaft e keqe. Autori i përshkrimit standard të anti-Masonizmit deklaroi se Masoneria ishte “jo vetëm institucioni më i neveritshëm, por edhe institucioni më i rrezikshëm që i është imponuar ndonjëherë njeriut… Mund të thuhet “pa frikë” se është kryevepra e Ferrit”.
Kërcënimi Jezuit
Frika e krijuar nga një komplot masonik mezi ishte qetësuar kur shpërthyen thashethemet për një komplot katolik kundër vlerave amerikane. Këtu gjejmë sërish të njëjtën gjendje mendore, por me një armik tjetër. Lëvizja antikatolike u bashkua me një sentiment nativist, dhe ndonëse nuk ishin identikë, së bashku, patën një impakt shumë të gjerë në jetën amerikane duke përfshirë pashmangshmërisht edhe shumë të moderuar, të cilëve stili paranoid, “me gjithë madhështinë e tij”, nuk u pëlqente. Megjithatë, nuk është e nevojshme ta eleminojmë apriori si krejtësisht provinciale apo të ligë dëshirën e amerikanëve “janki” për të ruajtur një shoqëri homogjene etnikisht dhe fetarisht, dhe as angazhimet partikulare të protestantizmit ndaj individualizmit dhe lirisë që filluan të inkuadroheshin. Sidoqoftë, lëvizja karakterizohej nga një tendencë e fortë paranoide, dhe militantët më me ndikim anti-katolikë, pa pikë dyshimi, demonstronin një prirje të fortë për stilin paranoid.
Dy libra të botuar në vitin 1835 përshkruan rrezikun e ri për mënyrën amerikane të jetesës, dhe mund të konsiderohen si shprehje e mentalitetit antikatolik. Njëri prej tyre, “Konspiracione të Huaja kundër Lirive të Shteteve të Bashkuara”, ishte vepra e piktorit dhe shpikësit të telegrafit, S.F.B. Morse, i cili shprehej, “Ekziston një konspiracion, planet e të cilit tashmë janë në veprim… ne jemi sulmuar në një pikë vulnerabël që nuk mund të mbrohet nga anijet tona, fortesat tona ose ushtritë tona”. Morse e identifikoi burimin kryesor të komplotit tek qeveria e Metternich-ut: “Austria, e cila momentalisht është duke vepruar në këtë vend. Ajo ka hartuar një skemë të madhe, ka organizuar një plan të madh për të bërë diçka… Ajo ka misionarët e saj jezuitë që udhëtojnë nëpër vend; i ka furnizuar me para dhe iu ka vendosur në dispozicion një burim për furnizim të rregullt.” Nëse komploti do të kishte sukses, pohoi Morse, ndonjë pasardhës i Shtëpisë së Hapsburgëve së shpejti do të emërohej si Perandor i Shteteve të Bashkuara.
«Është një fakt i vërtetuar», shkruante një tjetër militant protestant, se Jezuitët po vërdallisen nëpër krejt territorin e Shteteve të Bashkuara nën gjithëfarësoj maskimesh, me qëllim zbulimin e kushteve dhe mënyrave të favorshme për përhapjen e Papizmit. Një pastor i Ungjillit nga Ohajo na ka treguar se zbuloi një Jezuit, i cili i mbante pajisjet e tij në kongregacionin e tij; ai thotë se rajoni perëndimor është përplot me ta, të maskuar nën emrin e artistëve, mjeshtrave të vallëzimit, mësuesve të muzikës, shitësve të imazheve dhe zbukurimeve, interpretuesve të organos dhe figura të ngjashme.
Lyman Beecher, patriarku i një familjeje të famshme dhe babai i Harriet Beecher Stowe, shkroi në të njëjtin vit veprën e tij “Plea for the West”, në të cilën hipotetizoi se mijëvjeçari i krishterë mund të realizohej në shtetet amerikane. Sipas gjykimit të tij, gjithçka varej nga forcat që dominonin Perëndimin e madh, aty ku gjendej e ardhmja e vendit. Protestantizmi ishte i angazhuar në një luftë për jetë a vdekje me katolicizmin. “Çfarëdo që të bëjmë, duhet ta bëjmë shpejt…” Një valë e madhe imigracioni, armiqësore ndaj institucioneve të lira, po përshkon vendin, e subvencionuar dhe e mandatuar nga “të fuqishmit e Evropës”, me qëllim shumëfishimin e trazirave dhe dhunës… duke mbushur burgjet, shtëpitë e të varfërve, duke katërfishuar taksat dhe duke dërguar mijëra votues për të “vënë dorën e tyre të papërvojë mbi timonin e pushtetit tonë”.
Antikatolicizmi ka qenë gjithmonë pornografia e Puritanëve. Ndërsa antimasonët imagjinonin periudha pijesh alkoolike dhe argëtoheshin me fantazi sado-mazokiste rreth zbatimit të betimeve të frikshme masonike, antikatolikët shpikën një korpus legjendash rreth priftërinjve libertinë, rrëfyestores si një mundësi për joshje dhe manastireve si vende të shthurura. Ndoshta libri bashkëkohor më i lexuar në Shtetet e Bashkuara, para *Kasolles së Xhaxha Tomit*, ishte një vepër gjasme e shkruar nga Maria Monk, e titulluar “Zbulime të Tmerrshme”, e cila u botua në vitin 1836. Autorja, e cila pretendonte se ishte arratisur nga manastiri i Hotel Dieu në Montreal, pasi shpenzoi atje pesë vite si murgeshë, e përshkroi jetën e saj monastike me detaje të hollësishme. Ajo rrëfeu se i ishte thënë nga Nëna Superiore se duhej t’u “bindej priftërinjve për gjithçka”; për “habinë dhe tmerrin e saj”, shumë shpejt e zbuloi se cila ishte natyra e kësaj bindjeje. Foshnjat e lindura nga marrëdhëniet klandestine, pagëzoheshin dhe më pas vriteshin, rrëfeu ajo, në mënyrë që të shkonin në parajsë. Libri i saj, objekt i kritikave të ashpra, vazhdoi të lexohej dhe të ishte i besueshëm, edhe pasi nëna e saj dha dëshmi se Maria kishte qenë disi e hutuar që nga fëmijëria, sepse i kishte ngulur një laps në kokë. Maria vdiq në burg në vitin 1849, pasi ishte arrestuar në një bordello e akuzuar si xhepiste.
Antikatolicizmi, ashtu si antimasoneria, u përzie me politikën partiake amerikane, duke u shndërruar në një faktor “permanent” në politikën amerikane. Shoqata “Mbrojtësja e Amerikës”, në vitet 1890 e risolli të njëjtën logjikë, por me variacione ideologjike më të përshtatshme për kohën: për shembull, depresioni i vitit 1893, iu atribuua një komploti ndërkombëtar me demek katolik, i cili kishte nisur duke sulmuar bankat. Disa zëdhënës të lëvizjes përhapën një enciklikë të rreme që i atribuohej Papa Leo XIII, në të cilën ai udhëzonte katolikët amerikanë, në një datë të caktuar në vitin 1893, të shfarosnin të gjithë heretikët. Shumë antikatolikë çdo ditë ishin në pritje të një kryengritje mbarëkombëtare. Miti i një lufte të pashmangshme të katolikëve për gjymtimin dhe shfarosjen e heretikëve vazhdoi deri në shekullin e njëzetë.
Pse ndihen të privuar
Nëse, pas disa shembujve historikisht të ndërprerë të stilit paranoid, zhvendosemi drejt të djathtës bashkëkohore, do të gjejmë disa dallime mjaft të rëndësishme nga lëvizjet e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Zëdhënësit e lëvizjeve të mëparshme mendonin se përfaqësonin kauza dhe figura që ishin ende padronët e vendit të tyre – se po i rezistonin kërcënimeve ndaj një mënyre jetese të konsoliduar. Por e djathta moderne, siç ka pohuar Daniel Bell, ndihet e privuar/e shpronësuar: “Amerika është uzurpuar kryesisht prej tyre dhe të ngjashmëve me ta, megjithëse amerikanët janë të vendosur ta rimarrin dhe të parandalojnë aktin përfundimtar shkatërrues, përmbysjen. Virtytet e vjetra amerikane janë shkatërruar tashmë nga kozmopolistët dhe intelektualët; kapitalizmi i vjetër konkurrues është minuar gradualisht nga intrigantët socialistë dhe komunistë; siguria dhe pavarësia e dikurshme kombëtare janë shkatërruar nga komplote tradhtare, duke pasur si agjentë të tyre jo vetëm të huaj – si në të kaluarën – por edhe burrshtetas të rëndësishëm të pozicionuar në qendrat e pushtetit amerikan. Paraardhësit e tyre kishin zbuluar komplote; e djathta radikale moderne e konsideron komplotin si tradhti nga lart.”
Ndryshime domethënëse mund t’i atribuohen edhe zhvillimit të mediave masive. Të këqijtë’ e së djathtës moderne janë shumë më të gjallë se ata të paraardhësve të tyre paranoidë, shumë më të njohur për publikun; letërsia e stilit paranoid është, për të njëjtin motiv, shumë më e pasur dhe e detajuar në përshkrimin dhe akuzat personale. Në vend të keqbërësve të përcaktuar disi vagullt nga antimasonët, në vend të agjentëve të maskuar jezuitë, delegatëve pak të njohur papnorë të antikatolikëve, në vend të bankierëve ndërkombëtarë të komploteve monetare, tashmë janë zëvendësuar me figura të shquara publike si Presidentët Roosevelt, Truman dhe Eisenhower, sekretarë shteti si Marshall, Acheson dhe Dulles, gjyqtarë të Gjykatës Supreme si Frankfurter dhe Warren, dhe një seri komplotistësh më pak të rëndësishëm, por gjithsesi të famshëm dhe energjikë, të kryesuar nga Alger Hiss.
Qysh nga viti 1939, ngjarjet e ndodhura i kanë ofruar paranoidit të së djathtës bashkëkohore një teatër të gjerë për imagjinatën e tij, plot me detaje të pasura, me një konstelacion indiciesh realiste dhe prova të pamohueshme të vlefshmërisë së dyshimeve të tij. Tashmë, teatri i veprimit është e gjithë bota, ai mund të mbështetet jo vetëm në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, por edhe në ato të Luftës Koreane dhe Luftës së Ftohtë. Çdo historian i luftës e di mirë se në përgjithësi bëhet fjalë për një komedi gabimesh dhe një muze paaftësie; por nëse çdo gabim dhe çdo akt paaftësie mund të zëvendësohet nga një akt tradhtie, imagjinata paranoide do të ishte e hapur për lloj e soj interpretimesh. Në fund të fundit, misteri i vërtetë, për atë që lexon veprat kryesore të studimeve paranoide, nuk është se si Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar në këtë gjendje të rrezikshme, por si ia kanë dalë të mbijetojnë.
Elementet themelore të mendimit të së djathtës bashkëkohore mund të sintetizohen në tre: Së pari, ka ekzistuar një konspiracion i vazhdueshëm, i mirënjohur tashmë, i cili është shtrirë përtej një brezi dhe i cili ka arritur kulmin me Marrëveshjen e Re të Rooseveltit për të minuar kapitalizmin e lirë, për ta nënshtruar ekonominë ndaj kontrollit të qeverisë federale dhe për t’i hapur rrugën socializmit ose komunizmit. Shumë eksponentë të së djathtës do të pajtoheshin me Frank Chodorov, autorin e librit “Tatimi mbi të Ardhurat: Rrënja e Gjithë të Këqijave”, se kjo fushatë filloi me miratimin e amendamentit kushtetues për tatimin mbi të ardhurat në vitin 1913.
Teza e dytë është se funksionarët e lartë të qeverisë janë infiltruar aq shumë nga komunistët saqë politika amerikane, të paktën qysh nga ditët para Pearl Harbor, është dominuar nga njerëz që, me zgjuarsi dhe konsistencë, i kanë tradhëtuar interesat kombëtare amerikane.
Së fundmi, vendi është mbushur me një rrjet agjentësh komunistë, bash si në të kaluarën që ishte infiltruar nga agjentët jezuitë, kështu që i gjithë aparati i arsimit, fesë, shtypit dhe medias masive është i angazhuar në një përpjekje të përbashkët për të paralizuar rezistencën e amerikanëve besnikë.
Ndoshta, dokumenti më përfaqësues i fazës McCarthyiste ishte një padi e gjatë kundër Sekretarit të Shtetit George C. Marshall, e prezantuar në vitin 1951 në Senat nga senatori McCarthy, dhe më pas e publikuar në një formë disi të ndryshme. McCarthy e përshkroi Marshallin si figurën qendrore në tradhtimin e interesave amerikane, duke nisur qysh nga planet strategjike për Luftën e Dytë Botërore e deri në formulimin e Planit Marshall. Marshalli ishte praktikisht i përfshirë në çdo dështim ose disfatë amerikane, këmbëngulte McCarthy, dhe asnjë nga këto nuk ishte frut i rastësisë apo paaftësisë. Vërehej një “model i çuditshëm” në ndërhyrjet e Marshallit në luftë, i cili gjithmonë kontribuonte në favorizmin e mirëqenies së Kremlinit. Rënia e ndjeshme e forcës relative të Amerikës nga viti 1945 deri në vitin 1951 nuk “ndodhi vetvetiu”; ajo “u shkaktua, hap pas hapi, nga vullneti dhe qëllimi”, pasojë jo e gabimeve, por e një komploti tradhtar, “një komplot në një shkallë aq të madhe, saqë çdo sipërmarrje e mëparshme e këtij lloji në historinë e njerëzimit, do të duket si diçka minore”.
Sot, trashëgimia e McCarthy-t ka kaluar mbi një prodhues ëmbëlsirash në pension, Robert H. Welch, Jr., i cili është në një pozicion më pak strategjik dhe ka një numër shumë më të vogël ndjekësish, por më të organizuar se senatori. Disa vjet më parë, Welch shpalli se “ndikimet komuniste kanë pothuajse kontroll të plotë ndaj qeverisë sonë” – vini re kujdesin dhe skrupulozitetin me të cilin është përdorur fjala “pothuajse”. Ai ka ofruar një interpretim të plotë të historisë sonë të kohëve të fundit, në të cilën komunistët janë prezentë kudo: Në vitin 1933 ata iniciuan një sulm ndaj bankave amerikane gjë që detyroi mbylljen e tyre; në të njëtin vit, ata orkestruan njohjen e Bashkimit Sovjetik nga ana e Shteteve të Bashkuara, fiks në kohë për të shpëtuar sovjetikët nga kolapsi ekonomik; ata kanë nxitur protestat kundër segregacionit në Jug; kanë marrë kontrollin e Gjykatës Supreme dhe e kanë bërë atë “një nga agjencitë më të rëndësishme të komunizmit”.
Vëmendja e kujdesshme ndaj historisë i garanton zotit Welch një kuptim të çështjeve që u mundësohet pak prej nesh. “Për shumë arsye dhe pas shumë studimesh,” shkroi ai disa vite më parë, “unë personalisht besoj se [John Foster] Dulles është një agjent komunist.” Zgjedhja e Profesor Arthur F. Burns si kreu i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Eisenhower ishte “thjesht një koperturë për aktivitetin ndërlidhës të Burns midis Eisenhower dhe disa prej shefave të tij komunistë”. Vëllai i Eisenhowerit, Miltoni, ishte “në fakt eprori dhe shefi i tij brenda partisë Komuniste”. Sa i përket vetë Eisenhowerit, Welch e përshkroi atë, me asi fjalësh që e kanë bërë të famshëm prodhuesin e ëmbëlsirave, si “një agjent të përkushtuar dhe të vetëdijshëm për komplotin komunist” – një përfundim, shtoi ai, “i bazuar në një grumbull provash aq të hollësishme dhe aq të prekshme saqë duket se e vendosin këtë bindje përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
Duke imituar armikun
Zëdhënësi paranoid e sheh konspiracionin në terma apokaliptikë – ai merret me lindjen dhe vdekjen e botës si e tërë, rendeve të tëra politike, sistemeve të tëra të vlerave njerëzore. Ai është gjithmonë në ballë të mbrojtjes së barrikadave të qytetërimit. Ai jeton vazhdimisht në një pikë kthese. Ashtu si mileniaristët fetarë, ai manifeston ankthin e atyre që po jetojnë ditët e fundit dhe ndonjëherë është i prirur të caktojë edhe një datë për apokalipsin. (“Koha po mbaron”, tha Welch në vitin 1951. “Nga shumë anë dhe shumë burime, po grumbullohen prova që tregojnë se tetori i vitit 1952 është muaji fatal kur Stalini do të sulmojë.”)
Si një anëtar i avangardës, i aftë ta perceptojë komplotin përpara se të bëhet evident për publikun e pasensibilizuar, paranoidi është një udhëheqës militant. Ai nuk e sheh konfliktin shoqëror si diçka që ka nevojë për ndërmjetësim dhe kompromis, ashtu siç e sheh politikani profesionist. Meqënëse në lojë është gjithmonë një konflikt midis së mirës absolute dhe së keqes absolute, ajo që është e nevojshme nuk është kompromisi, por vullneti për të luftuar deri në fund. Duke qenë se armiku konsiderohet totalisht i lig dhe krejtësisht i pamëshirshëm, ai duhet të eliminohet plotësisht – nëse jo nga bota, të paktën nga teatri i operacioneve mbi të cilin paranoidi ka përqëndruar vëmendjen e tij. Kërkesa për triumf total çon në formulimin e objektivave thellësisht irreale dhe, meqenëse këto objektiva nuk janë as për së afërmi të arritshme, dështimi nuk bën gjë tjetër veçse rrit vazhdimisht ndjenjën e frustrimit të paranoidit. Edhe suksesi i pjesshëm e lë me të njëjtën ndjenjë pafuqie me të cilën filloi, dhe kjo, nga ana tjetër, vetëm sa ia forcon vetëdijen për cilësinë e tmerrshme të armikut me të cilin duhet të përballet.
Armiku është përkufizuar qartësisht: ai është modeli perfekt i ligësisë, një lloj supernjeriu amoral – i lig, i kudondodhur, i fuqishëm, mizor, sensual, i dashuruar pas luksit. Ndryshe nga ne, armiku nuk është viktimë e mekanizmit të gjerë të historisë, as viktimë e së kaluarës së tij, dëshirave të tij apo kufizimeve të tij. Ai dëshiron – në fakt, ai e krijon mekanizmin e historisë – ose përpiqet ta devijojë rrjedhën normale të historisë në një mënyrë të ligë. Ai provokon kriza, “rrëmben” bankat, shkakton depresione, prodhon katastrofa, dhe më pas shijon dhe përfiton nga mjerimi që ka prodhuar. Interpretimi i historisë nga ana e paranoidit është thellësisht personal: ngjarjet vendimtare nuk konsiderohen si pjesë e rrjedhës historike, por si pasoja të vullnetit të dikujt. Shumë shpesh armikut i atribuohet zotërimi i ndonjë burimi pushteti veçanërisht efektiv: ai kontrollon shtypin; ka fonde të pakufizuara; posedon një sekret të ri për të influencuar mendjet (shpëlarje truri); ka një teknikë të veçantë për joshje (institucioni i rrëfyesores katolike).
Është e vështirë të mos konkludosh se ky armik është, në shumë aspekte, projeksion i vetes; atij i atribuohen si aspektet ideale ashtu edhe aspektet negative të vetes. Armiku mund të jetë intelektuali kozmopolit, por paranoidi do ta tejkalojë atë në aparatin e studimit, madje edhe të pedantizmit. Organizatat sekrete të krijuara për të luftuar organizatat sekrete përdorin të njëjtat lajka. Anëtarët e Ku Klux Klan imituan katolicizmin deri në atë pikë sa veshën rroba priftërore, duke zhvilluar një ritual të hollësishëm dhe një hierarki po aq të hollësishme. Shoqata John Birch, përmes grupeve “frontale”, imiton celulat komuniste dhe operacionet kuazi-sekrete, sakaq, ajo predikon një përndjekje të pamëshirshme bazuar në luftën ideologjike sipas linjave shumë të ngjashme me ato që gjen tek armiku komunist. Zëdhënësit e “kryqëzatave” të ndryshme fundamentaliste antikomuniste shprehin hapur admirimin e tyre për përkushtimin dhe disiplinën që kërkon kauza komuniste.
Nga ana tjetër, liria seksuale që i atribuohet armikut, mungesa e kufizimeve morale, fakti që zotëron teknika veçanërisht efektive për përmbushjen e dëshirave të tij, u ofrojnë eksponentëve të stilit paranoid mundësinë për të projektuar dhe për të shprehur aspekte të papranueshme të shqetësimeve të tyre psikologjike. Katolikët dhe mormonët – më vonë, zezakët dhe hebrenjtë – janë pushtuar nga obssessioni për seksin e ndaluar. Shumë shpesh fantazitë e besimtarëve të vërtetë shpërfaqin tendenca të forta sado-mazohiste, të shprehura gjallërisht, për shembull, në kënaqësinë që përjetojnë antimasonët përballë mizorisë së ndëshkimeve masonike.
Renegatët dhe Pedantët
Një rëndësi e veçantë i atribuohet figurës së renegatit nga kauza armike. Lëvizja antimasonike nganjëherë dukej si krijim i ish-masonëve; sigurisht, rëndësia më e madhe iu atribuohej zbulesave të tyre, dhe çdo fjalë që ata thoshin konsiderohej e vërtetë. Antikatolicizmi përdori murgeshën e arratisur dhe priftin apostat; sakaq, roli i ish-komunistëve në lëvizjet avangardë antikomuniste të kohës është i mirënjohur. Në një farë mënyre, autoriteti special që i atribuohet renegatit rrjedh nga obsesioni për sekretin që karakterizon lëvizje të tilla: renegati është burri ose gruaja që ka qenë në Arkanum dhe i cili sjell me vete konfirmimin përfundimtar të dyshimeve, që përndryshe mund të ishin vënë në dyshim nga një botë skeptike. Megjithatë, unë mendoj se ekziston një domethënie më e thellë eskatologjike që i bashkëngjitet personit të renegatit: në luftën shpirtërore midis së mirës dhe së keqes, e cila përfaqëson modelin arketipik të botës për paranoidin, renegati është provë e gjallë se konvertimet nuk bëhen në anën e gabuar. Ai sjell me vete premtimin e shpengimit dhe fitores.
Një karakteristikë tjetër e stilit paranoid lidhet me natyrën e pedantizmit të tij. Një nga aspektet më impresionuese të literaturës paranoide është kontrasti midis konkluzioneve të saj imagjinare dhe shqetësimit pothuajse prekës me realitetin që demonstrohet vazhdimisht. Ajo bën përpjekje heroike në kërkim të provave për të vërtetuar se e pabesueshmja është e vetmja gjë që mund të besohet. Sigurisht, ekzistojnë edhe paranoidë të lartë, të ulët dhe të mesëm, siç ndodh zakonisht në çdo tendencë politike. Megjithatë literatura paranoide decente jo vetëm që niset nga disa principe morale që në të vërtetë mund të justifikohen, por gjithashtu me kujdes dhe pothuajse në mënyrë obsesive grumbullon “prova”. Dallimi midis këtyre “provave” dhe atyre që zakonisht përdoren nga të tjerët, qëndron në faktin se ato përfaqësojnë jo një mjet për të hyrë në polemika normale politike por një mjet për të ndaluar ndërhyrjen profane të botës politike sekulare. Me sa duket, paranoidi ushqen pak pritshmëri për të bindur një botë armiqësore, por ai mund të grumbullojë prova në mënyrë që të mbrojë bindjet e tij të çmuara.
Literatura paranoide nis me disa gjykime të përgjithshme, por gjithsesi të mbrojtshme. Ka diçka të vërtetë te argumenti për antimasonët. Në fund të fundit, një shoqëri sekrete e përbërë nga njerëz me ndikim, të lidhur nga detyrime specifike, teorikisht, përfaqëson një lloj kërcënimi për rendin civil. Poashtu mund të thuhej diçka edhe për parimet protestante të individualitetit dhe lirisë, si dhe për dëshirën nativiste për të zhvilluar një qytetërim homogjen në Amerikën e Veriut. Edhe njëherë tjetër, në kohën tonë, një dobësi në terma të sigurisë bëri të mundur që disa komunistë të siguronin një vend në qarqet qeveritare, dhe kësisoj vendime të panumërta gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë mund të kritikoheshin.
Kërkimi akademik paranoid nuk është assesi jo koherent – në fakt, mendja paranoide është shumë më koherente se bota reale. Assesi nuk është më pak akademike në teknikë. Pamfleti 96 faqesh i McCarthy-t, *McCarthyism*, përmban jo më pak se 313 referenca në fusnotë, dhe sulmi i jashtëzakonshëm i zotit Welch ndaj Eisenhower-it, *The Politician*, numëron njëqind faqe bibliografi dhe shënime. E gjithë lëvizja e djathtë e kohës sonë përbëhet nga një paradë ekspertësh, grupesh studimore, monografish, fusnotash dhe bibliografish. Ndonjëherë, përpjekja e të djathtës për thellësi shkencore dhe një botëkuptim gjithëpërfshirës ka pasoja të habitshme: Z. Welch, për shembull, pretendon se popullariteti i veprës historike të Arnold Toynbee është pasojë e një komploti të urdhëruar nga Fabianët, nga “shefat e partisë laburiste në Angli” dhe nga eksponentë të ndryshëm të “establishmentit liberal” anglo-amerikan, për të eklipsuar veprën shumë më të vërtetë dhe iluminuese të Oswald Spengler.
Vuajtja e dyfishtë
Stili paranoid nuk është i kufizuar vetëm në vendin apo në kohën tonë; ai është një fenomen ndërkombëtar. Duke studiuar sektet mileniariste të Evropës nga shekulli i njëmbëdhjetë deri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, Norman Cohn besonte se kishte gjetur një korrent psikik persistent që korrespondon gjerësisht me atë që kam marrë nën shqyrtim – një stil i kompozuar nga disa obssesione dhe fantazi: “Pikëpamja megalomane e vetes si i Zgjedhuri, tërësisht i mirë, i persekutuar tmerrëisht keq, por i sigurt për triumfin përfundimtar; atribuimi i fuqive gjigante dhe demoniake kundërshtarit; refuzimi për të pranuar kufizimet dhe papërsosmëritë e pashmangshme të ekzistencës njerëzore, të tilla si përkohshëmria, mospajtimi, konflikti, lajthitja qoftë intelektuale apo morale; obsesioni me profecitë e pagabueshme… keqinterpretime të sistematizuara, gjithmonë të ashpra dhe shpesh groteske.”
Ky vështrim vrikthi që përfshin një periudhe kaq të gjatë kohore më inkurajon të supozoj – asgjë më shumë se kaq – se një mentalitet i prirur për ta parë botën në këtë mënyrë mund të jetë një fenomen psikik persistent, që pak a shumë prek në mënyrë konstante një pakicë modeste të popullsisë. Megjithatë, disa tradita fetare, disa struktura shoqërore dhe trashëgimi kombëtare, disa katastrofa ose frustrime historike mund të jenë të favorshme për çlirimin e energjive psikike dhe krijimin e kushteve në të cilat ato mund të tranformohen lehtësisht në lëvizje masive ose parti politike. Në përvojën amerikane, konflikti etnik dhe fetar ka qenë padiskutim një pikë fokale për mendjet militante dhe dyshuese të këtij lloji, por edhe konfliktet e klasave mund të mobilizojnë energji të tilla. Ndoshta gjendja themelore që favorizon përhapjen e tendencës paranoide është përballja mes interesave të kundërta, të cilat janë (ose perceptohen si) krejtësisht të papajtueshme, dhe kësisoj, për nga vetë natyra e tyre, nuk janë të prirura ndaj proceseve normale politike, si p.sh. negociatat dhe kompromisi. Situata përkeqësohet kur përfaqësuesit e një interesi të caktuar shoqëror – ndoshta për shkak të natyrës shumë irreale dhe të parealizueshme të kërkesave të tij – përjashtohen nga procesi politik. Duke mos pasur akses as në negociatat politike dhe as në vendimmarrje, koncepti i tyre fillestar se bota e pushtetit është e ligë dhe dashakeqe, konfirmohet plotësisht. Ata shohin vetëm pasojat e pushtetit – edhe këtë përmes lenteve shtrembëruese – dhe nuk kanë asnjë mundësi të vëzhgojnë mekanizmin e tij të vërtetë. Një historian i shquar ka pohuar se një nga aspektet më të vlefshme të historisë është se ajo na mëson se si gjërat nuk ndodhin. Është pikërisht kjo lloj vetëdije që paranoidi nuk arrin t’a zhvillojë. Ai ushqen një rezistencë të veçantë ndaj zhvillimit të një vetëdije të tillë, anipse, shpesh, janë rrethanat ato që e privojnë nga ekspozimi ndaj ngjarjeve që mund ta iluminojnë – megjithëse, ai i reziston ngulshëm iluminimit.
Ne jemi të gjithë viktima të historisë, por paranoidi vuan dyfish, pasi ai nuk pikëllohet, ashtu si të gjithë ne, por edhe nga fantazitë e tij.
Richard Hofstadter was DeWitt Clinton Professor of American History at Columbia University. His book “Anti-intellectualism in American Life” was awarded the Pulitzer Prize for General Nonfiction in 1964. This essay was adapted from the Herbert Spencer Lecture, delivered at Oxford University in November 1963.
Komente