web analytics

Të veçanta

Mikrofoni dhe narativa

Nga Kevi Muçllari

Mikrofoni nuk mund të jetë instrument pushteti, ai është instrument për përcaktimin e narrativës. Ai është valvula shprehëse e shqetësimeve dhe aspiratave të njerëzve. Njerëzit që zgjedhin të flasin… shprehin shqetësime të drejta, shqetësime që përfaqësojnë gjendjen e realitetit shqiptar. Kësisoj, mikrofoni shërben për të ravijëzuar realitetin, madje për të amplifikuar gjendjen ku ndodhet Shqipëria.

Qytetarët që tregojnë hallet e tyre (nga më të dhimbshmet), janë dëshmi e dështimit të kësaj qeverie. Që nga mungesa e infrastrukturës bazike e deri te mungesa e ilaçeve, realiteti i pasqyruar përmes fjalëve, sfidon çdo narrativë arrogante që e shpërfill atë. Narrativa e mikrofonit e tejkalon atë të pushtetit, pikërisht sepse përcjell të vërtetën, të vërtetën bruto. Një të vërtetë e cila nuk ndërmjetësohet (as nuk duhet të ndërmjetësohet) nga skemat teorike.

Fjala ka fuqi të madhe, sidomos kur strukturohet në mendim. Një mendim i shprehur me elokuencë dhe me koherencë logjike, ka aftësinë të prekë zemrat dhe të transformojë bindjet. Ndërkaq, edhe e kundërta prodhon efekt. Një mendim i pastrukturuar dhe pa koherencë logjike, nuk ka gjasa as të prekë dhe as të transformojë. Përkundrazi, ai mund të ngjallë ndjenja irrituese (deri edhe komike). Nëse dikush dëshiron të shprehë zemërimin e tij, mund ta bëjë duke u kufizuar vetëm te brenga që e shqetëson, pa u hallakatur me “rravgime” teorike.

Mikrofoni i mbart të dyja potencialet e mësipërme, kësisoj, është e nevojshme që të dallohet mes narrativës faktike dhe narrativës teorike. Narrativa faktike e mbart vetvetiu potencialin, mjafton të deklarohet e vërteta, pa filtra. Sakaq, narrativa teorike gërshetohet me idenë e aspiratës. Ajo përvijon një realitet tjetër, një përfytyrim të ndryshëm për gjendjen e shoqërisë. Të mund të imagjinosh një gjendje përtej asaj që dominon aktualisht, është kusht paraprak për gatitjen e asaj që do të vijë. Kjo është detyra e narrativës teorike: të mbrujë me shpresa dhe aspirata shoqërinë, të rikthejë konceptin e sakrificës. “Shoqëritë varen përfundimisht nga sakrifica e përbashkët” thotë Roger Scruton. Në këtë kontekst, mikrofoni mund të jetë i dobishëm, por duhet të shërbejë për qëllimet që mund të arrijë. Nëse ideja e uzurpimit është e vërtetë (nëse do ta marrim si të mirëqenë), atëherë ka shumë gjasa që ai të mos shërbejë si domen i narrativës, por si domen i përshquarjes. Prej këtej, përshquarja, si një element i pushtetit, shërben për klasifikim dhe qendërzim. Qendra përbën domenin qendror, dhe domeni qëndror përkufizon gjithçka, çdo gjë zgjidhet përmes parametrave që imponon domeni qëndor (për një ide të domenit qëndror lexoni Carl Schmit, Koncepti i Politikes).

Të gjitha domenet e tjera i nënshtrohen domenit qëndror. Ato nuk kanë jetë të vetën përveçse atë që i’u ofrohet nga ai. Domeni qendror (mikrofoni) është përkufizues dhe shprehës. E gjithë protesta disitilohet brenda tij. Pavarësisht diversitetit, mikrofoni duket se përfaqëson forcën unifikuese, homogjenizimin e flukseve përbërëse. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë, mikrofoni duhet rikalibruar. Ai është instrument i protestës, jo i grupeve të saj. Ai duhet të tejkalojë të gjitha grupet, sepse, në thelb, protesta është ombrella e grupeve, jo instrument i tyre. Kësisoj, mikrofoni lipset të jetë shërbestar i diversitetit, jo instrument për monopolizim. Për t’iu shmangur këtij të fundit (qoftë edhe si perspektivë), nevojitet njëfarë vetëdije retrospektive. Protesta është produkt i zhgënjimit nga qeverisja dhe nga klasa politike. Ajo nuk është produkt i asnjë grupi specifik. Asgjë dhe askush nuk mund të tejkalojë zhgënjimin dhe nëpërkëmbjen që i’u është bërë njerëzve, sidomos këto 13 vitet e fundit. Kësodore, protesta është shumë përtej mikrofonit. Mikrofoni është (dhe duhet të mbetet) një nga simbolet e protestës, por, assesi nuk duhet shndërruar në instrument përmbi protestën. Protesta përbëhet nga shumë domene. Secili mund të kontribuojë sipas mënyrës së vet, secili është i lirë të gjenerojë kreativitet. Deri më tani (për të qenë të sinqertë) protesta ka dëshmuar kreativitet. Mikrofoni është paraqitur si qendra, por, sidoqoftë, përtej tij impakti nuk ka munguar. Madje, shpesh, më tërheqës ka qenë marshimi sesa fjalimet e mikrofonit (pavarësisht se duhet pranuar se ka pasur dhe ka fjalime shumë të mira). Andaj, në mënyrë që mikrofoni të mos banalizojë narrativën, ai duhet të shndërrohet në shprehëse të narrativës.

Narrativa është themeli i protestave jo të dhunshme. Nëse narrativa humbet fuqinë bindëse, ajo rrezikon të shndërrohet në retorikë boshe, e pa mbarsur me frymëzim. Mungesa e frymëzimit (ose e shtysës për të vazhduar) është hiç më pak sesa shenjë e dështimit.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP