web analytics

Të veçanta

Balanca e pushteteve sapo ndryshoi – dhe ajo ka ndryshuar çdo gjë

Jiang Xueqin

Përktheu Kevi Muçllari

Javën e kaluar ndodhi diçka që shumica e mediave pothuajse nuk e vërejtën fare. Jo sepse ishte e fshehur, jo sepse ishte e komplikuar, por sepse njerëzit që e mbulonin atë ngjarje nuk dispononin strukturën konceptuale për të kuptuar se çfarë ishin duke parë. Ata raportuan ngjarjen, por humbën kuptimin. Dhe kuptimi është ky: balanca e pushtetit në këtë planet ka ndryshuar – dhe thuajse askush në median mainstream nuk ju ka thënë se çfarë do të thotë kjo për jetën tuaj, për vendin tuaj dhe për pesëdhjetë vitet e ardhshme.

Më lejoni të jem i drejtpërdrejtë.

Për gati 80 vite bota ka operuar brenda një sistemi të vetëm gravitacional. Një qendër pushteti. Një burim i vetëm besimi/besueshmërie. Një takëm institucionesh që determinojnë rregullat, përcaktojnë normat dhe vendosin – qetësisht, me efikasitet dhe me pasoja të jashtëzakonshme – kush do të ngrihet dhe kush duhet të presë. Ne e kemi quajtur atë sistemi ndërkombëtar liberal. Të tjerë e quajnë hegjemonia amerikane. Emërtimi që i vendosni varet nga pozicioni ku jeni. Megjithatë, askush nuk ka dyshuar në ekzistencën e tij. Askush nuk e ka kontestuar seriozisht se ai ka formësuar gjithçka.

Ai sistem nuk është duke kolapsuar.

Më lejoni të jem konciz, sepse konciziteti është i rëndësishëm.

Nuk është duke kolapsuar, është duke u zëvendësuar. Ka diferencë. Kolapsimi ose shembja është kaotike. Zëvendësimi është i qëllimshëm. Dhe ajo që ne po shikojmë tani – në korridoret e tregtisë, në qendrat e valutave, në aleancat ushtarake, të gjitha duke u riformatuar; struktura e marrëveshjeve e cila po nënshkruhet në gjuhë që kamerat perëndimore mezi e filmojnë – është prelud i një zëvendësimi të qëllimshëm.

Struktural. Gjeneracional. Dhe, kryesisht i pakthyeshëm. Tani pyeteni veten: Pse vlen kjo për mua? Sepse çdo supozim që ju keni ndërtuar rreth karrierës, kursimeve, edukimit të fëmijëve tuaj, trajektores së vendit tuaj – secili prej këtyre supozimeve ishte ndërtuar në një botë e cila nuk ekziston më në formën që ju e kuptuat atë. Normat e interesit, zinxhirët e furnizimit, denominimi i çdo gjëje përmes dollarit, ideja se ekziston një komunikim që ndodh në majë të botës dhe të gjithë të tjerët janë duke dëgjuar – kjo lloj arkitekture është plasaritur. Jo në skaje. Në qendër, në themele.

Shihni se çfarë tregojnë të dhënat aktualisht, dhe dua që të jeni të vëmendshëm, sepse ky është momenti ku analiza ndahet nga komentimi.

Dekadën e kaluar, shkëmbimet tregtare globale të kanalizuara në jo-dollarë u rritën nga një faktor i cili ishte konsideruar i pamundur në vitin 2010. Grupimi BRICS – i cili fillimisht u refuzua nga ekonomistët seriozë perëndimorë si një akronim marketingu – tani përfaqëson një shkëmbim tregtar global në terma të GDB-së (GDP) më të madh sesa G7. Jo pak më i madh, por më i madh me një marzh që rritet çdo vit. Anëtarë të rinj janë në pritje për t’u bashkuar. Anëtarët e vjetër janë duke thelluar bashkëpunimin. Shpejtësia e këtij konsolidimi institucional ka surprizuar edhe njerëzit brenda strukturës. Ndërkohë, në anën tjetër të regjistrit, ka ndodhur diçka tjetër.

Perëndimi nuk e ka humbur pushtetin përmes paaftësisë. Ai e ka eksportuar fuqinë e tij – gradualisht, dhe më pastaj tërësisht – përmes “armatimit” të sistemit financiar.

Çdo herë që aplikohej një sanksion, çdo herë që revokohej qasja në sistemin SWIFT, çdo herë që një rezervë e huaj bllokohej, një mesazh dërgohej te çdo ministër finance dhe te çdo guvernator i bankës qendrore që nuk ishte brenda grupit “ekskluziv”.

Mesazhi ishte ky: asetet tuaja nuk janë të sigurta nëse nuk jeni aleatët tanë. Edhe nëse erërat politike ndryshojnë, asetet tuaja nuk janë sërish të sigurta. Ky mesazh u dëgjua.

U dëgjua në Riad, u dëgjua në Xhakartë. U dëgjua në Brazilia, Ankara dhe në Johanesburg. Dhe përgjigja – fillimisht e ngadaltë, dhe më pas e përshpejtuar – ishte ndërtimi i alternativave. Jo nisur nga ideologjia, por nga interesi vetjak racional. Nisur nga vetë logjika që teoria ekonomike perëndimore e celebron si themelin e vendimmarrjes optimale.

Kjo është pjesa ku analistët vazhdojnë të gabojnë. Ata e përkufizojnë këtë zhvendosje si një përplasje vlerash. Demokracia kundër autokracisë. Rendi i bazuar në rregulla kundër idesë se “fuqia krijon rregullin”. Ky kornizim është intelektualisht komod, por është thellësisht kequdhëzues. Sepse vendet që po zhvendosen agresivisht drejt strukturave politike dhe financiare alternative, nuk janë duke e bërë këtë si pasojë e braktisjes së vlerave liberale. Shumë prej tyre nuk i kanë braktisur. Ata janë duke vepruar kësisoj sepse sistemi që pretendon se i trupëzon këto vlera, ka demonstruar, vazhdimisht dhe publikisht, selektivitet në aplikimin e tyre. Universalizmi selektivist nuk është universalizëm. Është një avantazh i maskuar. Kur e kuptoni këtë, ju kuptoni se pse zhvendosja është kaq e qëndrueshme. Ajo nuk është e udhëhequr nga një lider karizmatik, nga një lëvizje e vetme apo nga një zemëratë specifike. Është e udhëhequr nga memoria institucionale. Nga akumulimi në heshtje i momenteve ku vendeve u thuhej se “ne jemi partnerë” dhe më pas i trajtonin si klientë. Kjo lloj memorie nuk zhduket kur administrata ndryshon. Ajo përzihet.

Tani le të flasim se çfarë nënkupton kjo në terma konkretë sa i përket dekadës së ardhshme.

Së pari, energjia. Çmimi dhe pagesa e energjisë globale – nafta, gazi dhe tanimë edhe mineralet kritike që mundësojnë tranzicionin e gjelbër – janë zhvendosur. Jo plotësisht, jo brenda natës, por gjithsesi, me kahëzim dhe në formë vendimtare larg ekskluzivitetit të dollarit. Kur shtetet e Gjirit përcaktojnë monedha alternative për tregtinë e naftës, kur marrëveshjet për mineralet e rralla të tokës strukturohen jashtë infrastrukturës financiare perëndimore… roli i dollarit si monedhë rezervë e botës përballet me një presion që është cilësisht ndryshe nga çdo gjë me të cilën është përballur që prej Bretton Woods. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse statusi i dollarit si rezervë monetare nuk është thjesht fakt financiar. Përmes tij SHBA-të udhëheqin deficite që mund të jenë katastrofike për çdo vend tjetër. Kur ai status gërryhet – dhe është duke u gërryer – matematika fiskale ndryshon. Për Washingtonin. Për çdo institucion që varet nga Washingtoni.

Së dyti: teknologjia. Shkëputja e ekosistemit teknologjik (shkëputja e zinxhirëve të furnizimit) ishte supozuar të përmbante Kinën. Përkundrazi, ai ka përshpejtuar zhvillimin indigjen të Kinës, teksa në të njëjtën kohë ka fragmentuar peizazhin global teknologjik në një areal kompetitiv. Dy internete (rrjete). Dy zinxhirë furnizimi gjysmëpërçues. Dy korniza qeverisjeje AI, gjithnjë e më tepër të papajtueshme. Çdo vend që gjendet ndërmjet dy poleve – që përbëjnë gati shumicën e botës – tani duhet të bëjë zgjedhje që ishin të pamenduara 5 vite më parë. Zgjedhja e një baterie teknologjike, zgjedhja e një partneri infrastrukturor. Zgjedhja e një pakete rregullatore së cilës duhet t’i përgjigjet ekonomia juaj digjitale. Këto nuk janë zgjedhje teknike, janë qytetërimore.

Së treti: Institucionet. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore, FMN-ja, OBT-ja etj. – u ndërtuan për të menaxhuar një botë që nuk ekziston më. Ato reflektonin shpërndarjen e pushtetit nga viti 1945 deri në 1990. Vendet që zotëronin fuqinë e vetos, që ushtronin të drejta vote disproporcionale, që determinonin axhendën – këto vende nuk reflektojnë vendet ku gjendet aktualisht pesha ekonomike dhe demografike në vitin 2025. Diçka e tillë nuk është e qëndrueshme. Institucionet që nuk reflektojnë realitetin bëhen irrelevante, më pas anashkalohen, dhe fill pas kësaj kolapsojnë ose transformohen. Momentalisht jemi në fazën e anashkalimit. Faza transformuese është duke ardhur.

Së katërti: Strategjia ushtarake. Doktrinat strategjike që udhëhoqën zgjerimin e NATO-s, deterrenca e Paqësorit, vendosja në plan të parë e fuqisë ushtarake amerikane, ishin ndërtuar mbi një model dominimi partikular. Ai model supozonte kosto asimetrike në favor të SHBA-ve – ishte pothuajse gjithmonë më pak e kushtueshme për Washingtonin të projektonte fuqinë sesa për çdokënd tjetër t’i rezistonte asaj. Kjo lloj asimetrie nuk është më e vlefshme si dikur. Teknologjia hipersonike, lufta e dronëve, lufta elektronike – e kanë ndryshuar kalkulimin e deterrencës konvencionale në mënyra që ende nuk janë absorbuar plotësisht nga diskursi publik. Kompleksi industrialo-ushtarak adoptohet ngadalë. Konkurrenca strategjike nuk pret.

Çfarë do të thotë kjo – për njerëzit e zakonshëm, për shoqëritë, për zgjedhjet që bëhen në parlament dhe në këshilla – për dhjetë vitet e ardhshme? Do të thotë se epoka e supozimit lidhur me një rend të qëndrueshëm të jashtëm – një rend përmes të cilit mund të orientoni strategjinë e zhvillimit të vendit tuaj, një rend që shërben si një bazë parashikueshmërie – ka përfunduar. Vendet që e bazojnë modelin e rritjes së tyre tek eksporti i integruar brenda një zinxhiri të vetëm furnizues global do të përballen me probleme strukturore. Jo sepse kanë marrë vendime të gabuara, por sepse bota mbi të cilën morën vendimet ka ndryshuar. Çka do të thotë se çështja e autonomisë strategjike – e cila ishte refuzuar për dekada si nostalgji nacionaliste – tani është shndërruar në një politikë serioze në çdo kryeqytet serioz. Jo sepse globalizimi ishte gabim, por sepse ndërvarësia pa reciprocitet nuk është ndërvarësi. Është varësi. Dhe varësia, kur marrëdhënia ndryshon, bëhet vulnerabël.

Gjë që nënkupton se fuqitë e mesme – vendet që janë shumë të mëdha për të qenë klientë dhe shumë të vogla për të qenë pole – përballen me një moment thellësisht të paprecedentë. Tashmë disponojnë leva që nuk i kanë pasur në memorien e gjallë. Ato kanë aftësinë për t’u angazhuar në marrëdhënie të shumëfishta në të njëjtën kohë, të përfitojnë koncesione nga të dyja polet dhe të formësojnë rendin që po ngjizet në vend se thjesht ta pranojnë atë. Vendet që e kuptojnë këtë dhe lëvizin strategjikisht do të dalin edhe më të forta nga ky tranzicion. Vendet që presin qetësimin e situatës para se të marrin vendime, do të kuptojnë se arkitektura e re është ndërtuar tashmë. Dhe kjo do të thotë se narrativat që ju konsumoni rreth çështjeve globale do të bëhen gjithnjë e më pak të besueshme, asgjë më tepër. Sepse teksa bota bëhet gjithnjë e më shumë multipolore… asnjë ekosistem i vetëm mediatik, asnjë set i vetëm think-tankesh, asnjë gjuhë e vetme në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk do të jenë të afta t’ju japin një pikturë të saktë të asaj që po ndodh. Ju duhet të lexoni përtej sistemeve. Duhet të jeni skeptikë ndaj burimeve që kanë interesa institucionale me një interpretim të caktuar të ngjarjeve. Me pak fjalë ju duhet të bëheni më të sofistikuar – jo thjesht si qytetarë, por si qenie njerëzore që po navigojnë në një botë e cila është thellësisht më komplekse sesa bota që trashëguan prindërit tuaj.

Balanca e pushteteve ka ndryshuar. Ky nuk është parashikim. Është përshkrim i një procesi që po jetësohet. Pyetja nuk ka qenë asnjëherë nëse do të ndodhte apo jo. Multipolariteti ka qenë gjithmonë normë historike. Unipolariteti është përjashtim, dhe si të gjitha përjashtimet, është i përkohshëm. Kësisoj, pyetja është çfarë vjen më pas – kush do ta formësojë rendin që po lind, mbi ç’parametra, me ç’vlera do të mbrujë institucionet e tij, dhe sakaq, a mundet ky tranzicion të ndodhë përmes një adaptimi të menaxhueshëm apo do të ndodhë përmes katastrofave shkatërrimtare, siç ka qenë rasti me të tilla tranzicione më herët në histori.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP