Zhvillimi: Cilësi e shumanshme e qenies njerëzore
Nga Romeo Ismahilaj
Tipar i disiplinave shkencore, veçanërisht i atyre moderne, është përdorimi i koncepteve duke reduktuar kuptimet e tyre nën kornizat e fushës së tyre të hulumtimit. Shpesh i njëjti koncept merr kuptime të ndryshme, në varësi të fushës në të cilën përdoret. Por, reduksionizmi i koncepteve është edhe tipar i retorikës komunitare në shoqëritë moderne. Përgjithësisht njerëzit priren të interpretojnë dukuritë që ndodhin në rrethin e tyre shoqëror dhe për të interpretuar iu nevojitet të përdorin termat që përcaktojnë këto dukuri. Të ndikuar dhe të kufizuar nga rrethanat jetësore, përdorimi i këtyre koncepteve pëson reduktim të ngjashëm me atë të qarqeve shkencore.
Duke pasur parasysh dukurinë e përshkruar më sipër – në sajë të së cilës konceptet marrin trajta dhe mvishen me kuptime të përcaktuara nga kufijtë e disiplinave shkencore si edhe nga kuptimi që kanë shoqëri të ndryshme në lidhje me konceptet – paraqitet nevoja që disa terma të përpiqemi t’i kuptojmë nga një qasje më gjithëpërfshirëse.
Koncepti i zhvillimit pasqyron një nga rastet tipike të reduktimit kuptimor, pasi në vetvete ngërthen një funksion gjuhësor shumëdimensional, përdoret herë si emër, herë si mbiemër edhe herë si folje. Në diskutimet e përditshme, në përdorimin mediatik, ashtu sikurse edhe në ligjërimin politik jemi mësuar të dëgjojmë termin ‘zhvillim’ si sinonim të standarteve të larta të jetës materiale edhe ekonomike. Ky përdorim zakonisht është më i nënkuptuari dhe në shoqërinë shqiptare ka kaluar nga faza e përdorimit si mekanizëm gjuhësor drejt fazës së përdorimit si indikator i vlerësimit të vetes nën hijen e standardeve të zhvillimit perëndimor.
Qëllimi ynë nuk është konstatimi i problemeve dhe ngritja e kritikave, të tillat janë shumë të pranishme në shoqërinë tonë dhe përpjekja për t’i theksuar nuk iu jep zgjidhje problemeve. Vlerë dhe rëndësi më të madhe përbën përpjekja për të kuptuar sa më qartë, me saktësi edhe drejtë konceptet edhe dukuritë me të cilët bashkëveprojmë më së shumti në jetën tonë. Zhvillimi është një prej atyre koncepteve të rëndësishëm që lidhet në mënyrë të pashmangshme me njeriun dhe për të cilin na duhet të përvetësojmë njohjen edhe kuptimet adekuate, në mënyrë që të ndërtojmë raport sa më të drejtë me të edhe me dukuritë që përfshin në atë çka përkufizon.
Hapi i parë dhe më i rëndësishëm për të kuptuar konceptin zhvillim qëndron në aftësinë për ta dalluar si një koncept që lidhet ngushtë me njeriun dhe qëllimin e ekzistencës njerëzore. Derisa njeriu është qenia e vetme që mundet t’i japë kuptim jetës dhe t’i caktojë qëllim, apo të pranojë faktin se ekziston për një qëllim të caktuar, atëherë në kuptimin e parë zhvillimi përbën konceptin themelor vlerësues dhe përdoret për të përcaktuar përmasat e realizimit të qëllimit që çdo njeri e cakton apo e pranon për vetveten. Derisa qëllimi i jetës së njeriut mund të konsiderohet i plotësuar vetëm kur jetës i shkohet deri në fund, zhvillimi merr një kuptim përtej kohës. Pra, ne mund ta zhvillojmë qëllimin e jetës pa u kufizuar prej kohës sa jetojmë, dhe kjo qasje na vendos përballë domosdoshmërisë për ta kuptuar.
Qëllimi i jetës së njeriut përgjithësisht është element ontologjik, çka nënkupton se ai është i zhvillueshëm përtej standarteve sasiorë dhe materialistë. Të kuptuarit e zhvillimit si proces i interpretueshëm metafizikisht paraqitet disi i huaj për njeriun modern pasi mendësia e tij është ndërtuar nën ndikimin e një fryme të pastër materialiste. Materializmi si frymë ideologjike mbi bazat e të cilit njeriu modern ka ndërtuar jetën e tij e ka lidhur qëllimin e ekzistencës në mënyrë të pashmangshme me botën fizike, duke e përjashtuar ndikim e metafizikës. Kështu, “… në vend që të mëtojë të ngjitet deri lart, tek sferat e së vërtetës së epërme, njeriu i kohëve moderne po mëton ta zbresë të vërtetën e epërme në nivelin e tij…”[1]
Mënyra se si René Guénon e përshkruan krizën e botës moderne na shërben për të kuptuar shndërrimin kuptimor të koncepteve. Sipas tij thelbi i kësaj krize buron nga humbja e frymës tradicionale në Qytetërimin Perëndimor dhe zhbërja e elitës intelektuale që njëkohësisht duhet të jetë edhe elitë shpirtërore. Pasi ka humbur tradita, shoqëritë perëndimore janë ndikuar nga rryma ideologjike materialiste të cilat zhvllimin e konsiderojnë vetëm përparim në fushën e tekonologjisë, ekonomisë, zotërimit të materies edhe përmbushjes së dëshirave individuale. Kjo lloj pikëpamje rreth zhvillimit, qoftë atij personal apo atij shoqëror, ka pasur ndikim në përcaktimin e standardeve të zhvillimit duke përdorur vetëm matës statistikorë. Kësisoj zhvillimi individual konceptohet shkollimi i sukseshëm, formimi profesional i arrirë, sigurimi i një pune me të ardhura të larta dhe plotësimi i sa më shumë dëshirave, duke anashkaluar zhvillimin e brendshëm, ndërtimin e karakterit, përsosjen morale etj. Në rafshin shoqëror, ekonomik edhe politik, zhvillimi – i kuptuar nën këtë frymë – nënkupton fuqizimin e ekonomisë, rritjen e mirëqenies materiale edhe krijimin e sa më shumë hapësirave për t’u rritur në karrierë, profesion edhe punë, duke lënë pas dore kohezionin social, funksionimin e jetës familjare, harmoninë e njerëzve mes vete edhe me kulturën dhe traditat e tyre.
Vetë ky kuptim materialist i konceptit të zhvillimit dhe ndërtimi i marrëdhënies me të nën këtë frymë mund të shkaktojë gjendje krizash për të cilat njeriu dhe shoqëria duhet të vetëdijësohet dhe të reagojë. Kërkesa për zhvillim të plotë material e cila imponohet nga sistemet shoqërore është e pamundur të përmbushet plotësisht dhe ecën në kahje të kundërt me kërkesën e brendshme për zhvillimin moral të njeriut. Zhvillimi i brendshëm/moral ndryshon nga zhvillimi i jashtëm/material në rrafshin e referencave të cilat në rastin e parë janë vlerore dhe ruajnë një renditje hierarikike, kurse në rastin e dytë janë sasiore edhe pesha e tyre përcaktohet nga aftësia për të zotëruar sa më shumë materie. Këtë ngërç, pamundësinë për ta synuar zhvillimin në kuptimin gjithëpërfshirës, njeriu modern sikurse edhe shoqëritë moderne munden ta kapërcejnë vetëm nëse fillimisht qartësojnë kuptimin e koncepteve dhe më pas duke ndërtuar raporte të sakta konceptuale.
Kuptimi i qartë i koncepteve është fryt i studimit dhe përpjekjes së vazhdueshme intelektuale. Në rastin e konceptit të zhvillimit vlen të ndalemi tek mendimi konfucianist i cili është vlerësuar nga studiuesit si një nga faktorët thelbësorë të zhvillimit të shoqërisë kineze, me ndikim edhe në shoqëri të afërta me të. “Një ndër shkaqet kryesore se përse konfucianizmi u pranua si ideologji sunduese është se ai predikonte shoqërinë hierarkike, ku perandori ishte në majë të këtij sistemi, pra ishte një ideologji që i shkonte për shtat interesave të klasës sunduese, por gjithashtu ishte në dobi të ruajtjes së stabilitetit social dhe zhvillimit të vendit.”[2] Nga mësimet e Konfucit të regjistruara rreth 2500 vjet më parë mësojmë se zhvillimi nënkuptonte që njeriu përveç përmbushjes së standarteve administrative dhe statusit social të synojë përmirësimin e brendshëm, zhvillimin e vlerave morale dhe ekulibrin në marrëdhëniet ndërnjerëzore.
Zhvillimi njerëzor është i shumanshëm, dhe një nga anët e tij lidhet me të qenit e tij si standard i vlerave të cilat njeriu i ndërton gjatë gjithë jetës. Vlerat e tilla nuk kanë afate kohore fikse, sepse ato e përjetësojnë njeriun në kuptimin e cilësive me të cilat e pasurojnë. Gjithashtu vlerat morale jetojnë edhe pas vdekjes së njerëzve, ato mbeten si trashëgimi dhe përkufizojnë standardet e veprimeve për pasardhësit. Duke e kundruar zhvillimin si ndryshim cilësor të brendshëm nisim të kuptojmë natyrën ontologjike të tij. Vetëm kur e trajtojmë si standard metafizik mundemi të dallojmë midis zhvillimit si imperativ personal dhe zhvillimit si imponim i standarteve të përcaktuara nga struktura sociale dhe institucione publike.
Njeriu është qenia e vetme që ka aftësinë për t’i caktuar jetës qëllim. Derisa mundet të caktojë qëllim madhor të cilit i dedikon të gjithë jetën, njeriu mundet t’i caktojë vetes edhe qëllime kohorë që synon t’i përmbushë në intervale të ndryshme. Sa më shumë qëllime të ketë një njeri, aq më shumë zë vend koncepti i zhvillimit në jetën e tij. Qëllimet ashtu si edhe njerëzit janë të shumëllojta, ka prej tyre që mund të përmbushen në mënyrë individuale, por ka edhe të tillë që nuk mund të përmbushen pa bashkëveprimin ndërnjerëzor. Në këtë sferë të ndërveprimit mes njerëzve kalojmë nga kuptimi personal i zhvillimit në atë komunitar edhe më pas shoqëror.
Për nga natyra çdo qenie njerëzore kërkon që së pari të zhvillojë vetveten. Fillimisht njeriu dëshiron të zhvillojë ato cilësi në sajë të të cilave mund të përmbushë standardet e formimit individual, qofshin ato standarte intelektuale, morale, profesionale apo artistike. Nëse do i referoheshim Spinozës, për të çdo qenie njerëzore natyrshëm kërkon ta shprehë dhe ta ruajë fuqinë e vet. “Çdo gjë, për aq sa ai[3] është tek ajo, përpiqet që të ngulmojë në qenien e saj.”[4] Nëse zhvllimi i jashtëm iniciohet dhe menaxhohet nga faktorë që shpesh nuk i kemi në dorë, zhvillimi i brendshëm përbën një tërësi imperativash kategorikë që varen tërësisht nga vullneti njerëzor. Shoqëria dhe strukturat e saj funksionale mund të zhvillohen në përmasa sa më të plota, por ky zhvillim nuk arrin të përmbushë nevojën për zhvillim të brendshëm Nga ana tjetër, nëse pjesa dominuese e anëtarëve të shoqërisë arrijnë të zhvillohen në vetvete, duke plotësuar shumicën e dimensioneve zhvillimorë individualë, atëherë zhvillimi i jashtëm bëhet më i lehtë për t’u arritur dhe ka baza më të forta qëndrueshmërie.
Çrregullimi me pasojat më të përhapura dhe më me ndikim në shoqërinë shqiptare është produkt i konceptimit të gabuar të zhvillimit. Në masë besojmë se institucionet duhet të jenë të pakorruptuara dhe t’i përgjigjen nevojave të shtetasve për të arritur standardet europiane të zhvillimit. Por harrojmë se ndërtuesit e institucioneve jemi vetë ne. Zhvillimi institucional që nënkupton një standard të jashtëm mund të përmbushet atëherë kur pjesa më e madhe e shtetasve arrijnë të zhvillojnë kërkesat e brendshme për zhvillim moral. Vetëm anëtarët e pakorruptuar të shoqërisë mund të ndërtojnë institucione të pakorruptuara. Por, korrupsioni para se të jetë problem social është problem personal – mungesë e zhvillimit moral dhe e standardeve bazë të bashkëveprimit njerëzor.
Duke bashkëvepruar brenda një shoqërie të cilës i ofrohemi të karakterizuar nga një nivel i ulët i zhvillimit personal atëherë do ndërtojmë standarde sociale që vlerësojnë tek individi peshën materiale. Këto sisteme veprojnë si standarde zhvillimi që ushtrojnë trysni mbi individët. Kur qenia njerëzore vuan nga mungesa e zhvillimit të brendshëm njeriut i dobësohet aftësia për të ruajtur ekuilibrat dhe prioritetet. Në rrethana dobësie faktorët e jashtëm bëhen përcaktues të fatit tonë. A nuk është ‘fajësimi i shtetit/sistemit’ simptoma më e përhapur e çrregullimit dhe problemeve të shoqërisë sonë?! – Patjetër, shumica e shoqërisë shqiptare është e bindur se na mungon zhvillimi i përgjithshëm për faj të shtetit. Në përgjigje të kësaj gjendje shumëkush ka vendosur të veprojë për të ndryushuar gjendjen duke ndryshuar institucionet. Ndërkohë më e drejtë do të jetë të kthehemi tek ai ligj i natyrshëm i artikuluar nga Spinoza, ‘të ngulmojmë në qenien tonë’, sepse “asgjë nuk ka në vete diçka që mund ta shkatërrojë apo t’ia heqë ekzistencën”.[5] Jeta njerëzore është e cënueshme vetëm nga faktorë të jashtëm. Pikërisht institucionet publike, korrupsioni, padrejtësitë shoqërore, nepotizmi dhe zhbërja e shumë vlerave morale, duke e ndikuar jetën tonë, synojnë ta shkatërrojnë mirëqenien, kushtet bazë të jetesës dhe të ardhmen e brezave. Pra, rreziku vjen nga jashtë, por tërthorazi është produkt i yni. Këtë krizë sociale e cila nga viti në vit bëhet edhe më kritike nuk mund ta largojmë pa e kuptuar së pari se burimi i saj është ontologjik.
Haidegger e interpretoi prezencën e qenies njerëzore në botë si një akt i hedhjes së saj në ekzistencë. ‘Daseini’[6], që ruan kuptimin haideggerian për njeriun si qenie e pranishme me vetëdije në jetën e kësaj bote, sillet në këtu në rrethana kohore, sociale, politike edhe kulturore për të cilat nuk ka pushtet t’i zgjedhë. Aktiviteti i hedhjes nënkupton se njeriu tashmë ndodhet në një botë e cila paraqet etapa dhe dimensione të caktuara të jetës. Mjedisi shoqëror në të cilin ndodhet tashmë qenia njerëzore kushtëzon thellësisht rrugëtimin e tij personal. Njeriu kur lind gjendet në fazat e para të zhvillimit. Atij i duhet që gradualisht të zhvillojë aspektet organike, psiko-fizikë dhe socialë. Zhvillimi i tillë ndryshe quhet edhe rritje.
Ndërkohë që njeriu zhvillohet fizikisht rritja përbën një proces që ka fillim dhe mbarim. Por rritja ose zhvillimi intelektual, moral e shpirtëror është aspekt që tek njeriu nis dhe nuk ka një cak përmbushje kohore. Këtë dimension të papërfunduar dhe të papërfundueshëm të zhvillimit të brendshëm Haidegger do e konsideronte arsyen se pse “njeriu që kur lind është shumë plak për të vdekur.” Vdekja në këtë kontekst nuk ka për qëllim aktin konkret të largimit nga ekzistenca. Ashtu siç ‘daseini’ u hodh në botë, po ashtu edhe largohet prej saj pa marrë miratimin e tij. Por, për sa qëndron në këtë botë njeriut i duhet ta zhvillojë atë në mënyrë të njëkohshme, harmonike me zhvillimin e brendshëm. Nëse cënohen ekuilibrat, nëse qenia njerëzore harron faktin se është hedhur dhe jepet pas botës sikur të jetë i përhershëm, ia dedikon qëllimin e jetës zhvillimit të materies, atëherë konsiderohet si ‘shumë plak për të vdekur’. Në një farë mënyrë nuk përbën ndryshim nëse largohet nga kjo jetë në moshë të re apo të vjetër, pasi marrëdhënia që ka ndërtuar me të është e gabuar. Pasaktësia në këtë marrëdhënie ndodh kur cënohet harmonia mes zhvillimit të brendshëm dhe zhvillimit të strukturave shoqërore. Strukturat shoqërore janë burimi prej të cilave përfitojmë mirëqenien materiale, por nëse nuk dimë t’i përdorim apo i përdorim edhe si burim i nevojave shpirtërore, kjo gjë e zbeh zhvillimin njerëzor dhe e vendos njeriun në gjendje anomie e cila shpreh një gjendje të të qënit shumë pranë vdekjes. Shumë pranë vdekjes jo si ezaurim i jetës biologjike, por si tëhuajëzim i shpirtit i cili robërohet ndaj një fryme materialiste që e shndërron në pjesë mekanike të vetën.
Duke e jetuar jetën si pjesë e një procesi vicioz që i jep njeriut material për të përmbushur nevojat edhe dëshirat e nga ana tjetër e shnëdrron në ingranazh të këtij sistemi, atëherë njeriu harron se ëahtë hedhur në këtë botë, edhe pse e di. Harron se duke qenë qenie e hedhur është njëkohësisht edhe e përkohshme pasi nuk i përket tërësisht kësaj bote. Prandaj është një projekt i papërfunduar dhe sado të zhvillohet, daseini është i papërfundueshëm në këtë jetë, ashtu siç edhe vetë bota e jashtme të cilën nuk mund ta zhvillojë deri në përkryerje.
Haideger na ndihmon t’i njohim vetes kufijtë ontologjikë. Kufijtë ontologjikë i shërbejnë njeriut për të kujtuar vetveten, për të llogaritur dobinë që duhet të tërheqë tek vetja nga zhvillimi i botës se jashtme dhe nga zhvillimi individual. Këta kufij na ndërgjegjësojnë rreth shumanshmërisë të zhvillimit të qenies sonë. Zhvillimi i shumanshëm i njeriut do të thotë se vetë ky koncept merr trajta të ndryshme nga rrethanat dhe pozitat në të cilat gjendemi. Zhvillimi material ka për qëllim përfshirjen në përfitmin e të mirave që ofron shoqëria, teknologjia apo struktura të ndryshme sociale. Ndërsa zhvillimi moral nënkupton distancimin tonë prej shumë të mirave dhe monitorimin e përfitmit për shumë të mira të tjera.
Zhvillimi mund të perceptohet në dimensione të ndryshme si zhvillim politik, zhvillim kulturor, zhvillim ekonomik, zhvillim intelektual, zhvillim shpirtëror, zhvillim infrastrukturor etj. Derisa sferat e zhvillimit të qenies janë të shumta, edhe trajtimi i tyre kërkon hapësirë të veçantë dhe përpjekje më vete. Në këtë artikull qëllimi dhe përpjekja synuan ta qartësojnë konceptin zhvillim për të nxitur reflektim rreth formave të ndryshme se si mund të perceptohet dhe në çka konsiston. Ndërsa në vijim, për aq sa na mundësojnë rrethanat, në qasjet e ardhme do kemi përpiqemi të trajtojmë disa prej aspekteve të shumta të zhvillimit.</div>
Referenca
- René Guénon, Kriza e botës moderne fq.128
- Konfuci, Analet, fq 9
- ‘Ai’ në këtë rast ka parasysh Substancën apo Zotin, ndërsa ‘ajo’ nënkupton njeriun
- Spinoza, Etika, fq 129
- Po aty, fq 129
- Koncepti me të cilin filozofi Haidegger identifikonte njeriun
Komente