web analytics

Të veçanta

Aspekte të një estetike të kapitalizmit

Kjo ese u shkrua për Konferencën Shkencore Kombëtare të Filozofisë: “NJERËZORJA DHE ARDHMËRITË E SAJ”

MSc. Rigers Balliu, Departamenti i Filozofisë, Universiteti i Tiranës

 

Aspekte të një estetike të kapitalizmit

Abstrakt

Imazhi i përftuar në art përmes mekanizmit të mimesis-it si transfigurues i gjësendit nga realiteti në vepër arti, bëhet termi që përbashkon veprën e artit si produkt i një ndjeshmërie estetike dhe tregut të abstraguar të kapitalizmit. Imazhi kurdoherë zotëron potencialisht mundësinë për të dubluar realitetin dhe për krijuar një topos tjetër me mekanizma të veçantë të funksionimit, të drejtuar tashmë nga vetë ai. Raporti imediat me imazhin në veprën e artit është mundësia e vetme e spektatorit që vepra të shijohet për hir të efekteve të saj estetike, ndërsa kur ky mekanizëm zë vend në realitet, në këtë rast përmes prodhimit kapitalist, ai realizon potencën e tij për të dubluar në mënyrë të vazhdueshme të realtën. Me rrezikun se në dallim nga ajo çfarë ndodh gjatë kontaktit dhe shkëputjes së tij, me veprën e artit, dhe me artefaktin kapitalist dhe evolucionin prodhues pa mbërritje fundore, ky dublim i reales nga imazhi nuk ndërpritet, duke patur për rrjedhojë tëhuajsimin e njerëzores ose duke humanizuar të kundërtën. Këtu njerëzorja do të përcaktohet nga diferenca mes imazhit të transvetëdijshëm dhe identitetit si vetëdije. Përmes analizimit të funksionit konceptual të mimesis-it nisur nga estetika, tentohet nëpërmjet aplikimit të saj në marrëdhënien mes kapitalizmit dhe reales, të kuptohet diçka mbi vetë natyrën e reales dhe pragun mes saj dhe imazhit-mall të kapitalizmit. E gjithë dialektika reale-imazh ndodhpërmes perceptimit njerëzor mbi të, duke implikuar kësisoj përcaktimin e njerëzores nisur nga shqyrtimi i jonjerëzores.

   Fjalë kyçe: estetikë, kapitalizëm, reale, imazh, mimesis, artifakt, njerëzore.

 

Hyrje

Në këtë ese synohet që përmes analizimit të imazhit në veprën e artit, si dublim i të njëmendtës në vepër, dhe si zotërues i potencës për të dubluar realitetin edhe pas shkëputjes së kontaktit me të, të provohet realizimi i një ure konceptuale, përmes imazhit dhe mekanizmave që i mundësojnë atij potencën si më lart, për të kuptuar në një mënyrë tjetër kapitalizmin. Duke argumentuar përmes kësaj skeme mbishtresimin që kapitalizmi i bën realitetit, dhe artificialitetit të rankimit apo përcaktimit të njerëzores përmes tij. Realja këtu është univoke me perceptimin njerëzor mbi të, duke u nisur a priori se ky perceptim për realen kushtëzohet nga vetëdija si njësim me veprimtarinë mendore konceptuale, dhe vetëndodhja në botë. Si rredhojë realja do të gjendet vazhdimisht në relacion me njerëzoren duke patur për referim shpjegimin e mësipërm për të. Imazhi i përftuar në veprën e artit për të garantuar ekzistencën e tij si imitues i gjësendit në realitet, duhet të ruajë një korrespondim të vazhdueshëm me të. Përmes kësaj korrespondence ai bëhet përfaqësues i gjënsendit në veprën e artit, dhe si pasojë e këtij shembëllimi dhe faktit se imazhi nuk ka ekzistencë të mëvetësishme jashtë përfaqësimit, shfaqet një mundësi; potenca e imazhit për ta përfaqësuar përgjithmonë gjësendin, sepse në të kundërt nuk ka mundësi ekzistence jashtë këtij përfaqësimi. Rrjedhimisht imazhi do të dublojë dhe konkurrojë gjësendin përgjithmonë, derisa ta zëvendësojë duke mbishtresuar realitetin dhe shpërndërruar njerëzoren sipas përfytyrimit të ri mbi realen. Në veprën e artit, kjo potencë e imazhit realizohet përkohësisht gjatë kontaktit të spektatorit me të, dhe ndërpritet pas shkëputjes së kontaktit me veprën e artit. Për Kapitalizmin, potenca e imazhit për t’u shndërruar nga funksioni i përfaqësimit, në funksion të vetvetes duke konkurruar realen, është mënyra se si i mbivendoset asaj, duke e dubluar dhe duke pohuar për njeriun një natyrë të përcaktuar në terma ekonomikë. Nuk e kam fjalën këtu për dallime klasore me bazë zotërimin e kapitalit, por për ndërtimin e një rendi ligjërimor mbi njerëzoren, përmes një mikrogjuhe me natyrë ekonomike. Në një botë të dominuar nga objektet mallra, përmes tyre jo vetëm që përcaktohet statusi shoqëror, por edhe kufiri ndërmjet njerëzores dhe jonjerëzores. Njerëzorja që do të propozojmë këtu përcaktohet gjithnjë në dialektikë me të kundërtën e saj. Duke u përpjekur të shmanget, me aq sa është e mundur, çdo përkufizim i njerëzores përmes mbishtresimeve të makinerive antropologjike në histori mbi kuptimin e saj, dhe përmes një evidentimi të asaj që a priori është jonjerëzore, do të bëhet ballafaqimi me atë që kapitalizmi i imazhit-mall i mbivendos reales.

 

  1. Imazhi si përfaqësues i transfigurimit të gjësendit nga realiteti në veprën e artit

Mimesis-i është një nga mekanizmat historikë të artit, i kuptuar jo si një imitim i rëndomtë, por një paraqitje akti-veprimi, i ndërtuar dhe rregulluar në bazë të talentit të gjenisë, i cili ka për rezultat nje pakt besnikërie mes artistit dhe spektatorit për vërtetësinë e veprës së shijuar apo që do të shijohet. Kështu, mimesis i cili kryen tranfigurimin e reales në art, në një lexim me kah të kthyer të këtij raporti, si imazh artistik-realitet, mbart në vete dhe një raport besueshmërie i cili krijohet teksa realizohet imitimi: mes spektatorit, artistit dhe veprës së artit si vërtetësi. Historikisht mimesis-i ka fituar konfigurime të ndryshme, nga teknikë e riprodhimit të realitetit, me efekt prirjen për njohje dhe hedonizmin, tek një shfaqje e lirë e një modeli ideal. Tek neoplatonizmi, si imitim i idesë që realizon dëshirën e bashkimit me realitetin e kuptueshëm, në bazë të ngjashmërisë që ky realitet paraqet me natyrën e shpirtit. E në braktisjen e referimit ndaj imitimit të natyrës në emër të një ideje që i prezantohet shpirtit dhe rivlerësimit të aftësisë së artisitit.

Artisiti në bazë të talentit të gjenisë dhe përmes teknikës i dhuron gjësendit një përfaqësues arbitrar, një kopje të saj, e cila do ta paraqesë atë në vepër arti. Ndërsa spektatori gjatë shijimit të veprës, përmes përfaqësisë së imazhit, realizon transferimin dhe identifikimin me të. “Publiku spektator siç e kuptojmë sot, ka qenë kuptuar ndryshe nga grekët, në amfiteatrot e tyre secili mund të shkëputej nga bota e kulturuar dhe ta përfytyronte veten korist…”[1]. Siç do ta shtjellojmë më tej natyrën e imazhit, ky transferim ndodh sepse imazhet nuk kanë ekzistencë paraprake, dhe rrejdhimisht nuk janë të vendosur në një sfond nga ku mund të përvetësohet një pikë e lirë e shikimit të imazheve[2]. Në gjithë rrugëtimin historik të artit dhe estetikës si kategori filozofike, konceptimi i mimesis-it ka ndryshuar: nga bashkëlidhja e idesë së përfaqësimit me atë të ngjashmërisë deri në panevojshmërinë e ngjashmërisë për realizimin e përfaqësimit të gjësendit nga imazhi. Sipas parimit imitues imazhi artistik ia detyron ekzistencën e tij mundësisë për të përfaqësuar gjësendet në botën reale.

 

  1. Potenca e imazhit për të dubluar realen

Imazhi artistik nuk gëzon ekzistencë të mëvetësishme, pra për të qenë i duhet me domosdoshmëri të përfaqësojë diçka tjetër nga vetja. Përmes këtij përfaqësimi bëhet e mundshme aftësia joshëse e veprës së artit; shkaktimi i kënaqësisë, identifikimi apo intensifikimi i komunikimit. Për të siguruar ekzistencën e tij të vazhdueshme, imazhit do t’i duhet që, pasi ta ketë përfaqësuar një herë gjësendin, të vazhdojë ta bëjë atë pandërprerë. Kjo do ta vendosë potencialisht imazhin në linjën e shndërrimit nga funksion i përfaqësimit, në funksion të vetvetes duke konkurruar dhe dubluar gjësendin. Për të marrë ekzistencë, imazhit do t’i duhet kësisoj, përveç përfaqësimit, edhe kalimi i tij në pikën tonë fokale të vëzhgimit. Sepse nëse kemi pranuar pohimin e mësipërm për ekzistencën e ndërvarur të imazhit, themi për të se në dallim nga gjësendet në realitet, ai nuk ndodhet askund i shtresuar në gjendje pasive, apo jashtë pikës sonë fokale të vëzhgimit, derisa ai merr ekzistencë falë përfaqësisë duke u kushëtzuar që këtë ekzistëncë ta kushtetojë në pikën tonë fokale të vëzhgimit. “Në Botën e Trillimit ajo që banon aty, në fillim vëzhgohet dhe vetëm më pas ekziston (dhe në këtë botë ka po aq gjëra sa ekzistojnë) kurse në Botën e Njëmendësisë çka banon aty, në fillim ekziston e vetme më pas vëzhgohet (dhe në këtë botë ka më shumë gjëra ngase vëzhgohen)”[3].

Postulojmë tashmë se imazhi artistik nuk zotëron vetëdije, sepse mjafton për ekzistencën e tij, siç argumentuam më lart, përfaqësimi dhe vëzhgimi imediat. Në mungesë të vetëdijes konceptuale të identitetit dhe duke patur kusht të ekzistencës vëzhgueshmërinë, ai është i transvetëdijshëm dhe i detyrohet vetëdijes së jashtme që i kap si imazhe. Pse vëzhgimi është kusht i ekzistencës së imazhit në veprën e artit dhe si mbërrijmë në një konkluzion të tillë? Imazhet në veprën e artit, siç thamë, janë objekte për vëzhgim të jashtëm dhe ekzistenca e tyre, edhe nëse do pranojmë një farë autonomie (gjë që është e pamundur), është e jashtme dhe nuk fsheh nga subjekti që konsumon veprën asnjë përmbajtje të padepërtueshme nga vëzhgimi. (Veçse në ndonjë taktikë artistike të krijuesit të veprës.) Pse themi që nuk ruan asnjë përmbajtje të pareduktueshme? Sepse në të kundërt, do të na duhet të pranojmë për imazhet se kanë një ekzistencë të brendshme që u japin atyre identitet si në realitet. Gjë kjo e cila do na pamundësonte një njohje totale mbi të, pasi kemi pranuar për imazhin se për të realizuar plotësisht përfaqësimin e gjësendit, duhet të shfaqë plotësisht si të jashtme atë që nuk mund të njohim tek gjësendi si brendësi; ndryshe do të ishte i paarritshëm përfaqësimi dhe transformim-identifikimi i konsumuesit të veprës me imazhet. Rrjedhimisht mund të pohojmë se imazhet kanë vetëm formë, apo janë vetëm sipërfaqësi, sepse, nga sa thamë më lart, i detyrohen përfaqësimit dhe vëzhgimit.

 

  1. Mbi njerëzoren dhe jonjerëzoren

Me përcaktim të njerëzores nuk kemi për qëllim asnjë mbiemërtim të saj, nisur nga çka fiton ajo më tepër se të tjerët në një pikëpamje evolutive të natyrës së saj. Kjo do e bënte të pamundur vazhdimin e përkufizimit të njerëzores, pasi njohja e saj nisur nga teprica do të ishte vetëm opsionale, përsaqë i hedhur në histori, produkt i makinave antropologjike të ndryshme dhe në fqinjësi me të tjerë të ngjashëm dhe gjësende të cilat nuk i ngjajnë. Kështu që përcaktimi i njerëzores këtu do të niset nga të pangjashmit e saj, duke përcaktuar kështu fillimisht se çfarë nuk i përket njerëzores nisur nga jonjerëzorja dhe çfarë është njerëzore jo si rezultat i dallimit, por si themelues i saj. Prandaj i gjithë shtjellimi i mësipërm mbi imazhin, duke e zgjeruar fushën e tij të shqyrtimit jo vetëm si përfaqësues i transfigurimit të gjësendit në veprën e artit, do të ishte objekti i volitshëm këtu për të kuptuar përmes qenies së tij njerëzoren.

Imazhi artisitik kushtëzohej nga dy mundësi njëlloj të domosdoshme për të garantuar ekzistencën e tij: aftësia për të përfaqësuar një gjësend nga realiteti dhe për ta performuar këtë përfaqësim, i duhet të kalojë në pikën tonë fokale të vëzhgimit. Përderisa pohojmë për imazhin se ka si kusht ekzistence përfaqësimin, vetëkuptohet fakti se ai nuk zotëron asnjë përmbajtje-përbrendje dhe vetëdije konceptuale të identitetit, duke qenë kështu i transvetëdijshëm. Përbrendësia është element thelbësor që përcakton kufirin e parë të asaj që nuk është vetëm objekt për vëzhgim të jashtëm, por ekzistencë si qenie për veten, gjë kjo e cila nënkupton një ekzistencë të mëvetësishme, e cila nuk kushtetohet përmes përfaqësimit dhe vëzhgimit. Ndryshe themi për imazhin i cili kushtetohet përmes vëzhgimit. Mungesa e përmbajtjes tek imazhet, e evidentuar nga sa u tha më lart, është një tjetër arsye të besojmë natyrën jonjerëzore[4] të imazhit. Pretendimi këtu është zgjerimi i fushës së shqyrtimit të imazhit nga vepra e artit në realitet përmes dy elementëve që i konsideruam fondamentalë për imazhin artistik: vëzhgueshmërinë dhe përfaqësinë. Të dy kushte që e themelojnë imazhin edhe jashtë veprës së artit, me dallimin se në realitet imazhit nuk i mungon e brendshmja, por megjithatë ky realitet për spektatorin mbetet jashtë percetimit të tij, për t’i krijuar imazhit mundësinë për realizimin e potencës së tij. Por, kjo e brendshme e imazheve të gjësendeve jashtë veprës së artit na hap një problem për konceptimin e imazhit këtu: mundësia e së brendshmes si garantuese e imazhit në realitet. Megjithatë imazhi e ka të pamundur ta përfaqësojë totalisht të brendshmen vetëm nëse pranojmë shlyerjen e kësaj të fundit, ngaqë qëndrimi brenda është vetë kushti i të brendshmes në realitet[5]. Pra imazhit si të tillë i duhet të kushtetohet sidoqoftë në përfaqësim dhe në pikën fokale të vëzhgimit dhe pasi ai e ka realizuar një herë potencën e tij për të dubluar në veprën e aritit, ai mund ta realizojë sërish atë edhe kur ndryshon vendodhja dhe kushtet e saj.

“Për sa i përket kufirit të psikikes, ky kufi përkon me atë të gjallesës. Përveç cilësive objektive fenomenale që i quajmë të gjalla, ka ende dhe një cilësi tjetër që është thelbësore te to, e që është fakti se ato nuk janë vetëm objekte për vëzhgime të jashtme, por ekzistojnë edhe si qenie për vete, kanë një brendi përmes së cilës janë të vetëdijshme për veten”[6]. Nga kushtet që përbëjnë realen është vetëdija konceptuale e identitetit dhe distanca mes brendisë dhe jashtësisë, dhe mungesa e çdo detyrimi për të qenë domosdoshmërisht i vëzhguar. Kjo mungesë domosdoshmërie për vëzhgim implikohet nga e brendshmja e cila është analoge me të pavëzhguarën ose të pavëzhgueshmen. “Mbledhja, vetëdija, aftësia dhe mundësia për t’u sendërtuar, ajo që në zanafillë është vetëm rezistencë ndaj prirjes, formojnë pra një strukturë të vetme të pashqitshme, e cila si e tillë, i përket vetëm njeriut”[7]. Përjetueshmëria apo vetëdija konceptuale për të sendërtuar botën dhe veten është pjesë e së brendshmes njerëzore dhe ajo është një mundësi që gjërat të ekzistojnë pa domosdoshmërinë e vëzhgimit dhe kjo ekzistëncë të jetë e padyshimtë pavarësisht faktit së janë të pavëzhgueshme. Përfaqësimi total i të brendshmes në të cilën realizohet përjetueshmëria, është i mundshëm vetëm artificialisht, gjë e cila do konsistonte në një totalitarizëm të jetës përmes imazhit, përfundimi drejt të cilit shkon edhe kjo ese. Por realizmi i këtij totalitarizmi do të shlyente nga ana tjetër të brendshmen, për rrjedhojë nga sa thamë më lart, përjetueshmëria është e pamundur tek imazhi dhe se sipërfaqësia totale është e pamundur tek njeriu, ose e panevojshme që e brendshmja të shpallet jashtë për të krijuar bindjen për ekzistencën e saj. Njëmendësia ose njerëzorja për sa më lart i takon një regjistri të cilin mund ta konsiderojmë si mundësia për të qenë i pavëzhguar, ndërsa imazhi në art ose jo, i takon një regjistri ku vëzhgueshmëria, jo vetëm si akt, por edhe si sipërfaqësi, është domosdoshmëri.

 

  1. Koncepti dhe e brendshmja

Në diskursin mbi imazhin, u pohua domosdoshmëria e sipërfaqësisë së tij të vëzhgueshme dhe përfaqësimit të gjësendit, apo edhe konceptit të ndërmarrë për përfaqësim. Konceptet janë blloqe strehimi të gjendjeve individuale, unike, apo specifike të gjësendeve në botë, të cilat formojnë atë çfarë kemi quajtur deri tani reale në këndvështrimin njerëzor, madje dhe vetë kuptimin mbi njerëzoren. Konceptet nuk mund të ekzistojnë së jashtmi, të qenët e tyre është i mundshëm vetëm në kushtet e të qenit përherë brenda, pohim ky i cili do na japë një tjetër kuptim mbi përjetueshmërinë, përsaqë e konsideruam më lart si karakteristikë e së brendshmes. Sepse koncepti vetëm së brendshmi i shpëton vëzhgimit duke bërë të mundshme kompetencën e vet për të strehuar të gjithë ekzemplarët realë apo potencialë të së njëjtës katëgori të qeni. Së brendshmi tek njeriu, koncepti është element i natyrës njerëzore, “i tillë që mundëson abstraksionin, komunikimin, dhe publikun”[8]. Konceptet përmes intelekualizimit nuk lejojnë që dallimet mes gjësendeve ta bëjnë kaotike njohjen tonë, duke depozituar në to të gjitha përvojat dhe eksperiencat tona shqisore dhe duke prodhuar një kod universal komunikimi me botën (ose ka tendencën ta bëjë si aftësi e arsyes për të universalizuar mbi shumësinë e jetës) dhe kuptimet tona. Në këtë kuptim përjetueshmëria është e përfaqësuar nga tërësia e koncepteve tona. Në të kundërt, ekspozimi ndaj vëzhgimit si kompensues i një prej ekzemplarëve shndërrohet përfundimisht në imazh të jashtëm, një ekzemplar unik përherë i vëzhguar dhe humbet të qenët koncept universal. Pra mund të përvijojmë nga sa më lart se imazhet janë jashtësime të koncepteve, ekzemplarë unikë apo objekte individuale, të cilat, në ekspozimin ndaj vëzhgimit dhe në raport me konceptin, bëhen përfaqësuese totale të tij, duke shlyer domosdoshmërinë e tij në kuptimin e reales dhe njëmendësisë.

 

  1. Prodhimi kapitalist dhe potenca e imazhit

Në trajtimin e imazhit në veprën e artit, interesi ynë nuk është mbi efektet e tij estetike, prandaj duke iu referuar kushteve më fondamentale të përkufizimit të imazhit, si më herët, do të ndërtojmë kuptimin, ose do të përdorim për këtë qëllim, tek kapitalizmi, i kuptuar në rrethanat e prodhimit modern, mbivendosjen që ai i bën reales e rrjedhimisht njerëzores. I përshkruam imazhit artistik dy kushte për të gëzuar ekzistencën e tij: sipërfaqësinë totale në përfaqësimin e gjësendit dhe domosdoshmërinë e të qenit i vëzhguar. Dy kushte të cilat imazhit i duhet t’i demonstrojë edhe jashtë eksperiencës estetike për të garantuar qenësinë e tij. Me vazhdimin e realizimit të këtyre dy kushteve prej imazhit edhe pas ndërprerjes së raportit imediat mes tij dhe spektatorit (si mundësia e vetme për të shijuar veprën për hir të efekteve të saj estetike në veprën e artit)[9], mundësohet aktualizimi i potencës së tij për të dubluar realen[10]. Kështu atij i duhet të vazhdojë plotësimin e dy kushteve për të garantuar ekzistencën e tij në kurriz të topikës ku realizohet njerëzorja: prania e së brendshmes dhe vetëdija konceptuale[11]. Pra që në zanafillë imazhi e potencon aftësinë e tij për ta tejkaluar funksionin e tij të kufizuar në veprën e artit, për t’u shndërruar në funksion të vetvetes. Përfaqësimi i gjësendit prej imazhit jashtë veprës së artit implikon konceptin si karakteristikë e përjetueshmërisë së njeriut. Sepse koncepti si bllok i eksperiencave unike, në ballafaqim me gjësendet, shërben të mos biem në kaosin e njohjes dhe njëkohësisht i ruan gjësendit një autonomi noumenale, për të mos e zotëruar kurrë plotësisht. (Veçse kur ndodh gjatë përdorimit). Ndërsa imazhi në raportin e tij me gjësendin ose duhet ta përfaqësojë plotësisht, ose të hiqet sikur e bën (përsaqë nuk kemi mundësi ta njohim noumenalen tek ai dhe për ta krahasuar me atë që imazhi shfaq si totalitet të gjësendit), duke shlyer artificialisht nevojën për gjësendin dhe duke fituar autonominë e vetes. Në këtë përfaqësi totale, imazhi ofron si eksperiencë totale atë që për konceptin është shembëllti unike/specifike, duke shlyer bashkë me gjësendin si noumen edhe konceptin si strehë e kompleksitetit të eksperiencave unike të njeriut.

“Entiteti madhor platonik i quajtur ‘Tregu’ ka funksionuar kahmot në një mënyrë ‘abstrakte’. Ai ka sublimuar mallrat e tij të shitshme si përvoja edhe në rendin e nevojës fizike edhe në atë të imagjinatës simbolike”[12]. Tregu sillet si metastrukturë socio-semiotike sepse shkëmbimi i mallrave nuk nënkupton vetëm këtë të fundit, por gjithashtu pjesëmarrje në kolektivitetin imagjinar të njerëzve që e zotërojnë atë. Tregu, së bashku me funksionin e tij në rendin e nevojës fizike, ka funksionuar ose ndërtuar një funksion abstrakt, i cili lidhet si shkak me metastrukturën sociale për përcaktimin e rolit të njeriut në të. Sot, në një formë të avancuar të kapitalizmit, artefaktet luajnë rolin lidhës ndërmjet grupeve të njerëzve. Dhe kur themi artefakt në kuptimin që kapitalizmi i ka dhënë atij sot, themi imazh-mall, sepse ai e ka humbur masivisht kuptimin e funksionalitetit dhe forma apo sipërfaqja e mbizotëron funksionin plotësisht, saqë për njeriun e kapitalizmit mund të themi se blen objekte të padobishme dhe pa asnjë funksion, kjo jo për prestigj apo për të konfirmuar statusin e tij social, por sepse artefakti si imazh-mall ka humbur funksionin për përdorim, në hesap të funksionit për përfaqësim. “Duke folur në përgjithësi, mbas vitit 1960 dhe lindjes së kapitalizmit konsumerist, u shfaqën problematika të reja dhe u paraqit një estetikë e re e prodhimit: strategjia e prodhimit të produkteve që dalin shpejt jashtë mode ishte pa asnjë mëdyshje një mënyrë mjaft efikase për të krijuar ‘konsumatorë të pakënaqur’. Ideja e Bruks Stivensit se prodhimi i produkteve që dalin shpejt jashtë mode funksiononte duke ngulitur tek blerësi dëshirën për të zotëruar diçka paksa më të re, paksa më të mirë, paksa më të shpejtë se sa ç’është e nevojshme, ishte edhe dobiprurëse edhe e dëmshme. Megjithatë, ajo solli një shumim të inovacioneve stilistikore, një bollëk produktesh dhe një zgjerim të aktivitetit ekonomik. Estetikisht kjo çoi drejt asaj që është quajtur ‘vdekja e objektit’ dhe tendenca në rritje drejt ‘dematerializimit’ si dhe ‘ikonofobisë’”[13]. Ky prodhim me bollëk i mallrave të cilat tashmë e kanë humbur objektivitetin si gjësende, teksa i kemi përshkruar këtyre mallrave karakteristikat e imazhit, krijon momentin e përshtatshëm që dublimi i reales mos të ndërpritet duke realizuar potencën e imazhit për ta përfaqësuar gjësendin gjithnjë pasi e ka bërë atë një herë.

Spektakli mbahet përfundimisht përmes shumëfishësimit të vazhdueshëm të imazhit-mall, duke dubluar realen. Kapitalizmi ndjen nevojën për rishpikje të vazhdueshme për ta bërë atë aq kreativ dhe të domosdoshëm në sferën e prodhimit të artefaktit. Artefakti shndërrohet në mall nga prodhimi i tij në masë dhe nga puna e tëhuajsuar e punëtorit, dhe duke humbur funksionin e tij të përdorimit në llogari të përfaqësimit të nevojës, me tranzicionin e prodhimit kapitalist, nga nevoja për grumbullim në nevojë për dukje përmes kushteve moderne të prodhimit. Ky progres i prodhimit kapitalist përjashton “të brendshmen” e gjësendit-mall, por duke iu nënshtruar për vete ndryshimit të përbrendshëm të reales. Imazhi-mall në këtë moment është në okupim total të jetës sociale, në të cilën jo vetëm raporti me imazhin-mall i detyrohet vëzhgimit, “por nuk shihet tjetër gjë pos tij: bota është bota e tij”[14].

 

  1. Tëhuajsimi i njerëzores, humanizim i jonjerëzores
  2. 1. Vendosja e shenjës së barazisë mes imazhit dhe artefaktit kapitalist në periudhën pas ‘60

Më lart pretenduam vendosjen e shenjës së barazisë mes imazhit dhe artefaktit kapitalist në periudhën e fundit të tij, e cila vazhdon të zgjatohet në kohë. Hapi i parë i këtij barazimi ndodh teksa në shoqërinë kapitaliste bëhet një përpjekje totale e identifikimit të të mirave me mallrat; kjo mund të duket si progresi më fondamental i kapitalizmit nëse do të kuptojmë me progres “kënaqjen me mbijetesën që rritet sipas ligjeve të veta”[15]. Më pas me mbizotërimin e formës së mallit përmes masivizimit të tij dhe humbjes së kuptimit të funksionit-nevojë, dhe imponimi i pseudo-nevojës nga konsumimi modern. Dhe kënaqësia e përdorimit që zotërimi i bollëkut të mallit nuk arrin me e prodhu më si efekt, zëvendësohet me “përnjohjen e vlerës së tij si mall”[16] dhe përdorimit të mallit që i mjafton vetes. Karakteristike e kapitalizmit modern bëhet shlyerja e nevojës për mallin, duke e zëvendësuar me imazhin-mall dhe nevojën për dukjen, për të themeluar një qenësi autonome të mallit, si dëshirë në vetvete.

 

  1. 2. Krijimi i kushteve të favorshme për zgjatjen e spektaklit si shkak i rishpikjes së vazhdueshme dhe pa pikë fundore të kapitalizmit.

Me lindjen e kapitalizmit konsumerist, pas viteve ‘60, u paraqit një strategji e re e prodhimit, masivizimi i produkteve që dalin shpejt jashtë mode dhe ngulitjen e dëshirës përmes kësaj strategjie të re tek blerësi, për të zotëruar gjithnjë diçka paksa më të re, paksa më të mirë. Kjo dëshirë e ngulitur nuk mund të marrë formën e saj finale, pa kushtin e parë, i cili ishte shlyerja e funksionit të nevojës për llogari të pseudo-nevojës, apo siç e kemi përmendur më herët, si nevojën për dukje. Por kjo nevojë për dukjen, nuk vjen si tregues i statusit social, por si efekt i potencës së imazhit për të dubluar realen, dhe për të projektuar si fushë të dëshirës vetveten. Ky proces i pafund prodhimi të mallit, pasi ai tashmë është identifikuar me vlerën në vetvete, plotëson kushtin tjetër që imazhit i duhet për të arritur potencën e tij totale. Sepse ndryshe nga ç’do të ndodhte gjatë shijimit të veprës së artit, kur me përfundimin apo shkëputjen e kontaktit me të, do shkëputej dhe efekti i imazhit mbi njerëzoren, në epokën e kapitalizmit konsumerist, apo spektaklit, prodhimi përmes një cikli linear dhe pa mbërritje fundore të imazhit-mall mban të mbërthyer spektatorin e shoqërisë së spektaklit për të mos e lejuar të shkëpusë kontaktin me të. Spektakli është momenti kur malli ka mbërritur në okupim total të jetës sociale. Jo vetëm që raporti me mallin bëhet i vëzhgueshëm, por nuk shihet tjetër gjë pos tij: bota që shihet është bota e tij.

 

  1. 3. Roli pasiv i njeriut pasi vendoset përballë spektaklit

Kemi pretenduar se kur flasim për realen jemi të detyruar të kemi parasysh me të atë se çfarë është reale nisur nga njeriu, dhe se e kemi fjalën për atë reale që struktura konceptuale e njeriut ligjëron mbi të. Njëkohësisht me vetëdijen konceptuale të identitetit, vetëndodhja është element tjetër i njerëzores, dhe funksionon edhe si zëvendësuese e funksionit të vetëdijes në kushtet e braktisjes së përkohshme apo të përhershme, siç pretendohet këtu si shkak i imazhit-mall. Kapitalizmi modern dhe spektakli e kanë vendosur njeriun brenda kuadrit të pasivitetit të përgjithshëm, aty ku imazhi realizon potencën dhe dominimin e tij, njeriut i mbetet që në mungesë të një hapësire reale (fizikisht gjithnjë ekzistente) si shkak i pezullimit të topikës së tij të njëmendë nga ajo e imazhit, të ekzistojë në botë duke legjetimuar veten tek imazhi, duke përmbysur paradigmën e të jetuarit së brendshmi pa nevojën e të qenit i vëzhguar. Dhe duke i lejuar imazhit të ligjërojë mbi kuptimin e njerëzores, por gjithnjë duke çnjerëzuar (çrrënjosur) nga njerëzorja atributin e përjetimit, si vetëdije konceptuale e identitetit.

 

Fjalor konceptesh

   Realja

Me realen kuptojmë/indikojmë univocitetin mes saj dhe perceptimit njerëzor mbi të, duke u nisur a priori se ky perceptim për realen kushtëzohet nga vetëdija si njësim me veprimtarinë mendore konceptuale, dhe vetëndodhja në botë.

   Imazh

Me imazh kuptojmë/indikojmë së pari entitetin në të cilin transfigurohet gjësendi nga realiteti në veprën e artit, dhe së dyti mungesën e vetëdijes së tij, apo qenësinë e transvetëdijshme të imazhit.

   Përjetueshmëria

Me përjetueshmërinë kuptojmë/indikojmë mundësinë që gjërat të ekzistojnë dhe të mos vihet në dyshim ekzistenca e tyre, pa qenë i nevojshëm vëzhgimi paraprak i tyre.

   Kapitalizmi

Me kapitalizëm kuptojmë/indikojmë statusin e tij historik në rrethanat e prodhimit modern, dhe identifikimin e të mirave me mallrat e prodhimit masiv. Karakteristike e kapitalizmit është shlyerja e nevojës për mallin, duke e zëvendësuar me imazhin-mall, ku themelohet një qenësi autonome e mallit, si dëshirë në vetvete.

   Imazhi-Mall

Me imazhin-mall kuptojmë/indikojmë produktet e prodhimit masiv që e kanë humbur masivisht kuptimin e funksionalitetit dhe forma e mbizotëron funksionin plotësisht, duke humbur funksionin për përdorim, në hesap të funksionit për dukjen (përfaqësim), duke fituar përnjohjen e vlerës së tij si mall që i mjafton vetvetes.

   Njerëzore

Me njerëzore kuptojmë/indikojmë përcaktimin e saj përmes dy kushteve: vetëndodhjes dhe vetëdijes: kushte mbi të cilat themelohet edhe perceptimi i njeriut për realen.

 

   Bibliografia

Aristoteli. 2006. Poetika. Tiranë: Çabej

Debord, Guy. 2018. Shoqëria e spektaklit. Shkodër

Franzini, Elio. Mazzocut-Mis, Maddalena. 2018. Histori e shkurtër e estetikës. Tiranë: Pika pa sipërfaqe

Khayati, Mustapha. 2022. Mbi mjerimin e jetës studentore. Tiranë: Pika pa sipërfaqe

Murphy. P, De La Fuente. E, 2018. Kapitalizmi estetik. Shkup: Logos-A

Nietzsche, Friedrich. 2009. Lindja e tragjedisë. Tiranë: Uegen

Platoni. 1999. Republika. Tiranë: Phoenix.

Scheler, Max.2020. Pozita e njeriut në kozmos. Prishtinë: Pema

Zekthi, Rudian. 2012. Vëzhgimi pa sfond. Tiranë: Dy lindje dhe dy perëndime

 

 

[1] Nietzsche. 2009: f. 78.

[2] Mungesa e përvetësimit të një pike të lirë në shikimin e imazheve nënkupton se në realitet njerëzorja si reale themelohet mbi vetëndodhjen në botë dhe përjetueshmërinë si vetëdije konceptuale e identitetit, gjë kjo e cila i lejon njerëzores, në aktualizimin e vetëndodhjes, përvetësimin e një vendi kudo, pa nevojën për të qenë i vëzhguar. Imazhi duke patur për kushte ekzistence vëzhgueshmërinë dhe përfaqësimin, nuk ka asnjë vendodhje paraprake, pa u përfaqësuar dhe vëzhguar. Domosdoshmëria e vëzhgimit të imazhit na zbulon faktin e mungesës së sfondit, gjë e cila në realitet për njerëzoren konfirmon një tjetër element të të qenit të saj, përveç si vetëdije konceptuale e identitetit edhe si vetëndodhje në botë.

[3] Zekthi. 2012: f. 21.

[4] Këtu është edhe një herë momenti për të përkufizuar termin njerëzore dhe jonjerëzore: me njerëzore emërtojmë kushtet e reales që sigurojnë territorin e mundësisë së ekzistencës së saj, ndërsa me jonjerëzore, pamundësinë e diçkaje jashtë njeriut që të bëhet ndonjëherë pjesë e njeriut.

[5] E brendshmja, nëse do shpreheshim sipas Scheler-it, është qendër ontike e cila e krijon unitetin e saj kohoro-hapësinor dhe individualitetin e saj, e pavarur nga veprimtaria jonë e objektivizimit dhe vëzhgimit.

[6] Scheler. 2020: f. 37.

[7] Po aty, f. 70.

[8] Zekthi. 2012: f. 136.

[9] Raport i cili shpërblen estetikisht spektatorin ne sajë të realizimit të dy kushteve; sipërfaqësinë totale dhe të qenit i vëzhguar

[10] Imazhet janë jashtësime të koncepteve, ekzemplarë unikë apo objekte individuale, të cilat, në ekspozimin ndaj vëzhgimit dhe në raport me konceptin, bëhen përfaqësuese totale të tij, duke shlyer domosdoshmërinë e tij në kuptimin e reales dhe njëmendësisë.

[11] Përjetueshmëria apo vetëdija konceptuale për të sendërtuar botën dhe veten është pjesë e së brendshmes njerëzore dhe ajo është një mundësi që gjërat të ekzistojnë pa domosdoshmërinë e vëzhgimit dhe kjo ekzistëncë të jetë e padyshimtë pavarësisht faktit së janë të pavëzhgueshme

[12] Murphy, De La Fuente. 2018: f. 63.

[13] Murphy, De La Fuente. 2018: ff. 78-79.

[14] Debord. 2018: f. 25.

[15] Po aty, f. 27.

[16] Po aty, f. 40.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP