web analytics

Të veçanta

Dritat e hidhërimit

Bota, fshat i vogël! Kjo çudi na përcolli me javë të tëra, por në rendin e ri, shteti fshat i vogël. Po nga fshati shqiptar si nuk dëgjuam një fjalë të vetme, çpo ndodh me jetën e tyre? Si u bë fshat i vogël një shtet i tërë, u tkurr aq shumë, u mbërthye nga zinxhirët e televizionit, rrjetit e gazetës, për tu bërë sa një grusht. Po gazeta ç’hyn këtu vallë? Edhe një kabinë e vogël në mes të qytetit si një statujë e padëshiruar, që shkruan si me shkronja me dorë të lirë “Gazeta” nuk e shet gazetën si duhet. Po çfarë shet do thoni ju? Po ja çamçakëza, po po, nga ato që përtypet aq shumë një popull i tërë për të qetësuar nofullat e për të mos i thyer me fjalë të vërteta.

E nisa për botën, për fshatin e vogël, për shtetin. Shteti u mbyll i gjithi në dritaret e vogla të televizioneve, që deri para pak ditësh pamë me sytë tanë rrënojat e tjetrit, viktimat, të lënduarit, shtëpitë e fundosura nën tokë, edicione të jashtëzakonshme, intervista nga gjithkush, ndihma nga i madh e i vogël. Kush të mundet sillni rroba, po po sa më shumë rroba, sepse ditën e parë do veshin një material dhe ngjyrë tjetër, e ditën e dytë një tjetër. Hë mos harroni fotot, jo jo kurrsesi, fillo nga e para, duke palosur rrobën për ta futur në një çantë të re, enkas për këtë rast, duke ecur rrugës, mundësisht duke ia shtrënguar dorën sa më shumë atij që i jep çantën. Po e rrudhi fytyrën ai nga kërcitja e kockave të duarve aq më mirë, sepse ashtu del fotoja sa me më shumë dhimbje.

Po paragjykoj? Ndoshta jo, ose mundet. Atë se di njeri, ashtu si nuk e di as unë. Por po them diçka nga brenda, që u brumos e gufoi me ditë të tëra dhe erdhi momenti të pëlcasë. Por kur ishte ky çast? Ishte fiks në momentet ngazëllyese të ndezjes së dritave, gjithkund, sikur po festojmë për një fatkeqësi që ndodh një herë në 100 vite. Sapo e lexova, një sizmiolog paska qetësuar shqiptarët, ajo që ndodhi nuk ka mundësi më të ndodhë për 100 vitet e ardhëshme. Uhhh…lironi frymën, ne dhe pasardhësit tanë qenkemi të sigurtë. Po tjerët? Tjerët në dorë të Zotit. Hë se ne shqiptarët bëhemi bashkë prapë, nga jemi e nga nuk jemi dhe nuk e lëmë prapë vëllain në baltë. Po që nuk ishte baltë kësaj here, por ishte tokë, tokë e thatë që u ujit me avujt e djersët e atyre që mbetën nën të dhe atyre që po hiqnin nga shpirti për të nxjerrë një njeri nga rrënojat.

Tani ishte sa ishte, ndodhi çfarë kishte për të ndodhur, pamë errësirën me sytë tanë, sot le t’i ndezim dritat. Po, sepse ka një perlë populli ynë, një thënie që të jep vullnet e dëshirë për të jetuar “Me të vdekurin nuk vdiset”. Me të vdekurin nuk ik trupi ynë, është një e vërtetë sa vetë jeta kjo. Por, me të vdekurit, me të lënduarit, me të humburit nga kjo fatkeqësi duhej të na ikte një pjesë nga dashuria e madhe për materiet e kota. Me të lënduarit duhej të zbehej edhe lakmia e madhe për të përulur çdo gjë rreth nesh para nesh, çdo gjë sado e vogël qoftë, edhe një dritë, ska gjë, u ndez se duhet të gëzohem unë, për fund të një viti. Po, çfarë viti ishte se. Vit për t’u mbajtur mend, vit që u hapën punë të reja, përfituan studentët, përfituan të moshuarit, kultura dhe arti shkëlqeu në çdo anë. Vit që sa herë shkoja në Tiranë se gëzoja dot një kafe si vizitore sepse ndeshesha me turma njerëzish. Po, ishte faji im, sepse dilja në kohën kur populli i lumtur kishte dalë rrugëve për të festuar arritjet. Me shumë protesta. Vit që sa herë që kaloja doganën më pikonin djersët e ftohta, sepse policit i shkrepeshin lloj lloj pyetje, ani pse isha shqiptare e Maqedonisë së Veriut. Vit që aq mirë i rregulloi Shqipëria marrëdhëniet me shqiptarët nga jashtë kufijve, sa bëri minishengenin. Ahh…apo ishte diçka tjetër kjo. Epo s’ka gjë, diçka u munduan të bëjnë sa kishin mundësi. U bashkuam në fatkeqësi se në gëzime gëzojmë vet ne, s’e ndajmë dot atë.

Pra, me pak fjalë ishte një vit i paimagjinueshëm ky, vetëm në fund tërmeti pak e prishi, se do shpallej vit i dekadës, kam bindjen. Andaj sa më shumë gëzime dhe sa më shumë qejfe.

Po dritat duhej ndezur, ai dhe ajo që po kërkojnë gjësëndet me vlerë nëpër rrënoja u duhet dritë. Po, edhe këtë e bëmë për të mirë të atyre që humbën pjesë nga shpirti, familja e nga jeta. Rëndësi ka të gëzojmë ne që mbetëm gjallë, sepse jetës nuk i dihet dhe duheshka të jetojmë çdo çast. Mbi kurrizin e dhimbjes së tjetrit të marrim mësime, sepse vetë po u përthyem në kurriz vështirë që ngritemi më. Me rëndësi u ndritën shumë qytete të Shqipërisë, tani uroj t’u ndrisin dhe punët. Zoti na tha “Ai nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ta të ndryshojnë gjendjen e tyre”. Le të na ndritë dhe mendja nga fjalët e Tij.

Hafije Fejzuli

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP