ISLAMIZIMI I TROJEVE SHQIPTARE MES MITIT DHE REALITETIT
Nga: Besart Capa
Në periudhën bashkohore të shoqërisë shqiptare, për fat të keq akoma ekzistojnë dhe qarkullojnë disa ide, mendime dhe qasje sllavisto-bolshevike, nisur edhe nga narrative komuniste që mori përsipër monopolin e shkrimit të historisë shqiptare, por edhe nga neglizhenca e studimeve të mirëfillta dhe të zhveshura nga emocionet apo indoktrinimve nga studiuesit e mëvonshëm të periudhës totalitare (këtu nuk përfshijmë të gjithë studiuesit në mënyrë kategorike).
Një ndër të tilla hipoteza është se në një shoqëri kryesisht muslimane, me kulturë shekullore islame, është ajo e islamizimit të këtyre trojeve shqiptare me gjuhën e dhunës, imponimit dhe të detyrimeve stërmunduese në aspekte të ndryshme. Të gjitha këto i bashkangjiten dhe i mveshen periudhës së sundimit osman duke e shfaqur atë si një regjim tiran, anti-shqiptar. Kjo hipotezë na paraqet në tërësinë e saj disa manipulime politike të shkëputura nga parimet historike dhe nga rrafshi racional, duke ju dhënë gjithmonë një panoramë vetëm të metodikës së qasjes historike, të cilën do të mundohemi ta zbërthejmë më poshtë.
E nisim me një pyetje: “A vërtet ardhja e Islamit në trojet shqiptare fillon me ardhjen e osmanëve?”
Ekzistojnë fakte dhe gjurmë të pranisë islame në këto territore që në periudhën e kalifatit arab, anipse janë të pakta dhe në masë të vogël. Fillimisht, pa kaluar tek faktet e prekshme historike e arkeologjike, duhet të kemi parasysh faktin logjik të kësaj prezence. Prania e Islamit në Europë daton që me ekzistencën e kalifatit arab, dhe pikërisht në afërsi të Ballkanit do të themelohet emirati i Siçilisë në vitin 831, ku më pas ndikimi i Islamit do të shkojë thellë në Italinë e Jugut. A thua vallë që mos të ketë pasur kontakt me islamit dhe ilirëve asokohe duke ditur për marëdhëniet ekonomike-kulturore-strategjike mes këtyre vendeve?
Historianët muslimanë na kanë treguar për kontaktin e drejtpërdrejtë me trojet ilire, nëpërmjet tregtisë dhe misionarëve muslimanë si dhe muslimanëve mistikë, ndër ta përmendim Al Masudi (shek. IX-X), Beladhuri dhe Ibn Al Haukal. Madje edhe në veprën e historianit Filip Hiti në “Historia e Arabëve”, treghet se Ulqini, Shkodra, Durrësi dhe Vlora ishin 4 portet me rëndësi të madhe në Ballkan dhe që kanë shërbyer për kontaktet e tregtarëve arabë në këto porte e sidomos në atë të Ulqinit, nëpërmjet të cilët muslimanët kontaktuan me zonën e Dalmacisë.
Nga shenjat dhe gjurmët e lëna janë ato të toponimeve psh vendbanime të hershme si fshatrat që quhen Arap, Arapaj, Harap- fshatra të shpërndara kudo në trojet shqiptare. Fjalë arabe si “Anije” që nuk është në fjalorin turk, apo fjala kanun që latinët e më pas në Ballkanasit e huazuan prej muslimanëve nga lindja.
Përveç toponimeve të fjalëve dhe emërtimeve të vendbanimeve vërehet edhe ndikimi në folklor. Vepra më e madhe popullore e trashëguar për breza në trojet ilire-shqiptare është ajo e Eposit të Kreshnikëve, në të cilën përmenden emrat si Muji dhe Halili, Gjergj Elez Alia, emra të cilët janë tipik arab dhe vendi i këtyre figurave mendohet të jetë Bosnja e sotme ose Dalmacia e asokohe ku do të siç e përmendëm më sipër ishte edhe kontakti më i madh me arabët , sa i përket trojeve ilire.
Tjetër dëshmi e kontaktit mes muslimanëve dhe ilirëve kësaj rradhe në sferën arkeologjike është ajo e zbulimit të rreth 140 monedhave të prera në kohën e kalifit AbdulMelik ibn Al Meruan në qytetin Mostar të Bosnjes, asokohe pjesë e Ilirirë Antike .
Këto monedha kishin të gdhendur në njërën anë suren Ikhlas dhe në anën tjetër disa ajete nga surja Teubeh.
Ekzistenca e xhamive paraotomane është edhe guri themeltar që mban fort në këmbë faktin e kontaktit iliro-islam. Nga disa xhami që janë akoma ekzistente në trojet shqiptare që datojnë të një periudhe të hershme paraotomane, më e vjetra është ajo e Tabanocit në afërsi të Kumanovës që sipas studiuesve daton në vitin 890, pra 5 shekuj para prezencës osmane në trojet shqiptare.
Gjithashtu vlen të pëmrendin edhe xhamnë e fshatit Dragash në Kosovë që daton në vitin 1289 si dhe xhami të tjera të spikatura në Tropojë e në jug të Shqipërisë.
Pavarësisht se këto fakte dëshmojnë për kontaktet e para të islamit në trojet iliro-shqiptare, kjo nuk dëshmon për një islamizim masiv të popullatës por në shkallë të vogla e të mesme në varësi të territoreve dhe krahinave, por që më e rëndësishmja dhe ajo që na intereson ne në këtë shkrim është fakti që të gjitha më sipër dëshmojnë për islamizimin e kësaj popullsie para prezencës otomane. Lind pyetja se përse kur erdhën osmanët, Islami në këto zona ishte pothuaj inekzistent? Kjo vjen si arsye e vendosjes së trojeve ilire nën çadrën e sundimit të mbretërive slave, të cilat kryen akte dhune mbi popullatën vendase. Sundimi bullgar i shk XI-XII dhe më pas i Stefan Dushanit masakruan, përndoqën dhe vranë cilido që refuzoi ortodoksinë sllave dhe sllavizimin total, herë bullgar e herë serb në varësi të pushtuesit.
Tani le të kthehemi dhe të hedhim një këndvështrim sa i përket ardhjes së osmanëve në këto territore. Fillimisht duhet të sqarojmë kontekstin e pushtimit në atë realitet dhe jo duke e gjykuar të shkuarën në saj bazuar në të tashmen. Në atë peridhë ka funksionuar sistemi i vasalitetit, pra popujt e vegjël gjithmonë ishin nën vasalitetin e popujve më të fuqishëm dhe të mëdhenj.
Shqiptarët asokohe ishin herë nën ndikimin latin e herë nën atë serb dhe ardhja e osmanëve nuk ishte asgjë tjetër veçse futja e tyre nën ndikimin osman. Dhe të gjithë fjalët apo mendimet që shqiptarët bënin kryengritje nacionaliste dhe se “turqit” ishin pushtues të pamëshirshëm që kishin synim zhdukjen e etnosit shqiptar nuk janë gjë tjetër veçse lajthitje historike dhe kjo për arsyen se në atë periudhë nuk kishte lindur akoma nacionalizmi apo idetë nacionaliste e jo më luftrat e tilla. Shqiptarët ishin të një gjaku dhe me të drejtë zakonore të përbashkët ose le të themi të ngjashme, porse jetonin në sistemin fisnor dhe të klaneve e gjinive dhe jo të një shteti nacionalist që do të lindte shekuj më vonë. Nacionalizmi u zhvillua në fund të shekullit të 18-të, veçanërisht me Revolucionin Francez dhe përhapjen e parimit të sovranitetit popullor (ideja se “populli” duhet të sundojë). Shfaqja e parë e plotë e nacionalizmit modern ndodhi në Angli me revolucionin puritan. Kjo tregon që nacionalizmi si teori filloi të zhvillohej në vitet kur Perandoria Osmane ishtë në rënie të saj. Gjithashtu nga ana tjetër edhe Perandoria Osmane nuk bazohej vetëm në popullsinë turke, por ishte perandori multicentrike dëshmon që nuk ekzistonte asnjë politikë për turqizimin e popullit shqiptar ndryshe nga politikat slave, madje brenda sistemit të saj popujt ishin të ndarë në milete, brenda të cilëve lirisht mund të identifikoheshe si jo turk apo jo musliman, por me përkatësi fetare tjetër nga ana islame.
Patjetër që gjatë sundimit Osman në Ballkan ndodhi edhe islamizimi masiv i shqiptarëve, por sesi ndodhi ka një sërë faktorësh që na e tregojnë. Ndërsa ideja që islamizimi i shqiptarëve u bë me dhunë (që fatmirësisht kjo ide nuk prevalon sot e kësaj dite por vetëm ekziston si e tillë) është një ide e hedhur poshtë, joreale dhe kryesisht vetëm mbetje e ideve totalitare që nuk njohin metodikë të përhapjes së ideologjive veçse dhunëse dhe gjakut. Nuk ka asnjë dokument të shkruar sa i përket kësaj hipoteze. Kjo bie ndesh me disa faktorë historik, psikologjik dhe racional. Së pari kjo do të hidhte poshtë faktin që shqiptarët, të cilët njiheshin pothuajse në gjithë Evropën si popull trim që nuk pranonte nënshtrim dhe dhunë, e do nxirrte popullsinë shqiptare si aspak luftuese dhe pa asnjë përpjekje për ruajtjen e identitetit të saj. Kjo ide e rrëzon realitetin e kësaj kohe dhe na bën ne më inferior se sllavët dhe grekët, të cilët edhe pse nën sundimit osman ruajtën fenë e tyre (flasim gjithmon në masë të gjerë). Shqiptarët përshkruheshin në dokumentat dhe historiografinë si latine dhe atë osmane si një ndër popujt më të ashpër dhe trim, prandaj nuk mund të kishte një dualitet, nga njëra anë popull që nuk i dridhet syri e nga ana tjetër popull tërësisht i nënshtruar.
Fakt tjetër është islamizimi i ngadaltë i trojeve shaiptare. Që nga shek. XV deri në shek. XVII muslimanët ishin pakicë dhe vetëm pas 2 shekujsh nga vendosja e plot nën kupolën osmane do të shohim Islamin si dominues në botën shqiptare. Në rrethana pragmatike është e pamundur që ti bëhet ballë një fuqie aq të madhe sa ishin osmanët për 2 shekuj me rradhë, që logjikisht duke marrë parasysh rebelizmin e shqiptarëve siç është realiteti historik dhe 2 shekuj dhunë siç është e pavërteta komuniste, të kishim mbijetuar në vazhdimësi.
Ndërsa sa i përket një tjetër mangësie në trajtimin e historisë është se ata të cilët hedhin poshtë teorinë e dhunës ngrenë një tjetër teori, atë të interesit. Shqiptarët sipas tyre e pranonin Islamin për tu shmangur taksave dhe përfitimit të ofiqeve. Kjo është qartazi veçse një metodikë e doktrinës materialiste, e cila çdo gjëje i qaset vetëm se me material dhe jo shpirtërore thua se nuk ka ekzistuar kurrë pranimi i një feje në mënyrë të natyrshme. Pse asnjëherë nga historiografia shqiptare nuk shfaqet si fenomen pranimi i lirshëm dhe i dlirë i Islamin nga substrati shqiptar? Më poshtë do të sjellë disa nga arsyet e pranimit të Islamit nga ana e shqiptarëve.
- Përshtatshmëria e kësaj feje me karakterin dhe zakonet e kësaj popullate.
Nëse do të krahasojmë doket dhe zakonet, natyrën e këtij populli dhe Islamit në kahun tjetër do të vërejmë një ngjashmëri të jashtëzakonshme. Kulti i besës dhe amanetit, trimërisë dhe guximit, mosnënshtrimit ndaj së padrejtës, sinqeritetit, kultit të prindërve dhe respektit ndaj tyre si dhe shumë faktorë të tjerë zakonor janë në përputhshmëri të fortë me Islamin. Historiani dhe arkeologu anglez Arthur Marti Leake, i cili u mor me çështjen ballkanike e kryesisht shqiptare citoi këto fjalë: “Shqiptarët e pranuan këtë fe, sepse kjo përputhej me natyrën e tyre, kjo fe lartësonte besën, trimërinë e bamirësinë pasi dhe kundërshtonte përbuzjen, nënshtrimin dhe padrejtësinë”.
- Faktor tjetër i Islamizimit ishte edhe faktori identifikues.
Në atë kohë në Ballkan nëse thuhej Musliman ishte e njëjtë siç thuhet shqiptar. Fqinjësia me sllavët ortodoks dhe historiku armiqësor mes shqiptarëve e sllavëve bëri që shumë shqiptarë të konvertoheshin në Islam për ruajtjen e identitetit të tyre, sepse shpeshherë ortodoksët në veri shiheshin si sllavë e ata në jug si grekë kjo dhe si pasojë e kishave ortodokse që i shihnin në këtë qasje. Islami po ashtu ishte ai që e ruajti elementin shqiptar nga asimilimi sllavo-grekë për të cilin duhet të flasim në një temë tjetër. Albanologu Peter Barld thotë: “Është pikërisht Islami që ruajti elementin shqiptar nga asimilimi sllav”.
- Dominimi i Islamit dhe mangësia e priftërinjve shqiptarë.
Sipas shumë studiuesve vendas dhe të huaj, ishte vetë dobësimi i krishterimit ai që çoi në dominimin islam . Dhe kjo erdhi sipas tyre nga formimi i dobët intelektual i priftërijve kryesisht të ritit latin, popullata vendase sidomos e zonave malore ishte jo shumë e njohur me gjuhën e kishës, pra latinishten, si dhe shumë priftërinj që shkonin për shkollim në Itali nuk ktheheshin më.
- Abuzimi i feudalëve, rëndimi i thellë i taksave lokale si dhe shpeshherë dhe padrejtësitë e tyre bënë që popullata të mbështeste sundimi osman si dhe Islamin.
- Islamizimi nga lartë-poshtë.
Të parët që do të islamizohen do të jenë aristokracia e principatave shqiptare si Dukagjinët apo Shpatajt. Dhe islamizimi i parisë së popujve në shumë raste të historisë ka çuar edhe në atë të popullsisë që i pasonte, duke marrë parasysh faktin që popujt jetonin nën strukturën fisnore. Dhe për të dalë kundër idesë se aristokracia e pranoi islamin për ofiqe të sulltanit, themi që historia ka dëshmuar që shumë prej fisnikëve shqiptarë kanë treguar shenja në devotshmërisë dhe besnikërisë së kësaj feje, përndryshe në raste më të volitshme do ti kundërviheshin sërish, po për pushtet personal.
Komente