web analytics

Të veçanta

Jeta ishte sprovë: të mbijetosh apo të jetosh

      Nëse i pyet njerëzit a e duan të gjithë jetën, padyshim të gjithë do pohojnë! Po ashtu nëse i pyet a zgjodhën të jenë në jetë, a e zgjodhën vetë vendin, rrethanat, kohën, prindërit, tiparet, karakteristikat fizike, mendore dhe emocionale,  do ta mohojnë. Po nëse i pyet për jetën që duan, nëse do të kishin mundësi ta modifikonin dhe ndryshonin atë me zgjedhjen e tyre, sigurisht që s’do të refuzonin. Njeriu e di mirë që është qenie varësisht e lirë dhe pjesërisht e kushtëzuar, e determinuar. Ai e di mirë që bota është vendi ku i është caktuar të jetojë, të punojë, të përballojë me apo pa hir. Ai e di mirë përkohësinë e tij në të, cakun e pashmangshëm, vdekjen. E megjithatë ai nuk heq dorë së jetuari, së përjetuari momentet dhe gjërat në të, sikur të ishin pa afat, të dhëna me garanci dhe siguri të plotë. Ai pandeh se di, por shpeshherë e harron sa i duhet të rendë pas diturisë, ai mendon se e kupton, por pa e vënë re e lejon veten në pavëmendshmëri. Për pavetëdijen e tij njeriu fajëson natyrën harrestare, por ai harron aq sa s’dëshiron të ndiejë, sepse gjërat që i mban shpirti kurrsesi nuk dalin nga mendja. Ai ka ndërgjegje, por ndërveprimi i ngutshëm ose neglizhent me kohën, ja përhumb qëllimin e qartë të gjendjes së kulluar, në momentet e çlirimit nga prangosjet e epsheve. E mrekullueshme dhe po aq e vërtetë është të thuhet se njeriu është i ndërliksur me jetën jashtë vetes njësoj si me atë brenda vetes. Jashtë tij ka kushtet natyrore të jetesës, ajrin, ujin, tokën, zjarrin me të gjitha gjallesat dhe elementët e saj, përfshirë dhe krijesat e tjera të sojit të vet, me të cilat duhet të bashkëjetojë, brenda një hapësirë dhe kohe të kufizuar, të përcaktuar, por të pamundshme për t’u njohur dhe zotëruar tërësisht nga ai. Kështu dhe brenda vetes është i mbushur me nevoja, emocione dhe mendime që i jepen, por zhvillohen dhe ndryshojnë me përvojën, kryesisht me zgjedhjen e tij, lirinë e tij, apo udhëheqjen e shpirtit të tij. Në një stad të caktuar të jetës, fillon e përjeton vuajtjet, tashmë jo si diçka e keqe, por si domosdoshmëri, si i rritur, si njeri i pjekur, si qenie e vetëdijshme, e përgjegjshme. Ky është momenti kur njeriu konstaton se jeta është sprovë apo e thënë ndryshe “luftë”. Luftë pa përfundim paqen, vetëm beteja pa mbarim brenda dhe jashtë, me veten dhe të tjerët. Luftë për ekzistencë, luftë për të mos vdekur, luftë për të jetuar, luftë për një vdekje…

      Të mbijetosh apo të jetosh?!

      Kjo çështje i shtrohet gjithsecilit për zgjidhje. Të mbijetosh  për dikë  mund të thotë; t’i shpëtosh vdekjes, për dikë tjetër; t’u bësh ballë vuajtjeve, vështirësive dhe sfidave ekstreme, por një gjë është e sigurt; Mbijetesa është instikit i pakompromentueshëm! Dikush më shumë, dikush më pak di “t’i ikë” rrezikut, di t’i shpëtojë vuajtjes, pra di të luftojë, që nënkupton se mund të jetë aktiv ndaj ndryshimeve që i kërcënojnë rehatinë dhe paqen. Por, sakaq instikti i mbijetesës ndodhet edhe tek kafshët, madje më i theksuar, sepse kafsha është racionale në zgjedhjet që bën, i ka të mire orientuara, ndërsa njeriu është thelbësisht iracional. Njeriu mund ta ndalë vullnetin e vet, e të dorëzohet… Kafsha s’di të dorëzohet, vetëm kur e lëshojnë forcat,  ajo reagon natyrshëm; përgjigjet, përpiqet, punon dhe lufton për aq sa është e fortë dhe e aftë për t’i garantuar vetes vazhdimësinë. Në të kundërt njeriu është i pakuptueshëm. Kapacitetet e tij janë të pazbuluara, mundësitë e tij janë të pashfrytëzuara, aftësitë e tij për të tejkaluar veteveten janë të pakufizuara. Dhe, njeriu është peng i vetes së vet, i veprës, fjalës dhe mendimeve të tij. Ai është armiku më i madh dhe i vërtetë i vetes. Kafshët, që kanë në bazë instiktin dhe intelektin si një “default” të programuar të sjelljes në natyrë, jetojnë për të funksionuar perfekt në sistemin natyror, i përshtaten ambientit brenda kuadrit të mirëpërcaktuar, ose shkurt i shërbejnë njeriut në mjedis si mjete, ngase ai është në krye të këtij zinxhiri konsumatorësh dhe të gjitha janë të detyruara t’i nënshtrohen pa i bërë rivalitet, edhe pse njeriu has në njëfarë rezistence prej tyre prej frikës dhe vetëmbrojtjes së natyrshme. Ai është qytetarisht sundues dhe zotërues i tokës dhe i detit, por asnjëherë mjaftueshëm i vetes, sepse ai është konstant në kontraditë mes impulseve shtazore dhe lirisë së shpirtit, që e karakterizojnë këtë dualizëm fatal. Pra njeriu ska zgjidhje veçse zgjedhje për të bashkëvepruar dhe harmonizuar me dhe në to. Prandaj mund të themi se  pët këtë arsye ai e humbi orientimin fillestar, që ishte të jetonte për të punuar, e tani ai po punon për të jetuar. Kështu ai iu shmang natyrës së vet. Ju armiqësua dhe natyrës tjetër, mjedisit. Pra është bërë mjet i mjetit, duke iu  shmangur synimit të qëllimit. Ai nuk e di më pse jeton. Ai akoma lodhet duke menduar për mbijetesën. Vështirësia për të është mund i padëshiruar, sepse ai i ka shpërfillur dëshirat e shpirtit dhe ia ka lëshuar ato pa vullnet trupit. Vështirësia të bën më të fortë. Rehatia të dobëson. Ky është rregulli. Kjo marrëdhënie me sprovat ka prodhuar tre kategori njerëzish:

      Ata që në vështirësi nuk bëhen dot të fortë janë shumë të dobët, ndërsa ata që në rehati rezistojnë, janë vërtet shumë të fortë dhe janë “normalët” që i shkojnë për shtat rregullit të një jete normale: lind, rritesh, punon, krijon familje, lë trashëgim, plakesh dhe vdes. Sikurse themi se paraja “i prish” njerëzit , njësoj mund të konkludojmë se edhe varfëria e dëmton dhe e degradon në një farë mase njeriun. Porse jeta na dëshmon herë pas here se përjashtimi nuk përbën rregullin e as rregulli nuk përmban gjithë/gjithnjë të vërtetën. Dhe e gjitha kjo është qasje materialiste, instiktive, për të mbijetuarit. Mbijetesa nuk është qëllimi i lartë, as i kërkuar, as i lavdëruari, honori. Të mbijetosh do të thotë të mbesësh në ekzistencë pa kurrfarë synimi, dhe vetëm nëse këtij synimi ia mvesh domosdoshmërinë e mbijetesës atëherë ke filluar të jetosh. Sidoqoftë, ne biem dakord se të jetosh është e vështirë. Ta bësh këtë kërkon sforco, lipset kurajo. Jo të gjithë zgjedhin të jetojnë. Dhe jo rrallë aktualitetet zvetënuese e zhveshin njeriun nga kërkesa për të jetuar. Prandaj vetëm pak njerëz e gjejnë qëllimin e jetës, qëllimin për të jetuar. Nuk po flas këtu për arsyen e vetme të vërtetë që jeton e pse e përse i duhet të jetojë , por e kam fjalën për vullnetin e mirë për të ndryshuar, brenda aktualitetit, në ato rrethana dhe kushte, për t’ia nisur dhe për t’u bërë pjesë e një reforme, një ndryshimi, hallkë e një ngjarjeje domethënëse, e një kthese historike, më saktë për t’u bërë vetë pjesë e historisë, timonier i saj. Një pakicë jetojnë me të vërtetë. Shumica vdesin përpara se t’u mbarojë koha për të jetuar… Përkundrazi kemi njerëzit protagonistë të historisë, regjizorët dhe aktorët kryesorë të zhvillimeve shoqërore. Mirëpo siç e dini edhe protagonizmi në jetë ka kategoritë e tij. Disa duan të jetojnë dhe jetojnë për të pasur, disa për t’u bërë të njohur, të famshëm, dikush për të lënë gjurmë e për t’u përmendur, por ka dhe disa të tjerë që duan të jetojnë sepse u dhimbset, përdigjen dhe u vlon në shpirt që të mos jenë viktima pasive të karvanit përparimtar të lokomotivës krijuese dhe prodhuese të historisë qytetërimore dhe civilizuese. Këta janë palca e ndjeshme dhe ajka e padukshme reformuese, ata të cilët zgjedhin të jetojnë, përkundër pakuptueshmërisë së veprimeve dhe sakrificave vetëmohuese për të tjerët. Ata dëshirojnë jetën, para vdekjes së aspiratave më të larta njerëzore: njohjen e të vërtetave madhore si jetën, vdekjen, kohën, qëllimshmërinë e vet në koncept (teori) apo zbatimin e vlerave humane në Tokë si dashuria, drejtësia, mirësia në realitet (praktikë). Përmbledhtas, këta janë njerëzit që duan të përmbushin qëllimin e brendshëm më të lartë të personalitetit njerëzor, vetëaktualizimin. Këta janë misionarët, heronjtë “e heshtur”.

       Të jetosh nuk është e lehtë, por është e bukur. Ka shije të vërtetë për ata që ndiejnë. Kuptimi i vetëm i jetës është të jetuarit e saj. Të mos ndërrosh jetë, pa e njohur dhe shfrytëzuar atë, është shpresa e vetme për t’ia hequr absurditetin tragjikomik vdekjes.

      Zbulo që të jetosh, jeto që të zbulosh! Krijo që të mos vdesësh, vdis që të mos kesh frikë jetën! Jeto, mos mbijeto! Mbijeto në jetë, po mos jeto sa për të mbijetuar…!

Ibrahim Xhepmetaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP