web analytics

Të veçanta

Kultura si përcaktuese e fatit të shoqërisë

Kultura si koncept përfshin një rrafsh jashtëzakonisht të madh qasjesh shkencore dhe njerëzore. Shumë përkufizime të konceptit dhe një tërësi e pafund kuptimesh rreth asaj që përfaqëson ky koncept, na mundësojnë fillimisht të kuptojmë vlerën e madhe që zotëron kultura ndaj çështjeve dhe problemeve të njerëzimit. Shpesh përkufizimi i termit ‘kulturë’ nga aspekti shkencor është realizuar duke u nisur nga produkutet e prodhuara prej kulturave të ndryshme ose duke u nisur nga reflektimet sociale të kulturave siç mund të jenë normat, vlerat, sistemet morale, zakonet shoqërore, ritualet etj. Mirëpo të paktë janë dijetarët të cilët i qasen konceptit të kulturës në autencitetin e vet, në atë çka do të thotë kulturë në vetvete. Një qasje e tillë e cila synon të  zbulojë thelbin e konceptit duhet të gjejë më shumë prani dhe t’i kushtohet më tepër rëndësi.

Sipas Alija Izertbegoviç-it, “kultura filloi me ‘prologun në qiell’. Me religjionin e vet, artin, etikën e filozofinë, ajo për këtë arsye do të merret vazhdimisht me raportin e njeriut ndaj atij qielli nga erdhi ai.”[1] Në këtë pohim qëndron edhe fakti i asaj që përbën në të vërtetë kulturën. Kulturë do të thotë raport i njeriut me Zotin. Niveli kulturor merr vlerë nga forca dhe dimensioni i raportit të njeriut me Krijuesin. Anasjelltas, kur mungon ky raport nuk kemi të bëjmë më me kulturë të vërtetë, por me krizë kulturore, një privim nga një raport i domosdoshëm që i jep një pseudonim raportit njeri-Zot dhe në rastin më të thjeshtë mund të identifikohet me pseudokulturën, apo kulturën masive. Të gjitha qasjet e tjera të cilat përpiqen ta përkufizojnë kulturën duke u nisur nga elementë të tjerë, përbërës së kulturës, por përjashtojnë elementin e besimit në Zot, i mohojnë përkufizimit thelbin e vet, tregojnë çdo gjë që lidhet me kulturën, por nuk tregojnë se çfarë në të vërtetë është kultura.

Marrëdhëniet njerëzore përjetojnë probleme, kriza dhe përçarje të vazhdueshme, atëherë kur kultura e anëtarëve të shoqërisë humb frymën e vet esenciale apo shfaq dobësi të theksuara në ndërtimin e marrëdhënieve hyjnore, me Zotin. Nëse çështjen do e shohim nga ky këndvështrim, atëherë të gjitha raportet e përditshmërisë janë ndikuese të drejtpërdrejta të gjendjes kulturore, dhe gjendja kulturore rrjedhimisht përcakton fatet e shoqërisë. Me ‘fat’ në këtë rast nuk është fjala për lumturinë apo dëshpërimin, mirëqenien apo mjerimin, por saktësisht bëhet fjalë për qëndrimin e shoqërisë karshi asaj që i ndodh apo i kanoset. Tipari më i thjeshtë i kulturës nënkupton reagimin ndaj ngjarjeve të jashtme, mbajtjen e qëndrimit dhe pozicionimin. Njerëzit e kulturuar nuk janë indiferentë  ndaj asaj çka ndodh. Ata reagojnë, jo duke u rebeluar e duke akzuar, por duke u përpjekur t’i përmirësojnë gjërat.

Një prej shkëputjeve më të forta konceptuale që arritën të kryejnë revolucionet politike dhe kulturore në vendet e Perëndimit me anë të modernitetit ka të bëjë me veçimin  e konceptit kulturë nga konceptet e religjionit, moralit dhe drejtësisë. Moderniteti e shkëputi kulturën nga jeta e përditshme shoqërore duke identifikuar si synimin më të lartë kulturor artin.  Shtresat e larta të cilat e prodhojnë dhe konsumojnë artin perceptohen si përfaqësuese të niveleve më të larta të kulturës dhe model i mënyrës së tyre të jetesës vlerësohet si skicë e ndërtimit të jetës. Nga ana tjetër, qytetarët e thjeshtë të cilët nuk janë artista apo pjesë e kastave të larta sociale, perceptohen si njerëz me nivel të ulët kulturor, pa marrë parasysh vlerat e tyre morale, ndershmërinë në raportet me përditshmërinë apo frymën e lartë të solidaritetit shoqëror. Ky raport i zhdrejtë në të konceptuarit e kulturës prodhoi një rregull shoqëror që ka zhvlerësuar vlerat e vërteta njerëzore dhe ka vlerësuar kundërvlerat. Me kalimin e kohës, çdo gjë që është prodhuar nga shtresat e larta ekonomike të shoqërisë është konsideruar si e drejtë, e saktë, shprehi e një niveli të lartë kulturor, edhe në qoftë se këto produkte kanë qenë të padrejta, korruptive, imorale etj. Ndërsa produktet kulturore të shtresave të ulëta shoqërore nuk vlerësohen, edhe nëse mbartin frymë hyjnore dhe parime të larta humane.

Gradualisht, lakmia e skajshme e shtresave të larta për të shtuar sa më shume pozita sunduese e ekonomike si edhe inferioriteti në rritje i shtresave të ulëta krijuan kushtet e lulëzimit të korruptimit të kulturës së vërtetë, të rrënimit të themeleve të marrëdhënies së njeriut me Zotin. Doktrinat fetare të Mesjetës që shërbernin si burim kryesor i kulturës, u zëvendësuan me doktrina filozofike që e trajtonin besimin në Zot si diçka relative, periferike dhe jo të lidhur drejtpërdrejt me jetën njerëzore. Racionalizmi, empirizmi dhe pragmatizmi u kthyen në busull të orientimit të sjelljeve të njerëzve me njëri-tjetrin. Artikuluesit e këtyre ideologjive u shndërruan në idhujt modernë të njerëzimit kurse njerëzit e thjeshtë në idhujtarë të tyre. Marrëdhënia e njeriut me qiellin, prej të cilës u gjenerua kultura, u zëvendësua me marrëdhënien tokësore të njeriut me eprorin e vet idhull. Kjo ngjarje me zanafillë në modernitet përbën aktin më korruptiv të mundshëm: ato koncpete të edukuara dhe kultivuara historikisht nga profetët dhe dishepujt e tyre, u zbehën dhe gradualisht u zëvendësuan me koncepte të formësuara nga injorantët dhe armiqtë e të vërtetës së qiellit. Padrejtësitë dhe vuajtjet e njerëzimit gjithmonë do tregojnë mungesën e kulturës së vërtetë ndërsa mjerimi më i madh i njerëzve  do të ndodhet në mungesën e marrëdhënieve me Zotin apo brishtësinë e lartë të këtyre raporteve kur ekzistojnë.

Vetë kultura u shndërrua në mit. Subjekti i kulturës tanimë nuk qëndron tek kuptimet ontologjike që duhet t’i caktohen jetës dhe veprave të njeriut, por tek dallimi i mënyrave të jetesës së shoqërive të ndryshme, ritmit dhe dinamikës së punës, zhvillimeve teknike dhe formave të ndryshme të ndërtimit të marrëdhënieve shoqërore. Kultura tashmë perceptohet si identitet. Njerëzit e përdorin për t’u dalluar nga tjetri, për të shprehur faktin që janë ndryshe, ndërkohë që duhet ta përdorin për t’iu dhënë vlerë veprave të tyre, vetë jetës në përgjithësi.

Gjendjen tonë të mirë ose të keqe duhet ta lidhim me një dimension më të lartë se kjo botë e kufizuar. Përtej kësaj bote, mbi qiejt, kemi një garanci më të madhe për ta adresuar të mirën dhe për të larguar të keqen. Këto janë bazat kulturore të njeriut, sepse veprat e tij lidhen me një botë përtej, prandaj edhe njeriu ka kulturë, ndërsa kafsha jo. Synimi i vërtetë dhe më i madh i kulturës është krijimi i raportit të saktë me ‘Ontos-in” (Qenien) e përtej qiellit.

[1] Izetbegoviq Alija, – “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit.”

Romeo Ismahilaj

Komente

There is 1 comment for this article
  1. Antonis Elezi Janar 6, 2021 10:04 pm

    Vertet nje artikull shum i bukur dhe perkujtues per ne qe con gjithcka ne fillimet e saj ne origjinalitetin e saj te vertet dhe shembull per ndryshimin qe peson gjithcka kur nderhyn mendimi e ndikimi personal i njeriut e sidomos te ateistit qe ka veten si prioritet ne kete bote. Elhamdulilah.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP