Jeta para dhe pas Covid-19
Pandemia Covid – 19, që ka mbërthyer mbarë botën për më shumë se një vit, në një mënyrë apo në një tjetër ka ndikuar dhe në jetën e gjithësecilit prej nesh. Viti 2020 u përcaktua nga pandemia e koronavirusit, e cila u cilësua si pandemia më e keqe që ka parë bota në të paktën 100 vjet.
Kjo pandemi nuk ndryshoi vetëm mënyrën tonë të jetesës, por edhe mënyrën e të ushqyerjes, mënyrën e të punuarit, mënyrën e të komunikuarit, por mbi të gjitha dhe mënyrën e të menduarit. Shumë shpejt një numër fjalësh dhe frazash hynë në fjalorin tonë të përditshëm. Na thanë se duhet të ruajmë “distancën fizike”, të përdorim maskat në çdo vend, të qëndrojmë dy apo gjashtë metra larg që të ‘’rrafshojmë kurbën’’, të kujdesemi dhe të ngadalësojmë përhapjen e sëmundjes në mënyrë që ta largojmë sa më shpejt këtë armik të padukshëm. Ashtu sikundër Covid-19 po përhapej me shpejtësi në të gjithë botën, edhe ne njerëzit vraponim me shpejtësi të blinim maskat dhe dezinfektantet e duhur për të ndihmuar në ‘’zhdukjen’’ e këtij armiku, që me mbërritjen e tij transformoi jetët tona.
Teksa ka kaluar një vit pandemik, që për shumëkënd ka qenë i vështirë, dikush duke u përballur me humbjen e të afërmve e dikush tjetër duke përballuar me pasojat sociale, shoqërore dhe financiare që mund të këtë lënë ky virus në familjet shqiptare. Tashmë një vit e pak “të pushtuar” dhe të përshtatur me këtë stil të ri jetese, mund rikthehemi dhe një herë për të parë se çfarë ka ndryshuar përgjatë këtij viti.
Shëndeti mendor
Për dikë jeta para pandemisë mund të ishte stresuese, por sfidat e reja dhe ndikimi i vazhdueshëm që kanë pasur ngjarjet e lidhura me koronavirusin kanë kontribuar me rritjen e stresit dhe ankthit tek një pjesë e konsiderueshme e njerëzve.
Mësimi online, puna nga shtëpia dhe qëndrimi brenda saj për një kohë të gjatë, vështirësitë financiare, qëndrimi për një kohë të gjatë në rrjetet sociale, por edhe duke lexuar pafund lajme për pandeminë dhe teoritë konspirative rreth saj, kanë bërë që shumë njerëz të kalojnë kriza të ndryshme nervore.
Izolimi, i cili jo në pak raste mund të çojë dhe në vetmi, ka goditur njerëz të të gjitha moshave. Shumë fëmijë dhe adoleshentë kanë shkëputur marrëdhëniet me shokët dhe shoqet, duke u lidhur në mënyrë të pashmangshme me teknologjinë. Kjo nuk ka çuar vetëm në mungesën e zhvillimit shoqëror të tyre, por dhe në rritjen e agresivitetit tek kjo kategori.
Shumë prindër, të detyruar të punonin në shtëpi, por njëkohësisht të kujdeseshin dhe për mësimin online të fëmijëve të tyre apo përkujdesjen ndaj tyre, jo në pak raste janë detyruar ti drejtohen specialistëve të kujdesit mendor për ta menaxhuar sa më mirë stresin dhe qëndrimin brenda mureve të shtëpisë për javë të tëra.
Trasnformimi i komunikimit
Askush nuk e kishte menduar, të paktën jo kaq shpejt, që do të vinte një ditë që i gjithë komunikimi i njerëzve do të zhvillohej nëpërmjet pajisjeve teknologjike. Rrjetet sociale dhe platformat e tjera të komunikimit filluan të zinin një pjesë të mirë të komunikimit mes individëve. Më parë ishin përdorur mekanizma specifikë për komunikim virtual, kryesisht të mbetur vetëm në rangun e rrjeteve sociale. Aty ishte hapësira ku njerëzit shpreheshin dhe komunikonin me njëri-tjetrin. Gjatë pandemisë, u krijua një boshëllëk në komunikimin ballë për ballë dhe për këtë arsye nevojiteshin mënyra alternative për komunikim. Kjo domosdoshmëri vjen edhe nga fakti që vetë natyra njerëzore është krijuar e tillë për të jetuar në komunitet, për të ndërvepruar me të tjerët, për të komunikuar dhe për të shkëmbyer përvoja. Për këtë arsye morën hov platformat sociale për të rritur komunikimin. Kjo tanimë ndryshoi dhe u zhvendos nga aspekti personal, ku një individ komunikonte më një tjetër, kryesisht që e njihte, drejt një komunkimi më formal, edhe përsa i përket çështjeve të punës.
E gjithë natyrshmëria njerëzore, për një moment u zhvendos në formatin virtual. Takimet e punës, takimet mes kolegëve apo edhe takimet e rëndësishme të biznesit, marrëveshjeve dhe transaksioneve filluan të vinin si pasojë e takimeve virtuale. Individi filloi të punojë, por në kushte shtëpie. Energji elektrike, internet dhe një kompjuter ishin gjithçka duhej për të ribërë atë që individi bënte para pandemisë, por tashmë pa nevojën për të dalë nga shtëpia për në punë, thjesht brenda ekranit të kompjuterit.
Pandemia dhe mendimi kritik
Mendimi kritik, analiza, zgjidhja e problematikave dhe avancimi i mendimit shkencor kanë qenë vazhdimisht në qendër të zhvillimit të qytetërimeve dhe civilizimeve. Problematika e nxitjes së mendimit kritik kohëve të fundit ka qenë pjesë e tryezave të diskutimit, që me zhvillimin e internetit dhe rrjeteve sociale. Herë pas herë shpalosej teza që marrja e informacionit në mënyrë të gatshme nga interneti po ndikonte negativisht në zhvillimin e mendimit kritik tek fëmijët dhe të rinjtë.
Por çfarë pasojash solli pandemia në këtë aspekt?
Interneti dhe rrjetet sociale morën një hov të madh që nga marsi 2020, kur filloi të aplikohej gjendja e izolimit. Individët, tanimë të distancuar nga hapësirat sociale shoqërore, të gjendur midis mureve të shtëpisë, pas shumë mundësi kontakti fizik me të tjerët, filluan të kalonin pjesën më të madhe të kohës së tyre nën shoqërinë e rrjeteve sociale. Tanimë komunikimi i drejtpërdrejtë mes individëve u tranformua totalisht në komunikim virtual. U përhapën në masë lloje të ndryshme platformash të rrjeteve sociale, të cilat i mundësonin individit të ‘vriste’ kohën brenda mureve të shtëpisë. Rrjedhimisht filloi edhe përthithja e informacionit të gatshëm në mënyrë të jashtëzakonshme. Bota virtuale u shëndërrua për disa kohë si bota reale e njerëzve. Çdo gjë ndodhte aty, çdo kush komunikonte virtualisht. Informaconi që përhapej në shumë raste nuk vërtetohej nëse ishte i vërtetë.
U krijua një cikël i mbyllur, në të cilin shumica e njerëzve besonin atë që shihnin në hapësirën virtuale të telefonit apo kompjuterit. E rëndësishme ishte çfarë po ndodhte, jo nëse ajo ishte e vërtetë apo ishte diçka e nevojshme për të ndodhur. Ushqimi me informacion ‘fast-food’ u shtua në masë. Pasojat mund ti shohim vetëm në terma afatgjatë. Marrja e informacionit të gatshëm, sa më shumë normale të bëhet, aq më shumë ndikim negativ do të ketë në zhvillimin e shoqërive njerëzore. Njerëzit do të kthehen në robotë, të cilët vetëm veprojnë, por nuk logjikojnë, nuk mendojnë dhe nuk thellohen në ato informacione që marrin.
Mendimi kritik do të arrijë në pikë kritike nëse nuk i gjendet kura kësaj ‘gjendje kome’ në të cilën po kalon njerëzimi. Thelbi i njeriut është përdorimi i mendjes dhe mendimeve në mënyrë që të avancojë shkenca, shoqëria dhe civilizimi. Kjo duhet të kuptohet sa më parë, për të eleminuar këto pengesa bashkëkohore me të cilat çdo individ po përballet. Vetëm ateherë mund të themi që ky zhvillim që ka kapluar botën sot, do të avancojë përpara dhe nuk do të mbesë në vend, për të mos thënë që mund të marrë të tatëpjetën.
Greta Bullari
Komente