Koha!
"Nuk e nisëm ne kohën, thjesht po e ruajmë atë!"
Sa shpesh mendojmë për kohën, si ka mundësi që asnjëherë nuk mundemi t’i paraprijmë asaj? Asnjëherë nuk mund ta kalojmë, gjithmonë ngelemi duke pyetur veten: ç’mund të kishim bërë dhe çfarë mund të kishim zgjedhur ta ndryshojmë? Dhe, gjithmonë që mundohemi të gjejmë përgjigje, kthehemi duke kuptuar që ne jemi pjesë e kohës. Ne jemi kohë! Nuk mund t’i paraprijmë, nuk mund ta kalojmë atë. Ne jemi bashkudhëtarë të saj.
Ne nuk e nisëm atë, as nuk mund ta ndalojmë, por ne mund ta ruajmë kohën. Për kohën nuk vlen depozitimi, por mund ta ruajmë atë duke e mbushur me pjesëza të vlefshme, që ndoshta edhe vetë koha nuk mund t’i fshijë. Ato bëhen kohë duke harruar të shkëputen prej saj. Kështu edhe me shkëputjen tonë prej kohës ne vazhdojmë të ekzistojmë në të. Koha nuk mund të fshijë veten e saj, nuk mund të na fshijë as neve për aq pjesë sa kemi lënë në të. Nuk mundet ta ruajmë kohën tonë, derisa të kuptojmë se çfarë është ajo. Kur të kuptojmë këtë, atëherë do dijmë si ta ruajmë atë, si të ruajmë edhe veten, pa humbur nëpër të.
Koha është prej Zotit, krijuesit të saj, i Cili betohet në të dhe thotë: Pasha kohën. . . Si çdo krijesë tjetër edhe koha e ka për detyrë t’i nënshtrohet Krijuesit të saj. Padroni na siguron për pronën e Tij, për të na e bërë të ditur edhe çfarë është ajo, gjithashtu edhe rolin e saj.
Ajo jeton duke ndjekur manualin e saj të përdorimit, dhe na ka bërë pjesë të saj, duke qenë kështu ne, pjesë e vullnetit, krijimtarisë dhe ligjshmërisë së Zotit. Gjithçka që ishim për kohën apo ajo për ne, tani e merr kuptimin nga ajo se çfarë jemi ne për Krijuesin. Tani ruajtja e kohës mund të bëhet vetëm atëherë kur ne kalojmë nëpër kohë duke lënë pjesë që për vlefshmërinë e tyre vlen edhe koha e dhuruar. Po sa mund të plotësojmë ne në kohë kur e dimë se jemi bashkudhëtarë me kohën, por jo edhe përfundues të të njëjtit rrugëtim?
Kur Jushae bin Nun, një udhëheqës i popullit të bijve të profetit Jakub, u nis drejt Jeruzalemit për ta çliruar atë, duhet të hynte në të para perendimit të diellit, premtimin e të cilit për të arritur qëllimin, nuk e kishte. U kufizua nga koha, dhe ti pyet veten, kur kam qenë i pakufizuar?! Kur kam qenë i lirë brenda këtij kufizimi?
Do e kuptosh se ti je i lirë nga ajo dhe i pakufizuar kur të kuptosh atë që kuptoi Jushae bin Nun. Ai iu drejtua diellit dhe i tha: Në qoftë se ecën me vullnetin tënd, unë nuk mund të të ndaloj dot, por në qoftë se ti ecën sipas vullnetit të Zotit, atëherë ndalu, derisa une po hyj në qytet! Ne do të arrijmë të hyjmë në qytetin e çdo pjesë të vlefshme të kohës sonë, kur vërtetë të mos i kryejmë matjet me njësitë matëse që i kemi vendosur udhëtimit tonë, por atëherë kur të jemi qartësuar plotësisht me rolin e kohës te ne.
Çdo udhëtim është harxhim energjie, që mbart me vete lodhje, kënaqësi, lumturi, keqardhje dhe të gjitha format e tjera të ndjesive që kupton ose jo njeriu.
Diçka që vjen nga Zoti nuk është për ta lodhur njeriun, por për t’i dhënë zgjidhje atij. Zoti thotë se çdo gjë e ka nënshtruar për njeriun, ndërsa njeriu është nënshtruar për qëllimin më të lartë, lartësimin e Krijuesit, në kohë dhe pa kohë. Koha është nënshtruar për ne, dhe u bë pjesë e jona, aq sa ne jemi pjesë e saj. Dhe, kur ligjet që rregullojnë funksionimin e kesaj kohe të mbarojnë për ne, pasi edhe ata ishin bashkë me ne pjesë e kësaj kohe, atëherë për ne do nënshtrohen ligjet e mbaskohës, aty ku ne bëmë veten kohë. Koncepti ndryshon dhe ngelet kuptimi. Jemi të gjithë pjesë e njëri-tjetrit të ndërfutur në një pjesë ekzistence, aq sa Krijuesi i jep kuptim të qenurit tonë.
Komente