Një Zot e di se si do ta rigjallërojmë fenë tonë, por unë besoj se duhet. (përkthim)
Niall Ferguson
Përktheu: Kevi Muçllari
Në kundërshtim me besimin popullor, nuk ishte G.K Chestertoni ai që tha: “Kur njerëzit reshtin së besuari në Zot, ata nuk është se besojnë në asgjë, përkundrazi besojnë në çdo gjë.” Por ai duhet ta kishte thënë. Chestertoni – i cili në ditët e sotme mbahet mend më së miri, të paktën, për tregimet e tij për At Brown – e shihte ateizmin me dyshimin më të madh. Ata që nuk besojnë në Zot mbi baza gjoja racionale, argumentonte ai, thjesht bien pre e pseudo-feve dhe bestytnive. Formulimi i tij më i qartë i këtij argumenti jepet ndoshta tek “Mrekullia e Hënës” kur ai shkroi: “Ju materialistë të pakompromis [jeni] të gjithë të pozicionuar në skajin e besimit – të besimit në pothuajse çdo gjë.”
Edhe unë vetë jam një materialist i ashpër, të paktën kështu mendoj. M’u kujtua Chestertoni javën e kaluar nga një raportim i një bisede midis një prej bombarduesve të mundshëm islamikazë, Muktar Said-Ibrahim, dhe një ish fqinji të tij në Stanmore, periferia e Londrës veriore ku ai u rrit. “Ai më pyeti,” kujton Sarah Scott, “nëse isha katolike, sepse vij nga një familje irlandeze, dhe unë thashë se nuk besoja në asgjë, megjithatë ai tha se duhet. Më pas ai tha se nëse e lavdëron Allahun ka për të pasur shumë virgjersha pasi të mbërrijë në Xhenet. Nëse i lutesh Allahut dhe qëndron besnik ndaj Tij mund të kesh 80 virgjëresha, ose diçka e tillë.
Sot është gjëja më e lehtë në botë të tallesh me këtë ide, me sa duket krejt e zakonshme në mesin e xhihadistëve, se një kamikaz që hedh në erë me sukses një numër të mirë jobesimtarësh, shpërblehet në parajsë me 80 virgjëresha. (Unë personalisht nuk mund të mendoj për asgjë më të tmerrshme se 80 virgjëresha; Thjesht mund të përfytyroj bukuroshet e St Trinian-it duke vrapuar.) Por, pyes veten, a është shumë më e çuditshme të besosh, si Sarah Scott, në asgjë?
Biseda e Znj. Scott me Said- Ibrahimin është magjepsëse sepse hedh dritë mbi hendekun që ekziston në këtë vend midis një pakice fanatikësh dhe shumicës së ateistëve. “Ai më tha,” kujton ajo, “njerëzit kanë frikë nga feja, por nuk duhet të kenë frikë”. Nuk jam i sigurt nëse britanikët domosdoshmërisht kanë frikë nga feja, por sigurisht që nuk janë shumë të interesuar për të në këto ditë. Në të vërtetë, rënia e krishterimit – jo vetëm në Britani, por në të gjithë Evropën – paraqet një nga fenomenet më të jashtëzakonshme të kohëve tona.
Jo shumë kohë më parë Europa me të drejtë i referohej vetes si “Kristendom”. Evropianët ndërtuan godinat më të bukura në kontinent për të celebruar aktet e tyre të adhurimit. Ata janë grindur ashpër për dallimin midis transubstantimit dhe konsubstancionit. Si pelegrinë, misionarë dhe konquistadorë, ata lundruan në të katër anët e globit, me qëllim që t’i kthenin paganët në besimin e vërtetë. Tani jemi ne paganët.
Sipas Sondazhit të Gallup për Qëndrimet Fetare, rreth 20 për qind e europianëve perëndimorë ndjekin shërbesat e kishës të paktën një herë në javë, krahasuar me 47 për qind të amerikanëve veriorë dhe 82 për qind të afrikano-perëndimorëve. Më pak se gjysma e evropianëve perëndimorë mendojnë se Zoti është një pjesë “shumë e rëndësishme” e jetës së tyre, përkundër 83 për qind të amerikanëve dhe pothuajse të gjithë afrikano-perëndimorëve. Gjithashtu, 15 për qind e evropianëve perëndimorë mohojnë ekzistencën e ndonjë lloj “shpirti, Zoti apo force mbinatyrore” – shtatë herë më shumë se shifra e Amerikës dhe 15 herë më shumë se ajo e Afrikës Perëndimore.
Niveli jashtëzakonisht i ulët i prezencës së fesë në Britani ishte ndoshta zbulimi më i habitshëm i një sondazhi të fundit të ICM. Një në pesë britanikë deklaron se “ndjek rregullisht një shërbesë fetare të organizuar”, më pak se gjysma e përqindjes amerikane. Pak më shumë se një e katërta e britanikëve thonë se lutemi rregullisht, krahasuar me dy të tretat e amerikanëve dhe 95 për qind të nigerianëve. Për më tepër, një në 10 prej nesh me zor do të ishte i gatshëm të vdiste për Perëndinë ose besimet tona, krahasuar me 71 për qind të amerikanëve.
Sigurisht, këto sondazhe nuk bëjnë dallime midis besimeve, kështu që ato pothuajse me siguri e nënvleftësojnë rënien e Krishterimit Britanik. Mos harroni, vitin e kaluar, u zbulua se, në një javë mesatare, më shumë myslimanë frekuentojnë xhaminë sesa anglikanët kishën. Nuk është çudi që pastori ynë lokal, i talentuar por i frustruar, sapo ka njoftuar se po largohet nga Kisha për t’u bërë avokat: një shenjë tipike e kohës.
Dekristianizimi i Britanisë është në fakt një fenomen relativisht i vonë. Për pjesën më të madhe të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, komunikuesit anglikanë të Ditës së Pashkëve përbënin rreth 5 deri në 6 për qind të popullsisë së Anglisë; ishte vetëm pas vitit 1960 që përqindja ra në 2%. Shifrat për Kishën e Skocisë tregojnë një prirje të ngjashme: të qëndrueshme deri në vitin 1960, më pas pothuajse të përgjysmuara. Siç sugjerojnë këto shifra, protestantët britanikë nuk kanë qenë mjaftueshëm të vëmendshëm (në krahasim, për shembull, me katolikët irlandezë), por deri në fund të viteve 1950 anëtarësimi në kishë, megjithëse jo frekuentimi, ishte relativisht i lartë dhe i qëndrueshëm.
Përpara vitit 1960, shumica e martesave në Angli dhe Uells kryheshin në kishë; më pas filloi tatëpjeta, duke arritur deri në rreth 40 për qind në fund të viteve 1990. Veçanërisht bie në sy rënia e përqindjes së regjistrimeve të fëmijëve të pagëzuar. Më pak se një e pesta e të pagëzuarve janë konfirmuar, rreth gjysma e shifrës së periudhës 1900-1960. Për Kishën e Skocisë rënia ka qenë edhe më e shpejtë.
Disa nga shkrimtarët më të mëdhenj britanikë të shekullit të 20-të e parashikuan këtë rënie. Evelyn Ëaugh e kuptoi – pasi përfundoi trilogjinë e tij “Shpata e Nderit” gjatë kohës së luftës – se ai kishte shkruar epitafin e një lloji të veçantë antik të katolicizmit anglez. C S Lewis shkroi Letrat e Joshjes me shpresën se tallja me Djallin mund ta mbante atë larg. Të dy e kuptuan, më se mjaftueshëm, se lufta përbënte një kërcënim të madh për besimin e krishterë. Megjithatë, parashikimet e tyre për sekularizmin nuk u realizuan deri në vitet 1960.
Pse e kanë humbur britanikët besimin e tyre historik? Ashtu si shumë pyetje të vështira, kjo duket se ka një përgjigje të lehtë. Por, para se t’ia hedhim fajin “The Sixties” – Beatles, Pill dhe minifundeve – duhet të mos harrojmë se edhe Shtetet e Bashkuara i kanë pasur të gjitha këto kënaqësi tokësore, e megjithatë nuk kanë reshtur së qeni një vend i krishterë. Për të qenë i sinqertë, nuk e kam idenë se cila është përgjigja. Por e di që është e rëndësishme.
Chestertoni kishte frikë se, nëse binte krishtërimi, “supersticioni” do të “mbyste gjithë racionalizmin dhe skepticizmin tonë të dikurshëm”. Kur miqtë e mi të arsimuar më thonë se kanë ftuar një shaman për të investiguar shtëpinë e tyre lidhur me ndonjë magji të keqe (ju-ju), e kuptoj se çfarë donte të thoshte Chestertoni. Megjithatë, nuk është përhapja e pakuptimësisë dhe konfuzionit (mumbo-jumbo) që më shqetëson më tepër sesa vakumi moral që ka krijuar dekristianizimi ynë. Unë nuk e mohoj që predikimet ndonjëherë janë të mërzitshme dhe se kongregacionet britanike shpesh këndojnë pa e pasur vëmendjen e të pranishmëve. Por, në mos asgjë tjetër, një dozë javore nga doktrina e krishterë do i’u ndihmojë për të siguruar një kornizë etike për jetën tuaj. Dhe me siguri nuk e di se ku tjetër mund ta gjeni.
Gjatë javëve të fundit ne kemi lexuar shumë lidhur me kërcënimin e paraqitur për “mënyrën tonë të jetesës” nga ekstremistët myslimanë si Muktar Said-Ibrahim. Por deri në çfarë mase humbja e besimit fetar e ka kthyer këtë vend në një objektiv vulnerabël – jo aq shumë për besëtytninë nga e cila frikësohej Chestertoni, sesa për fanatizmin e të tjerëve?
Komente