web analytics

Të veçanta

Shoqëri e padrejtë në kërkim të drejtësisë

Karakteri psiko-moral i shqiptarit

Vlerësimi i popujve përbën një sfidë të pazakontë për çdokënd që e merr përsipër këtë çështje. Akoma edhe më sfiduese është iniciativa për të kryer vlerësim historik të karakterit të shoqërive pasi cilësitë dhe prirjet e tyre evoluojnë dhe ndryshojnë. Ndërsa, qasja dhe vlerësimi i shoqërisë në të cilën jeton njeriu, për kohën që e ka përjetuar çdo individ në një farë mënyre e ka detyrë morale ta kryejë.

 Në këtë artikull synohet që të bëhet një vlerësim objektiv,  pa tendencë fanatizmi e as nënvlerësimi, i shoqërisë shqiptare në këto tri dekada të tranzicionit, e më pas në bazë të këtij vlerësimi, duke u mbështetur në një bosht të caktuar parimesh e vlerash, të hidhet dritë në lidhje me raportin e shoqërisë sonë me sistemin e drejtësisë dhe drejtësinë si fenomen.

       Ne jemi një popull që kemi dashuri të madhe për virtytet e larta, për aktet heroike edhe për vlerat morale të altruizmit e bamirësisë, kudo që i hasim i lëvdojmë dhe i vlerësojmë pafund. Por, nga ana tjetër tregohemi të paqëndrueshëm karshi parimeve, gjejmë 1001 justifikime për ta shkelur ligjin, për t’i përbuzur institucionet dhe për të përfituar në kurriz të së mirës publike nëse na jepet rasti, me arsyetimin e paarsyeshëm se është diçka që na takon.

       Në ndërgjegjen tonë gjallëron krenaria madhështore e arritjeve heroike të paraardhësve tanë në zemër të perandorive më të mëdha të historisë. Por, nga ana tjetër gjithë ditën kritikojmë dhe shajmë papushim aktorët e ngjarjeve kriminale që transmetojnë televizonet në kronikat e tyre. Të bindur e të vetëtkënaqur se jemi pasardhës të njerëzve të mëdhenj të cilët kanë kontribuar shumë në ndërtimin e qytetërimeve, shndërrohemi në armiqtë më të egër të racës sonë, në përshkruesit më negativë të historisë nëpërmjet asaj që bëjmë dhe mënyrës si e interpretojmë.

      Të magjepsur nga standartet e larta të jetesës dhe institucionet e shteteve të BE-së e SHBA-ve, kur konstatojmë mangësitë e skajshme të jetesës dhe institucioneve të shtetit tonë, lëshohemi pa fre në sharje, akuza, kritika dhe konspiracione. Paradoksalisht, sapo na jepet mundësia të pozicionohemi në një post administrate, jemi shumë të prirur që për hir të kësaj pozite të flijojmë parimet e vlerat, të bëjmë dyfishin e shkeljeve e korrupsionit të cilin e kemi kritikuar. Edhe në qoftë ndonjë nëpunës i pastër e i ndershëm, do e shfaqim prirjen tonë për t’ia zhbërë vlerat morale duke e korruptuar qoftë edhe pa nevojë, më arsyetimin iditotesk se po ia jep në formë dhurate.

       Tek të gjithë ne që krenohemi me historinë e një kombi herorik ekziston një veti e veçantë; e urrejmë shumë të keqen e i vlerësojmë parimet, por çuditërisht e kryejmë me duart tona atë çka urrejmë, i kritikojmë pareshtur të padrejtët e në fund biem vetë në grackën e zullumit.

       Një dobësi e theksuar vetënjohjeje, veçanërisht në këtë periudhë 30-vjeçare tranzicioni, ndërliksjesh e amulli vlerash, duke mos aritur ta shndërrojmë në vetënjohje reale më anë të reflektimit dhe katrsisit (pastrimit) moralo-shpiprtëror, na ka transferuar në pozicion jofisnik e të panatyrshëm për karakterin historik të shqiptarit; jemi bërë qenie që aktivitetin intelektual dhe përpjekjet shpirtërore i kemi shfrytëzuar në fushën e krijimit të konceptit të tjetrit (individit e shoqërisë), në kritikën e pandalshme e të pafrytshme ndaj fenomeneve për të cilët skemi përgatitur kurrfarë qasje e as filozofi menaxhimi, e ndërkohë e kalojmë jetën duke iu dedikuar më gjithë shpirt boshllëkut.

Ne dhe qasja ndaj drejtësisë

       Shoqëria nuk është uniformë e as e njëtrajtshme, prandaj nuk është e drejtë që analiza ndaj një fenomeni të përgjithësohet dhe komuniteti të gjykohet si një i tërë, sikurse  në këtë shkrim në të cilin bëhet një vlerësim i të gjithëve “ne”. Por për fenomenin e marrë në analizë kemi bindjen se ngërçi është pasojë e një ndërlikimi faktorësh që na përcakton të gjithëve si pjesë të fajit.

       Tashmë institucionet e drejtësisë kanë krijuar një traditë tek ne, pavarësisht natyrës dhe standartit të kësaj tradite. Mirëpo, të ndikuar shumë nga moderniteti jemi mësuar të kritikojmë çdo gjë që vjetërohet nga vitet edhe pse është konsoliduar. Fakti që tanimë gëzojmë një pasuri si kushtetuta dhe institucionet që rrjedhin prej saj, nuk na ka nxitur aspak të krijojmë një kulturë njohëse dhe këndvështrimi ndaj tyre, por bëjmë atë që është më e thjeshta,  kritikojmë e akuzojmë qoftë edhe panevojë.

       Edhe në rastin e reformës që është nisur në sistemin e drejtësisë në qasemi me të njëjtën mënyrë më të cilën qasemi ndaj çdo fenomeni institucional: e perceptojmë më një skepticizëm cinik, i mveshim gjithëfarëlloj akuzash, e vlerësojmë si burimin e çdo të keqeje. Kjo qasje krijon dilema vërtetë të vështira. A do jemi një shoqëri që e ndryshon realitetin e vet duke përmirësuar kulturën dhe formimin e vetë individëve apo do vazhdojmë të kritikojmë reformën në drejtësi sikurse edhe çdo veprimtari shtetërore  duke mos zotëruar asnjë konceptim adekuat më situatën e aq më tepër duke mos pasur asnjë strategji koherente si alternativë.

       Një sjellje e tillë që është kthyer tashmë në kulturë shoqërore, na ka shndërruar në një popull që tregohet i padrejtë ndaj vetes duke i vendosur ndërgjegjes kufij në aspektin e njohjes ndaj rrethit ku jetojmë. Një padrejtësi e tillë ndaj vetë unit tonë na pamundëson të realizojmë një aktivitet të drejtë ndaj tjetrit, ndaj shoqërisë.

       Vetingu që është realizuar në drejtësi ka arritur të përjashtojë nga institucionet e drejtësisë më shumë se gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët i ka marrë në vlerësim. Mirëpo ky fakt nuk ka pasur impaktin që duhej në shoqërinë tonë, një valë indiference dhe mosinteresimi mbizotëron në çdo vendbanim. Asnjë grup shoqëror nuk është formuar në kuadër të këtij fenomeni për të krijuar pikpamjen dhe për të faktorizuar qëndrimin e vet. Ndodhemi në një situatë në të cilën e kemi humbur besimin ndaj çdo përfaqësuesi të këtyre institucioneve. Mirëpo ky qëndrim skpetik deri në absurd nuk është plotësisht i mbështetur në fakte objektive, ai është një prej simptomave të pasigurisë psiko-sociale e cila buron nga tërheqja jonë prej angazhimit intelektual individual.

       Për herë të parë në traditën tonë institucionale është formuar një institucion që ka për qëllim hetimin e krimit në struktura të larta politike (SPAK-struktura e posaçme anti-krim). Por edhe kjo risi e cila do përbënte një ngjarjeje të një rëndësie të veçantë në çdo shoqëri të kulturuar politikisht dhe do angazhonte në veprimtari shumë formacione sociale, nga ana jonë perceptohet me anë të një skpeticizmi tipik; ashtu si mendintari skeptik heq dorë nga të vërtetat e vogla për shkak se nuk arrin dot tek e vërteta madhore, edhe ne nuk interesohemi për ndëshkimin e përfaqësuesve të vegjël në politike sepse duam të ndëshkohen vetëm më të mëdhenjtë. Kësisoj edhe institucionet më të përsosura do e kishin të pamundur të kryenin funksionin  e vet brenda një shoqërie me mentalitet të tillë politik.

       Thelbi që synon të shpjegojë ky artikull është parimi i pastër logjik se institucionet e drejtësisë lidhen kryekëput me parimet dhe vlerat e tërësisë së individëve në shoqëri. Drejtësia institucionale është produkt i edukimit moral e shkencor të pjestarëve të shoqërisë. Prandaj ne duhet të interesohemi më shumë për drejtësinë ndaj vetes, ta edukojmë veten duke mos lejuar t’i bëjmë padrejtësi as drejtëpërdrejtë as duke shkaktuar padrejtësi tek tjetri pasi edhe kjo është formë e zullumit ndaj vetes. Na duhet të edukohemi me një frymë e cila na nxit ta kërkojmë të drejtën tonë duke shfrytëzuar të gjitha potencialet e mundshme, e jo të kërkojmë ta blejmë atë më anë të korruptimit të nëpunësve të administratës. Kërkesave materiale të cilat janë shndërruar në cilësi e gjithkujt prej nesh, duhet t’ua bashkëngjitim edhe disa kërkesa morale e shpirëtore, sepse vetëm kështu reforma në drejtësi edhe çdo reformë tjetër pozitive do plotësohet me aspketin  e saj shpirtëror. Kur ne si shoqëri ta arrijmë këtë stad, do jenë vetë instituicionet ato që do na japin llogari dhe do na pasqyrojnë rezultatet, kritika do funksionojë në brendësi të tyre duke u faktorizuar, ndërsa qasjes sonë do i mbetet vetëm  të ndërtojë alternativa më të mira.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP