web analytics

Të veçanta

Përshkrim i qyteteve shqiptare para shekullit XX (pjesa e dytë- Elbasani, Berati)

Nga: Besart Capa

Evlija Çelebiu në veprën Sejantahane përshkruan qytet e Elbasanit dhe Beratit si më poshtë:

Elbasani

“Elbasani ka 40 xhami ndër te cilat ma e vjetra asht ajo e Fatihut mbi portë të kalasë me plot vazhdues (xhema’at). Në midis të kalasë është xhamia e Gazi Sinan Pashës, një ndërtesë e madhe, por e vjetër dhe përdheske; faqja e jashtme e katër mureve të saj asht e mbulueme krejt me vjersha, poezi, lavdata e urdhna profetike të shkrueme nga çdo udhëtar e shetitës që kanë ardhë prej Arabije, Persije e Rumelije, të cilët i kanë shkrue me bukurshkrim të posaçëm, secili me dorën e vet. Po të mblidhen këto mbishkrime formojnë një volum të madh. Çdo poet e ka banimin në këtë xhami, muret e të cilës kanë një të lyem të shkëlqyeshëm. Edhe unë si mbas zakonit qi kam, shkrova këtë rresht: “Atë e ka shkrue shetitsi i botës, Evlija-u më 1081”.

Historishkruesit kanë pagëzue çdo qytet me nji emën të veçantë; pra Elbasanin e kanë quejtë “Arush shuara”, shtëpia e poetve. Kjo xhami asht nji tempull me shumë hije shpirtnore… Pastaj asht xhamija e Hasan Balliut në treg me këtë mbishkrim datuer mbi portë:

 “I biri i Hasan Ballis e ngrefi për Perëndi, 

Këtë shtëpi të Zotit që i përngjan xhen’netit 

Lavdi  qoftë Zotit u krye kjo vepër, 

Pranoftë Perëndia qi s’ka shok tjetër. 

Sa ndër kjo punë qi der n’Kijamet, 

Ka me thanë bota nat’ e ditë rahmet,

Manastirliu fmive tha këtë datë, 

I u gadit tempulli me shumë lëvdatë, (viti 1017 h)

Pas kësaj asht xhamia e re… Pastaj asht xhamia e hijshme e Lepurit edhe xhamia e Sinan Beut, me shumë vazhdues, pranë Gjyqit. Veç këtyre Elbasani ka edhe 20 mesxhide, medrese që shpjegojnë fjalën e Zotit, medrese që shpjegojnë fjalët e Profetit, institute hafizësh dhe mjaft shkolla fillore. Ka 11 teqe dervishësh, ma të famshme janë Teqja e halvetive e Sinan Pashës, me shumë vakufe, Teqja e xhamisë së Hyngarit, me zotni t’uruem e të bekuem; Teqja e Haxhi Hasanit, me zotni që kanë heqë dorë nga kjo botë…

N’Elbasan ka edhe nji Namasgjah të madhe e të bukur, shtrue me nji lëndinë që bleron si kadife dhe asht e rrethueme me 57 selvi të mëdha e të bukura…”Ndërsa Sami Frashëri e përshkruan në “Kamus al Alam”: 

“Qytet në Shqipëri, në pjesën e saj të mesme, i cili ndan Gegërinë nga Toskëria. Shtrihet në anën e djathtë të lumit Shkumbin, domethënë në veri, në një luginë dhe fushë të bukur dhe pjellore. Ka 200000 frymë, nga të cilët rreth 35000 janë të krishterë dhe të tjerët musliamn. Mbi lumin Shkumbin ka një urë të bukur dhe të fortë. Këtu prodhohen tyta pushkësh shumë të pëlqyera nga shqiptarët. Është një qytet me tregti të zhvilluar, sidomos për artikuj e leshit, të lëkurës dhe të dyllit. Në kohën e romakëve andej kalonte rruga Ignatius, me lëvizje të madhe, midis Durrësit dhe Selanikut. Meqë andej do të kaloj edhe një hekurudhe, që mendohet të ndërtohet, kjo do të ja riste rëndësinë në tregti. ….

Sanxhaku i Elbasanit përbëhet nga vet Elbasani dhe dy kazatë: të Gramshit dhe të Peqinit, dhe ka gjithsej 312 fshatra. Toka është malore, por lugina e Shkunbinit është shumë pjellore. Prodhohen ullinj, rrush, drithëra të ndryshme, kurse orizi prodhohet shumë në kazanë e Peqinit. Në maje ka pyje më drurë lisi e të tjerë.”

Berati

Për qytetin e Beratit udhëtari Evlija Çelebiu citon:

“Berati ka 30 faltore muslimanësh, ndër të cilat ajo që ka ma shumë xhema’at asht xhamija e Bajazitit të shenjtë në kërthizë të qytetit. Kjo xhami asht 60 gjurmë e gjatë e 50 gjurmë e gjanë me një minare të naltë e të bukur; ka 3 porta, dy anëve e nji para. Para ka edhe nji korridor të madh sa vet xhamija. Oborrin e ka të ngushtë. Asht nji xhami e punueme mbas sistemit të vjetër dhe e mbulueme me tjegulla. Përpara ka teqen e Efendiut, qi asht tege Halvetish me dy pate.

Xhamia e Uskurliut me nji kube qargjir dhe e mbulueme me plumb. Ka nji minare të bukur qi ka shembull vetëm minaren e xhamisë së Melik Gaziut në qytetin Neksar të Sirisë. Korridori i kësaj xhamije asht mbulue me shtatë kube etuna mbi të mbuluara me plumb mbështetuna e të shtylla të bardha e të shkëlqyeshme. Medreseja, shkolla, teqeja e institutet bamirëse qi ka për rreth, krejt janë mbulue me plumb.

Xhamija e Gazi Murat Pashës nji tempull i thjeshtë e i hijshëm. Xhamija e Hungarit në fortesë sipër qi i thonë edhe Fetëhije. Xhamija e Çelebi Hysen Pashës (nip i Kara Murat Pashës) në lagjen Murat Çelipa, nji xhami e re dhe e bukur, të cilës i kushtohet nji vjershë epigrafike për me shfaqë datën e themelimit të saj…Xhamija e mushkës, afër Gjykatores. Mesxhidet tjera janë: Mesxhidi i lagjes së Vakfit, 3 mesxhide në lagjen Murat Çelipas. Mesxhidi i Baba Kadis (Kazi Baba): Mesxhidi i Pashmakchive; Mesxhidi i lagjes së bardhë, Mesxhidi i Jezullis dhe 8 mesxhide të tjera.

Berati ka 5 medrese: Medreseja e sulltan Bajazitit Veliut; Medreseja e Uskurliut janë ma me emën… Veç këtyne në çdo xhami ka myderris nderi që apin mësime gratis mbi çdo shkencë e melodi kur’anore… Në Berat ka edhe 3 teqe, ku besnikët e dashuris naltësojnë emnin e të madhit Zot. Ndër këto ajo e Hazreti Sheh… Efendiut pranë xhamisë së Hyngarit asht e vetmja në këtë qark; ka 40 dhomza në të cilat banojnë dervishët e saj….”

Ndërsa Sami Frashëri në veprën “Kamus al Alam” shton informacione të tjera si një shkollë plotore dhe disa fillore , 600 dyqane një hamam dhe një bezistan . Citon po në vepër: “Popullsia e kazasë është 40 000 frymë, më shumë se dy e treta e saj janë mysliman dhe shqiptar. Megjithëse shumica e të krishterëve janë vlleh, edhe këta janë shqiptarizuar dhe flasin gjuhën shqipe. Në tërë kazanë ka 22 xhami, 25 shkolla fillore, 2 punishte lëkure, 88 mullinj dhe 8 ura. Në kazanë e Beratit punohen artikuj prej leshi, si qilima të trashë , culla çorape etj Sanxhaku i Beratit. Është një nga katër sanxhakët që përbëjnë vilajetin ë Janinës, shtrihet në pjesën veriore të tij. Përbëhet nga një pjesë e Shqipërisë së Mesme dhe nga pjesa veriperëndimore e Toskërisë…”

Nëse do të dalim në një përfundim të shkurtër do të shohim që tipar i qyteteve të kësaj kohe janë xhamitë, medresetë , hamamet dhe furrat e bukës . Ndërsa një ndër tiparet e kësaj popullate që për fat të keq është zbehur për mos të thënë zhdukur (masivisht) është ajo e artit të bejteve dhe poezive . Shumë qytete të Shqipërisë si Shkodra , Elbasani etj janë shquar për natyrën poetike , se si njerëzit ishin në gjendje të pasqyronin fjalët e tyre në forma forma poetike . Veçmas kësaj janë humbur edhe zanatet e prodhimit të armëve siç ishin Prizreni , Shkodra , Dibra , Elbasani apo të barutit siç ishte Mati . Shumë e shumë gjëra të tjera qoftë nga aspektet materiale apo dhe ato shpirtërore të humbura tashmë nga e kaluara nuk mbetet veçse të përdoren si stimul për ringjalljen e të gjithë atyre që tashmë nuk janë ekzistente.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP