web analytics

Të veçanta

“Fikni kamerat, mbyllim kafazin, le të qeshim ne tani”

     Është thjesht një sustë, ajo forca lëvizëse që na mban frymën, jeni të vëmendshëm se ajo dritëza e kuqe do të thotë shumë. Sigurohuni mirë që kemi fikur kamerat, që kutiza jonë të jetë e sigurtë. Mbani mendjen, se është një popull i tërë që “mbajmë mbërthyer para ekranit”. Kjo fjali nuk është e panjohur te prezentueset e programeve në televizionet shqiptare. Ky është fenomeni i të treguarit sa të rëndësishëm janë ata. Po, ata janë epiqendra e ditës së çdo shqiptari, ai klani mbretëror që sjellin pak lumturi pas një dite të lodhshme të një populli të lodhur, të mërzitur, të rraskapitur nga puna, të varfër e të mjeruar. Ata janë koka e shtetit dhe ndjekësit e tyre janë një tufë që nuk lumturohen dot pa ta, pa parë fytyrën e tyre dhe pa dëgjuar zërin e tyre. Se populli qeshin e gëzohen vetëm kur dalim ne para, mendojnë dhe e shprehin. Kjo ide dhunon dukshëm logjikën e “audiencës shqiptare” si e quan prezentuesja. Populli që pret me padurim nisjen e show-it të saj. Po prit a nuk përfundoi një show i tillë. Po, por ka një tjetër, dhe një tjetër i ngjashëm, një histori dashurie, një kafene televizive ku mblidhen të rinjtë për tu njoftuar dhe një tjetër për modë e kështu me rradhë.

     Në fakt, ta mendosh edhe janë kudo, në shtëpitë e shqiptarëve, nëpër tavolinat e mbledhjeve e në takimet e miqve. Ne i diskutojmë nga frika, një grup tjetër nga inati, pastaj një grup nga habia një tjetër nga lakmia. Habia më e madhe është kjo, hap televizionin dhe për një moment harron që je në Shqipëri. Skena të mëdha e xixa xixa, veshje të shtrenjta, biznese gjithsecili më vete, paraqitje të hatashme, ai kafaz që paraqitet si një pallat i princit. Jetoni në Shqipëri na porosisin ata, jetoni se është shumë bukur, ku ka vend si ky yni. Por, ama do jetoni përrallën tuaj vetëm nëse na bindeni ne.

     I gjithë ky kafaz ka një ndërtues, dikush që paraqitet si mendjendrituri autor. Ndërtuesit e këtyre programeve kanë disa qëllime dhe më e frikshmja është: me anë të një grupi të bindur, edhe viktimë ndoshta, prekim çdo të ri shqiptar për t’iu shërbyer në pjatë parajsën që vetëm ne e ndërtojmë dhe ne e udhëheqim. E gjithë kjo panoramë paraqitet si përfaqësuese e rinisë në Shqipëri, si bartës i flamurit si është të jetosh i ri dhe i lirë në këtë vend.  I lirë nga kush? Nga vetja, nga familja nga parimet dhe vlerat.

     Dhe, po është gjithmonë i ashtuquajturi “opinionisti”, ai profesori në qoshe, që herë di çdo gjë, herë zgërdhihet, herë tall të rinjtë e herë jep këshilla si rrëmbehet tjetri në takime. Të rinjtë aty me ndihmën e profesorit binden se janë personat më të rëndësishëm në vend për momentin, kanë ndjekës të shumtë dhe vetëm sa nuk thuhet se edhe dita lind për ta. Po vjen një çast dhe pëmendet kryeminsnitri i vendit. Gjithë sytë katër para ekranit, hë se tani do thonë gjë për gjendjen aktuale, prit se mos na tregojnë ndonjë deklaratë me rëndësi. Jo jo, ishim gabim, është tallja e profesorit me ndikimin e kryeministrit. Të përgëzoj ty i thotë dikujt aty, sot ke më shumë shikime se videoja e kryeministrit. Po kush është ai fundja para nesh, ne drejtojmë vendin ai bën politikë, mendojnë dhe dërdëllitën gjithë aty, nën narkozën e lakmisë dhe vetngritjes.

     Profesor më dëgjo me vëmendje, ta paraqesim rininë e Shqipërisë si një cung që se lëviz as era, thotë udhëheqësi i klanit mbretëror. Një cung që është ngujuar dhe nuk i intereson fare ç’po ndodh në këtë vend, politika, ekonomia, arsimi, shëndeti. Asgjë, thjesht të vetmendohen të rëndësishëm dhe me ndikim, kaq na duhet. Se fundja rinia ndërton vendin e neve na duhet një rini që nuk lëviz. Po, prit se ma humbe mendjen, hap sytë profesori, po ne këtë harem se kemi ndërtuar për të bashkuar të rinjtë, Po ç’na duhet ne kush bashkohet kush jo. Madje sa më të pabashkuar më mirë është. Do paraqesim skemën e jetës që familja nuk ekziston, njerëzit nuk përputhen me njëri-tjetrin, mjafton të krijojnë lidhje njëjavëshe, të argëtohen, të tallen me njëri – tjetrin, të shahen e të sulmohen. Pastaj le të paraqiten gjithsecili me biznes personal, me të ardhura të panumërta nga babai, me ca zinxhirë prej ari gjeni diku sa për dukje. Kjo rini na duhet. Le të mendojnë ata jashtë kafazit se kështu jetohet dhe ndërtohet ky vend. Gjumë dhe takime. Pastaj mos të bashkohet njeri aq na duhet ne. Dhe, ti prezentuese rrudh fytyrën hera herës, paraqit mimika sikur të vjen keq, pastaj trego se ti je zëri ynë e ne do i mbështesim gjithnjë gjithë jetën. Po ku do i mbështesim flet prezentuesja e habitur, që se ka idenë shpesh ç’po thotë se është edhe e lodhur nga parapërgatitja e vetes, për tu shndërruar në një kukull filmash. Epo ja thuaj ashtu, se le t’i mbështesë kush të dojë, mjafton qorrazi të na besojnë.

     Tani fikim kamerat, mbyllim pallatin mbretëror dhe kthehemi me këmbë në tokë. Jemi në Shqipëri. Po, po në këtë vend ku pjesa më e madhe e rinisë është rrugëve. Disa me diplomë në dorë duke vrapuar derë më derë, disa të tjerë duke punuar për copën e bukës, jo më shumë dhe pjesa tjetër duke ikur nga ky vend. Jemi në Shqipërinë ku shumë gra keqtrajtohen çdo ditë, përçmohen dhe përbuzen. Në Shqipërinë e varfërisë, me të cilën poashtu po bëhet show. Shumë vajza të reja pa motive për të bërë një hapa para. Kjo ndoshta sepse fasada që ka mbuluar vajzat e show-it ndikon në psiqikën e tyre. Me një të fikur u zhbë gjithë ai vezullim, iku gjithë ai show, ikën bizneset e shumta që ndihmojnë atë dhe shesin produktet dyfish nga standarti i vendit. Te populli i mbërthyer mbeti pikë kush çfarë do bëjë herën e ardhshme, pse dreqin s’po përputhet më askush me asnjë se ai me të shkon, mbeti llogaribërja e jetës së tyre. Kurse, te ata pas ekranit fillon e qeshura, ia dolëm shumë bukur edhe sonte, sa u kënaqëm, rrofshin ndjekësit tanë se ç’do jetë ditë e bukur nesër. Do ketë më pak vrasje, më pak vjedhje, më pak varfëri? Po ku e di, ç’më intereson mua kjo, unë jam person ndikues, luaj me mendjen e tyre a jetoj jetën time brenda Shqipërisë si në ëndrrat e gjithë ndjekësve të mi. Ata le të ëndrrojnë, a unë për ta e e jetoj ëndrrën e tyre.

     Fiku e ndizu prapë dritëz e kuqe, brenda kafazit tim ku unë jam mbreti dhe unë qesh gjithmonë…sepse unë kam arritur t’i afrohem pothuasje çdo shqiptari, luaj në kafazin tim mbretëror dhe lëviz me gisht rininë e këtij vendi.

Hafije Fejzuli

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP