Piktura e Cézanne
Nga Rigers Balliu
“Të kapësh çastin kalimtar të përjetimit dhe ta pikturosh atë në realitetin e vet të plotë”[1]. Analiza e Merelau-Ponty-t për Cézanne-in në Mëdyshjet e Cézanne na dhuron përmes portretizimit shumë dimensional të piktorit një moment me rëndësi në analizën tonë të artit dhe mundësinë që na dhuron ai në kuptimin e një jete estetikisht të përligjur. Tashë ngjashmëria mes tragjedisë greke dhe pikturës së Cézanne-it nuk i takon stilit dhe formës, por gjendjes estetike të artistit dhe sporvës artistike për t’iu përgjigjur përmes artit një nevoje të jetës për t’u zbuluar në plotninë e saj. Mundet që paralelizmi ndërmjet dy llojeve të artit të duket i sforcuar, por, do të përpiqem të nxjerr në pah një element të përbashkët: jetën në realizimin e saj përmes njeriut, dhe artin si mundësi, si terreni ku jeta vetëzbulohet përmes gjendjes estetike të artistit dhe veprës së artit.
“Detyra para tij në këtë mision synonte, së pari, të linte mënjanë gjithçka kishte mësuar nga shkenca dhe, së dyti, përmes këtyre shkencave, të mbërthente strukturën e peizazhit si një organizëm në formim e sipër”[2]. Analiza e Merleau-Ponty-t ndërkall disa prespektiva: gjendjen psikologjike, obsesionet e artistit dhe vetë artin të vendosur mes shkencës dhe traditës, duke ndërtuar për të një biografi të punës së tij në një pikëpamjë filozofike. “Cézanne vazhdimisht kishte momentet e tij të dyshimit rreth vokacionit artistik. Me kalimin e moshës, e brente shqetësimi mos vallë risia e pikturës së tij lidhej veç me problemet me sytë, se mos gjithë jeta e tij kish për themel thjesht një anomali fizike”[3] (nga ky citim do të preferoja të supozoja duke marrë për të mirëqenë atë frikë të Cézanne-it, për anomali fizike). Sërish trupi zbulohet si origjinë, dhe nëse puna e tij ndërkall një anomali fizike të gjeniut, i dhuron analizës tonë dy momente me rëndësi: subjektin krijues dhe trupin (ndjeshmërinë) si origjinë e veprës së artit. Kësisoj nga njëra anë vepra e Cézanne-it na jep një botë në mbërje të vazhdueshme, pa linja, pa forma paraprake që vendosin kufirin mes njëra-tjetrës, por vetë atë teksa mbëhet prej një dallimi, duke e dhënë identitetin vetëm si rezultat final. Por gjithashtu duke manifestuar tek ata origjinën e tyre tek dallimi, dhe nga ana tjetër trupin si sintezë të forcave dhe si origjinë të së vërtetës së mbërjes që shfaq vepra e tij.
Është vërejtur deri në këtë fazë të punës se trupi me ndjeshmërinë e tij shfaqet si antitezë e konceptit dhe identitetit, ose më mirë të thuhet, si një kusht i domosdoshëm për të përftuar këto të fundit, por, jo si produkt i synuar nga ndjeshmëria. Është ndjenja specifike ajo nga ku mund të themelohet një kujtesë si ndërgjegje dhe t’i raportohet më pas një forme objektive apo identiteti. Këtu po bëjmë një dallim mes ndjeshmërisë si planin ku forcat ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe ndjenjës specifike të përftuar nga ushtrimi i këtyre forcave si elementi që vulos vlerën dhe cilësimin e vullnetit si aktiv ose reaktiv.
Subjekti krijues i artistit manifeston një vullnet për fuqi përmes punës së tij këmbëngulëse, por edhe me njëfarë dyshimi për aftësinë e tij. Dyshimi dhe shlyerja e tij po tek përpjekja me durim pa iu raportuar asnjë raporti krahasimor është karakteristikë e vullnetit për fuqi që afirmohet përmes pohimit. Dhe krijimi i subjektit artistik në rastin e Cézanne-it nuk i raportohet asnjë ideje apo koncepti paraprak, madje “mbasi e asimilon kulturën që nga fillimi dhe në tërësinë e saj, e shikon atë në një këndvështrim tjetër”[4]. Ai kërkon të zbulojë jetën përmes kompozimit të ngjyrave të tij dhe jo ta gjykojë atë. Ndërsa anomalia fizike është origjina vitale e mënyrës se si ai e shikon botën në mbërje.
“Në fund të fundit, natyrën ai e shikonte gjithsesi siç mund ta shohë atë thjeshtë një qenie njerëzore. Domethënia e veprës së tij do të ishte e paplotë po të përcaktohej vetëm nga të dhënat e jetës së tij përsonale”[5]. Objektet në tablotë e Cézanne-it rigjehen mes atomosferës. Tonet graduale kalojnë progresivisht nga nuanca në nuancë, në përshkrimin e objektit. Ligjet e prespektivës gjeometrike injorohen ndërsa objekti duket sikur buthton mbi tablo, pa u konturuar mbi të asnjë veçim nga atmosfera në tablo. Objektet e Cézanne-it duket sikur mbëhen dhe kërcejnë mbi sfond të pashkëputura nga natyra. “Ata kërkonin figurshmërinë në tablo, ndërsa ne kërkojmë të krijojmë një copë natyre”[6], i përgjigjej Émile Bernnard-it.
Ai e ndiqte me ngulm realitetin në tablotë e tij, por e trajtonte subjektivisht me impresionet që merrte nga natyra, duke e pasqyruar si një të tërë të pacopëtuar. Duket sikur tablotë e Cézanne-it kërkojnë të kapin lëvizjen në thelbësinë e vet dhe realiteti në tablotë e tij nuk shfaqet përmes gjendjesh çastësore, përkundrazi është vetë lëvizja, vetë ndryshimi që manifeston veten në tablo. “Duke hequr dorë nga linja, Cézanne e zhyt veten në kaos ndjesish. E këto i çorodisin objektet, duke sugjeruar vijimësisht iluzione optike, të njëjtin iluzion që përjetojmë kur lëvizim kokën dhe objektet do na duken sikur do të lëvizin”[7]. Cézanne ka ditur të paraqesë në tablotë e tij natyrën e vërtetë të realitetit dhe dukurive (objekteve), ai dëshironte të kapte në gjendjet statike të objekteve ndryshimin kur syri zhvendoset nga një pikë në tjetrën, duke sugjeruar vijimësisht iluzione optike, përmes heqjes dorë nga linja. Objektet tashmë nuk themelojnë dot asnjë botë dukje sepse vetë dukja na shfaqet në rrjedhshmërinë e saj, pa u ndalur në një moment të lëvizjes.
Objekti për Cézanne-in nuk mund të jetë produkt i një përkundruallsie, prandaj edhe subjekti tek ai nuk gjykon por krijon pa konceptuar paraprakisht asgjë përballë tij. Ai nuk krijon nga asnjë fakultet që themelon përbashkësinë e tij me të tjerët, por nga ajo “anomali” fizike që e bën atë dhe krijimin e tij të dallueshëm nga të tjerët. “Ai nuk donte t’i ndante objektet që syri shikon në gjendjen statike dhe ndryshimin që pësojnë kur syri zhvendoset. Ai do ta pikturojë materien ndërsa merr formë, lindjen e rregullit nëpërmjet organizimit spontan. Ai nuk bën dallim thelbësor midis ‘ndjesisë’ dhe ‘të kuptuarit’, por dallon organizimin spontan të gjërave që ne perceptojmë nga rendi që vë njeriu tek idetë dhe shkencat. Ne perceptojmë gjëra; ne pajtohemi me to; ne jemi të ankoruar në to; dhe është ‘natyra’ podiumi ku ngrihen shkencat tona”[8]. Ai përmes gjestit të tij piktoresk kërkon bashkimin e aktit të shikimit dhe mendjes.
E vërteta e realitetit nuk zbulohet në marrjen e një pozicioni përbri saj, bota, realiteti, jeta nuk ka ngjyrat e syzeve të subjektit. Ajo shfaqet përmes subjektit, duke e zhbëre atë si përkundruallsi, dhe duke e ikorporuar në gjirin e saj, duke kaluar përmes tij si lëvizje e parrokshme nga intelekti. “Kur ne shikojmë kompozimin e një pikture të tij në tërësi, pa u fokusuar në detaj, deformimet e perspektivës jo vetëm që humbasin: por, ashtu si ndodh ralisht në natyrë, ato veç kontribuojnë të na krijojnë përshtypjen e një rregulli (rendi) në ngjizje e sipër, dhe në harmoni, të një objekti ne prag të dujkes, që po na avitet para syve”[9]. Tonet e ngjyrave progresojnë gradualisht deri në formëdhënien e objektit në tablotë e Cézanne, sepse të marra veç e veç nuk na japin asnjë pamje të plotë, por vetëm si tërësi na shfaqin plotninë e jetës (natyrës) duke e shfaqur “muzikën” përmes figurshmërisë. Nëse kujtojmë që kemi pranuar më herët se muzika është tonaliteti i përgjithshëm prej nga buthtojnë figurat.
“Të kapësh çastin kalimtar të përjetimit dhe ta pikturosh atë në realitetin e vet të plotë”[10]. Çasti bëhet i njohshëm si i tillë për efekt prakticiteti nga intelekti (si aftësi njerëzore) por duke patur karakter shkencor e ka të pamundur ta konceptojë “çastin” në rrjedhshmërinë e tij. Kjo ngjan të jetë sprova e gjestit piktoresk të Cézanne, të kapë çastin si rrjedhshmëri duke kërkuar ta rikrijojë atë në realitetin e vet të plotë. Por kjo analizë është e realizueshme vetëm pasi ai të ketë realizuar krijimin e tij jokonceptual. Sepse “‘konceptimi’ nuk mund t’i paraprijë ‘ekzekutimit’”[11]. Artisti krijon pra në një gjendje të paarsyeshme, në një dehje dionisiane, dhe bota e krijuar prej tij manifeston përmes figurave këtë origjinë kaotike të lëvizshme, këtë rrjedhë të tragjizmit të jetës. “përpara se të shprehesh, nuk ekziston asgjë tjetër, përveç një lloj etheje të vagullt; dhe është puna dhe vetëm puna e përftuar dhe kuptimplote ajo që vërteton vlefshmërinë e kërkimit”[12]. Ndoshta sa i përket stilit paraleles së hequr në këtë nënkapitull i mungon konsistenca e duhur, por, na zbulon tek arti përmes krijimit të artistit dhe veprës së artit të njëjtin karakter manifestues të jetës si mbërje, si lëvizje e vazhdueshme, si dallim.
[1] Merleau-Ponty. M, Mëdyshjet e Cézanne, Zenit Editions, Tiranë 2019, f. 48.
[2] Po aty.
[3] Po aty, f.28.
[4] Po aty, f. 52.
[5] Po aty, f. 32.
[6] Po aty, f. 35.
[7] Po aty, f. 36.
[8] Po aty, f. 39.
[9] Po aty, f. 42.
[10] Po aty, f. 48.
[11] Po aty, f. 52.
[12] Po aty.
Komente