web analytics

Të veçanta

Reformat pozitive të qeverisë shqiptare

Në datën 23 tetor Komisioni i Ekonomisë miratoi ligjin që mbyll nga 1 janari i vitit 2019 të gjitha bastet sportive, bingot, bastet me gara dhe lojrat e fatit “online”. Ky ligj ishte prezantuar ditë më parë nga instancat qeverisëse dhe ishte shndërruar në objekt të replikave mes pozitës dhe opozitës politike. Prej disa ditësh është shfaqur njoftimi edhe për një iniciativë të re të qeverisë; ndalimin me ligj të tregtimit të alkoolit për personat nën 18 vjeç si edhe ndalimi i tyre për të hyrë në lokalet e natës.

Problemet që kanë njerëzit me kumarin dhe alkoolin në shoqërinë tonë janë shumë të dukshme. Mjafton t’iu hedhësh një sy statistikave që tregojnë përqindjen e kazinove dhe pikave të basteve në raport me popullsinë, apo të analizosh shkaqet e dhunës në familje ose të vetvrasjeve që dendur i shohim edhe në rubrikat e lajmeve si pasoja të varësisë së personave nga kumari apo alkooli.

Të gjitha këto probleme kanë pësuar rritje graduale që prej hapjes së shoqërisë sonë karshi vlerave të pluralizmit politik dhe liberalizimit. Ndërkohë, rëndësia aktuale e luftës ndaj këtyre fenomeneve është e një niveli shumë të lartë. Niveli i rëndësisë rritet për shkak të situatës emergjente në të cilën ndodhet një pjesë e madhe e rinisë sonë. Kjo situatë e bën të domosdoshme kurimin me ligj pasi përfshirja e individëve në kurthin e veseve të tilla i ka tejkaluar përmasat që mund ta lejonin ndryshimin me mjete të tjera joligjore.

Iniciativat në fjalë janë një mekanizëm efektiv në synimin për të prodhuar pozitivitet në jetën shoqërore. Dëmet e mëdha që ka sjellë fenomeni i kumarit apo alkoolit në stadet e mosmenaxhimit total kanë krijuar shtresa shoqërore të cilat mund t’i konsiderojmë si pishtarë të negativitetit dhe të keqes morale. Të tillë individë shfaqen negative në shumë sfera të jetës duke stagnuar apo zmbrapsur shumë zhvillime pozitive të mundshme; dëm i shkaktuar në politikë sepse persona të varur nga këto vese nuk kanë vullnet politik, e tejkalojnë procesin zgjedhor vetëm si një mundësi e momentit për të furnizuar kërkesat e tyre të ulta; dëm i madh po ashtu edhe në familjen shqiptare, kryefamiljarë apo edhe pjesëtarë të thjeshtë të familjes të cilët në një periudhë tranzicioni të vendit, e cila karakterizohet nga sfida të shumëfishta për të konsoliduar mirëqënien apo edhe mbijetesën në familje, kryejnë një veprimtari që çon deri edhe në shkatërrimin e saj; dëm kolosal i shkaktuar edhe ndaj brezit të ri i cili nuk kujdeset më që të formohet intelektualisht dhe profesionalsisht për të krijuar një shoqëri solide dhe të dobishme në aspektin vleror, pro përkundrazi veprohet duke u gjeneruar një rini e painteresuar për situatën e vet personale edhe jo më në sferën sociale; dëm shumë i madh edhe në sferën e ekonomisë së vendit pasi miliona euro harxhohen në një sector aspak të dobishëm dhe sigurisht jo fitimprurës.

Ka dy arsye të qëndrueshme të cilat parashtrojnë paradigma serioze në qasjen ndaj fenomenit të luftës kundër veseve të përhapura në masë. Së pari, një burim i mundshëm i ndjekjes së kësaj politike pro-sociale është gjendja e degraduar e shoqërisë shqiptare e cila konsiton në rritjen e standartit të jetesës, uljen e mirëqenies sociale, monopolizimin e aseteve ekonomike, përfshirja e hapët e politikanëve tanë në veprimtari të jashtëligjshme e trafik droge si edhe konsolidimi i pozitave të korrupsionit deri në nivelin e të konsideruarit domosdoshmëri. Të gjithë këta faktorë e kanë shndërruar vendin tonë si shtet pa perspektivë për shumicën e shqiptarëve të cilët vitet e fundit kanë emigruar në përmasa të mëdha drejt vendeve perëndimore. Madje problemi më madhor shihet mendësia e pjesës më të madhe të popullsisë për t’u larguar sa më parë nga vendlindja.  Përballja me këtë kërcënim të vërtetë që i bëhet kohezionit të shoqërisë në aspektin e denigrimit të shtresës intelektuale, uljes drastike të nivelit të profesionalizmit, rrënimit të vizionit akademik edhe vetmisë së zymtë që parashihet nga treguesit e braktisjes së vendbanimeve, ka sjellë deri në synimin për të rehabilituar ambjentet sociale duke e transformuar vendin nga një territor i tejmbushur me vatra të rrezikshme devijance dhe negativiteti që viktimizojnë kryesisht rininë, në një shtet që ofron alternativa të edukimit, formimit profesional, angazhimit në tregun e punës dhe distancimit prej veseve dhe fenomeneve që e shkatërrojnë individin dhe familjen shqiptare.

Së dyti, një tjetër burim i mundshëm i trajektores që ka marrë qeveria shqiptare në prirjen për të zbehur praninë e fenomeneve negativë si kumari, alkooli apo të tjerë faktorë destruktiv ndaj stabiltitetit dhe vitalitetit social është diplomacia turke. Ka shumë gjasa që shtysa dhe ndikimi kryesor për të gjeneruar ndryshime ligjore që prodhojnë efekte pozitive në jetën shoqërore të burojë nga Turqia. Ka disa fakte të rëndësishme që lidhen me këtë aludim dhe që e përforcojnë si hipotezë; një Shqipëri e dobët e populluar nga një shoqëri me vese të shumta, nga njerëz të cilët nuk duan të jetojnë dhe të investojnë mundin dhe kapitalin e tyre në vendin ku kanë lindur nuk i intereson askujt më shumë se sa vendeve fqinje si Greqia e cila synon që maksimalisht të aneksojë territor shqiptar edhe  për këtë përpiqet me të gjitha mënyrat; Serbisë nga ana nuk i intereson konsolidimi i faktorit shqiptar dhe dominimi i tij në Ballkan. Treguesit që e favorizojnë këtë tezë përkojnë me ndërhyrjen e qeverisë turke në pezullimin e marrëveshjes midis Greqisë dhe Shqipërisë falë të cilës Greqia përfitonte 12 milje territor detar nga ai i Shqipërisë.

Pak ditë para se kryeministri grek Tsipras të deklaronte anullimin e kësaj pike ishte zëdhënësi i presidencës turke i cili u shpreh se për Turqinë çdo mësymje greke në Mesdhe përbën “shkak lufte”. Kjo deklaratë erdhi  edhe për shkak se marrëveshje të natyrës së asaj midis vendit tonë dhe fqinjit jugor janë të pezullura edhe nga konventa ndërkombëtare. Turqia po ashtu ka investuar dhe po investon në shumë sfera të rëndësishme të shoqërisë dhe shtetit si në pajisje ushtarake e policore, ndërtim aeroportesh, institucionesh etj.

Përtej çdo treguesi permanent të përftuar nga zhvillimet që dëshmon interesin e shtetit turk për përmirësimin e kushteve jetësore në Shqipëri dhe konsolidimin e saj administrativ, ekonomik, politik dhe industrial ekzistojnë fakte shumë më të rëndësishme që na bëjnë të mendojmë se iniciativat e dobishme të qeverisë sonë ndikohen ose ndoshta edhe burojnë nga ndikimi i shtetit turk. Një fakt i rëndësishëm është vendi që zë shteti ynë në perspektivën e zhvillimit të Turqisë e cila me zhvillimet galopante në të gjitha aspektet shtetërore dhe shoqërore hapëron drejt riftimit të pozitave nën hijen e gjurmëve të Perandorisë Osmane. Në këtë këndvështrim Shqipëria shihet si skaji më perëndimor që përfaqëson ndikimin turk në Europë dhe për këtë arsye synohet një shoqëri shqiptare me vlera të konsoliduara politke, identitare dhe ekonomike e cila nuk mund të gjenerohet duke dominuar negativizmi dhe denigrimi social. Fakt tjetër është linja miqësore që shteti turk ka ruajtur me fanatizëm ndaj popullit shqiptar të cilin e konsideron si popull vëlla që ka shumë ngjashmëri dhe element bashkues me të.   

Fenomenet negative në shoqërinë shqiptare po sinjalizohen me luftë të ashpër dhe ky tregues nga ana tjetër është shenjë pozitive për të ardhmen e vendit, veçanërisht rinisë që cënohet më së shumti. Këtyre zhvillimeve duhet t’iu japim mbështetjen të gjithë si shoqëri. Ekizston mundësia që të dyja alternativat e parashtruara më sipër mbi burimin e reformave ligjore të jenë të sakta, ndoshta është edhe një ndërveprim i të dy faktorëve për një interes apo  kauzë të përbashkët. Mbi të gjtha ka rëndësi që situata socio-politike në këtë aspekt është n ëfavor të Shqipërisë dhe duhen shfrytëzyar të gjitha përfitimet e kësaj gjendje e cila prodhon rezultate pozitive afatgjata.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP