Nga kriza në krizë- Armand Dedej
Kriza e legjitimitetit, siç mund të merret me mend, është një situatë ku dyshimi mbi institucionet politike kërcënon vetë ekzistencën e tyre.
R. Dahrendorf
Jemi në një krizë politike! Por pikërisht për këtë arsye nuk duhet të heshtim! Ndoshta tani nevojitet më tepër se kurrë edhe një “pjesëmarrje” e llojit tjetër, e cila ashtu si dhe çdo gjë në përgjithësi, na mungon në mënyrë të konsiderueshme. Duhet një “pjesëmarrje” jo e llojit të “aktivistëve”, por e të ashtuquajturëve “intelektualë”. Me fjalë të tjera, përveç “veprimit politik”, na duhet edhe “mendimi politik”. Nuk besoj se është normale të veprosh pa menduar?
Nuk bëhet fjalë për të bërë bërë analiza të komplikuara filozofike, por njëkohësisht nuk bëhet fjalë as për të bërë bilance statistikore. Këtë të fundit duhet ta bëjnë insitucionet përkatëse të shtetit. Siç shihet, neve nuk kemi ndërmend jo vetëm të mohojmë shtetin, por as të bëjmë punën e tij!
Është thënë shpesh se na mungojnë idetë. Mirëpo disa “ide” ekzistojnë pavarësisht nga ne – d.m.th. pavarësisht se çfarë mendojmë dhe nuk mendojmë ne. Një ide, të cilën madje sapo e përmendëm, është pikërisht ajo e “shtetit”. Kjo është jo vetëm një “ide” që ekziston, por një e tillë për të cilën të gjithë jemi dakort. Pra, ka disa “ide” për të cilat të gjithë jemi dakort, dhe një prej tyre është ajo se shteti duhet të ekzistojë. Këtë po e vëmë në dukje për të gjithë ata që kanë frikë prej ndonjë apokalipsi të mundshëm anarkist në Shqipëri. Një tjetër ide e këtij lloji është edhe ajo e “demokracisë liberale”, kundër së cilës Aleksandër Dugini na ka sugjeruar ne shqipëtarëve se duhet të luftojmë me çdo kusht. Mirëpo duke qenë se neve jetojmë në Shqipëri dhe jo në Rusi, edhe kjo rezulton të jetë një ide për të cilën të gjithë jemi dakort.
Një ide e tretë, e cila është gjithashtu një fakt objektiv kokëfortë, është kapitalizmi! Çuditërisht këtë të fundit nuk e përmend askush – as ata që kanë frikë nga anarkizmi dhe as Aleksandër Dugini! Të gjithë pa përjashtim, “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, janë dakort me kapitalizmin! Me sa duket, qysh kur Kina e Ten Ksiao Pinit do të ftonte në mënyrë miqësore Milton Friedmanin, dhe Balcerowitsi i Polonisë do të shndërrohej në një simpatizant të këtij të fundit, kapitalizmi u zhduk nga skena globale e ligjërimit politik, duke u shndërruar në një fakt nga ato të tipit shkencor dhe natyror, apo të shkencave të natyrës. Putini dhe Xi Jinpingu mund të kundërshtojnë demokracinë liberale, por ama për kapitalizmin s’kanë asgjë për të thënë! Përkundrazi! Kulmi i cinizmit është se idenë thelbësisht kapitaliste të “tregut të lirë” po e kundërshton pikërisht një vend pararojë i kapitalizmit si Amerika e Trumpit me ato politikat e saj “merkantiliste” të tarifave dhe “luftrave tregtare” – shoqëruar, sigurisht, edhe me luftra të mirëfillta ushtarake!
Ndonëse neve në Shqipëri i kemi pranuar pa rezerva si “demokracinë liberale”, ashtu edhe “kapitalizmin”, shteti ynë nuk ka qenë në gjendje t’i administrojë si duhet këto të fundit! Gjendja aktuale është pikërisht rezultat i kësaj paaftësie, e cila është pa diskutim një paaftësi politike. Një paaftësi në kuadrin e politikbërjes dhe shtetformimit! Ky, pra, është thelbi i çështjes! Çdo gjë tjetër veç kësaj është thjesht muhabet partish dhe emisionesh televizive, i cili me terminologjinë popullore konsiderohet si “muhabet pa bereqet”! Jemi në krizë politike, e cila në kushtet e demokracisë liberale si demokraci përfaqësuese, përkthehet në krizë përfaqësimi. Kjo e fundit çon gradualisht në një krizë legjitimiteti të vetë institucioneve drejtuese të shtetit.
Asnjë nga forcat politike ekzistuese nuk përfaqëson interesat e popullësisë. Kjo vlen si për partitë e maxhorancës qeverisëse, ashtu edhe për ato të opozitës. Tradicionalisht njerëzit dalin në rrugë, kur interesat e tyre nuk përfaqësohen në parlament. Por edhe sikur ata të mos dilnin në rrugë në mënyrë rebeluese, një krizë e tillë përfaqësimi do të manifestohej nga tregues të tjerë. Një tregues alternativ i të njëjtit fakt është, për shembull, emigrimi masiv jashtë vendit. Në të gjitha raportet dhe studimet e huaja të pothuajse të gjitha kohërave, të cilat i korenspondojnë qeverive të të dyja forcave politike kryesore (PS dhe PD), Shqipëria është karaterizuar gjithmonë nga të paktën pesë fenomene: emigrimi masiv, korrupsioni, papunësia e lartë, remitancat dhe ekonomia informale. Në të njëjtën gjendje ndodhemi edhe aktualisht. Kur ndryshojnë shifrat e njërit element, ato kundër-balancohen zakonisht nga shifrat e elementit tjetër. Nëse, për shembull, nga njëra anë ulen remitancat, nga ana tjetër mund të jetë rritur ekonomia informale. Sigurisht, në të njëjtat kushte ndodhet edhe Kosova, e cila edhe ajo është karakterizuar jo vetëm nga remitancat e larta dhe ekonomia informale e lartë, por edhe nga roli i rëndësishëm që kanë luajtur ndihmat huaja.
Pas këtij bilanci me natyrë strukturore të krizës tonë, mund të kalojmë edhe në bilancin historik të krizave tona. Aktualisht jemi në krizën e të protestave permanente të shndërruara në demonstrata të dhunshme. Protesta paqësore e “flamingove” u shndërrua, qysh prej 13 Tetorit, në një demonstratë të dhunshme. Parullat u zëvendësuan nga gurët dhe molotovët, të cilëve iu kundërpërgjigjën gazi lotësjellës dhe plumbat e gomës. Kemi thënë gjithmonë se ne shqiptarët nuk protestojmë; dhe papritur e gjetëm veten në një protestë të stërzgjatur si ajo për Zvërnecin! Thamë se arma më e fortë e protestës për Zvërnecin është karakteri i saj paqësor; dhe papritur ajo u zëvendësua nga një demonstratë e dhunëshme kundër institucioneve të shtetit dhe bizneseve private! Me fjalë të tjera, nëse dikur profesor Artan Fuga do të thoshte – duke ironizuar pasivitetin politik tipik të qytetarëve shqipëtarë – se kriza më e madhe është se nuk ka krizë, aktualisht jemi në një krizë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës! Sigurisht, nuk besoj se profesor Fuga duhet të jetë gëzuar për këtë fakt! Me fjalë të tjera, nuk po e ngatërroj profesor Fugën me profesor Duginin!
Si një vend i “botës së tretë”, apo si një vend “në zhvillim” që jemi, neve kemi pasur një histori të gjatë krizash. Mund të themi madje se kemi kaluar nga kriza në krizë! Nuk kemi vuajtur kurrë nga mungesa e tyre! Përkundrazi! Kemi vuajtur pikërisht prej tyre, duke qenë se ato kanë krijuar destabilitet, pasiguri, mosfunksionim institucionesh etj. Nga përmbysja e regjimit e 1990-ës, kaluam në kolapsin katastrofik të 1997-ës, në puçin e dështuar të 1998-ës, në demonstratën e përgjakëshme të 21 Janarit 2011 etj. Krahas tyre do të ishte edhe lufta e Kosovës, të cilën ne “shqiptarët e Shqipërisë” e përjetuam si një ngjarje sa të largët aq edhe të afërt: nuk ishim pjesë e luftës, por u përballëm me pasojat demografike të saj. Mirëpo Lufta e Ukrainës na bëri ta harronim disi këtë, duke e shndërruar gjendjen e luftës në një imazh edhe më të largët. Nëse Europën Perëndimore kjo luftë e bëri të rikujtonte Luftën e Dytë Botërore, neve të tjerëve na bëri të harronim të gjitha luftrat ballkanike të rajonit tonë shpërthyes dhe hiperaktiv. Mirëpo pikërisht se jemi një rajon i tillë me në krye Serbinë tonë të famshme filoruse, ndjesia e luftës na u rikthye përsëri si diçka e afërt! Ngjarja që na bëri të kujtoheshim edhe një herë për rëndësinë dhe nevojën amerikane të NATO-s, do të ishte sulmi terrorist serb i Banjskës (24 Shtator 2023). Tashmë që jemi në mes të demonstratave, sigurisht nuk i kemi kthyer sytë nga NATO, por nga një tjetër institucion ndërkombëtar, i cili dikur ishte në sinkroni me NATO-n: nga Bashkimi Europian! Në këtë kontekst, nuk mund të shtojmë gjë tjetër veçse të falenderojmë Zotin që të paktën Aleksandër Dugini nuk është gjerman si Alfred Rosenbergu i kohërave të Hitlerit!
19- 20 Tetor 2026
Komente